– DEGA E VATRËS NË TORONTO SYNON SHTIMIN E ANËTARËSISË-/
Dega e Vatrës në Toronto, u mblodh me 1 mars 2020, nën drejtimin e kryetarit Toni Sufaj, dhe diskutoi rreth problematikës të pas Kuvendit të Michiganit. Mbledhja nisi me 3 anëtarësime të reja: Ervin Vukelaj, Arbana S. Arthërtore dhe Aurel Shotaj. Anëtarëve të rinj iu urua miresardhja në Vatrën Shqiptare, ku vatranët e konsiderojnë veten të barabartë si anëtarët e një familjeje të madhe.
Kryetari i Vatrës, z. Toni Sufaj përcolli atmosferën bashkuese të Kuvendit që u organizua me 19 Janar në Teqenë “Baba Rexhebi” në Detroit dhe i njohu pjesmarrësit me vendimet e rëndësishme të Kuvendit dhe frymën vatrane, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me frymën përçarëse të individëve apo të ndonjë grupimi, që po lufton ta ndajë Vatrën. Kjo, tha z. Sufaj, nuk ka për të ndodhur dhe kushdo, që ndahet nga federata, ashtu si në të kaluarën ka për të mbetur minorancë. Vatra, vërtetë e sheh anëtarësinë të barabartë si në një familje të madhe, por ajo është kundër familjaritetit përçarës, ku një apo dy familje tentojnë të grumbullojnë rreth vetes individë të pakënaqur.
Kryetari i degës së Vatrës bëri thirrje për të shtuar anëtarësinë duke i kërkuar çdo anëtari të kryesisë së degës që të afrojë vatranë të rinj, që kanë dëshirë të jenë në Vatrën e Shqiptarizmit dhe të punojnë për çështjen Kombëtare.
Gjatë mbledhjes së zgjeruar të kryesisë u kërkua që të gjenden rrugët për të afruar sa më shumë elementin femër, ç’ka i mungon degës. Po ashtu u vu theksi edhe në një punë më të kualifikuar të degës për ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave Kombëtare dhe të rritjes të bashkëpunimit me komunitetin.
Dega e Vatrës në Toronte do të luftojë që në të ardhmen të organizojë më shumë veprimtari bashkuse në komunitet dhe përmes veprimtarivë do të tërheqë rreth vetes më shumë anëtarësi.
U diskutua për të përcjellë një frymë më miqësore mes anëtarsisë me qëllim që të shmangen fenomenet e thashethemeve, përçarjes, dizinformimit, siç ka ndodhur dy vitet e fundit me dy degë apo me individë që i kanë fryrë zjarrit të përçarjes së Vatrës, kanë keqpërdorur emrin dhe Kushtetutën e Vatrës, kanë shkelur Kushtetutën e saj, kanë prezantuar në media dhe rrjetet sociale frymën përçarëse dhe akuza të pabaza për vetë Vatrën.
Dega e Vatrës në Toronto u apelon të gjithë vatranëve që të ndjehen dhe të veprojnë të bashkuar rreth Federatës Vatra, me Kryetarin Elmi Berisha, Kryesinë e re dhe Këshillin e dalë pas Kuvendit të Detroitit. Atmosfera dhe respekti provatran është rritur. Vizita e Kryetarit Berisha në Departamentin e shtetit së bashku me stafin e tij, vizitat e Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan z. Eliot Engel në Vatër, vizitat e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, vizitat e shumta të personaliteteve dhe institucioneve në Vatër, tregojnë se Vatra e pas Kuvendit është në rrugë të mbarë, të kundërtën mund ta thonë e pretendojnë vetëm ata që nuk e duan Vatrën për shqiptari’, por vetëm për interesat e tyre.
Z. Muharrem Gashi kërkoi që krahas shtimit të anëtarësisë të merren edhe opinionet e vatranëve të rinj për ta bërë më aktive degën dhe më të shtrirë në komunitet. Miro Sufaj kërkoi që vatranët të jenë shembull për komunitetin dhe çdo shqiptar i mirë ka të drejtë të bëhet anëtar i Vatrës, pavarësisht mendimeve e opinioneve;- në Vatër nuk ka Parti Politike, Partia e Vatrës është Kombi Shqiptar. I rëndësishëm është fakti që në Vatër dhe me Vatrën duhet të jesh i sinqertë, i dashur dhe i respektuar; të respektosh të tjerët, të mos merresh me thashetheme e shpifje.
Ne, vatranët, pa përjashtim, duhet ta duam dhe ta ruajmë Vatrën siç na e lanë të parët, ta duam- jo për veten tonë, jo vetëm për familjet tona, por për Kombin tonë. Vatra është fortesë Kombëtare që për 108 vite nuk e kanë rrëzuar dot përçarësit dhe intrigantët.