-Ekspertët: Ky projektligj duhet të tërhiqet, është i gatuar keq!-

Me nisjen e sezonit të ri, paketa “antishpifje” është rifutur në programin e punës së parlamentit, gjë që ka rindezur debatet lidhur me këtë çështje. Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe shoqëria civile kanë përsëritur apelin ndaj Kuvendit për t’u tërhequr nga kjo paketë.
Duke folur për këtë temë, kryeredaktori i “BIRN”, Besart Likmetaj theksoi në “Ilva Now” se ky ligj nuk duhet miratuar, pasi bie ndesh me normat e lirisë së shprehjes. Ai thotë se, qasje më pozitive në këtë drejtim duhet të jetë parimi i vetërregullimit të mediave online.
“Momentalisht dimë, që qeveria ka kërkuar një opinion nga në Këshilli i Evropës për projektligjin, por nuk e dimë se cilin draft. Ka një mungesë në transparencë nga Kuvendi dhe nga qeveria. Kjo kërkesë për informacion ka qenë që nga viti 2018, por përgjigjet nuk kanë qenë të sinqerta. Transparenca duhet të jetë ndaj palëve të treta, jo ndaj vetes. Ne besojmë se ky projektligj duhet të tërhiqet i gjithi. Ky është një projektligj i gatuar keq. Mënyra më e mirë që duhet të përballen mediat online do të ishte parimi i vetërregullimit. Nuk mundet të hapen negociatat nëse nuk merren parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias. Nuk do imagjinoja se cila do ishte ajo qeveri shqiptare që do mohonte hapjen e negociatave me Brukselin, për të kaluar një ligj shumë të kritikuar, dhe që do e klasifikonte Shqipërinë me vende jo demokratike si Rusia apo Bjellorusia, për mënyrë se si ndërhyjnë për të kontrolluar përmbajtjen e medias online”, tha ai.
Nga ana tjetër, Eida Skëndaj, nga Komiteti i Helsinkit thotë se ky projektligj duhet të nisë nga e para pasi nuk mund të bëhen korrektime mbi aktualin. Ajo pohon se Shqipëria duhet të dëgjojë opinionin e Komisionit të Venecias për këtë paketë, e cila ka shkaktuar debate të forta.
“Ne si organizatë i jemi bashkuar shqetësimit të gazetarëve dhe mediave. Po të lexojmë opinionin e Komisionit të Venecias, do konstatojmë se defektet janë shumë serioze. Për mendimin tim, procesi do duhet të nisë nga e para, pasi nuk bëhen korrektime mbi këtë ligj ekzistues me problematikat e tilla. Problematika janë të ndryshme, por problemi më madhor është pavarësia e institucioneve, të cilave u janë dhënë për të marrë ankesa për lajmet e publikuar online. Opinionet e Komisionit të Venecias kërkojnë reflektim serioz. Venecia e thotë qartë se Shqipëria ka një legjislacion në fuqi që i mbron individët nga lajmet e pavërteta”, shtoi ai.
***
Ideja për një paketë antishpifje daton që prej 2 tetorit 2018, si nismë e propozuar nga kryeministri Edi Rama për të frenuar qarkullimin në media të lajmeve të pavërteta.
Në dhjetorin e 2018, qeveria hartoi dy projektligje në kuadër të kësaj pakete, që përfshinte mediat audiovizive, shto këtu edhe mediat online si risi dhe komunikimet elektronike dhe postare. Në draftin fillestar parashikoheshin sanksione të ashpra për mediat online apo portalet që publikonin informacione false, duke përfshirë gjoba dhe pezullim të punës, si dhe duke i dhënë fuqi gjykimi Autoritetit për Mediat Audiovizive.
Që në fazat e hershme të propozimit dhe gjatë kohës kur paketa konsultohej në Komisionin e Ligjeve, ajo hasi në kundërshti nga opozita si edhe nga gazetarët, të cilët e konsideruan si një ligj që do të rrezikonte lirinë e medias dhe shtypit.
Qeveria bëri disa ndryshime të minutave të fundit në paketë, të rekomanduara dhe përkrahura nga OSBE, duke hequr mbylljen e portaleve por duke shtuar gjobat për ata që kryenin shkelje. Me 82 vota pro, 13 kundër dhe 5 abstenim, Kuvendi kaloi ligjin në seancën e 18 dhjetorit 2019, ndërkohë që Komisioni Evropian tërhiqte vëmendjen se këto ndryshime nuk pasqyronin rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe nuk siguronin standardet evropiane të lirisë së shprehjes.
Më 12 janar 2020, presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim paketën, me argumentin se ajo shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik për lirinë e shprehjes dhe informimit.
Më 5 qershor 2020, Komisioni i Venecias, një trupë këshilluese e Këshillit të Evropës, kundërshtoi paketën e miratuar në dhjetor, duke ngritur dyshime për pavarësinë e AMA-s dhe duke kërkuar një proces të drejtë për mediat online.
Me nisjen e sezonit të ri, paketa është rifutur në programin e punës së parlamentit, gjë që ka rindezur debatet lidhur me këtë çështje. Presidenti Meta dhe shoqëria civile kanë përsëritur apelin ndaj Kuvendit për t’u tërhequr nga kjo paketë.(Kortezi:Euronews-Albania)