
Eliaz Bakiu/
Në serialin e pashtershëm të Les Livres Rama, eruditi Luan Rama këtë radhë na zbulon me mënyrën e vet origjinale Galaktikën e Yjeve të Letersisë Franceze në 423 faqe tek PARISI LETRAR.
Hulumtuesi, eseisti, shkrimtari dhe përkthyesi Luan Rama na udhëheq pa u lodhur nëpër Sallonet letrare, në Bodrumet dhe Apartamentet e Yjeve të letërsisë franceze cep më cep të Parisit, me shtrirje kohore gati dy shekullore, atje ku jetuan e ku shkruan këta Yje! Pse jo edhe kudo nëpër Francë e jashtë saj! YJE këta që ndriçuan një Kulturë të madhe, të veçantë, të ndryshme e të dallueshme nga çdo Kulturë tjetër e Botës! Yje që nuk shuhen, Yje që vazhdojnë të shndrisin përjetësisht! Galeria e këtyre Yjeve është tepër e shumëllojshme e origjinale, sa ç’është edhe Galeria e tipave të personazheve që krijuan penat e Tyre të arta! Secili prej këtyre Yjeve shkëlqen fort e ngroh shumë me stilin e vet të pakrahasueshëm, duke krijuar secili Botën e vet origjinale me frymën revolucionare që sollën, filozofinë mbisunduese që përpunuan dhe me stilin e Tyre tepër të veçantë! Të gjithë së bashku këta YJE krijuan atë që ne sot e njohim si Letërsia e Madhe Franceze!
Nuk jam specialist i fushës së letrave. Megjithatë, guxoj apo më saktë i jap vetes luksin të shprehem për këtë Thesar (Parisi letrar) dhe autorin Luan Rama!
Së pari, Galaktika e Yjeve të Parisit Letrar ka edhe shumë e shumë Yje të tjerë, që Miku ynë, Luani, nuk i ka përfshirë në këtë vëllim. Edhepse në EPILOG, Luani na jep shpjegimet e nevojshme në përzgjedhjen e Tij duke na lënë të kuptojmë përse ka bërë këtë përzgjedhje – bile na përmend edhe shumë Yje të tjerë të papërfshirë në këtë libër! – prapëseprapë unë besoj se nga Luani do të presim vëllime të të tjera të PARISIT LETRAR! Personalisht, do të doja të dija më shumë për RACINE, për Chateaubriant, për Madane se Staël, për Lamartine, për Sue, për Romain Roland etj…etj…
Së dyti, në këtë vëllim prej 423 faqesh ka shkruar për 23 Yje duke shfrytëzuar mijëra faqe të 115 botimeve të ndryshme!!! Jo pak,hë?! Prandaj Luani është i besueshëm, bindës e argumentues për çka shkruan!
Së treti, Luani na jep me besnikëri jo vetëm filozofinë e krijimtarisë influente të këtyre 23 Yjeve, por – si rrallë kush tjetër – Luani, ky punëtor i palodhur e i zellshëm i kulturimit tonë, na tregon edhe jetën intime të këtyre bardëve, që në shumicën e rasteve kanë bërë e kanë patur një jetë boheme, bile edhe me përfundime tragjike! Me të gjitha virtytet e veset e Tyre
Së treti, si pak kush tjetër, Luani është edhe një përkthyes i talentuar i poezive dhe shkrimeve të tjera të këtyre Yjeve! Sepse Luani është vetë Poet, sepse Luani është vetë Eseist, sepse vetë Luani është filozof, sepse vetë Luani është kulturalisht! Gjysma e këtij vëllimi është me germa korsive, me përkthimet e referencat e Tij! Në gjysmën tjetër, Luani na flet në vetën e parë, si një njohës i thelluar për gjithçka ka shkruar!
Së katërti, fatmirësisht si Luani janë edhe shumë të tjerë me kontribute të vyera për të na njohur me Kulturat e Mëdha të Botës! Për ilustrim po përmend këtu disa prej Tyre: Jusuf Vrioni, Moikom Zeqo, Ardian Klosi, Robert Shvarc, Iskra Thoma, Mira Meksi, Arjan Leka , Albana Shala e shumë shtëpi botuese si Pegi, Dudaj, Onufri etj…
Së pesti, literatura si Parisi Letrar lipset të zërë vendin e merituar në të gjitha bibliotekat e shkollave tona të mesme! Me siguri do t’u shërbejë formimit të shëndoshë të të gjitha gjeneratave!
Mikut tim Luan Rama i uroj ta kapërcejë shifrën e mbi 200 botimeve! Deri më tani e ka bërë gjysmën e rrugës! Ne jemi në pritje!