• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Simpozium me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Nana Terezë

May 4, 2022 by s p

Dom Pjetër Popaj/


Mirë se vini në Simpoziumin e rastit të 25 vjetorit të vdekjes së Shën Nana Tereze në këtë qendër të Kishës sonë dedikuar asaj. Falenderim bashkë organizatorëve Federatës Pan-Shqiptare Vatra në krye me Elmi Berisha dhe Gazeta shqiptare Illyria në krye me Vehbi Bajrami. Kemi nder e kënaqësi që sonte kemi ligjirues të shquar: nga Kosova Dr. Don Lush Gjergji , kemi letrar e historianë, përfaqësues nga Vatra, nga gazeta Illyria, nga komuniteti të gjithë do të mbajnë kumtesa për jetën, misionin e Shën Nanës Tereze, si dhe takime personale me Nanën Tereze. Jam i sigurt që do të kaloni një mbrëmje të kënshme ndërsa pasurohemi shpirtërisht për jetën e veprimtarinë e shenjtë të saj. Prej moshës 50 e me nalt nga të gjithë e mbajmë mend atë, vizitat e saja, takime me të. Më kujtohet kur po sa isha shuguru meshtar, ( 1985 ) ne kishim nji radio – program, Zani Katolik Shqiptar themelu prej Don Rrok Mirditës. Në intervistë Don Rroku – Dom Pjetri posa është shuguru meshtar – ajo ulet në gjunjë dhe lypë bekimin e parë si meshtar i ri. Mbas mi ka puth shplakët e duerve të shugurueme. Në të njëjtin takim – e pyetme a flet shqip – me e folë jo shumë por me e shkrue. Një uratë qe e kam thanë gjithmonë shqip – puna e pendimit . Mbasi e kemi regjistrue atë tue thanë ne e kemi vue në programin e radios tonë. Nji gja duhet të theksuar se jeta e saj ka ndikue shumë në jetën botënore. Njerëzimi mbarë ka qenë më i ndërgjegjshëm, bashkuar, kujdesshem për të vorfur. Misioni i saj ka qenë një hartë për krejt njerëzimin e jo vetëm për disa. Zoti e ka zgjellë atë prej gjakut tonë shqiptarë që me jetën e saj me e vizatue ketë hartë për të gjithë. Për atë ajo thotë: “Unë jam laps në dorë te Zotit “. Kur ka vdekur Nana Tereze, e ka lanë botën mpirë njerëzit thonin: Vdiq kjo por ska tjetër kanë kalu 25 vite që ajo është në jetën e amshuar. Bota nuk është e njajtë sepse nuk kemi një Nanë Terezë tjetër. Uroj që Kumtesat në ketë symposium të na ndihmojnë të thellohemi me tepër për jetën e shenjtë të Shën Terezës dhe të na nxitojnë të vazhdojmë misionin e saj duke shërbyer Zotit e njeri tjetrit sidomos nevojtarët tanë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dom Pjeter Popaj

DOM PJETËR POPAJ*: LAVDI BURRAVE TË KOMBIT QË I DHANË ATDHEUT LIRINË, BASHKIMIN E PAVARËSINË

November 29, 2021 by s p

Të dashur Klerikë, i nderuar Zoti Kryetar Berisha, Vatranë të ndershëm, musafir të dalluar, vëllezër e motra. Mirëmbrëma dhe mirë se jemi bashkuar ne kete kremte te madhe. S’parit uroj Festen e Flamurit, ditën e lirisë e të pavarësisë të popullit tonë. 28 Nëntori është dita më e ndritshme dhe më e rëndësishme e kombit tonë. Në këtë ditë Ismail Qemali ngritë Flamurin e Kastriotit, Flamurin kuq e zi me shqiponjën dy krenare. Në këtë flamur shohim qëndrimin e patundur të burrave fisnik shqiptar ndër luftra të tmerrshme per të mbrojtur vendin tonë trashiguar brez pas brezit. Këta sakrifikuan jetën e tyre duke luftuar dhe vdekur me nder e lavdi. Kjo dite u takon atyre që ia falen atdheut lirinë, bashkimin e pavarsine. Ata ranë deshmorë por nuk vdesin kurrë, janë gjithmonë në mendjet e kujtimet tona në cdo festim e përvjetor. Toka e jonë është e shenjte sepse është e bekuar me gjakun e Martirve. Ngjyra e zezë ne mes te flamurit tregon ato ditë luftrash me plote vuajtje e pikëllime. E kuqja tregon gjakun e derdhur te deshmorve tanë. Shqiponja ne mest të flamurit tregon fitoren e tyre. Sikur shqiponja që fluturon në qiellin e hapur më lartë se të gjithë shpendet tjerë. Ashtu kto njerëz kolosa duke triumfuar ndër luftra shekullore e ngriten popullin e vendin tonë duke i sjellur LIRINË vlerën dhe pasurinë më të çmuar. Sikur është shprehja e vjeter që thotë liria nuk falet as dhurohet por fitohet. Për cdo vjetë e kremtojmë këtë festë duke falënderuar Zotin, dhe duke kujtuar e nderuar keto heroj që kanë bërë të mundur të agojë kjo ditë. Me fjalët e Faik Konicës: “Kujtimi i 28 nëntorit të 1912 nuk është një goditje kundra fqinjve tanë, jo lakmimesh e rrëmbimesh por kujtime për vetmbrojtje me mundime të palodhura dhe me trimerina të gjata e të forta që kanë lanë gjurma në letersinat e gjithë popujve të qytetëruar.” 28 Nëntori është më shumë se një festim; është një ditë e shenjtë për ne. 28 Nëntori i parë ishte në vitin 1443 kur kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti, Skënderbe e ngriti për herë të parë Flamurin me shqiponjen dykrenare në kalanë e Krujës ku valvitej për 25 vite me radhë deri në vdekjen e tij. Pas vdekjes së tij 1468 u deshtën edhe 444 vjet nën pushtimin e armikut deri me ngritjen e tij dytë të 28 nëntorit të vitit 1912 dita e shpalljes së pavarësisë. Me këtë shpallje populli ynë fitoj të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lire e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës. Ishte edhe një fitore kunder armiqve fqinj, kunder synimëve e planeve të tyre për coptimine e shqipërisë. Ne e Falenderojmë Zotin që sot i kemi Shqiperinë e Kosovën. Njëkohësisht kemi Nji popull por të ndare në dy shtete. Bej o Zot që nje ditë të kemi nje popull të bashkuar në një shtet të vetëm. O Zot bekoje popullin tonë, mbrojë nga çdo rrezik, kudo që gjëndet në botë. Ky popull që nuk të harroi kurrë, në ditë të mira e të vështira, në gëzime e në pikllime. Bëj qe të jenë të bashkuar, të duan njari tjetrin me dashuri vëllazërore, të respektojnë dinjitetin njerëzor e drejtat humane; te kundershtojnë dhunën e shfrytëzimet e të hidhen themelet e patundura të drejtësisë e te dashurisë sate. Bekoje këtë mbrëmje, dhe të gjithë të pranishmit. Bekoje ushqimin qe po marrim prej bujarisë sate. Ti qe jeton e mbretron në shekuj te shekujve. Amen. Zoti e Bekoftë Shqipërinë, Zoti e Bekoftë Kosoven, Zoti e Bekoftë Amerikën. Zoti ju bekoftë ju e gjith popullin shqiptar. GEZUAR FESTA E PAVARËSISË DHE FLAMURIT KOMBËTAR.


*Fjala e mbajtur në bekimin e darkës së 109 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: dom Pjeter Popaj

PASHKËT, KRISHTI I NGJALLUR SHKATËRRON VDEKJEN DHE MËKATIN

April 2, 2021 by dgreca

Dom Pjetër Popaj, Famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës” në New York në një komunikim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, uron në mënyrë solemne besimtarët e krishterë në USA dhe të gjithë shqiptarët në mbarë botën me rastin e festës së Pashkëve. Famullitari Popaj falenderon dhe bekon besimtarët e famullisë së tij për përballimin me sukses të pandemisë në një kohë që jo vetëm nuk ia kthyen shpinën Zotit por dëshmuan fe dhe shpresë si dhe lutet për shpirtrat e humbur gjatë pandemisë globale.  Famullitari Popaj apelon për dashuri, vëllazëri, lutje, bekim, shpresë dhe pendesë.

PASHKËT, FESTA KU KRISHTI MUNDI VDEKJEN

Festa e Pashkëve është festa më e rëndësishme për ne të krishterët, është koha dhe festa më e shenjtë. Kjo festë është misteri i mistereve. Është koha në të cilën Krishti tregon se pse ka ardhur në botë për shëlbimin tonë, për të shkatërruar atë që na ka shkatërruar neve, vdekjen tonë e për të na ringjallur në jetën e pasosur. Vdekja ka ardhur prej mëkatit. Jezusi e shkatërron të keqen me ardhjen e tij. Për shëlbimin tonë Jezusit i është dashur të kalojë në shumë mundime njësoj si mundimet tona në jetë. Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit që përkojnë me vuajtjet dhe sakrificat e Jezusit 40 ditë e netë në shkretëtirë, që quhen Kreshme. Ne perkujtojmë atë rrugëtim sprovash e mundimesh që Jezu Krishti ka kaluar për shëlbimin tonë. Krejt besimi i krishtërë është themeluar në misterin e Pashkëve, në mundimet, vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit prej të vdekuri. Ne vdesim me Krishtin e ngjallemi me Krishtin. Pashkët fillojnë përgatitjen që nga e “Mërkura e Përhimeve”, që fillojnë Kreshmet 40 ditë që na përgatisin si të krishtërë, për ti jetuar shpirtërisht këto kohë. Është një kohë thellimi në jetën tonë, kohë reflektimi në vepra të mira, në pendesë, në sjellje të mirë, në rrëfime, përshpirtshmëri, ka shumë rëndësi jo vetëm me u duk i krishterë por me jetu si i krishterë. Ashtu siç Krishti çrrënjosi vdekjen, ashtu dhe ne duhet të çrrënjosim brenda vetes tonë mëkatin. Më pas fillon e Enjtja e Madhe, ose tre ditëshi i Pashkëve që është themelimi i meshës së shenjtë dhe urdhëri i Krishtit që thotë: ‟Bëjeni këtë në përkujtimin tim”. Është themelimi i urdhërit të meshtarisë, shugurimi i apostujve. Jezusi u lan këmbët apostujve duke treguar dashuri të madhe. Se dashuri nuk do të thotë vetëm gjëra të mira por edhe sakrificë, edhe pluhuri i këmbëve, që simbolizon pluhurin e mëkateve tona. Është një shenjë e madhe dashurie e sakrifice. Kjo është shenjë e dashurisë së Zotit ndaj nesh, i cili përveç të tjerash vdes në kryq për shëlbimin tonë, për larjen e mëkateve tona. Në Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujtojmë kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Të shtunën është vdekja e Jezusit, e vetmja ditë që s’ka meshë. Të shtunën Krishti pushon në varr.  E Diela e Pashkëve është Ringjallja e Krishtit nga varri. Fjala ‟Pashkë” do të thotë “pesa” në të vërtetë do të thotë kalim: për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar. Kalimi nëpër detin e kuq, është një formë pagëzimi, kalim në tokën e premtuar. Kalimi i ëngjullit të vdekjes mbi dyert e shtëpive që ishin të lyera me gjakun e qingjit të Pashkëve në formë T. Qingji i Pashkëve është Krishti vetë, ai ofron theroren dhe bëhet vetë therore. Gjithçka që është thënë në testamentin e vjetër është zbuluar dhe plotësuar në testamentin e ri, testamentin e Krishtit. Pashka është festa e festave për ne të krishterët. Sa fort don Zoti me shëlbuar njerëzimin mbarë me anë të vdekjes e ringjalljes së Krishtit.

PANDEMIA NA FORCOI NË FE DHE SHPRESË

Për famullinë tonë ka qenë një vit shumë i vështirë. Me ndihmën e Zotit kemi dalë të jemi të fortë në fe dhe në shpresë. Ne jemi një popull shumë i ndërgjegjshëm dhe që zbatojmë me përpikmëri rregulloren dhe ligjet e Administratës së shëndetësisë dhe rregullat e kishës. Jemi një popull i vuajtur që kemi kaluar shumë në të kaluarën. Kjo na ka bërë më të fortë në fe dhe të dëgjueshëm. Kemi pasur mirëkuptim te njerëzit në zbatim të rregullave. Edhe ceremonitë kanë qenë në zbatim të plotë të rregullave dhe besimtarët kanë dëshmuar një qytetari të veçantë në këtë kohë. Ishte një kohë e pazakontë dhe na ka ardhur keq kur u kemi thënë besimtarëve mos hajdeni në Kishë, sa herë ndryshonin rregullat e shtetit për pandeminë. Edhe pse kishim shumë humbje, feja e njerëzve veçse rritej e nuk pakësohej. Besimtarët kanë qenë të shkëlqyer në këtë periudhë të vështirë për mbarë globin e jo vetëm për famullinë tonë. I falenderoj dhe i bekoj në mënyrë të veçantë.

RELIGJIONI NË KUSHTET E PANDEMISË

Ka qenë shumë e vështirë që të realizonim proceset fetare në famulli në kushtet e izolimit dhe pandemisë masive por nepërmjet LiveStream kemi ofruar çdo shërbesë fetare pothuajse si në kushtet normale. Në çdo moment ne kemi qenë prezent për besimtarët tanë. Besimtarët nuk u shkëputën nga kisha por qëndruan të lidhur shpirtërisht. Besimtarët tanë kanë pasur një fe të gjallë. Jam ndjerë i mrekulluar prej besimtarëve tanë që na kanë ndjekur dhe kanë treguar besim të fortë. Kjo është një shenjë e mrekullueshme prej Zotit. Duke qëndruar të lidhur me Zotin, në lutje dhe shpresë, duke ia dedikuar Zotit, duke i motivuar fort, duke u qëndruar pranë me këshilla dhe lutje kemi arritur të formojmë një marrëdhënie të fortë në fe dhe shpresë me besimtarët tanë. Lavdi i qoftë Zotit për besimin që kanë në zemër besimtarët tanë. Ata gjatë kësaj periudhe kanë treguar një shenjtë të fortë feje. Historikisht, ne shqiptarët kemi treguar shenja e lidhje të veçantë me besimin. Në kohërat më të vështira shqiptari nuk e humbi fenë. Këtë e dëshmuan edhe në këtë pandemi. Kjo është dhuratë dhe bekim prej Zotit. 

FAMULLIA ZOJA E SHKODRËS PËRBALLË PANDEMISË GLOBALE

Numri i vdekjeve dhe infektimeve jo vetëm në famullinë tonë por globalisht ka qenë një vit që nuk mbahej mend më parë. Bota u gjend sa hap e mbyll sytë nën një kërcënim dhe infektim masiv. Bilancet ishin si të luftës. Për këdo ishte e vështirë. Shumë gjëra ndryshuan por feja jonë nuk ndryshoi. Që prej pandemisë më shumë se 135 vetë ndërruan jetë, vdekje të parakohshme, një shifër kjo shumë e lartë për famullinë tonë. Në kushte normale, kjo famulli regjistronte nga 10 deri në 15 vdekje në një vit, imagjinoni sot sa të larta janë shifrat. Ky ishte një vit i rëndë pasi mbi të gjitha njerëzit nuk dinin fundin e kësaj pandemie dhe shqetësimi sa vinte e shtohej. Ne jemi popull që kemi vuajtur gjithmonë. Vuajtja nuk na ka frikësuar, vuajtja na ka forcuar më shumë. Shqiptari është i gjallë, është i fortë. 

JETA FAMULLITARE NË FAMULLINË ZOJA E SHKODRËS

Besimtarët e mi nuk janë thjeshtë besimtarë, ata janë familja ime. Unë kam 30 vjet këtu me këtë popull të dashur e të nderuar. Ne kemi një lidhje speciale mes nesh. Ne jemi rritur së bashku, ne jemi një familje e madhe. Njihemi familjarisht e kemi lidhje shumë të fortë. Shqiptarët janë model për jetën katolike që bëjnë. Kjo sëmundje ka shkaktuar dëme dhe çregullime politike, ekonomike, sociale, psikologjike. Kjo pandemi ka vënë në rrezik krejt njerëzimit në të gjitha aspektet. Pavarësisht sfidave të mëdha sidomos tek emigrantët e rinj, ata gjithmonë e gjejnë kohën të ndjekin procesionet fetare dhe të jenë të rregullt në kishë. U jam mirënjohës për fenë dhe besimin që kanë. Zoti i bekoftë dhe i shpërbleftë më të mira për besimin dhe devotshmërinë që kanë. 

MESAZHI I URIMIT PËR FESTËN E PASHKËVE

Kjo është një festë e madhe për të gjithë ne. Si fillim lus Zotin që në këtë kohë të shenjtë të pendesës, të uratës e të bamirësisë që të na shërbejnë për përmirësimin tonë të vazhdueshëm shpirtëror e fizik. Festë të gëzuar, të paqtë e të lumtur për të gjithë. Lus Zotin për të gjithë ata njerëz që e ndjejnë vetën të larguar pak prej Zotit që kjo kohë ti afrojë afër Zotit e njëri tjetrit. Kush vjen afër Zotit vjen afër familjes e afër vetvetes. Lus Zotit që të shërohen të gjithë ata që po lëngojnë prej pandemisë e të gjitha sëmundjeve e shqetësimeve të tjera. Lus Zotit që të shërojë çdo njeri ashtu si Krishti na sheroi ne prej sëmundjes së vdekjes. Lutem që pandemia të mbarojë sa më shpejt dhe bota të gëzojë paqen, zhvillimin e begatinë, pa kërcënime e shqetësime sëmundjesh, por me lumturi e besim te i madhi Zot. Lus Zotin që të kemi një kohë shërimi për të gjallët dhe për të ikur në botën e pasosur të kenë jetën nëpërmjet Krishtit me anë të Ringjalljes. I lumi Jezu Krisht me anë të Ringjalljes dhe dritës së tij, të lutemi që ta shkatërrojë terrin e vdekjes e të sjellë për të gjithë njerëzit shpëtimin e shëlbimin që ne presim dhe lutemi çdo ditë. Shërimi i Krishtit dhe shpëtimi që vjen prej tij le të jetë prezent në jetën e secilit prej nesh. Pashkë të gëzuara e të bardha për të gjithë. 

Filed Under: Featured Tagged With: dom Pjeter Popaj, Pashket

TURQIT KANE USHTRUAR GJENOCID NDAJ SHQIPTAREVE, NUK JANE VELLEZRIT TANE

November 30, 2017 by dgreca

-Ne, nuk jemi vëllezër me turqit, por kemi histori të kundërt, sepse ata kanë bërë gjenocit barbar shumë shekullorë tek populli ynë/

image1Në kishën Zoja e Shkodrës në New York, pas meshës për deshmorët e lirisë u kënduan himnet kombëtare amerikane e shqiptare dhe u ringrit flamuri kuq e zi/

1 dom Pjetri

Nga Klajd Kapinova-Nju Jork/

 

1 klajdi

Sipas traditës shumë shekullore, në kishat katolike shqiptare në Shqiperi, Kosovë dhe diasporë gjithëmonë thuhet një meshë e veçantë drite, në përkujtim të martirëve shqiptarë, që dhanë jetën për idealet liridashëse kombëtare, kundër pushtuesve të huaj.

I pari që e filloi këtë traditë në Neë York ishte themeluesi i kishës katolike shqiptare në Amerikë mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989), i cili, në kishën Zoja e Këshillit të Mirë (sot Zoja e Shkodrës, NY), ngriti flamurin e heroit kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit.
Edhe këtë vit, që ishte ditë e zakonshme pune komuniteti shqiptaro amerikanë pa dallim feje, sipas traditës së mëparshme u bashkua pranë kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, në Hartsdale, Neë York, për të përkujtuar 28 nëntorin, Ditën e Flamurit  dhe 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Për festimin e Pavarësisë së Shqipërisë, si çdo përvjetor meshtari i dalluar dom Pjetër Popaj, sëbashku me besimtarët, u mblodhën në një meshë të shenjt, dedikuar Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa përjashta saj në oborrin e kishës në kompanjelin e saj u ngrit me respekt dhe krenari flamuri i kuq kombëtar me shqiponjën dy krenare.
Qysh në hyrje të fillimit të ceremonisë së meshës shenjte, kryqi u shoqërua nga tre gjakoj shqiptarë, të lindur dhe rritur në Amerikë, të cilët ishin të veshur me kostume tradicionale shumëngjyrëshe popullore të krahinave të Malësisë. Ato shoqëruan kryqin dhe meshtarët e famullisë sonë dom Pjetër Popaj dhe ndihmësin e tij dom Viktor Dedajn, të cilët udhëheqën meshën e shenjtë kushtuar të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptarë të rënë gjatë shekujve për idealet e pastra kombëtare.
Shumë djem e vajza të reja ishin veshur me xhubleta të lashta 5000 vjeçare të Malësisë, të cilat i dhanë pamje më festive kishës, në përkujtimin e ditës së flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u bë realitet nga patriotët shqiptarë më 28 nëntor 1912, në qytetin historik të Vlorës.
Dom Pjeter Popaj, pasi ka kremtuar meshën e shenjtë, kushtuar dëshmorëve të, të gjitha kohërave, ka bekuar Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Meshtari dhe lideri kryesor i komunitetit katolik në NY dom Pjetri, qysh në fillim uroj të gjithë shqiptarët: Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Gezuar Dita e Flamurit!
Famullitari Popaj, falë kulturës së gjërë dhe të thëllë evokoi historinë e popullit tonë nga lashtësia deri në ditët tona, ku ndër të tjera tha se: “Ne sot të gjithë këtu flasim shqip, pikërisht në saj të gjakut të derdhur për liri dhe pavarësi nga dëshmorët tanë kundër pushtuesve të huaj shumë shekullorë, duke filluar nga periudha ilire dhe deri në Pavarësinë e Shqipërisë më 1912 dhe lirinë e plotë të Kosovës në vitin 1999.
Pretku i sotshëm, ka përputhje me shumë ngjarje reale historike midis popullit të Izraelit dhe atij shqiptar, të cilët kanë vuajtur ndër shekuj nga pushtues të ndryshëm dhe kanë mbijetuar falë Zotit deri në ditët tona.
Ne, jemi një popull i fortë, sepse nuk dorëzohemi lehtë, mbasi i kemi mbijetuar vuajtjeve të njëpasnjëshme. Perandoria mizore osmane, në mënyrë barbare shkatërroj popujt dhe kulturat e tyre mijëravjeçare.
Një gjë të tillë me masakra të pa mëshirshme dyndjet barbare osmane e bënë në Turqi, duke shkatërruar Konstandinopojën, qendrën e civilizimit dhe kulturës përparimtare të kohës në Lindje. Përmes krimeve dhe gjenocidit shumë shekullorë osmanët pushtues krijojnë Perandorinë e themeluesit të tyre, që kishte emrin Osman, duke vrarë, djegur dhe plaçkitur banorët e hershëm në Turqi dhe e shtrijnë sundimin e tyre si oktapodi i zi drejt shteteve të tjera të krishtera në Ballkan, në Shqipëri dhe më gjërë në Afrikën Veriore…
Motoja e tyre udhëheqëse ishte përca dhe sundo. Këtë aksiomë ato e praktikuan me shumë sukses dhe më së shumti në trojet tona shqiptare, duke qëndruar për 500 vjet deri sa patriotët tanë shpallën pavarësinë e vendit të shqiponjave.
E rëndësishme është që të dihet historia e popullit tonë, sepse Zoti na ka dhënë heronjtë tanë për mbijetësë. I tillë ishte dhe mbeti kryetrimi i Arbërisë heroi kombëtar Gjergj Gjon Kastrioti, i cili nga 30 beteja që zhvilloi kundër turqve barbarë arriti të fitonte 29 të tilla, në saj të mbështetjes së fuqishme të popullit të vogël shqiptar.
Është detyra e historianëve tanë të flasin për këto vlera dhe jo të hidhën kundër simboleve tona kombëtare. Të flasësh shqip kundër heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës etj., është vërtetë një absurditet i ditëve tona.
Turqit, gjithëmonë dhe tradicionalisht, përmes shpatës dhe islamit janë munduar të asimilojnë popullin etnik shqiptar, i cili, është shembull në Europë për luftën e pareshtuar kundër pushtimit të tyre.
Ti bësh ballë një Perandorie të fuqishme të kohës, sikurse ishin osmanët nuk ka qenë e lehtë për popullin heroik shqiptar… Historia e flamurit shqiptar, simbolit tonë të dashur kombëtar është shumë interesante.
Atë e kanë mbajtur në zemër gjithëmonë shqiptarët edhe pse kanë qenë të pushtuar ndër shekuj nga osmanët, të cilët asnjëherë nuk na lejuan të mbanim flamurin dhe të flasim gjuhën tonë shqipe.
E këto fakte kokëforta historike nuk duhen harruar, sepse pikërisht në saj të heronjve tanë antiosmanë, ne dhe vetëm ne të mbijetuarit sot flasim gjuhën e bukur shqipe, pra kemi identitetin e pastër shqiptar.
Ne, nuk flasim për imagjinata, por për histori me plot vuatje dhe sakfrica sublime dhe mbijetesë stoike të popullit heroik shqiptar.
Arsyeja, që jemi mbledhur sot këtu është se ne duhet të falënderojmë me mirënjohje të thellë dëshmorët paraardhës, të cilët kanë derdhur gjakun e pastër arbëror për identitetin tonë që gëzojmë sot.
Ne flasim sot shqip, në saj të heronjëve tanë martir… Zoti i bëkoftë shqiptarët! Gëzuar Ditën e Pavarësisë të të gjithë shqiptarëve!”
Edhe në Qendrën Nënë Tereza, e cila është dekoruar nga shteti amë me urdhërin Mjeshtëri i Madh nga Presidenti i Shqipërisë, famullitari i palodhur patriot dom Pjetër Popaj, si gjatë predikimit dhe më pas, ka folur për rëndësinë e kësaj feste, duke e quajtur me të drejtë atë si festa me e madhe e identitetit të mirëfilltë kombëtar shqiptarë.
Gjatë, kësaj ceremonie, e cila u shoqërua edhe me disa fjalime përshëndetëse nga folësit, të cilët në esencë kanë rikujtuar rëndësinë e 28 nëntorit, u dha  një koncert festiv nga Shoqata Rozafat, në Qendrën Kulturore Nëna Tereza.
Në këtë ceremoni lider të komunitetit, përfaqësues të organizatave të ndryshme shqiptaro amerikane dhe veprimtar të dalluar, mbasi e kanë përshendetur këtë veprimtari, folën me fjalë të zgjedhura për rëndësinë e 28 nëntorit 1912, ndërkohë, që e uruan kishën katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, famullitarin e përkushtuar të saj dom Pjetër Popajn dhe të gjithë shqiptarët kudo janë.
Midis folësve të tjerë, në këtë ceremoni ka përshëndetur politikani zoti Mark Gjonaj antar i rizgjedhur pak kohë më parë në Asamblenë e Neë York-ut.
Aktivisti i palodhur komunitetit shqiptar, studiuesi dhe publicist Tomë Mrijaj (prej shumë dekadash Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit), gjatë një interviste të zhvilluar pak minuta pas mbarimit të ceremonisë së ngritjes së flamurit, ndër të tjeta tha, se: “Pavarësia dhe ngritja e flamurit nga patriotët shqiparë, është ngjarja më e madhe në historinë e popullit tonë.
Për të nderuar këtë ngjarje, Shoqata Mbarëkombëtare Trojet e Arbërit, pak kohë më parë ka mbajtur një Simpozium shkencor kushtuar tërësisht patriotit dhe klerikut të shquar shqiptar imzot Nikollë Kaçorrit zv/Kryeministër në Qeverinë e Ismail Qemalit, pas Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Shoqata në fjalë, me qendër në Prishtinë, në aktivitetin e mbajtur në Durrës, iu kushtua tërësisht personalitetit të shquar të botës shqiptare, prelatit imzot Kaçorrit, i cili, padrejtësisht gjatë periudhës së errët të komunizmit të zi në Shqipëri 1944-1990, ishte lenë qëllimisht në harresë, sepse ishte një klerik i shquar katolik dhe një shqiptar i devotshm i shqiptarizmës.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm kumtuan me ligjerat e tyre shumë interesante 19 studiues nga e gjithë bota shqiptare brenda dhe jashtë trojeve etnike.
Ky sesion shkencor u zhvillua në kohën dhe vendin e duhur, pasi është viti jubile  155-vjetori i lindjes së dom Nikollë Kaçorrit (21 shkurt 1862-21 shkurt 2017), 100-vjetorin e vdekjes së tij dhe 105-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Studiuesit e ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por dhe diaspora na sollën punime shkencore serioze, për vënjen në vend të figurave kombëtare.
Më 21 nëntor 1912, në Portin e Durrësit, zbritën një grup patriotësh të kryesuar nga Ismail Qemali, imzot Nikollë Kaçorri, të cilët vinin me misionin historik që të shpallnin Pavarësinë e shtetit shqiptar, ku më 26 nëntor në qytetin e Durrësit ngrihet flamuri i Pavarësisë.
Përndjekjet, gjyqet, kërcënimet kundër bariut shpirtëror atdhetar vazhduan aq sa situatën e tij e raportonin jo vetëm gazetat shqiptare të mërgimit (Dielli), por edhe gazetat e hueja italiane, si “Corriere di Trieste” dhe shtypi austriak, me të cilin ishte i lidhur ngushtë, për shkak të njohjes së gjuhës gjermane.
Prelati katolik kishte një zgjuarsi të rrallë, në polemika me klerikë myslimanë dhe ortodoksë, të cilët predikonin, të parët gjuhën arabisht (turqisht më vonë), të dytët greqisht.
Meshtari shqiptar, i edukuar dhe frymëzuar me ndjenjën e pastër atdhetare nga paraardhësit e tij klerikë katolikë, ai porosiste:
“Të predikojmë në gjuhën shqipe, se Zoti na ndigjon edhe shqip!”.
Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi dokumentin e pavarësisë me siglën Kaçorri.
Në mbledhjen e 41 delegatëve, që kishin mbërritur në Vlorë, atdhetari Nikollë Kaçorri ngrihet e thotë: “Në qoftë për nesër, vdesim sot, o flamur o dekë!”
U zgjodh nënkryetar i Qeverisë shqiptare. Kuvendi i Vlonës, i hapur në orën 14,°° të datës 28 nëntor 1912, miratoi Shpalljen e Pavarësisë.
Firma e dytë, mbas Ismail bej Qemalit, ishte imzot Nikollë Kaçorri. Valvitja e flamurit të Kastriotit atë ditë të shenjtë, siç e dëshmon një fotografi e vjetër, e paretushuar nga komunistët, u ba pikërisht nga patriotët e mëdhanj si: imzot Fan Stilian Noli, liberatori i madh Luigj Gurakuqi, imzot Nikollë Kaçorri e deri tek më i riu Mustafa Kruja etj.
Eshtrat e imzot Nikollë Kaçorrit u përcollën drejt Shqipërisë në shkurt të vitit 2011, mbas 94 vjetësh kur u nda nga kjo jetë, në tokën për të cilën e shkriu tërë qënien e tij.”
Ngritja e flamurit në kompanjelin e kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, në Hartsdale NY, u shoqërua me këndimin e hymnit kombëtar amerikan dhe shqiptar nga pjesëmarrësit shqiptaro amerikanë dhe një grup fëmijësh me veshje të bukura popullore të krahinave dhe zonave të ndryshme të trojeve etnike.
Historikisht dhe tradicionalisht, komuniteti i madh katolik shqiptar, tashmë me këto aktivitete thellësisht kombëtare, ka treguar se është i bashkuar e i organizuar shumë mirë rreth vatrës së atdhedashurisë, që është kisha katolike në SHBA, duke pasur një lidhje të fortë mes fesë së hershme të të parëve tanë dhe kombit tone të lashtë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dom Pjeter Popaj, gjenocid, Kisha Zoja e Shkodres, Klajd Kapinova, Turqit

FLAMURI KUQ E ZI VALVITET TEK KISHA “ZOJA E SHKODRES”

November 29, 2017 by dgreca

28 NENTOR- MESHE, NGRITJA CEREMONIALE E FLAMURIT KUQ E ZI, KENGE E VALLE NË KISHËN”ZOJA E SHKODRËS”/

1 Flamuri

NGA DALIP GRECA/ Per me shame foto shkoni ne Facebook(dielli vatra, dalip greca)1 dom Pjetri

Në vijim të traditës shumëvjecare, sot, me 28 Nëntor 2017 në mesditë, në Kishën Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës” në Hartsdale NY,në drejtimin e famullitarit dom Pjetër Popaj , ndihmuar nga dom Viktor Dedaj, është organizuar Mesha e Flamurit Kombëtar në nderim të 105 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

2 JashteMe një elokuencë brilante nga Dom Pjetër Popaj është shpalosur për një orë Historia jonë Kombëtare, lufta e gjatë për Liri e Pavarësi, triumfi i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, që mbrojti jo vetëm Arbërinë por edhe gjithë Evropën nga invazioni i pushtuesit otoman. Me njohuri të thella në fushën e Historisë tonë kombëtare dom Pjetër Popaj, ka listuar autorët që kanë folur për qëndresën shumëshekullore të shqiptarëve, për masakrat që janë bërë mbi popullsinë e pafajshme, duke u fokusuar në qëndresën e shqiptarëve, që e ruajtën këtë Flamur në shekuj. Më pas dom Pjetër Popaj, evidentoi rizbulimin e Flamurit tonë Kombëtar prej Faik Konicës, një nga shtyllat e diasporës shqiptare në Amerikë, figurë e shquar Kombtare, diplomat, publicist, studiues, historian, atdhetar i përkushtuar, i cili e bëri këtë Flamur Emblemë të Revistës “ALBANIA” që u botua më 1896. Në udhëtimin historik të Flamurit tonë Kombëtar dom Pjetri u ndal në veprën patriotike të Marigo Posio, e cila është sjellsja e Flamurit që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Famullitari Dom Pjetër Popaj ka evokuar Historinë tonë Kombëtare në Ditën e Flamurit duke prekur ndjenjat kombëtare të pjesmarrsve në Meshë.
Më pas, në mjediset e jashtme të Kishës Zoja e Shkodrës, mbi Këmbanore, pranë Flamurit Amerikan, është ngritë Flamuri Kuq e Zi pasi janë kënduar Hymnet Kombëtare të Shqipërisë dhe Amerikës. Pjesmarrësit e shumtë kanë duartrokitur gjatë momentin e ngritjes së Flamurit.
Programi ka vijuar në Qendrën Kulturore “Nëna Terezë” nderuar me dekoratën “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Shqipërisë. Programin festiv kushtuar Ditës së Flamurit e ka moderuar Kryetari i rizgjedhur i Këshillit të Kishës z. Leonard Berishaj. Në fjalën e tij z. Berishaj tha: Të përndershëm dom Pjeter Popaj dhe dom Viktor Dedaj, Anëtar i Assemblesë se Shtetit te NY z. Mark Gjonaj, z. David J. Tubiolo, Legislator i distriktit 14, zonja dhe zotërinjë. të nderuar, Vëllezër e motra, Kam nderin dhe kënaqësinë, t’ju përshëndes nga ky podium dhe në këtë sallë, ku jemi bashkuar për të kremtuar 28 Nëntorin, 105-Vjetorin e Pavarsisë së Shqipërisë dhe festën e Flamurit tonë kombëtar. Ju uroj nga zemra Festën e flamurit – 28 Nëntorin, këtë festë të madhe kombëtare, këtë vlerë të veçantë të kombit shqiptar. Dëshiroj të falënderoj vogëlushët dhe të rinjtë e Rozafatit, të cilët me kostumet e tyre kombëtare e zbukuruan këtë festë të madhe. Një vlerësim i vecantë i takon Mjeshtres së Madhe, koreografes Angjelina Nikaj, që i ka përgatitur këta djem e vajza.Po ashtu falënderoj edhe prindërit e tyre për sakrificë e kontribut të dhënë dhe praninë këtu, edhe pse është ditë pune. Falënderoj edhe DJ Liridon Ulaj i cili me mikrofon dhe zërin na ndihmoi që kjo festë të jetë sa më e suksesshme. Falënderoj edhe Shoqatën “Drita” e cila u kujdes për një koktejl modest. Edhe një herë Gëzuar – 28 nëntorin, këtë festë të madhe kombëtare, këtë vlerë të veçantë të kombit shqiptar. ”
Më pas Berisha ia ka dhënë fjalën z. Mark Gjonaj, ansambeisti i Shtetit të NY, i sapo votuar si Këshilltar i Qytetit. Z. Mark Gjonaj në fjalën përshëndetëse foli për vlerat e 28 Nnëtorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ai tha se ky 28 Nëntor u festua në mënyrë madhështore nga shqiptarët, por festa u bë e copëzuar duke u ndarë në pesë organizime. Uroj, tha ai, që vitin e ardhshëm, ta festojmë të gjithë bashkë Ditën e Flamurit Kombtar, ku të tubohemi më shumë se 5 mijë shqiptarë në Madison Square Garden!
Me fjalë poetike e kanë përshëndetë festën poeti Mhill Velaj dhe aktivisti Nosh Rroku Camaj. Z. -David J. Tubiolo, Legislator, 14th District, është duartrokitur kur ka uruar në gjuhën shqipe.
Kryetari i Qendrës “Nënë Tereza” Marjan Cubi, ka uruar festën e Fl;amurit Kombëtar, duke u ndalur në rëndësinë historike të 28 Nëntorit. Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA,në emër të Kryetarit Dritan Mishto, në emër të vatranëve, ka përshëndetur ish zv. Kryetari i Vatrës. z. Asllan Bushati.
Më pas pista e sallës “Nënë Tereza” ka qenë për valltarët e grupit Rozafati nën drejtimin e Angjelina Nikaj. Ata kanë dhuruar një spektakël të vërtetë me valle nga krahinat shqiptare dhe janë duartrokitur, fotografuar dhe filmuar nga të pranishmit si dhe nga Televizioni 21, Revista “Jeta Katolike” si dhe nga Gazeta “Dielli”.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ceremonia e Flamurit, dalip greca, dom Pjeter Popaj, Kisha Zoja e Shkodres

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT