Shkruan: Enver Bytyçi/
Mintstri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazëtarëve lidhur me një platform të presidentit Nikoliç rreth Kosovës, ku parashtrohet kërkesa për ndërprerje të bisedimeve të Brukselit, ka theksuar se ai (Daçiç) ua ka paraqitur përfaësuesve të bashkësisë ndërkombëtare qëndrimin e tij personal për ndarjen e Kosovës.
Daçiç është shprehur disa herë në forma të ndryshme për këtë opcion. Në një rast ai kishte thënë se nuk i interesonte në sa shtete jetojnë shqiptarët, por i interesonin serbët, duke aluduar se ishte i gatshëm ta mbështeste opcionin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe gjatë këtij procesi t’i shkëpuste Kosovës territoret e veriut të saj.
Nuk dihet nëse ky është gjithashtu projeksioni i presidentit serb,Tomisllav Nikoliç, i cili në dokumentin e tij që ia ka paraqit këto ditë kryeministrit Vuçiç,, i kërkon këtij të fundit ndalimin e bisedimeve të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Nëse Serbia mdërpret këto bisedime, atëherë ajo duhet të ofrojë një paketë tjetër zgjidhjeje. Dhe afër mendsh, kjo paketë do të përfshinte ndarjen e Kosovës, qoftë dhe me kompromisin e bashkimit të pjesës së mbetur me Shqipërinë.
Një zgjidhje e tillë do të ishte në shërbim të Serbisë dhe sidomos të forcave proruse në Serbi, e vendet e tjera të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë. Dobia konsiston në faktin se ndarja e Kosovës krijon precedentin e ndryshimit të kufijve në Maqedoni, në Bosnjë Hercegovinë e në ndonjë rast tjetër (Sanxhaku dhe Vojvodina potencialisht). Kjo do të thotë dezintegrim i rajonit dhe krijimi i shteteve të pastra etnike. Dikush do të pyeste se çfarë të keqe ka krijimi i shteteve të pastra etnike?
Kryesore është se krijimi i të tilla shteteve në Ballkan krijon shanse shumë herë më të mëdha për praninë e ndikimit dhe sundimit influent rus në gadishullin tonë. Do të krijohej një ndarje psikologjike gjithashtu midis popujve të Ballkanit. Por praktikisht shqiptarët humbasin territore. Veriu i Kosovës është i pasur në minerale dhe për këtë arsye Serbia insiston në ndarjen e saj, me qëllim që të grabisë pikërisht këto pasuri të mëdha të saj. Territori shqiptar i veriut të Kosovës është thesari, me të cilin kanë jetuar në mirëqenie disa breza banorësh të saj dhe mund të jetojnë edhe shumë breza të tjerë. Grabitja e këtij territori është gjithashtu ndëshkimi më i madh që u bëhet shqiptarëve.
Nga ana tjetër kjo zgjidhje nxit shqiptarët e Maqedonisë, edhe kështu të frustuar, që të kërkojnë shkëputjen nga sovraniteti i Shkupit. Por shtrohet çeshtja vetë Shkupi ku do të vendosej? Çfarë do të bëhej me qytete të tjera historikisht shqiptare, por të banuara në shumicë me popullsi maqedonase e të rrethuara nga fshatra të banuar me shqiptarë? A do të kishim në këtë rast një konflikt të pashmangshëm të armatosur, përsëri për territore. Dhe e njëjta gjë do të ndodhte me Republikën Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Do vihej në diskutim ekzistenca e këtij shteti. Rajoni, do të kthehej kështu afërsisht në kufijtë e vitit 1919 të kohës së krijimit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, shto këtu Malin e Zi si shtet. Por dy krijesat e pas Luftës së Dytë Botërore, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina, nuk do të ekzistonin si subjekte shtetërore ndërkombëtare.
Prandaj dhe duhet thënë se objeksionet e Daçiç për Kosovën e ndarjen e saj janë të rrezikshme, në radhë të parë për interesin nacional të shqiptarëve, më tej për procesin e integrimit të rajonit në NATO e në Bashkimin Europian dhe më në fund edhe për interesat gjeopolitike të Perendimit në rajon, pasiqë Rusia do të ishte e gatshme ta shtonte praninë e saj politike, ekonomike e madje ushtarake.
Politika dhe diplomacia shqiptare duhet të jetë e përgatitur dhe duhet të punojë për të evituar projekte të tilla ogurzeza, të cilat do të sjellin dezintegrimin e shkatërrimin, në vend të integrimit. Nuk mund të guxojë asnjë politikan shqiptar në Tiranë, Prishtinë, Shkup e diku tjetër që të pajtohet qoftë dhe në prapaskenë me skenarë të tillë. Mosveprimi gjithashtu do të ishte goditje e rëndë për interesat tona dhe perspektivën e shqiptarëve.
Ndërkohë NATO do të vinte në diskutim jo vetëm kredibilitetin e saj në rast dezintegrimi në rajonin e Ballkanit Perendimor. Një vatër e re zjarri në këtë rajon, kur rreth nesh janë hapur disa të tilla, si rezultat i invazionit rus në Ukrainë, do të vinte përballë njëra-tjetrës disa vende anëtare të NATO-s.
Ndërhyrja më emergjente ka të bëjë me integrimin e Maqedonisë në NATO e BE. Krahas kësaj, zgjidhja definitive është pranimi I Kosovës në OKB dhe njohja juridike e shtetësisë dhe sovranitetit të saj shtetëror. Dhe në fund zhbllokimi i ngërçit politik e kushtetues në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës. Këto zgjidhje janë më të mirat, me më pak dhimbje, garantojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe i japin shans perspektivës së integrimit euro-atlantik.