-Kryeministri në detyrë Kurti bëri homazhe në 21- vjetorin e Masakrës së Studimes/
Vushtrri, 2 Maj 2020-Gazeta DIELLI/
Sot në mëngjes Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Studime të Vushtrrisë.
Homazhet u bënë në nderim të 21- vjetorit të Masakrës së Studimes ku humbën jetën 116 persona. Shumica e qytetarëve të Vushtrrisë dhe të fshatrave në rrethinë ishin larguar me forcë nga shtëpitë e tyre prej forcave serbe në fund të Marsit dhe fillimit të Prillit 1999, përderisa disa prej tyre ishin në gjendje të rrinin deri më 2 Maj. Më 2 Maj 1999 policia Serbe dhe forcat paramilitare kishin nxjerrë me forcë nga konvoi qytetarët, u kishin kërkuar para dhe më pas i kishin vrarë 116 persona në vend. Krejt kjo kishte ndodhur brenda 2 orësh. Sot, 21 vjet pas, akoma askush nuk ka marrë përgjegjësi dhe askush nuk ka kërkuar falje për këtë masakër. Është koha e fundit që kriminelët të paguajnë për të bëmat e tyre.
****
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka përkujtuar 21-vjetorin e Masakrës në Studime ku u vranë 116 civilë shqiptarë/21 vjet më parë në Studime të Vushtrrisë nga forcat serbe u vranë 116 shqiptarë.Brenda dy orësh, teksa po dëboheshin me dhunë për në Shqipëri nga forcat paramilitare serbe, u vranë mizorisht 116 civilë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra, burra e pleq. Kjo tregon qartazi përpjekjet e regjimit të asaj kohe për spastrim etnik dhe gjenocid ndaj shqiptarëve.Në këtë ditë, bashkëndjejë me familjet e tyre në këtë përvjetor dhe ua rikujtoj se misioni ynë i vazhdueshëm do të jetë që kryesit e veprës të marrin dënimin e merituar.Sot, shkaku i pandemisë Covid-19, familjet nuk do të mund të jenë te varrezat e të familjarëve të tyre për t`i kujtuar, por do t`i kujtojmë bashkërisht në secilën familje, sepse ata janë edhe familjarë tanë që dhanë jetën për shtetin dhe lirinë tonë!Përveç se do t`i rikujtojmë për çdo 2 maj, do ta përsërisim se nuk ka paqe të qëndrueshme pa zbardhjen e të gjitha krimeve të luftës të bëra nga Serbia.Ndaj, çfarëdo procesi negociatash nuk ka kuptim nëse drejtësia nuk shkon në vend.Për krimet ndaj shqiptarëve nuk duhet të ketë aministi. Duhet të ketë vetëm një epilog. E ky epilog është dënimi i atyre që i kryen këto krime!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për 116 civilët e vrarë të Studimes!