Esse nga Rafael Floqi/
Po është një mësim jete. Nuk është një luftë. Lufta sjell urrejtje, dhunë, shkatërrim, ndërsa ne jemi thirrur, në këtë moment të veçantë, të rizbulojmë vlera të tilla njerëzore, si :solidariteti, vëllazëria, fqinjësia dhe natyra. Metafora e luftës, aq e dashur për politikanët dhe gazetarët, ka qëllimin unik të amplifikimit të frikës në kontekstit e kësaj narrative, duke e përshtatur atë në mënyrë perfekte për përdorimin e emisioneve talk- shows për të na kujtuar, sesa jo për t’na informuar, por për të rritur rajtingun, për të fituar një audiencë më të gjerë. Të thuash se jemi në luftë është, sipas mendimit tim modest, është një shembull i pastër i prirjes leksikore njerëzore për t’i zmadhuar gjërat.
E pra, mos luftoni luftën nga shtrati në shtëpi apo duke postuar vazhdimisht histori në Facebook. Asnjë kufi nuk rrezikohet, nuk ka asnjë armik atje që të na pushtojë. Dhe pastaj, le ta kuptojmë sinqerisht dhe qetësisht: ne, si qenie njerëzore, kemi bërë luftëra qysh në fillim të kohës. Ne si njerëz jemi aq brutalë sa për mijëra vjet kemi vrarë njëri-tjetrin me gurë, shkopinj, shpata, shtiza, topa, mitraloza dhe bomba atomike. Imagjinoni sikur të kishim nevojë për një pandemi për të shpallur luftë … kush jemi ne? Madje dhe ky virus i vockël është vetë pjesë e natyrës së gjërave?
Sidoqoftë, në këtë kohë ekziston një sëmundje që prek dhe e bën këtë pa dalluar kufij, kombësi, ngjyrën e lëkure apo statusin shoqëror. Dhe ky është tashmë një mësim i shkëlqyeshëm i pari në këtë jetë. Ai na thotë – ashtu si duhet – se që të gjithë jemi njësoj.
Diversiteti dhe dallimet janë fryti i mendjes sonë të kufizuar dhe kufizuese, janë apoteoza e gjerësisë sonë të mendimit. Jemi përballë një pandemie që, për tu adresuar drejt, që kërkon një sens të fortë përgjegjësie personale dhe të bashkëpunimi midis komuniteteve. Kërkon një gjest kontrovers, kërkon altruizmin, në një shoqëri individualiste, në të cilën të gjithë mendojnë për veten e vet dhe si të mbrojnë të mirat e veta.
Dhe ky është një mësim i dytë për jetën.
Le të ndalemi së vështruari në kopshtin tonë të vogël të mjeruar të përberë nga egoizmi, lakmia dhe mjerimi shpirtëror.
A e dini se si do të përfundojë kjo pandemi? Veç me ndihmë të ndërsjellë!
Do të duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin! Ose ndjenja e bashkësisë duhet të mbizotërojë, ose ne do të dënohemi të hamë njëri-tjetrin. Mesazhi i fundit i papës “Askush nuk ka i shpëtuar vetëm” e sqaron këtë.
Ky virus, në mënyrën e tij të së qenit ngjitës, duke na bërë të qëndrojmë vetëm me veten, na thotë se gabimi ishte ndoshta ai i pari. Naiviteti për të besuar se mënyra jonë e të jetuarit ishte e drejtë, verbëria në të besuarit se jemi të lumtur dhe jo sipërfaqësor, marrëzia e të parit të një botë që digjet dhe mbërthehet në vetvete – dhe mbi ne – dhe ne jemi duke pretenduar se është normale.
Gabimi i vlerësimit se ligji i fitimit është forcë lëvizëse e të gjitha gjërave. Në vend që të investonim në kujdesin shëndetësor, për përkujdesjen tonë, në solidaritet, për të forcuar ndjenjën e komunitetit, ne preferuam të shpenzonim për armatim, për t’u mbrojtur nga të tjerët, dhe nga bashkëqytetarët tanë. A nuk është edhe ky një mësim jete?
Ne zgjohemi ne një kohe kur pasuria është më e rëndësishme sesa dija, që është një mashtrim dhe jo e vërtetë, është çnjerëzim dhe jo dashamirësi. Por jo vetëm kaq, po është momenti i pandjeshmërisë, i verbërisë, i egoizmit, i frikacakëve, i dukjes, i mediokritetit, keqkuptimit dhe veçanërisht i së keqes, në të gjitha format e saj. Ndoshta, të dashur njerëz, është koha të pranojmë:
Se sëmundja nuk është virusi. Sëmundja jemi ne!
Deri më tani kemi jetuar të bindur që jeta, në një mënyrë delikate, na ka mashtruar. Se ajo ishte e padrejtë dhe mizore. Ne e harruam veten, duke parë orën, me ndjenjën tonë gjithëpërfshirëse, të bindur se mund të kontrollojmë edhe kalimin e kohës. Ndërsa ishim të bindur se ka akoma kohë, që asgjë nuk do të ndodhë nesër, dhe gjithçka mund të shtyhet për më vonë. Ishim gabim. Një qenie e padukshme, e transportuar në ajrin që thithim dhe që, në pak më shumë se një muaj, ka përshkuar detet, malet dhe kontinentet e tëra, dhe ishte e mjaftueshme për të gjunjëzuar të gjithë besimet dhe zakonet tona. Mendohuni!
Ne besuam, në paditurinë dhe arrogancën tonë, se mund të jemi të pathyeshëm, se jemi superiorë ndaj çdo qenie tjetër të gjallë në faqen e dheut. Po, po është natyra ajo që po vrasim?
Njeriu mburret. Unë e shkatërrova atë, e përdhunova, në emër të perëndisë së parave, i bindur që Toka Nënë, nuk pësoi ndonjë goditje, duke e shfrytëzuar atë egër e përgjithmonë. Ai mori, vodhi, me duar të shtrira, të grisura, prerë, copëtuar, duke prishur gjithçka që i shfaqej në udhë.
Ne kemi sëmurur Tokën dhe tani ulërimat e dhimbjes së saj, po zhurmojnë në shtrirjen globale të një pandemie që, për ne, njerëzit ka shijen e katastrofës.
Dhe tani e shohim veten të shtangur, të rrahur nga kjo shuplakë nga ky mësim jete që nuk e prisnim, ndaj ne e konsiderojmë se është e padrejtë, ta konsiderojmë veten në luftë.
Shembuj ekzistencialë si ky tregojnë, se së pari Toka lëshon sinjale të vogla si kambanat, sinjale që gjithmonë kemi injoruar dhe më pas gjen një mënyrë për t’u dëgjuar me sirenat e saj gjithnjë e më therëse. Ajo na thotë se, me çdo çmim, ajo do të jetë në gjendje t’ju bindë se e mira dhe e keqja nuk janë të rastit, se ka ardhur koha të kuptojmë se ne si një specie e gjallë, po vazhduam kështu jemi afër vetë-shkatërrimit.
Ka ardhur koha për të kuptuar se llogaritja mbrapsht ka filluar, se polica jonë e sigurisë është konsumuar pothuajse plotësisht, dhe kjo është thirrja e fundit. Për ju, për mua, për të gjitha krijesat që popullojnë Tokën. Dhe për këtë planet të munduar, që nga vetë jeta e të cilit varet e gjithë mbijetesa jonë.
Format e reja të qëndrimit tonë subjektiv duhet të promovohen, nëse synojmë ndryshime shoqërore epokale. Duhet të kuptojmë se liria nuk është zgjedhja e ngjyrës së makinës, se asnjë përqafim nuk ta siguron atë kurrë, Babai im mjek më thoshte një frazë që “mbeti mbërthyer” mendjen time gjatë gjithë jetës . Ai më thoshte: ” I sheh, këta njerëz që vijnë për vizitë, ata nuk kanë nevojë pёr tre hapje në ditë, por pёr tre përqafime”, dhe distancat nuk maten në kilometra.
Ne jemi larguar edhe kur jemi afër në këtë shoqëri, ku flasim pa dëgjuar, hamë pa shijuar, bëjmë dashuri pa ndjerë, ecim pa parë, një shoqëri në të cilën marrim frymë duke nuhatur, të errësuar nga besimet tona të verbëra. Natyra i ka rregullat e saj dhe ndjek një model të panjohur dhe nganjëherë të dhunshëm, si ky.
Bota vazhdon dhe ne, njerëzit e thjeshtë, kemi në dorë fuqinë vetëm të përpiqemi ta kuptojmë, ta ndryshojmë qasjen, besimet tona, sistemin tonë. Edhe pse është e vështirë, shumë e vështirë, por ne nuk kemi mundësi tjetër.
E vërteta, njerëz të dashur, është se asgjë e nesër nuk do të jetë njësoj si më parë, përveç nëse mësojmë mirë këtë mësim, përndryshe gjithçka do të kthehet saktësisht si më parë, me huqet tona të këqija stërgjyshore dhe me vetëdijen se, përsëri, njerëzimi humbi një mundësi për t’u përmirësuar.