Dom Pjetër Popaj, Famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës” në New York në një komunikim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, uron në mënyrë solemne besimtarët e krishterë në USA dhe të gjithë shqiptarët në mbarë botën me rastin e festës së Pashkëve. Famullitari Popaj falenderon dhe bekon besimtarët e famullisë së tij për përballimin me sukses të pandemisë në një kohë që jo vetëm nuk ia kthyen shpinën Zotit por dëshmuan fe dhe shpresë si dhe lutet për shpirtrat e humbur gjatë pandemisë globale. Famullitari Popaj apelon për dashuri, vëllazëri, lutje, bekim, shpresë dhe pendesë.
PASHKËT, FESTA KU KRISHTI MUNDI VDEKJEN
Festa e Pashkëve është festa më e rëndësishme për ne të krishterët, është koha dhe festa më e shenjtë. Kjo festë është misteri i mistereve. Është koha në të cilën Krishti tregon se pse ka ardhur në botë për shëlbimin tonë, për të shkatërruar atë që na ka shkatërruar neve, vdekjen tonë e për të na ringjallur në jetën e pasosur. Vdekja ka ardhur prej mëkatit. Jezusi e shkatërron të keqen me ardhjen e tij. Për shëlbimin tonë Jezusit i është dashur të kalojë në shumë mundime njësoj si mundimet tona në jetë. Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit që përkojnë me vuajtjet dhe sakrificat e Jezusit 40 ditë e netë në shkretëtirë, që quhen Kreshme. Ne perkujtojmë atë rrugëtim sprovash e mundimesh që Jezu Krishti ka kaluar për shëlbimin tonë. Krejt besimi i krishtërë është themeluar në misterin e Pashkëve, në mundimet, vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit prej të vdekuri. Ne vdesim me Krishtin e ngjallemi me Krishtin. Pashkët fillojnë përgatitjen që nga e “Mërkura e Përhimeve”, që fillojnë Kreshmet 40 ditë që na përgatisin si të krishtërë, për ti jetuar shpirtërisht këto kohë. Është një kohë thellimi në jetën tonë, kohë reflektimi në vepra të mira, në pendesë, në sjellje të mirë, në rrëfime, përshpirtshmëri, ka shumë rëndësi jo vetëm me u duk i krishterë por me jetu si i krishterë. Ashtu siç Krishti çrrënjosi vdekjen, ashtu dhe ne duhet të çrrënjosim brenda vetes tonë mëkatin. Më pas fillon e Enjtja e Madhe, ose tre ditëshi i Pashkëve që është themelimi i meshës së shenjtë dhe urdhëri i Krishtit që thotë: ‟Bëjeni këtë në përkujtimin tim”. Është themelimi i urdhërit të meshtarisë, shugurimi i apostujve. Jezusi u lan këmbët apostujve duke treguar dashuri të madhe. Se dashuri nuk do të thotë vetëm gjëra të mira por edhe sakrificë, edhe pluhuri i këmbëve, që simbolizon pluhurin e mëkateve tona. Është një shenjë e madhe dashurie e sakrifice. Kjo është shenjë e dashurisë së Zotit ndaj nesh, i cili përveç të tjerash vdes në kryq për shëlbimin tonë, për larjen e mëkateve tona. Në Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujtojmë kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Të shtunën është vdekja e Jezusit, e vetmja ditë që s’ka meshë. Të shtunën Krishti pushon në varr. E Diela e Pashkëve është Ringjallja e Krishtit nga varri. Fjala ‟Pashkë” do të thotë “pesa” në të vërtetë do të thotë kalim: për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar. Kalimi nëpër detin e kuq, është një formë pagëzimi, kalim në tokën e premtuar. Kalimi i ëngjullit të vdekjes mbi dyert e shtëpive që ishin të lyera me gjakun e qingjit të Pashkëve në formë T. Qingji i Pashkëve është Krishti vetë, ai ofron theroren dhe bëhet vetë therore. Gjithçka që është thënë në testamentin e vjetër është zbuluar dhe plotësuar në testamentin e ri, testamentin e Krishtit. Pashka është festa e festave për ne të krishterët. Sa fort don Zoti me shëlbuar njerëzimin mbarë me anë të vdekjes e ringjalljes së Krishtit.
PANDEMIA NA FORCOI NË FE DHE SHPRESË
Për famullinë tonë ka qenë një vit shumë i vështirë. Me ndihmën e Zotit kemi dalë të jemi të fortë në fe dhe në shpresë. Ne jemi një popull shumë i ndërgjegjshëm dhe që zbatojmë me përpikmëri rregulloren dhe ligjet e Administratës së shëndetësisë dhe rregullat e kishës. Jemi një popull i vuajtur që kemi kaluar shumë në të kaluarën. Kjo na ka bërë më të fortë në fe dhe të dëgjueshëm. Kemi pasur mirëkuptim te njerëzit në zbatim të rregullave. Edhe ceremonitë kanë qenë në zbatim të plotë të rregullave dhe besimtarët kanë dëshmuar një qytetari të veçantë në këtë kohë. Ishte një kohë e pazakontë dhe na ka ardhur keq kur u kemi thënë besimtarëve mos hajdeni në Kishë, sa herë ndryshonin rregullat e shtetit për pandeminë. Edhe pse kishim shumë humbje, feja e njerëzve veçse rritej e nuk pakësohej. Besimtarët kanë qenë të shkëlqyer në këtë periudhë të vështirë për mbarë globin e jo vetëm për famullinë tonë. I falenderoj dhe i bekoj në mënyrë të veçantë.
RELIGJIONI NË KUSHTET E PANDEMISË
Ka qenë shumë e vështirë që të realizonim proceset fetare në famulli në kushtet e izolimit dhe pandemisë masive por nepërmjet LiveStream kemi ofruar çdo shërbesë fetare pothuajse si në kushtet normale. Në çdo moment ne kemi qenë prezent për besimtarët tanë. Besimtarët nuk u shkëputën nga kisha por qëndruan të lidhur shpirtërisht. Besimtarët tanë kanë pasur një fe të gjallë. Jam ndjerë i mrekulluar prej besimtarëve tanë që na kanë ndjekur dhe kanë treguar besim të fortë. Kjo është një shenjë e mrekullueshme prej Zotit. Duke qëndruar të lidhur me Zotin, në lutje dhe shpresë, duke ia dedikuar Zotit, duke i motivuar fort, duke u qëndruar pranë me këshilla dhe lutje kemi arritur të formojmë një marrëdhënie të fortë në fe dhe shpresë me besimtarët tanë. Lavdi i qoftë Zotit për besimin që kanë në zemër besimtarët tanë. Ata gjatë kësaj periudhe kanë treguar një shenjtë të fortë feje. Historikisht, ne shqiptarët kemi treguar shenja e lidhje të veçantë me besimin. Në kohërat më të vështira shqiptari nuk e humbi fenë. Këtë e dëshmuan edhe në këtë pandemi. Kjo është dhuratë dhe bekim prej Zotit.
FAMULLIA ZOJA E SHKODRËS PËRBALLË PANDEMISË GLOBALE
Numri i vdekjeve dhe infektimeve jo vetëm në famullinë tonë por globalisht ka qenë një vit që nuk mbahej mend më parë. Bota u gjend sa hap e mbyll sytë nën një kërcënim dhe infektim masiv. Bilancet ishin si të luftës. Për këdo ishte e vështirë. Shumë gjëra ndryshuan por feja jonë nuk ndryshoi. Që prej pandemisë më shumë se 135 vetë ndërruan jetë, vdekje të parakohshme, një shifër kjo shumë e lartë për famullinë tonë. Në kushte normale, kjo famulli regjistronte nga 10 deri në 15 vdekje në një vit, imagjinoni sot sa të larta janë shifrat. Ky ishte një vit i rëndë pasi mbi të gjitha njerëzit nuk dinin fundin e kësaj pandemie dhe shqetësimi sa vinte e shtohej. Ne jemi popull që kemi vuajtur gjithmonë. Vuajtja nuk na ka frikësuar, vuajtja na ka forcuar më shumë. Shqiptari është i gjallë, është i fortë.
JETA FAMULLITARE NË FAMULLINË ZOJA E SHKODRËS
Besimtarët e mi nuk janë thjeshtë besimtarë, ata janë familja ime. Unë kam 30 vjet këtu me këtë popull të dashur e të nderuar. Ne kemi një lidhje speciale mes nesh. Ne jemi rritur së bashku, ne jemi një familje e madhe. Njihemi familjarisht e kemi lidhje shumë të fortë. Shqiptarët janë model për jetën katolike që bëjnë. Kjo sëmundje ka shkaktuar dëme dhe çregullime politike, ekonomike, sociale, psikologjike. Kjo pandemi ka vënë në rrezik krejt njerëzimit në të gjitha aspektet. Pavarësisht sfidave të mëdha sidomos tek emigrantët e rinj, ata gjithmonë e gjejnë kohën të ndjekin procesionet fetare dhe të jenë të rregullt në kishë. U jam mirënjohës për fenë dhe besimin që kanë. Zoti i bekoftë dhe i shpërbleftë më të mira për besimin dhe devotshmërinë që kanë.
MESAZHI I URIMIT PËR FESTËN E PASHKËVE
Kjo është një festë e madhe për të gjithë ne. Si fillim lus Zotin që në këtë kohë të shenjtë të pendesës, të uratës e të bamirësisë që të na shërbejnë për përmirësimin tonë të vazhdueshëm shpirtëror e fizik. Festë të gëzuar, të paqtë e të lumtur për të gjithë. Lus Zotin për të gjithë ata njerëz që e ndjejnë vetën të larguar pak prej Zotit që kjo kohë ti afrojë afër Zotit e njëri tjetrit. Kush vjen afër Zotit vjen afër familjes e afër vetvetes. Lus Zotit që të shërohen të gjithë ata që po lëngojnë prej pandemisë e të gjitha sëmundjeve e shqetësimeve të tjera. Lus Zotit që të shërojë çdo njeri ashtu si Krishti na sheroi ne prej sëmundjes së vdekjes. Lutem që pandemia të mbarojë sa më shpejt dhe bota të gëzojë paqen, zhvillimin e begatinë, pa kërcënime e shqetësime sëmundjesh, por me lumturi e besim te i madhi Zot. Lus Zotin që të kemi një kohë shërimi për të gjallët dhe për të ikur në botën e pasosur të kenë jetën nëpërmjet Krishtit me anë të Ringjalljes. I lumi Jezu Krisht me anë të Ringjalljes dhe dritës së tij, të lutemi që ta shkatërrojë terrin e vdekjes e të sjellë për të gjithë njerëzit shpëtimin e shëlbimin që ne presim dhe lutemi çdo ditë. Shërimi i Krishtit dhe shpëtimi që vjen prej tij le të jetë prezent në jetën e secilit prej nesh. Pashkë të gëzuara e të bardha për të gjithë.