
Hisen Berisha/
(Bordi i Paqes, moment i ri në arkitekturën e sigurisë globale, riafirmon doktrinën e “paqes përmes forcës” si bosht të rendit ndërkombëtar. Shqipëria dhe Kosova, ndër nënshkrueset e aktit themeltar, rreshtohen qartë në arkitekturën perëndimore të sigurisë.)
Në këtë kontekst, inaugurimi i Bordit të Paqes nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, nuk është një akt ceremonial. Është një mesazh doktrinar. Është rikthim te filozofia klasike amerikane e sigurisë, se paqja garantohet nga forca, nga aleancat e besueshme dhe nga zhvillimi ekonomik si themel stabiliteti afatgjatë. Kjo është një qasje realiste, jo retorike.
Si ushtarak që kam parë nga afër se si ndërtohet dhe si rrënohet paqja, e di mirë se stabiliteti global nuk prodhohet me deklarata, por me mekanizma funksionalë, me kapacitete ushtarake të gatshme dhe me shtete që marrin përgjegjësi konkrete në terren.
Në këtë frymë duhet lexuar edhe fjala e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ai nuk foli thjesht si përfaqësues i një shteti, por artikuloi një shqetësim strategjik, duke vu theksin në raportin mes drejtësisë ndërkombëtare dhe stabilitetit politik në Ballkan.
Kërkesa e tij drejtuar Presidentit Trump lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, prek një nyje delikate të sigurisë rajonale.
Gjykimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë ish-Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ish Kryeparlamentarin Kadri Veseli, e të tjerët, nuk është vetëm proces penal, është faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në ekuilibrat politikë dhe psikologjikë të një shoqërie që ka dalë nga lufta.
Arrestimi i Thaçit në prag të procesit nënshkrimit të Marrëveshjes së 4 Shtatorit 2020 në Uashington, nuk ishte thjesht zhvillim procedural. Ai ndikoi drejtpërdrejt në një momentum diplomatik që kishte mbështetjen e administratës Trump dhe që synonte stabilizimin ekonomik e politik të rajonit. Në doktrinën e “paqes përmes forcës”, koha dhe konteksti janë elementë strategjikë, jo detaje teknike.
Në këtë pikë qëndron edhe kërkesa e qartë politike, që çështja e Dhomave të Specializuara, ku po gjykohet Presidenti Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij, të trajtohet me vëmendje strategjike nga administrata amerikane, në mënyrë që drejtësia të mos perceptohet si faktor destabilizues, por si instrument që forcon rendin dhe stabilitetin rajonal.
Si njohës i proceseve të sigurisë, unë besoj se drejtësia duhet të jetë e pavarur. Por po aq e vërtetë është se drejtësia ndërkombëtare operon brenda një mjedisi politik dhe gjeostrategjik. Nëse perceptohet si selektive apo e shkëputur nga realiteti historik i luftës për liri të UÇK në Kosovë, ajo rrezikon të prodhojë pasiguri, jo stabilitet.
Pikërisht këtu lidhet dimensioni i dytë thelbësor, në këto zhvillime që është edhe përfshirja e Kosovës dhe e Forcave të Armatosura të Kosovës në operacione ndërkombëtare për mbështetje të paqes.
Një shtet që kontribuon në misione ndërkombëtare, përfshirë angazhimet e mbështetura nga SHBA-të në zona të ndjeshme si Gaza/Izrael, nuk është konsumator sigurie, por prodhues stabiliteti.
Për një shtet të ri, ky është akt afirmimi strategjik. Është deklarim/deshmie se Kosova është pjesë e arkitekturës perëndimore të sigurisë dhe se është e gatshme të mbajë barrë, jo vetëm të kërkojë mbështetje.
Në analizat e mia të vazhdueshme kam theksuar se siguria globale sot ndërtohet mbi tri shtylla: forcë e besueshme ushtarake, kohezion politik dhe zhvillim ekonomik si garanci stabiliteti social.
Nëse Bordi i Paqes synon të jetë mekanizëm real çfarë e shoh në kontekst të sigurisë dhe paqes globale, dhe jo simbolik, ai duhet të forcojë pikërisht këto tri dimensione.
Apeli i Kryeministrit Rama ndaj Presidentit Trump duhet parë në këtë prizëm, si kërkesë që stabiliteti i rajonit të mos dëmtohet nga procese që perceptohen si të shkëputura nga realiteti strategjik.
Paqja nuk është vetëm mungesë lufte, ajo është ndërtim i balancave të drejta.
Në fund, si ushtarak dhe misionar në politikë, mbetem i bindur për një të vërtetë themelore, se thelbi doktrinar qëndron në faktin se, paqja e qëndrueshme kërkon drejtësi që forcon rendin, jo që prodhon vakuum politik; kërkon forcë që mbron aleatët, jo hezitim që krijon pasiguri; kërkon ekonomi që zhvillon rajone, jo stagnim që ushqen tensione.
Pra, nëse “paqja përmes forcës” do të jetë boshti i rendit të ri global, atëherë ajo duhet të ndërtohet mbi koherencën mes sigurisë, drejtësisë dhe zhvillimit. Nëse këto elemente ecin paralelisht, atëherë arkitektura e re e sigurisë globale ka shans të jetë e qëndrueshme si instrument strategjik i stabilitetit.