Deputeti i Partisë Demokratike, Keltis Kruja, ka reaguar të martën me një deklaratë, pas ngjarjes së rëndë të goditjes me antitank të Fatbardh Plakut dhe familjes së tij, duke bërë përgjegjëse qeverinë që nuk siguron rendin dhe qetësinë në vend.
Gjithashtu, deputeti i PD, Keltis Kruja tha se “PD e konsideron atentatin ndaj kryekomunarit të Farkës, si një akt të rëndë terrorist, si një sulm burracak ndaj një të zgjedhuri vendor, ndaj një zyrtari demokrat të votuar nga qytetarët, që është njëkohësisht kryetar i shoqatës së komunave të Shqipërisë”.
“Partia Demokratike është e shqetësuar se prej 7 muajsh, që kur kjo qeveri ka ardhur në pushtet, të zgjedhurit dhe zyrtarët demokratë kanë qenë vazhdimisht objekt i sulmeve të rënda që kanë kërcënuar jetën e tyre dhe të familjeve të tyre”, tha Kruja.
Partia Demokratike kërkon zbardhjen e menjëhershme të kësaj ngjarjeje, zbulimin e autorëve dhe mbështetësve të tyre, duke shtuar se “ne i bëjmë të ditur sot autorëve, dhe nxitësve të tyre, që nuk trembemi, dhe nuk tërhiqemi nga misioni ynë, përballë kësaj dhune çnjerëzore”