Nga prof. dr. Beqir Meta/
Dhjetvjeçari i dytë i shekullit XX përbën kulmin e përpjekjeve për afirmimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, të cilat u kurorëzuan me krijimin e shtetit kombëtar pas 450 vjet robëri. Shqipëria u rishfaq në skenën ballkanike dhe evropiane si një faktor real, ajo ofronte shanse të mëdha për vendosjen e ekuilibrit politik të qëndrueshëm në Ballkan dhe për zhvillimin paqësor të rajonit tonë.
Në vitin 1912 pavarësia e Shqipërisë ishte pjekur për zgjidhje si nga pikëpamja e zhvillimeve të brendshme të Perandorisë Otomane, ashtu edhe nga faktorët e rinj, që po shfaqeshin në politikën evropiane dhe ballkanike. Por në radhë të parë tashmë këtë e diktonte zhvillimi i forcave politike shpirtërore brenda territoreve shqiptare. Sundimit të Turqisë në Ballkan i kishte ardhur fundi. Hovi i ri i lëvizjes kombëtare shqiptare kishte vënë në rend të ditës çështjen e së ardhmes së këtij kombi të vjetër evropian. Lëvizja kombëtare shqiptare në periudhën e mëparshme, veçanërisht prej Lidhjes së Prizrenit (1878) e këtej ndonëse nuk kishte arritur objektivin e saj kryesor, kishte patur përveç të tjerash një rezultat të madh historik, kishte afirmuar identitetin e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Rezultatet e saj do të kishin qenë shumë më pozitive, nëqoftëse ajo, s’do të ishte ndodhur në pozita të disfavorshme ndërkombëtare.
Lëvizja shqiptare kishte kundër gjithë shtetet fqinjë, dhe pas tyre një pjesë të mirë të diplomacisë evropiane, që ishte influencuar kryesisht nga Rusia Cariste. Fatkeqësia e shqiptarëve në radhë të parë, por edhe e popujve të tjerë ballkanikë, ishte se lëvizjet çlirimtare të gadishullit nuk bënë kurrë një front të përbashkët lufte kundër sundimit të huaj. Krijimi i Aleancës Ballkanike, në vitin 1912, nuk mund të konsiderohet si instrument i këtij fronti. Rrjedha historike e ngjarjeve dëshmoi se ajo ishte një koalicion i përkohshëm, i brishtë, i paprinciptë dhe i pasinqertë. Në krijimin e Aleancës Ballkanike, Lëvizja Kombëtare Shqiptare kishte vendin e saj. Madje, shkakun imediat për fillimin e sulmit kundër Turqisë do ta jepnin kryengritjet shqiptare e në mënyrë të veçantë kryengritja e madhe e pranverës së vitit 1912, që u përhap sidomos në Shqipërinë Veriore. Këtë rol të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e ka pranuar deri diku edhe literatura e huaj historike. As qarqet drejtuese të shteteve fqinje, nuk e injoruan në atë kohë faktorin shqiptar, përkundrazi u vendosën kontakte, u zhvilluan bisedime për bashkëveprim, disa here midis kryengritësve shqiptarë dhe përfaqësuesve të shteteve fqinje, por megjithatë Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk u njoh prej tyre zyrtarisht, nuk u trajtua si palë zyrtare. Kështu, në fund të fundit, shpërthimi i Luftës Ballkanike në vjeshtë të vitit 1912, i gjeti shqiptarët jashtë radhëve të Aleancës Ballkanike. Dihet gjithashtu se shtetet fqinje ia vunë për këtë fajin shqiptarëve, duke i akuzuar për besnikëri ndaj Portës dhe për papjekurinë e tyre për vetëqeverisje. Këto koncepte i ka mbrojtur dhe për shumë kohë historiografia Ballkanike1.
Shumë historianë kanë bërë përpjekje për të nxjerrë konluzione nga kjo ngjarje historike, por unë mendoj se refleksionet rreth saj nuk janë asnjëherë të tepërta. Ajo pati rëndësi, sepse ndikoi pozitivisht në kapërcimin e atij pozicioni tepër të rrezikshëm politik, për të cilin nuk do ta tepronim po të shpreheshim se ishte vetëm një hap drejt shpërbërjes fatale të kombit shqiptar duke e çuar pozitën e tij drejt një ekuilibri të ri, i cili po lëvizte në një drejtim përtej greminës. Edhe pse shteti, që u krijua pas saj qe i brishtë, dhe kaloi përmes krizash e vështirësish të jashtëzakonshme, ai deri në vitin 1920 shërbeu për të krijuar eksperiencën e parë pozitive dhe hodhi hapat e para për fuqizimin e identitetit të ri si komb – shtet.
Në dekadën e dytë të shekullit të kaluar, kombi shqiptar kaloi provën më të rëndë të historisë së tij. Ai arriti të shpallte pavarësinë në gjysmën e territoreve të tij etnike, ndërtoi një administratë kombëtare, por fatkeqësisht koha ishte kundër tij. I ndodhur nën presionin e fuqishëm të fqinjëve me aspirata shoviniste të forta dhe të Fuqive të Mëdha, që ishin në prag të shpërthimit të konfliktit botëror dhe që më tej e filluan atë, në një moment kritik kur ndërgjegjja kombëtare nuk ishte e konsoliduar në të gjitha shtresat e popullsisë, kur elita politike kombëtare ende ishte e paformuar, Shqipëria u përfshi në një sërë lëvizjesh separatiste dhe me frymëzim antikombëtar. Për ironi të fatit, pikërisht në Vlorën e flamurit të pavarësisë, rebelët fanatikë të Haxhi Qamilit e ulën dhe dhunuan flamurin tonë kombëtar. Dëshpërimi kaploi shtresa të shumta shqiptarësh. Por Kongresi i Lushnjës në aspektin politik dhe Lufta e Vlorës në atë ushtarak i dhanë fund këtij procesi regresiv. Ato mposhtën dëshpërimin, pesimizmin dhe skepticizmin se shteti shqiptar nuk mund të bëhej. Ato i thanë stop asaj krize kombëtare, që u shfaq në momentet e para të vështira të lindjes së shtetit shqiptar dhe i hapën rrugën një etape të re të konsolidimit të ndërgjegjes kombëtare dhe të institucioneve kombëtare. Pra, këto ngjarje, jo vetëm që ishim një dëshmi e qartë e një faze të re të pjekurisë politike dhe e formimit të indentitetit kombëtar shqiptar, por edhe një premisë për ta çuar atë më tej.
Në vitet ’20 – ’30 Shqipëria hyri në rrugën e stabilizimit të saj kombëtar. Institucionet kombëtare u bënë më efektive, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve ndërsa Konferenca e Ambasadorëve rinjohu pavarësinë dhe integritetin e saj territorial. Një sërë shtetesh vendosën marrëdhënie diplomatike me të. Sigurisht një faktor i rëndësishëm nxitës i këtyre proceseve afirmuese pozitive ishte demonstrim i qartë dhe i vendosur i vullnetit të shqiptarëve për të ndërtuar dhe mbrojtur shtetin e tyre kombëtar dhe integritetin territorial.
Sigurisht rruga e afirmimit kombëtar dhe e stabilizimit të shtetit nuk qe e lehtë dhe nuk eci në një vijë të drejtë. Shqipëria provoi kriza e vështirësi të reja në sendërtimin e institucioneve të saj kombëtare. Por tashmë ishin tejkaluar fenomenet e viteve 1913 – 1915 dhe problematika kishte ndryshuar. Akti i I. Qemalit dhe ngritja e flamurit në Vlorë në të gjitha këto ngjarje, shërbeu si një shembull frymëzimi për unitet kombëtar, për ta nxitur faktorin shqiptar të merrte në dorë fatet e vendit të tij. Ato gjithmonë qenë një model për elitën politike shqiptare dhe një pikë reference për të zhvilluar një politikë kombëtare, që bazohej në interesat dhe në moralin kombëtar.
Edhe paskësaj shteti shqiptar dhe institucionet e tij u ndeshën me një sërë vështirësish. Ata u ballafaquan pikësëpari me presionin politik, diplomatik e ushtarak të shteteve fqinje, Greqisë dhe Jugosllavisë, të cilat u përpoqën jo vetëm të aneksonin territore të reja, jo vetëm të fusnin atë nën influencën dhe ndikimin e tyre, por edhe të zbehnin karakterin unik dhe kombëtar të tyre, të nxisnin lëvizjen separatiste brenda tij etj.
Përpjekjet e Greqisë për rigjallërimin e lëvizjes vorioepirote, për krijimin e një statusi autonom për Jugun e Shqipërisë, për mohimin e autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare, përpjekjet e Jugosllavisë për të aneksuar territore në veri të vendit për te nxitur një lëvizje separatiste në Mirditë apo për të rigjallëruar lëvizjen esatiste në Shqipërinë e Mesme ndeshën në vullnetin dhe qëndresën e fortë të forcave atdhetare shqiptare, të cilat duke iu referuar dhe duke u frymëziar nga Flamuri i ngritur në Vlorë ishin të bindura dhe plot entuziazëm se uniteti kombëtar, stabiliteti i shtetit shqiptar dhe e ardhmja mund të ndërtoheshin vetëm duke luftuar me forcë dhe të bashkuar çdo lloj presioni dhe politike antishqiptare.
Afirmimi dhe plotësimi i identitetit kombëtar shqiptar në Himarë dhe në disa treva të tjera të Shqipërisë së Jugut ishte një proces që erdhi duke u rritur. Entuziazmi që krijoi Pavarësia si dhe rrjedhojat politike të saj ishin vazhdimisht faktorë nxitës në gjithë këtë proces jetik për kombin shqiptar dhe ky nuk është thjesht një deduksion logjik, por një fakt që përmendet në një sërë dokumentash historike të kohës.
Madje edhe disa dekada më vonë, siç ishte periudha e Luftës II Botërore, kur përfaqësues të ndryshëm të shtetit shqiptar u ndodhën edhe njëherë përpara detyrës së vështirë që të mbronin të drejtën historike të kombit shqiptar për të jetuar i lirë në shtetin e tij, akti i I. Qemalit u paraqit si një argument historik dhe si një provë e vullnetit dhe e ndërgjegjes kombëtare të këtij kombi për të mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e tij.
Përballë argumentave false të diplomacisë greke e jugosllave dhe të disa qarqeve politike britanike etj. se populli shqiptar nuk ishte pjekur politikisht për shtetin kombëtar, se pavarësia e Shqipërisë kishte qenë thjesht një eksperiment i dështuar dhe produkt e krijesë e politikës italiane e Austro-Hungareze dhe se një popull raja i gadishullit ballkanik ishte ngritur në pozitën e një kombi të pavarur jashtë dëshirës dhe vullnetit të tij etj., diplomatët, politikanët dhe intelektualët e shquar shqiptarë i kundërvunë, përveç të tjerash edhe shembullin brilant të kryengritjeve shqiptare në prag të pavarësisë dhe Aktin e Madh të Kuvendit të Vlorës, më 1912. Këto fakte historike kanë qenë vështirë të kundërshtohen si nga miqtë ashtu dhe nga armiqtë e lirisë shqiptare.
Kështu, Kuvendi i Vlorës dhe pavarësia e shpallur prej tij krijoi premisat, modelin dhe frymëzimin për të çuar përpara procesin e konsolidimit të identitetit kombëtar shqiptar. Ato kanë lënë gjurmë të thella pozitive për forcimin e shqiptarizmit.(Dielli –arkiv)
1 P.N.Pipinelis “Europe and the Albanian question” Chicago, 1963 p.27-28.