Gezim Zilja/
Jam socialist, jam familje dëshmori- këmbëngul një shoku im socialist. -Çfardo që të ndodh unë jam i majtë. Familja ime ka derdhur gjak për këtë vend, prandaj mirë, keq jam me Partinë Socialiste. Nuk e kupton njeriu i indoktrinuar se partitë shkojnë e vijnë e Atdheu mbetet. Një pensionist/e pas tridhjetë vitesh demokraci deklaron para kamerave televizive dhe miljona shqiptarëve: Pensioni nuk më del as për të ngrënë bukë, dhe e kaloj si mos më keq muajin. Por unë socialist do jem deri në vdekje. As ky nuk kupton se partia nuk është atdheu e që partitë në Shqipëri kanë qenë e janë pronë private e kryetarit. Kjo bindje e verbër nuk ka të bëj fare me ndonjë program politik, ekonomik, kulturor, të përparuar, nuk ka të bëjë, me zhvillimin dhe mirëqënien e popullit, as me forcimin në përgjithësi të atdheut e kombit. Djem e vajza të reja, që u rreshtuan në brigadat partizane i bashkoi urrejtja kundër pushtuesit me pjesën më të përparuar të njerëzimit, kundër fashizmit e nazizmit. Vështirë që ata djem e vajza, që u vranë në luftë të dinin ç’ishte komunizmi, doktrina e Marksit, diktatura e proletariatit, revolucioni proletar dhe ylli me pesë cepa i Leninit dhe Stalinit. Ata nuk ranë dëshmorë, që në Shqipëri të vendosej diktatura e proletariatit e Shqipëria të katandisej vendi më i varfër në Europë. Diktatura ngriti kultin e partisë dhe udhëheqësit të gjithëditur e të pavdekshëm, ngriti e kultivoi një art, kulturë, moral e edukatë ndryshe nga ajo tradicionalja, që i kishte rezistuar kulturës së pushtuesve, duke ruajtur gjithçka që kishte të bënte me atdheun e identitetin kombëtar. Një ushtri e tërë njerëzish e ashtuquajtur elitë, shkrimtarë, poetë, artistë, dramaturgë, kineastë ekonomistë filozofë, inxhinierë me në krye sekretarët që pillte me shumicë Shkolla e Lartë e Partisë, u vunë në shërbim të përjetësimit të rregjimit komunist. Ata bombardonin e tridhnin trutë e shqiptarëve në kopshte, shkolla, universitete, qendra pune, këshilla lagjesh e lloj lloj organizatash të përbëra nga oficerë të liruar, spiunë, njerëz përversë e langaraqë të çdo kallëpi. E di Partia, E di udhëheqja, E di i Madhi fare. Shumë nga ata që dolën malit për çlirimin e atdheut u bënë kurban nga vet partia, kur kundërshtuan politikat e saj të terrorit e kolektivizimit komunist. Të tjerë u detyruan të ulnin kokën ose të ktheheshin nga çlirimtarë në kriminelë për të ruajtur sundimin e Enver Hoxhës. Fjalët Shqipëri, Komb, Atdhe u zbehën dhe të parat dolën fjalët, parti, popull dhe Enver. Mjerisht kulti i partisë dhe individit vazhdon edhe në ditët tona. Ai shfaqet në të dy krahët djathtas e majtas dhe kjo shihet qartas në dhunën e shfaqur nga përfaqësuesit e saj në parlament.
Ngjarjet e vitit 1997 ishin një dramë e rëndë për vendin dhe shënoi një hap të madh mbrapa të demokracisë. Menjëherë të dy partitë ranë dakord të shpallej amnistia e përgjithshme. Asnjë nuk u dënua nga krerët e pozitës dhe opozitës, nuk u gjykua për falimentimin e vjedhjen e firmave piramidale, vrasjet dhe shkatërrimet e institucioneve. Edhe sot militantët e partive, njerëz të indoktrinuar të ndarë në kampe armike zgjasin gishtin tregues duke thënë njeri-tjetrit. Ju, ju jeni vrasësit e shkatërruesit, e vitit 1997, duke bërë që të mos zbulohet kurrë e vërteta. Ditë më parë opozita kërkoi që të ngrihet një grup parlamentar për hetimin e udhëtimeve të kryeministrit me avion taksi. Grupi parlamentar i PS-së i përbërë nga militantë, njëzëri e kundërshtoi këtë nismë. Pyetja është e thjeshtë: Nëse je i pastër pse do kundërshtosh një hetim të tillë? Madje vet kryeministri duhet ta kërkojë këtë hetim. Asnjë deputet socialist nuk ngriti zërin e të thoshte: Le të ngrihet! Ku është e keqja këtu? Edi Rama, Sali Berisha, Fatos Nano apo Ilir Meta nuk janë Atdheu, nuk janë kombi shqiptar, nuk janë të pavdekshëm. Ju kokëshqope që viheni në rradhë qofshi deputetë apo ishër, ministra apo ish të tillë, punëtorë apo të papunë e pensionistë mos i mbroni! Edhe ju o analistë që qelbni ekranet me sofizmat tuaja çdo mbrëmje, që u shërbeni partive në mënyrën më të poshtër për një rrogë kërkoni drejtësi e mos bëni sipas interesit vetjak. Nëse ata duhet të përballen me drejtësinë ju të parët kërkoni një gjë të tillë. Edhe për ngjarjet e vitit 1997, edhe për Gërdecin, edhe për 21 janarin, edhe për PPP-të edhe për portin e Durrësit, edhe për kontratat skllavëruese të naftës e kromit etj etj. Partia nuk është atdheu, që me militantizmin tuaj po bëni që drejtuesit ta shpien drejt greminës. Atdheu është mbi të gjitha, është i të gjithë shqiptarëve kudo në botë. Atdheu është i pavdekshëm o kokëshqope!!