PDIU kujton me nderim rilindasin arvanitas Aristidh Kola, në 15-vjetorin e vdekjes/
Shqipëtarët kujtojnë me nderim 15 vjetorin e ndarjes nga jeta të një prej rilindasve të fundit të kombit tonë, Aristidh Kolës. Ai i përkiste një brezi që u orvat të ringjallte shqiptarësinë e arvanitasve në Greqi, në mburrje të prejardhjes së tyre shqiptare, në mbrojtje të gjuhës sonë dhe të identitetit të veçantë kulturor të arbërorëve të Greqisë.
Kola drejtoi për më shumë se një dekadë Lidhjen e Arvanitasve të Greqisë, shoqatën e parë dhe të vetme, që tentonte të promovonte të drejtat e kësaj pjese të kombit shqiptar. Ai shkroi dhjetra libra dhe botoi të përmuajshmen “Besa”, median e vetme shqiptaro-greke, që u dedikohej arvanitasve.
Ai ishte kampioni i të drejtave të mohuara me dhunë ndaj një popullsie, që ende e ruan fshehtazi gjuhën e të parëve dhe e mbrujt, edhe pse jo në publik, identifikimin me kombin shqiptar. Për këto përpjekje, Aristidh Kola u syrgjynos nga nacionalizmi grek, u kërcënua dhe u shantazhua, por nuk ndaloi deri në vdekje të ringrinte frymën kombëtare brenda komunitetit të vetë.
Puna e tij nuk pati mbështetjen e nevojshme të udhëheqjes politike shqiptare, fakt të cilën do ta vendoste disa herë në pah. Ai u gjend i vetëm përballë një shteti dhe një elite nacionaliste, që kishte mjetet dhe mundësitë për të pushuar kauzën e tij.
Kola vdiq, nga një sëmundje që u agravua më shpejtë se normalja.
Mirëpo, la pas një punë të vyer, që vërtetoi se shqiptarësia e arvanitasve nuk mund të humbasi kurrë, por rri e fshehur nga frika e sulmeve dhe dhunës.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përkujton me respekt këtë figurë të madhe të kombit tonë, një ndër rilindasit e fundit, që dha gjithçka për Atdheun. Shpresojmë që shteti shqiptar të çojë përpara punën e Kolës, duke mbështetur dhjetra të rinj arvanitas që punojnë për këtë kauzë të drejtë, me frymëzimin e tij. (PDIU)