Prof. Dr. Luigj Gjoka/
Dita e Pavarësisë, apo Dita Flamurit, është festa kombëtare më e rëndësishme, të cilën shqiptarët pa dallime ideologjike, fetare apo krahinore , e kremtojnë çdo 28 Nëntor, që nga viti 1912, kur u shpall pavarësia nga Perandoria Osmane dhe lindi shteti i parë shqiptar. Në këtë festë, ne përkujtojmë ne respekt dhe admirim rilindasit e mëdhenj, që me fjalë e shkrime ideuan mëvetësinë e shqiptarëve, gjithë përsonalitetet e elitës intelektuale e patriotike të kohës, me në krye politikanin dhe diplomatin e shquar, plakun e urtë Ismail bej Vlora, që e projektuan dhe realizuan pavarësinë e Shqipërisë si dhe ngriten shtetin e parë shqiptar. Është bërë traditë e bukur që shqiptarët, burra e gra, të rinj e të reja, kudo qofshin, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, apo në Diasporë (nga Europa në Amerikë), me plisa të bardhë në kokë e flamurë kuqezi në dorë,?si dhe me kostumet e traditës së tyre krahinore, mbushin rrugët dhe sheshet e qyteteve, me këngë e valle të zgjedhura nga fondi shqiptar i artit burimor dhe atij të kultivuar ndër vite.
Në këto aktivitete festive, ata shprehin krenarinë e të qenurit shqiptar, dashurinë për Atdheun e tyre ose të parëve, ndjenjën e dashurisë dhe respektit për shenjtërinë e Ditës së Pavarësisë. Njerëzit e çmojnë lirinë e kombit të tyre, por po aq, pas lirisë kombëtare, ata çmojnë demokracinë, sistem i cili u jep qytetarëve dinjitet, liri politike e të drejta civile të barabarta.
Përpos dinjitetit njerëzor të mbrojtur nga një kushtetutë demokratike dhe ligjet që burojnë prej saj, njerëzit çmojnë shumë edhe identitin e tyre kombëtar. Bota në të cilën jetojmë është interesante sepse është e larmishme. Kombet e ndryshme, të cilët dallojnë prej gjuhës, kulturës, trashigimisë historike, gjeografisë fizike dhe ekonomike, rracës apo besimit fetar, janë pasuri e vyer e njerëzinit. Nëse Shqipëria fo të ishte si Amerika, asnjë amerikan nuk do të kishte kuriozitet ta vizitonte Shqipërinë, apo anasjellas, ne që jemi të pranishëm në këtë festë të bukur, fare mirë mund të ishim sot në Shqipëri e jo këtu.
Gjithsesi, vihet re që kudo që shkojnë shqiptarët, nga vendi i tyre në një vend tjetër, përpiqen ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar. Po jap dy shembuj krejt të qartë dhe bindës për ne shqiptarët. Ka rreth 5 shekuj që arbëreshet e Italisë, të cilët emigruan atje pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skenderbeut, e ruajnë të pashuar mallin për Shqipërinë dhe shqiptarët, ruajnë të pastër gjuhën shqipe dhe zakonet shqiptare, pra, me pak fjalë, ruajnë identitetin e tyre kombëtar, pavarësisht faktit që ata jetojnë në vendin e civilizimit romak, njerit prej civilizimeve më të lashtë e me më shumë ndikim në kulturën europiane dhe atë botërore. Përsonaliteteve të elitës kulturore arbëreshe të Rilindjes sonë Kombëtare duhet tu njohim meritën e madhe që me veprimtarinë e tyre kulturore e patriotike, por edhe politike, ndikuan në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, duke i frymëzuar shqiptarët për projektin e madh të Pavarësisë.
Shembulli i dytë i shkëlqyer në ruajtjen dhe kultivimin e identititit kombëtar janë shqiptarët e Amerikës. Roli i tyre patriotik fillon që me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, vazhdon me aktivitetin e tyre politik e diplomatik për mbrojtjen Shqipërisë nga copëtimi i saj i mëtejshëm pas Luftës I Botërore dhe spikati me ndihmën e madhe e të gjithanshme që i dhanë popullit shqiptar të Kosovës për pavarësinë nga Serbia dhe regjimi genocidist i Millosheviçit; shto këtu edhe demaskimin botërisht dhe pa kompromis të regjimit diktatorial komunist të Tiranës. Mbeten emblematike sot e kësaj dite vargjet e Fan Nolit në poezinë tij “Jepni për Nënën“:
“Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë”,
ku fjala “ Nëno” përsonifikon mëmedheun, fjalë të cilën Noli e kishte shumë për zemër .
Një nga faktorët kryesorë që ndikon në ruajtjen e identitetit kombëtar është gjuha. Është shumë i çmuar angazhimi i komunitetetit shqiptaro- amerikan për hapjen e shkollave shqipe në qytete të ndryshme amerikane. Këto shkolla janë vatra të ruajtjes së identitetit shqiptar. Ndaj, me këtë rast, dua të përgëzoj drejtuesit e “Vatra” për Long Island, NY, në veçanti, z. Paulin Marku, për hapjen e Shkollës Shqipe “Gjergj Fishta”, që është një gurë tjetër i çmuar në mozaikun e qendrave kulturore dhe shkollave shqipe në Sh B A. Rroftë për jetë e mot Pavarësia e Shqipërisë! Zoti e bekoftë shqiotarët kudo që janë!