Aleksandër Çipa/
Tre pemë janë simbol dhe me traditë historike në brigjet e Akrokerauneve:
Rrapi
Valanidhi.
Të tri pemët kanë specifika, vlerë, dallesë, kurora dhe sidomos hije të ndryshme.
Ulliri, sikundër e thotë regjisori më i madh në kohëra, nga këto brigje, Dhimitër Anagnosti, është: ” pema e jetës”. Adhurimi për këtë pemë është trashëguar si kult, por edhe si jetëdashje. Shëmbëllane kjo trashëgimi me atë që thotë Barleti tek ” Histori e Skënderbeut” për martesat e çifteve të reja që duhen shoqëruar me mbjellje ullinjsh. Ulliri, në këto brigje, kërkon një grusht dhe, dhe shumë shkëmbënj. Kurora e tij, mbulon shkëmbinjtë ose ledhet e thata me gurë dhe kokrrat në stinën e fundvitit i hedh, për t’i gjetur ose ullinjmbledhëset e Bregut, ose zogjtë e brigjeve që lodrojnë bashkë me pulëbardhat me tramundanat në dimër e sidomos në vjeshtë.
Rrapi nuk bëhet ku është ulliri. Rrapi kërkon lartësi, ose një terren përkarshi detit. Fshatrat e Bregut kanë nga një rrap, kryesisht në qendrat e fshatrave. Të tillë gjen deri në lartësitë e Labërisë, si në luginën e Lumit të Vlorës, ashtu edhe më sipër, në Kurvelesh. Me rrepet është e lidhur shpesh poezia orale dhe veçanërisht polifonia, Kënga Vënçe Labe. Metaforat dhe baladat e kësaj treve që dëshmojnë raportin e trimave me hijet dhe degët e rrepeve janë unike, janë pjesë e papërsëritshme e simbolizmit dhe epicitetit si vjershëronjës ashtu edhe këndonjës…Marrëdhëniet njerëzore me hijen dhe degët e kësaj peme, në këto vise, shprehin një raport antroponatyror dhe antropoflorues si me asnjë pemë tjetër. ” Jemi si gjethja në erë/ që s’e dimë se ku do bjerë”…
Pema e tretë është valanidhi.
Është një pemë e mikroklimës. Nuk gjendet kudo, por përgjatë krejt shtrirjes gjeografike të vargmaleve të Vetëtimës, që nga fillesa e gadishullit të Karaburunit dhe deri në Kepin e Stillos, madje në zgjatimin matanë kufirit shtetëror, në skajin e poshtëm jugor të Çamërisë. Një pemë që bëhet vetëm në një mjedis zgjatues nëpër brigjet e Jonit. Hijerëndë dhe zogjmbledhës, pemë me bohçe dhe me lotime lëngjesh të rënda, sikundër edhe durues ndaj goditjeve të vetëtimave të shumta. Gjelbëron edhe kur merr zgafella zhurritjesh prej vetëtimash…
Janë tri pemë me cilësi dhe karakteristika qëndrese, autenticiteti, tiparesh dhe hijesh të cilat nuk do të ishin të tilla, së paku, jashtë këtij visi dhe natyrshëm, matanë kësaj njerëzie lokale që ekzistencën e vet e mishëron vetëm në tri forma materieje me tokë, me det dhe me qiej…Njeriu në atë vis, i shkel kohët e ardhme, si i pandryshuar, në formën e tri pemëve që do, veç ajo tokë.