
Prof. Milazim Krasniqi/
Që nga riparaqitja e krizës në vitin 1989 e këndej, prezenca amerikane në Kosovë dhe lidhur me Kosovën ka qenë një element thelbësor për qetësimin e gjendjes dhe për orientimin politik të kërkesave të shqiptarëve. Deklaratat e kongresmenëve dhe të senatorëve, komentet e mediave dhe prezenca mjaft e shpeshtë e diplomatëve amerikanë në Prishtinë, krijuan një disponim të fuqishëm proamerikan në popull. Kjo ishte e lidhur edhe me proceset politike dhe ideologjike që po përshkonin Jugosllavinë. Meqë Millosheviqi ishte pozicionuar si vazhdues i ideologjisë komuniste, shqiptarët e Kosovës morën një kurs më të theksuar antikomunist. Ky kurs i ri i bashkonte me lëvizjet e mëdha antikomuniste që kishin përfshirë shumicën e shteteve të Evropës Lindore. Ndikimi më direkt vinte nga lëvizjet nacionale antikomuniste që zhvilloheshin në Slloveni dhe në Kroaci. Këto lëvizje përjetoheshin si aleanca të natyrshme në një front antiserb. Në vitet 1989-1991 kontakte dhe bashkëpunim më së shumti ka pasur ndërmjet shkrimtarëve dhe gazetarëve shqiptarë të Kosovës me shkrimtarë dhe gazetarë sllovenë e kroatë, të cilët edhe e formësuan me idetë e tyre opinionin publik. Në këto projeksione antikomuniste, si në planin lokal si në atë global, shqiptarët e ndjenin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fuqia kryesore e cila do ta mundësonte fitoren mbi “murtajën e kuqe”, e prej këndej edhe fitoren mbi politikat represive të Millosheviqit.
Në vitin 1996 në Prishtinë u hap Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ishte një zyrë për kontakte dhe bashkëpunim kulturor. Mirëpo shqiptarët e përjetuan këtë zyrë si një ambasadë amerikane dhe kjo i motivoi edhe më shumë në kursin proamerikan.
Prezenca amerikane në Kosovë gjatë viteve të konfliktit të armatosur (1998-1999) ka qenë shumëplanëshe dhe i ka përcaktuar rrjedhat e zhvillimit të ngjarjeve. Ambasadori amerikan në Shkup, Kristofer Hill, ishte ndërmjetësues në kontaktet mes Prishtinës e Beogardit. Një kohë si emisar amerikan ishte Robert Gelbard, i cili u largua nën trysninë e regjimit të Beogradit. Më vonë u rikthye në skenën e përgjakshme ballkanike edhe Riçard Holbruku, i cili pati sukses në imponimin e takimit ndërmjet Rugovës e Milosheviqit në maj të vitit 1998. Roli i Holbrukut u bë përcaktues edhe në tetor të vitit 1998, kur arriti një marrëveshje armëpushimi mes palëve ndërluftuese (UÇK-së dhe forcave serbe). Ardhja e monitoruesve civilë të OSBE-së ishte rezultat i këtij angazhimi amerikan. Ndërsa roli i monitoruesve civilë të OSBE-së në janar të vitit 1999 do të jetë shumë i rëndësishëm për vlerësimin e arsyeve për intervenim ushtarak kundër caqeve ushtarake serbe. Sërish rolin kyç në këtë punë e pati një amerikan, gjenerali Uilliam Uoker. Kur ndodhi masakra mbi civilët shqiptarë në fshatin Reçak, më 15 janar 1999, gjenerali Uoker, në cilësinë e shefit të Misionit Monitorues të OSBE-së në Kosovë, e alarmoi botën për masakrën. Vlerësimi i tij eksplicit ishte pika që shënoi ndryshimin e kursit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Millosheviqit.
Edhe në marrjen e vendimit për intervenim ushtarak të NATO-s, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur rolin udhëheqës. Armata amerikane ka mbajtur barrën kryesore të bombardimeve që shënuan kapitullimin e Millosheviqit në Kosovë.
Sot prezenca amerikane në Kosovë është shumëplanëshe: diplomatike, administrative dhe ushtarake. Shqiptarët e Kosovës e vlerësojnë lart këtë prezencë dhe e konsiderojnë si përcaktuese për stabilitetin dhe garanci për lirinë e Kosovës.