
Patrioti i shquar i mërgatës shqiptare të Amerikës z.Pjetër Gashi dhuroi 500 dollarë për Federatën Vatra. Humanisti Gashi ka dhuruar dhe herë të tjera për Vatrën. Prej 40 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fisniku Pjetri bashkë me bashkëshorten Liljana Gashi janë model i artë i bashkëshortëve humanë, ndihmëtarë, fisnikë e patriotë. Ata i përgjigjen pozitivisht gjithmonë çdo thirrjeje për mbështetje dhe kudo ku ka nevojë emri i tyre gjendet aty. Ata janë modeli më i shkëlqyer i shqiptarit në Amerikë, vlerë dhe krenari për komunitetin shqiptar. Që prej ardhjes në Amerikë Pjetër dhe Liljana Gashi kanë marrë pjesë në të gjitha organizimet, tubimet, protestat, demonstratat e ngjarjet kulturore e atdhetare në mbështetje të çështjes kombëtare në Amerikë. Të gjitha organizatat patriotike janë mbështetur prej bashkëshortëve Gashi të cilët dhurojnë për raste gëzimi e hidhërimi, për festa fetare e ngjarje kombëtare, për fatkeqësi e fushata të ndryshme kulturore e sociale. Vatra e Dielli shprehin mirënjohje e falënderim të veçantë për Pjetër dhe Liljana Gashin e çdo shqiptar që mbështet Vatrën e Diellin si institucionet më të fuqishme patriotike në mërgatën shqiptare të Amerikës.