“Mjerë kombi që harron herojt e vet”(P. Gj. Shllaku)/
Nga Kolec Cefa/
“Nderi i Kombit” dhe “Pena e artë” janë dy tituj që pavdeksojnë edhe emnin e P. Zef Pëllumbit, dy tituj onorefikë që ndriçojnë vlersëimin per dëshmitë e tij të dhimbëshme, per krimet e fshehta e të dukshme të diktaturës; dy tituj onorefikë, që e shtijnë me dinjitetin e duhun në panteonin e njerzve tanë të vlerësuem, e që rrijnë nder themelet e kulturës sonë, e arritjeve tona me frymë kombtare, e në klimën prendimore.
U lind në bjeshkët e meçme të maleve tona, u arsimue në jetën shkollore të akademikëve françeskanë, u formue në klimën e traditave e të virtyteve tona etnike, e u kalit në terrorin e burgjeve komuniste si disident politik, tue mbetë një emen i permendun, i paharruem, i madh, edhe pse Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i ri, 2008-2009 i mbylli padrejtësisht e panjerzishem dyert e tij.
Kolegji françeskan e kuvendi i Troshanit i hapen një hapsinë dijeje e kulture, i edukuen urtinë me kerkue të vertetën dhe guximin me e thanë atë. Ndeshtrashat dinake ndaj françeskanëve i forcuen karakerin, i ushqyen burrninë malsore, i poqën durimin.Kishte lindë me ndjenjen e fortë me e dashtë lirinë. Ai ishte nga ata që dinte me perballue të keqen, por dinte edhe me falë, madje bante thirrje me falë, por jo me harrue. Pader Zefi kishte kujtesë të fortë, mbante mend shumë, por nuk mbante inat aspak.
Pader Zefi e jetoi e e duroi kalvarin e jetës së vet, në burgje, (“një çerek shekulli pa i dijtë vetes faj”) per të dëshmue sy në sy të vertetat e hidhuna që jetoi. Dhe dëshmoi qartë, bukur, me za të naltë, aty ku ndigjohet zani, aty ku perhapet fjala, aty ku mbetet dëshmia-porosi e françeskanëve të mëdhaj, per të na drejtue kah jeta e virtytshme, kah parimet e pastra, kah ndjenjat e sinqerta. Dhe, mbasi doli nga burgu, vazhdoi “n së dashunit së botësë sanë”: Ut heri dicebamus!
Pader Zefi kishte ambicie kombtare. Mjeti kryesor per me e mëkambë Shqipninë, mendonte, janë mendtë, asht dija. Dhe deklaroi (në mbledhjen e organizueme nga Prof. Dr. Dom Gjovani Brusegan me studentët shqiptarë në Itali, me qender Padovën): “Në qoftë se jemi këtu per me lypë, jemi per me lypë vetem mend”. Në Padovën e njohun heret per ne shqiptarët, gjeti edhe mecenatin e ri bujar e arsimdashës, Prof. Dr. Dom Gjovani Brusegan, që fali per shumë vjet bursa per të pregatitë kuadro per Shqipni dhe bursa per kualifikime e specializime në fusha të ndryshme, me të vetmin kriter: të bahen të aftë per të punue per atdhe tonë.
Kur me 1913 u fitue pavarësia, patriotët tanë u perpoqen të ndertojnë shtetin shqiptar e Konica bante thirrje per shtet prendimor, në shtypin shqiptar lindi një revistë, ku françeskanët shqiptarë afruen kontributin e vet të çmueshem. Revisten e quejten “Hylli i Dritës”, pse po lindte “nëper ag të qytetnisë së Shqypnisë”. 80 vjet ma vonë Pader Zefi, në kushte të ngjashme, me vullnetin me krijue shtet, nxori revisten françeskane “Hylli i Dritës”ku kerkoi ndërrimin e butë të sistemit, me shtet të së drejtës, me demokraci të vertetë per të gjithë, me pluralizem të natyrshem, plot mirëkuptim, e tolerancë, me jetë shoqnore kombtare e frymëzim prendimor, shkurt, pa Katovicë. Hyllin e Dritës e quejti “busulla në të cilën shenohet vetem një drejtim: Europë”. Aktuale atëherë, aktuale sot. Pader Zefi i dha frymë, shpirt e jetë revistës! Por nuk u ndal te revista, as te artikujt e tij me vlerë fetare e shoqnore. Si arkivist i vjeter, themeloi arkivin e ri. Ai vetë ishte arkiv i gjallë kujtimesh: mblodhi në popull materiale arkivore (edhe autori i këtyne rreshtave dorëzoi materiale), e pasunoi me materiale ardhë nga arkivat personale të P. Daniel Gjeçaj, të P. Marlekaj, të P. Paulin Margjokaj, etj. Një za i permbrendshem i kujtonte porosinë e françeskanëve të vjeter dhe filloi botimin e dorëshkrimeve të mbetuna gjallë: krijoi “Kolanën Françeskane” e botoi vepra te çmueshme të autorëve me vlera letrare e kombtare, si: kryesorët që zbuluen “Visaret e kombit”: Gjeçovin, që mblodhi pasuninë e mendimit juridik shqiptar; P. Bernardin Palajn, që praroi epikën tonë të mrekullueshme me talentin e vet poetik; P.Donat Kurtin që i dha shijë e profum përrallave tona kombtare. Pastaj u botuen poetë, gjuhëtarë, prozatorë etj, elitë intelektuale e shpirtnore e kombit tonë. Pader Zefi nuk asht pranë nesh, por Kolana e tij vazhdon premtuese e ngadhënjyese.
U quejt Frati i kujtimeve, në fakt qe Frati i deshmive, i deshmive të dhimbshme që as nuk duhen fshehë, as harrue, as mohue; Frati i plagëve, i plagëve që mbeten të pambylluna, i plagëve që kullojnë edhe sod lot, Frati i dekadave të vorfnisë materiale e shpirtnore; Frati vuejtësve fisnikë, që u shuen nder burgjet e komunistave, ku u ballafaque dhuna ma e eger, ma e ndytë e ma e pashpirtë e diktaturës me pafajsinë e qytetarit të lirë, ku injoranca ma e thellë demaskonte e torturonte dijen ma të këthielltë, ku i verbëti donte t’i udhëhiqte rrugën njeriut që shifte qartë dhe larg. Dhe u shpreh: “Dante e ka shkrue komedinë, ferrin e tij, per ne, jo per ju”. Dhe vertetë, po ta kishte shkrue ferrin nder birucat e hetuesisë, krejt ndryshe do ta kishte shkrue, se në Shqipni do të kishte pa atë që tha poeti Ali Asllani: “Shtrydhe tokën, kullon gjak”, se skenat e qelive komuniste të trishtojnë, të rrënqethin, të demoralizojnë, të zvetnojnë dinjitetin e të perdhosin karakterin me parafytyrimet kriminale ma shumë se skenat e ferrit dantesk, tue të dhunue çdo hir të dinjitetit njerëzor e tue të percjellë te vargu i poetit-gjeni: “O ju që hyni mbrendë, keni mbarue!”. Prandej: as pluhun, as hije, as harresë nuk duhet të bjerë mbi to.
Pader Zefi na dhuroi memuaristikë françeskane: memuaristikë me vlera dokumentuese letrare e morale. Hapi i pari siparin e kësaj proze burrnore, shkrue me frymëzim martirësh, mbruejtë me ndjenja e plot erëza hiresh e virtytesh, por edhe e njomë me dhimba plagësh të pamjekueme, shkroi per një rilindje shpirtnore (të parilindun), per një zgjim kombtar (të pazgjuem), per një drejtim prendimor, (pa Prendim). Memuaristika antikomuniste lëshoi rrajë ma parë në mendimin e vuejtësve, mandej në shkrimet e dashamirëve e u kthye, pothuej, në traditë e çlirueme nga frika. Shkroi trilogjinë “Rrno per me tregue” që mbeti si testament per breznitë e ardhshme. Kush do me njoftë komunizmin pesëdhjetvjecar shqiptar, duhet të lexojë trilogjinë e Pader Zefit. Vepren e shkroi jo per t’na prishë gjakun, por per t’na mprehë sytë e mendjes; jo per t’na ftofë zemrat, por per t’na ngrohë virtytet e saj, jo per t’na thye shpresat, por per t’na ngjallë hov kah e mbara. Vepra nuk asht as ngerrç, as ankth, as stres, se diku paksonte peshën e shtypjes, diku zbuste dhimbjen e trupit, diku hidhte humor edhe nder tortura. Shkroi me gjuhë meshtari: pa falsifikime e pa gënjeshtra; pa inate e pa hakmarrje. Ajo të fton per jetë idealesh, per energji dinjiteti, per orientim të ri: pa egoizem vetjak, pa perçarje partiake, pa vetgjyqsi kanunore.Trilogjia mbeti si referim historik.
Kadareja u shpreh: “Rrno per me tregue, që është një nga dokumentet më të mëdhenj të gjysmës së shekullit…”.
Shkroi edhe: “Françeskanët e mëdhaj”,(2001).“Saga e fmijnisë- un që jetova shum shekuj”( me një parashtresë terheqëse, Saga e një idiolekti, shkrue nga Ledi Shamku-Shkreli). (2009); “Antipoezi për shekullin e njëzetë” (Poemë antiepike)(2001);”Ut heri dicebamus”(2002), “Frati i pashallarëve Bushatli të Shkodrës (At Erasmo Balneo (1756-1788) kronikë e gojëdhanë; si edhe shumë artikuj intervista etj.
Një episod: Një ditë më thirri në telefon në shtëpi të tij në Shkoder dhe shkova. U befasova, u çudita, shtanga. Pader Zefi kishte jetue 25 vjet nder burgje plot vuejtje e mundime, sharje e fyemje, rrahje e tortura e të gjitha këto nuk kishin muejtë me i dhanë atë pamje të pashpresë fizike, atë depresion të fortë. Ishte ngurtësue burri si cung i pajetë, i premë degësh e gjethësh. Në buzë sikur i kishte dekë fjala. Fytyra i shprehte një dhimbë të thellë të ngrime në rudhat e trasha; një shikim i pajetë, i vagulluem, i pafiksuem dilte nga sytë e tij të turbulluem, të shqetsuem. Më zgjati dorën e pafuqishme e që i dridhej, e me mundim më tha: “Kolec, nuk mundem ma me shkrue”. I thashë: “Keni nevojë per pushim, Pader. Mos merr lapsë, as leter, as liber e shko në malsi, 4-5 muej, e keni per të pa, se do të filloni persëri. Nuk e ndigjoi ngushllimin tim. Nuk e kuptova, a më shihte mue a parandjenjen e vet. Pak ditë ma vonë, shkoi në spital në Itali e nuk u kthye i gjallë.
Pader Zefi e mbajti premtimin e fshehtë, jetoi e deshmoi, dhe e kreu amanetin françeskan. I mbete
Sadik Elshani says
Ate Zef Pllumi eshte misherim i qendreses burrerore dhe simbol i ngadhnjimit te vlerave e virtyteve njerezore mbi te ligen.
Agim Hamiti says
Poeti Havzi Nela u var në litar më 1988 – një vit para shembjes së komunizmit në Evropën Lindore. Gjykatës i tij ishte Fehmi Avdiu, i cili për këtë «meritë të shquar» u zgjodh anëtar (bile edhe kryetar) i Gjykatës së Lartë në «demokraci», derisa doli në pension.
Dashurinë e tij për atdheun, për Kosovën, për popullin shqiptar në përgjithësi e për malësorët në veçanti, poeti atdhetar përpiqej t’ua përcillte edhe nxënësve të tij, duke anashkaluar «meritat e Partisë». Kjo bëri që t’i hapej shpejt dosja prej Sigurimit, i cili nuk do t’i ndahej, derisa ta çonte në litar…
Si gjithë të burgosurit politikë, Havzi Nela i ndiqte me vëmendje protestat e fuqishme të vëllezërve Kosovarë më 1981. Akti heroik i adoleshentes nga Prishtina, që i doli përpara tanksit jugosllav e mbështjellë me flamurin shqiptar, e frymëzoi Havzi Nelën t’i kushtonte asaj kreshnikeje poezinë e mëposhtme.
Urrejtjen e pamasë ndaj poetit antikomunist diktatura do ta shfrente edhe pasi i mori shpirtin me litar, duke mos i hapur një copë gropë në tokën amtare, por e varrosi në këmbë pasi shkuli një shtyllë. Barbarëve injorantë të Sigurimit nuk ua priste mendja e verbër se, nëpërmjet këtij gjesti, ata e barazonin poetin martit Havzi Nela me shpëtimtarin e Spanjës prej komunizmit – gjeneralin Franko -, i cili në fjalimin përshëndetës drejtuar popullit spanjoll ditën e marrjes së Madridit prej forcave nacionaliste të kryesuara prej tij, shqiptoi edhe këtë shprehje të spiktaur:
«Kur të vdes një ditë, dëshiroj të më varrosni në këmbë e me shpatë në brez, sepse po shkeli prapë çizmja e komunizmit në tokën spanjolle, unë do t’i ndiej edhe në varr dridhjet e tokës mëmë dhe do të ringrihem për të luftuar përsëri kundër kolerës së kuqe».
Havzi Nela ishte po aq antikomunist sa gjenerali Franko…
NUSJA E FLAMURIT
Lavdi çikës kosovare,
Si nji shqerrë, si nji manare,
I del tankut, i thotë “ndal!”
Rritet, ngrihet sa nji mal!
Shih si jam – si lulëkuqe,
Lulëkuqe buzëburbuqe,
Jam shqiponja me dy krenë,
Fluturova, mora dhenë.
Për Kosovën Republikë,
Sulem, ngjitem, nuk kam frikë,
Jam shqiponjë me krah’ e fletë,
Fluturoj deri tek retë.
Jam e bukur, drit’ e nur,
kuq e zi – jam ba flamur;
Kam fustanin fletë-fletë,
Jam një shqiponj’ e vërtetë.
Nalt mbi tank shqiponja ngjitet,
Hapi krahët, valëvitet:
Për Kosoven Republikë
Fluturon e nuk njeh frikë.
Hapi flatrat, n’ajër u lshue,
Bash si zanë u mrekullue!
Si shqiponja me dy krenë,
Fluturoi e mori dhenë!
Manushaqe, lulëkuqe,
Nusja jonë buzëburbuqe,
Majë tankut me flamur,
Ngjitesh mos me vdekun kurrë!