Me rastin e 96 Vjetorit te Kongresit Kombetar te Lushnjes/
Ne Foto:Shtëpia muze Kongresi i Lushnjës/
Nga Autor Niko FERRO/
Po e nisim artikull tonë me disa pyetje. Si ishte atmosfera në qytet në kohën kur u zhvillua Kongresi Kombëtar në vitin 1920 ? A ka dëshmi për këtë ? Çfarë thuhet për këtë ngjarje? Çfarë kontributi dhanë lushnjarët në këtë Kongres? Cilat ishin vendimet që u morën në Kongres?
Të shkruash për këtë ngjarje të rëndësishme historike, të zhvilluar në qytetin e Lushnjës, plot 96 vjet më parë, është një nder i madhë, një kontribut modest, i cili nxjerr në pah vlerat e atdhetarizmit dhe të patriotizmit të lushnjarëve, ku së bashku me shumë patriotë të tjerë anembanë vendit garantuan një zhvillim normal të Kongresit.
Mësojmë se më 31 Dhjetor 1919, në teqen e Karbunarës kishin filluar përgatitjet për thirrjen e një Kongresi në Lushnjë, me këtë rast u ngrit dhe një Komision i posaçëm, i përbërë më së shumti nga 28 veta. Komisioni në fjalë përbëhej nga : Besim Nuri Kryetari i Bashkisë, Sheh Ibrahim Karbunara, Taullah Sinani, Ferit Vokopola, Emin dhe Mustafa Vokopola, Llazar dhe Jakov Bozo, Nebi Sefa, Qemal dhe Zija Mullai, Eshref Frasheri, Jonuz Sefa, Bajram Haxhiu, Skender Pojani, Kadri Jenisheri, Teki Libohova, Filip Papajani, Abedin Nepravishta, Andrea Papaj, Qerim Arapi, Rasim Hoxha, Arif Kurti, Muntar Luarasi, Reshat (Hysni) Shazivari, Abdyl Aziz, Hasan Islami (Like), Hamit Xheka.
Ky Komision ishte ngarkuar për të plotësuar kërkesat për një zhvillimin normal të Kongresit, përpara se të vinin delegatët në Lushnjë, sakaq ata duhet të siguronin edhe disa çështje, si psh strehimin e delgatëve, duke parë që numri i madhe të njerëzve të cilët i shoqëroni e bënin të pamundur strehimin e tyre në vetëm pesë hanet kryesore të qytetit. Nuk duhet të harrojmë se në atë kohë qyteti i Lushnjës numëronte një popullsi prej 2800 banorë. Pavarësisht numrit të vogël të haneve në qytet, shtëpitë e lushnjarëve të gjitha pa përjashtim, u treguan të gatshme për të strehuar dhe pritur delegatët apo njerëzit i shoqëronin ato. Theksojmë se bujaria dhe mikpritja lushnjare shprehej kudo. Me zgjidhjen e problemit të strehimit të Delegatëve, Komisioni Nismëtar u morë gjithashtu me caktimin e njerëzve, të cilët do shpërndanin postën, por edhe për këtë dolën probleme, nevojiteshin kuaj të mirë dhe të shpejt, për t’i vënë në dispozicion të korrierëve. Por edhe ky problem u tejkalua. U vendos gjithashtu që me shpërndarjen e Postë-Telegrafit puna do ndahej kështu: Zoi Ndreka dhe Sil Keqi për zonën Fier-Vlorë. Taullah Sinani dhe Muç Bani për zonën Peqin-Tiranë-Mat-Shkodër. Idriz Çela për zonën e Beratit. Mahmut Bidri dhe Demir Arapi për zonën Elbasan-Gramsh. Selman Arapi dhe Bajram Haxhiu për zonën Kavajë-Durrësin.
U zgjidh gjithashtu edhe problemi i furnizimeve me ushqim, ku përveç Lushnjës të gjitha fshatrat përreth saj do kontribuonin me ushqime sipas mundësive. Për furnizimin përgjigjeshin Dervish Zylyfi, Sil Prifti, Hamit Xheka, Tahir Xhumari, Jonuz Sefa.
Ngelej për t’u përcaktuar vendi se ku do të mbidheshmin Delegatët. Fillimisht u mendua që delegatët të vendoseshin në një magazinë, në dalje të qytetit, rrugës që shkon për në fshatin Hajdaraj. Por kjo nuk ishte e përshtatshme, pasi se ishte tepër e vjetruar. U propozua, që shtëpia më e përshtatshme për të zhvilluar një mbledhje, ishte ajo e “Fugëve”, ku fal mbështetjes të zotit të shtëpisë u ra dakord që delegatët të mblidheshin aty. Por për ta përshtatur këtë shtëpi në një sallë mbledhjeje duhej dhe një rregullim apostafat.
Komisioni Nismëtar, vendosi që në sallën ku do të mblidheshin delegatët, të përgatitej nga Drejtori i Shkollës Plotore Nikollaq Progri. Mësojmë se ai e mirëpriti kërkesën dhe u vu menjëherë në lëvizje. Ai solli aty një tavolinë dhe katër karrige ku do qëndronin Kryetari, bashkë me dy Sekretarët të Kongresit, solli gjithashtu edhe dy foto. Njëra ishte e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe tjetra e Patriotit Ismail Qemali, këto ai i vendosi në sallën kryesore ku do mblidheshin delegatët, bashkë me këto ai vendosi edhe flamurin kombëtar, të sjell apostafat nga Nënprefekti i Lushnjës, Veli Vasjari.
“Ndërkaq anëtarët e Komisionit vuri re se në “Sallën e Mbledhjes” mungonin karriget, ku delegatët do zinin vend”. Problem ngelej gjetja e tyre”. Kështu ata vendosën ti drejtoheshin përsëri Drejtorit të Shkollës Plotore, nëpërmjet një shkresë me datë 16.01.1920. Aty thuhet: “Meqenëse shkolla duhet për Delegatët e Kongresit që po urdhërojnë këtu, jeni të lutur që sot tëna lironi shkollën, mësimet do vazhdojnë në Xhami, bangat duhen për Mbledhjen Kombëtare. Prandaj jemi të lutur përsëri tëna i dorëzoni. Firmosur Komisioni”. Drejtori së bashku me mësuesit ranë dakord që mësimet të zhvillonin në Xhamin e Vogël të qytetit, ndërsa bangat e vogla të shkollës, i çuan në sallën ku do zhvillohej Mbledhja.
Edhe sot për kureshtarët, në Shtëpinë Muze Kongresi i Lushnjës, bangat e ekspozuara aty kanë përmasa të vogla, pikërisht për t’i kujtuar këtë fakt historik.
Në lidhje me atmosferën e krijuar në qytet, delegati i Pogradecit Gjoka Ndini Gusho shkruante: “Rrugës kur po kalonim nëpër Dumre [e Darsi, pamë të] dilte populli[përpara], burra të armatosur na shoqëronin. [Kur] arritëm në Lushnjë…..populli na priti me këngë e valle. Lushnja dukej si në ditë feste. Në zyrat, në shtëpitë, në dyqanet ishte varur flamuri kombëtar. Na u gëzua zemra kur pamë flamurët të valojnë të lirë, sepse në Pogradec nuk i lejonin”.
Tek porta e madhe e shtëpisë ku do zhvillonte punimet Kongresi ishte radhitur një tog e Xhandarmërisë me në krye Kapitenin Meleq Frashërin, i cili priste delegatët me nderime ushtarake. Në të hyrë të shtëpisë qëndronte Nën/Togeri Prenk Jaku i cili kishte pranë disa prej vullnetarëve të veshur bukur me petka kombëtare.
Në qytet ishte vendosur rregulli për bukuri, sipas porosive të Kryetarit të Bashkisë Besim Nuri, edhe alkooli ishte ndaluar në pijetoret. Xhandarmëria bënte patrullimet të shpeshta në rrugët kryesore të qytetit, aty këtu dukeshin edhe ushtarë italian të armatosur. Pavarësisht se Mbledhja e Kongresit më 13 janar ishte shpallur e paligjshme nga Qeveria e Durrësit, kjo nuk i frikësoi pjesëmarrësit. Madje katër ditë më pas, populli i Lushnjës ju drejtua me një letër Kapitenit të Ushtrisë Italiane të pushtimit, Kolonel Rudolfit, dhe Inspektorit të Xhandarmërisë në Berat me anën të së cilës protestohej vendimi i Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, e cila kishte urdhëruar ndalimin e Mbledhjes. Në letër thuhej: “..këtu në Lushnjë, me dëshirën e tërë Shqipërisë, po mblidhet një Kongres Kombëtar, i cili si tregohet sheshazi nga programi përbëhet me qëllim qytetorë dhe besohet si brenda ashtu dhe jashtë… Qeveria qendrore, ..dëshiron të ndalojë këtë mbledhje të përgjithshme. Qeveria Provizore e Durrësit nuk duhet të dalë jashtë kompetencës së saj dhe në qoftë se e quan veten e saj absolute, nuk ka asnjë shqiptar që t’i dëgjojë urdhërat. Në emër të popullit të Lushnjës”.
Më 18 janar, filluan të vijnë në Lushnjë, fuqit e para vullnetare të armatosura . Kështu nga zona e Libofshës, nën komandën e Zoi Ndrekos Nasi Lepurit dhe Sil Keqit, erdhën 250 veta. Nga zona e Bubullimës nën komandën e Jashar Blezenckës erdhën 170 veta. Nga zona e Dumres nën komandën e Demir Arapit dhe Dalip Haskos erdhën 300 vetë. Nga zona e Çermës dhe e Dushkut nën komandën e Selman Arapit erdhën 150 vetë. Nga zona e Kosovës (së Lushnjës) dhe e Dragotit nën komandën e Pal Kadillarit dhe Ngjel Çukos erdhën 220 vetë.
Po kështu me porosi të Aqif Pashës erdhën 100 veta të armatosur vullnetarë të udhëhequr nga Mahmut Xhelili. Vetë Ahmet Zogu erdhi me 100 forca vullnetare. Mbi 300 vullnetarë erdhën nga zona e Skraparit, nën komandën e Riza Cërovës. Të tjera forca erdhën edhe nga Korça, Mirdita, Shkodra, Dibra, Gjirokastra, pra nga e gjithë Shqipëria. Të gjithë në mbështetje të Kongresit. Mësojmë se Kryetari i Komisionit për mbrojtjen e Kongresit në qytet u zgjodh Llazar Bozo. Ndërsa Ahmet Lepenica ju ngarua detyra të organizonte njësitet e armatosura të vendosur anës kodrave të qytetit. Mësojmë se forcat që ruanin Kongresin ishin shpërndarë në disa pika: në kodrën e “Kalifasë”, sipër lagjes “Stan”, në kodrën e “Harburit”, dhe në “grykën e Dumres” (sot rezervuari). Pjesa tjetër ishte vendosur në qytet dhe në Karbunarë. Ndërsa forcat pushtuese italiane, ishin të stacionuara qytet ishin vendosur në Lagjen “Topallti” (Sot Loni Dhamo). Distanca midis vullnetarëve dhe forcave italiane ishte 750 m, dhe tensioni ishte tepër i madhë.
Më datën 18 janar filluan të vijnë delegatët e parë. Nga Peqini erdhi Aqif Pashë Elbasani, Adem Gjinishi, Nga Gramshi Asllan Shahini. Nga Tirana Mytesim Këlliçi, Abdi Toptani. Dhe kështu gjatë ditëve në vijim erdhën të tjerë delegatë. Për strehimin e tyre merreshin Nikollaq Progri, Kamber Ruli, Xhevdet Nepravishta, Andrea Papaj, dhe Izet Libohova.
Mësojmë se Delegatët posa mbërrinin në Lushnjë akomodoheshin menjëherë në vendet e caktuara. Sipas dëshmisë të Hysen Nexhës, i cili ishte ruajtës në Kongresit, “shumë vullnetarë ditën dilnin pazarit, por rrinin vetëm me kobure. Në atë kohë Nënprefekti Veli Vasjari, na çoi lajme të vinin sa më të armatosur. “Më kujtohet teksa hynte dhe dilte shpesh Aqif Pashë Elbasani, me një qylaf të zi dhe me një pallto të madhe, i veshur mirë”.
“Ditën kur filloj punimet Kongresi i Lushnjës më 21 janar, <
“Sakaq në Kongres të gjithë ishin prezent përveç Veli Harshovës që u zëvendësua nga Abedin Nepravishta, deri sa erdhi nga Gjirokastra. Pastaj u bë shqyrtimi i letër kredencialeve nga një komision i posaçëm. Më pas u bënë zgjedhje dhe Kryetar i Kongresi u zgjodh Aqif Pashë Elbasani, Nënkryetar u zgjodh Sotir Peci sekretarë u zgjodhën Koço Kota dhe Ferit Vokopola. Mbledhja u mbyll u çel të nesërmen në ora 9 të mëngjesit. Në qytet mbizotëronte rregulli dhe rendi. Ditën tjetër (22 janar) mbajti një referat Ali Këlcyra, mbi rëndësinë e këtij Kongresi. Më parë foli mbi patriotizmin e popullit të Lushnjës, duke e lavdëruar atë për barrën e rëndë që ka morë përsipër. Më pas falënderoj Komisionin Nismëtar, për punën e pa lodhur dhe patriotike sidomos në këto kohëra të vështira politike. Pastaj i propozoj Kongresit që çdo veprim i qeverisë së Durrësit të shpallet ilegal.
Sipas dëshmive të Ahmet Shehit “Një natë Zija Mullaj thirri për darkë Delegatët e Vlorës, Sheh Ibrahim Karbunarën dhe konsullin Iden. Në orën tetë, të ftuarit kishin shkuar, ndërsa Konsulli u paraqit me një orë më vonë, i shoqëruar nga rojat vetjake. Shehu i tërhoqi vëmendjen për vonesën, duke i kujtuar edhe merakun sipas traditës shqiptare të ruajtjes së mikut. Ideni i lutet Myqerem Hamzarajt (pasi ishte i vetmi që dinte anglisht) tu thotë të tjerëve: “Po të jetë se këtë natë do ta kalojmë pa ndonjë incident, unë nesër jam i detyruar t’iu uroj se me të vërtetë populli shqiptar di përse lufton dhe di përse sakrifikon jetën e tij”. Të tjerët kërkuan sqarime edhe ai informoi se Myfit Libohova, ministër i qeverisë së Durrësit ishte nisur me 500 milicë dhe është duke ardhur në Lushnjë për tu shpartalluar. Lushnjarët u mobilizuan shpejt. Vetë Ideni në orën 4 pas mesnate pa në kodrën e Kalifasë qindra luftëtarë të armatosur. Këtu ai u nis tek Koloneli italian dhe i tha: “I sheh ato kodra të qytetit? Të gjitha ato janë të mbushura me popull të armatosur, prandaj lajmëro Gjeneral Piaçentinin të tërheqë forcat nga Kolonja se në fund do të turpërohet”. Ndërkaq Vullnetarëve ju ishte thënë të ndiznin sa më shumë zjarre në kodrat e qytetit për të frikësuar ushtarët italianë.
N/Togeri Prenk Jaku së bashku me qindra vullnetarë arrin ti ndaloj forcat që kishin ardhur për të shpërndarë Kongresin.
Në ditën që vijua, Kongresi pas shumë diskutimesh vendosi, që të bëheshin protestat më të ashpra kundër vendimit të Fuqive të Mëdha, për zbatimin e Paktit të Fshehtë të Londrës, i 26 Prillit 1915, i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë. Pastaj, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si për situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Në përfundim, u pranua që qeveria kishte vepruar jashtë programit të dhënë prej Kongresit të Durrësit, që ishte mbajtur në 25 Dhjetor të vitit 1918-të. Po ashtu, kishte penguar mbledhjen e Senatit, gjë e cila ishte vendosur në Durrës, si dhe duke konstatuar keqadministrimin, i cili e kishte futur vendin në një anarki të madhe. Gjithashtu kjo qeveri, ishte përpjekur me çdo kusht për të penguar mbajtjen e kongresit. Kongresi vendosi unanimisht, të shpalli të shkarkuar Qeverinë e Përkohshme të Durrësit, bashkë me të edhe delegacionin zyrtar të dërguar prej saj në Konferencën e Paqes. Ai caktoi një delegacion të ri të përbërë nga: Luigj Bumci, Mehmet Bej Konica, Mihal Turtulli dhe Sulejman Delvina. Kongresi i përfundoi punimet me miratimin e disa vendimeve të rëndësishme politike, të cilat, do të ndihmonin vendin për të dalë nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhej. Së pari, mori në shqyrtim planet e Konferencës së Paqes së Parisit në lidhje me Shqipërinë, duke i quajtur ato të papranueshme. Kongresi u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër çdo mandati të huaj. Në telegramin e protestës, që iu dërgua kryetarit të Konferencës së Paqes, shpallej botërisht, se shqiptarët ishin gati të bënin “të gjitha sakrificat, të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut të tyre, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë”. Së dyti, miratoi aktin kushtetues, ku sanksionohej sovraniteti i plotë i shtetit Shqiptar dhe kjo u shpreh me organet që ngriti kongresi. Në mbledhjen e katërt, që u mbajt më 30 Janar, kongresi formoi një Këshill të Lartë prej 4 vetash, i cili do të përfaqësonte kolegjialisht kryetarin e shtetit shqiptar, derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit prej një asambleje kushtetuese. Si antarë të Këshillit të Lartë u zgjodhën: Aqif Pashë Elbasanin, dr. Mihal Turtulli, Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani, të cilët nga pikëpamja fetare përfaqësonin të gjitha besimet fetare ekzistuese në vend. Ky këshill do të ushtronte pushtetin ekzekutiv së bashku me qeverinë. Kongresi zgjodhi gjithashtu edhe një Këshill Kombëtar, i cili do të luante rolin e parlamentit. Ai përbëhej nga 37 antarë. Këshilli Kombëtar kryente detyrat e organit legjislativ dhe kishte të drejtë të plotësonte vendet vakant të Këshillit të Lartë. Këshilli i Lartë nuk mund ta shpërndante Këshillin Kombëtar, këtë të drejtë e kishte vetëm asambleja. Pas kësaj u zgjodh edhe qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina Kryeministër, Ahmet Zogu Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba Ministër i Financave, Sotir Peci Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, dhe Idhomene Kosturi me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Postë-telegrafave. Eshref Frashëri do të mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Punëve Botore. Në seancën e pestë, që u mbajt më 31 Janar pasdite, kongresi zgjodhi antarët e Senatit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 Janarit të vitit 1920, kongresi u dha fund punimeve. Vendimet e kongresit u miratuan pak më vonë edhe nga delegatët e tjerë, midis tyre edhe nga ata të krahinave veriore të vendit, që nuk arritën të merrnin pjesë në punime. Kongresi i Lushnjës, i tregoi botës se Shqipëria ishte e pavarur dhe e pandashme,çka dotë thoshte se shqiptarët, trimat e Skënderbeut, do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut, për çlirimin e këtij vendi, duke iu dalë kundër planeve djallëzore për copëtimin e Shqipërisë. Organet që zgjodhi kongresi, nisën të veprojnë si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane. Në vetëm pak kohë, qeveria e Tiranës, e dalë nga kongresi i Lushnjës, u njoh prej të gjithë shqipëtarëve dhe u formua kështu një qendër, rreth së cilës mund të mblidheshin të gjitha energjitë e kombit. Kongresi i Lushnjës kishte ngjallur shpresat dhe iu kish dhënë shqiptarëve një farë besimi në vetvete. E gjithë Shqipëria u mobilizua Rrethet e Vlorës e të Labërisë dhe pastaj, e tërë Shqipëria e Jugut u ngrit me armë në dorë kundër ushtrisë italiane. Tërheqja e Italisë nga Vlora sillte si rrjedhim logjik, pavarësinë e shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës, me vendimet e tij detyruan Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga qëllimet grabitqare, tashmë vendi kishte zot. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve.