Papa Françesku miratoi Dekretin, që do të çojë në shenjtërimin e Nënë Terezës së Kalkutës. Në Dokumentin, paraqitur dje pasdite, gjatë audiencës me kardinalin Angelo Amato, u njoh ndërmjetësimi i së Lumes në mrekullinë e shërimit të menjëhershëm e të pashpjegueshëm të një burri me kombësi braziliane, i sëmurë rëndë nga një goditje në tru. Në vitin 2008 burri u shërua në mënyrë të papritur, të jashtëzakonshme e të plotë.
Mbrëmjen e 10 shtatorit 1948, Maria Tereza – ky, emri që pati marrë në çastin e kushteve, murgesha e re e Motrave të Loretos – shtegtonte me tren nga Kalkuta, në Darjeling, në viset rrëzë Himalajës, tronditur rëndë prej çrregullimeve.Tregonte më vonë Rregulltarja imcake, 38 vjeçare, e paracaktuar të bëhej ikonë planetare e dashurisë së krishterë: “Atë natë m’u hapën sytë për të parë vuajtjen dhe e kuptova me fund thelbin e thirrjes sime. Ndjeva se Zoti po më kërkonte të hiqja dorë nga jeta e qetë në gjirin e Kongregatës rregulltare, për të dalë në rrugë të madhe e për t’u shërbyer të varfërve”. E shtonte: “Nuk ishte këshillë, ftesë e as propozim. Ishte urdhër!”.
Pikërisht 60 vjet më pas, më 10 shtator 2008, një inxhinier brazilian, në gjendje kome për shkak të një sëmundjeje të trurit, u mbart në sallën e operacionit për një ndërhyrje kirurgjikale gati-gati të pashpresë. Gruaja e tij lutej në kapelën e spitalit, së bashku me një meshtar e disa familjarë. Një natë më parë i qe lutur me gjithë zemër Nënë Terezës: “Mjekojeni Ju vetë tim shoq”. Gjithçka ndodhi në pak minuta. Kirurgu, që kishte dalë një gjysëm ore më parë nga salla e operacionit, duke e shtyrë për pak çaste ndërhyrjen, u rikthye përsëri dhe, çuditërisht, e gjeti të sëmurin ndenjur mbi shtrat, të zgjuar e plotësisht të vetëdijshëm. I mrekulluar, e dëgjoi t’i thotë: “Ç’bëj unë këtu?”. Shërimi, që u vërtetua më pas, ishte i menjëhershëm, ndërsa abseset e shumta të trurit, me hidrocefale obstruktive, ishin zhdukur krejtësisht, në mënyrë fare të pashpjegueshme. Është një nga rastet e rralla të mrekullisë së “shkallës së parë”, asaj që kundron ngjalljen prej të vdekurve ose të ashtuquajturës “restitutio ad integrum”, domethënë, shërimin e plotë të të gjitha organeve të shkatërruara nga sëmundja. Ndërsa shumica e mrekullive të miratuara nga dikasteri i Vatikanit, janë të gradës së tretë, domethënë shërime të menjëhershme nga sëmundje, për të cilat mjekësia do të mund të arrinte rezultate vetëm pas një kohe tepër të gjatë.
Është shenja e fundme, që ia hap portat e shenjtërisë Engjëllit shqiptar të të varfërve të periferive, siç do të thoshte Papa Françesku.