–Në Indi, bilanci ende i përkohshëm i katastrofës, të cilën e kujtoi Ati i Shenjtë, është të paktën 39 të vdekur e 167 të humbur, në shtetet indiane Tamil Nadu e Kerala. /
Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, mendimi i Papës shkoi edhe një herë tek popullsitë e dëmtuara nga fatkeqësi të rënda natyrore, sidomos nga shirat, që po shkaktojnë dëme të mëdha këtë fillim dimri:
“Dëshiroj t’u shpreh afërsinë time popullsive indiane të dëmtuara nga cikloni Okhi, posaçërisht familjeve të peshkatarëve të shumtë, të humbur në det; e edhe popullit të Shqipërisë, dëmtuar rëndë nga përmbytjet e kohëve të fundit”.
Shira të pareshtura dhe blackout, në Shqipëri.
Në Shqipëri, një valë e pandërprerë kohe të keqe po godet zonat qëndrore dhe veriore të vendit. Situata vijon të rëndohet: dëmet më të mëdha vërehen në fshatrat Marikaj e Laknas, në rrethinat e Tiranës, ku një njeri humbi jetën. Shira të rrëmbyera vijojnë edhe në bregdetin e Durrësit e nuk mungojnë as në Shkodër. Situata më e rëndë, në fshatin Bardhaj,përmbytur nga vërshimi i lumit Kir. Në shumë zona mungon edhe energjia elektrike. Autoritetet shqiptare i kërkuan ndihmë bashkësisë ndërkombëtare, për t’i bërë ballë emergjencës.
Në Indi, bilanci ende i përkohshëm i katastrofës, të cilën e kujtoi Ati i Shenjtë, është të paktën 39 të vdekur e 167 të humbur, në shtetet indiane Tamil Nadu e Kerala. Në pjesën jugore të vendit, Ministria e brendshme indiane njofton se, falë ndihmës së shpejtë, u shpëtuan 556 peshkatarë që, gjatë kalimit të ciklonit, ishin në det të hapur. 809 peshkatarëve të tjerë iu përmbysën barkat por megjithatë, dolën në bregun e Maharashatrës, ku gjetën strehë e ushqim.(rv)