Tregim nga Memisha Gjonzeneli/
Binte shi i rrëmbyer. Akrepat e sahatit tregonin orën 12 të natës. Një hije, me diçka në dorë, po ecte ngadalë gati sikur mezi hidhte këmbët, aq sa dukej sikur po pengohej. Shiu dhe errësira ia bënin edhe më të vështirë ecjen. Rruga mezi dallohej. Shpesh shkreptinte që shoqërohej edhe me rrufe, vetëm atëherë rruga dukej mirë, më pas shi dhe errësirë. Hija ecte ngadalë por e sigurt. Në kokë kishte hedhur një rrobë të leshtë që të mos i lagej çfarë mbante në dorë.
“Zot – tha hija me vete – për sonte i paske ruajtur të gjitha” dhe vazhdoi të ecte. Fuqitë po e linin kur, aty afër u duk një banesë me drita. Mblodhi forcat dhe shpejt u gjend tek shtëpia.
Ishte shtëpi pak e madhe me dy kate. Hija u mbështet tek dera. Gati po i binte të fikët. E uli atë që mbante në dorë. Ngriti rrobën që e mbulonte. Një rrufe shkrepi aty afër dhe gjithë vendi u ndriçua.
Tek dera u duk një grua, shumë e re në moshë. Ajo për momentin u tremb nga zhurma dhe drita e fortë. Sytë të mbushur me kot. Nuk ndahej dot nga gjëja që kishte në dorë. Në fund e uli me kujdes tek dera. E mbuloi mirë të mos e lagte shiu.
– Më fal bir, nuk mund të jemi bashkë!
U kthye dhe u nis të ikte. Kur bëri nja dhjetë hapa u kthye vrap si e çmendur. E mori në qafë e puthi dhe e uli menjëherë poshtë, iu duk se po ta mbante edhe pak nuk do ta lëshonte më kurrë.
Iku në fillim me hapa të ngadaltë pastaj me vrap, nuk pyeste më për shtrëngatën e shiut që vazhdonte. Në fund mbërriti në dhomën e saj. U hodh në një divan ashtu siç qe, e lagur. E pafuqishme, e shkatërruar nga gjendja shpirtërore. U ngrit rrëmbimthi. “Çfarë bëra” tha me vete. U nis me shpejtësi nëpër errësirë të natës dhe shiut nuk pyeste më për asgjë donte të merrte djalin.
“Jo, nuk mund ta lë” tha me vete. Kur mbërriti atje ku e kishte lënë djalin, ai nuk ishte aty. Tek shtëpia ishin ndezur të gjitha dritat. U kthye prapë për në dhomë. Rruga iu duk shumë e gjatë sikur nuk do të mbaronte kurrë. E uritur, pak kohë që kishte lindur, po i merreshin mendtë. Shiu binte me shtamba. Donte të ulej diku por iu kujtua se dhoma ishte aty afër, dhe nuk ndaloi.
Hoqi rrobat e lagura dhe ashtu lakuriq u shtri në divan. Në çast e zuri një gjumë i rëndë. U zgjua të nesërmen në drekë. E pa veten lakuriq dhe i erdhi turp nga vetja. U ngrit shkoi bëri dush dhe u kthye përsëri në divan. Donte të përqendrohej por e kishte të vështirë, u vesh dhe përsëri u mbështet në divan.
“Ç’bëra?” i tha vetes. “Ç’faj më kishte ajo krijesë që e lashë tek dera dhe ika?!”
Tek shtëpia e fëmijës, një infermiere e re që po kryente shërbimin iu duk se dëgjoi të qarat e një fëmije. Jashtë stuhia vazhdonte me tërbim, një degë peme u thye diku aty afër.
Përsëri dëgjoheshin të qara fëmije por tani më qartë. Infermierja shkoi shpejt dhe zgjoi shefen. Të dyja shkuan tek dera, të qarat vazhdonin. Ato hapën derën shpejt, kur panë një fëmijë në anë të derës të mbuluar me kujdes. E rrëmbyen me shpejtësi dhe mbyllën derën. Shkuan tek dhoma ku rrinin fëmijët. I hodhën dru zjarrit dhe dhoma u ngroh shpejt. Fëmija pushoi së qari. Ato hapën rrobat me të cilat ishte mbuluar fëmija. Asnjë lloj informacioni, në gjoks ishte vetëm një copë letër ku shkruhej datëlindja 13 maj 1958 dhe “Ju lutem më falni ju dhe Zoti.”
Ato e lanë e veshën dhe e vendosën në një krevat për fëmijë. E kapi menjëherë gjumi.
Kaluan afro dy vjet, djali ishte rritur, ecte në këmbë. Ishte fëmijë i qeshur, me flokë të zinj dhe sy blu. Ishte një fëmijë i bukur. Në shtëpinë e fëmijës jetonin afro tetëmbëdhjetë fëmijë të moshave të ndryshme. Shpesh vinin familje për t’i adoptuar. Dhe numri i fëmijëve lëvizte. Fëmijës i kishin vënë emrin Robert. Me këtë emër u regjistrua në dosje, shkruanin historinë si e gjetën orën dhe datën bashkë me letrën që gjetën në gjoksin e fëmijës…
Elena me Nikon kishin më shumë se pesëmbëdhjetë vjet martuar, por fati nuk i kishte bërë me fëmijë. Vendosën të adoptonin ndonjë fëmijë. Shkuan në bashkinë e qytetit, atje ishte një zyrë që merrej me këtë punë. Aplikuan dhe garantuan që i kishin të gjitha kushtet për të mbajtur një fëmijë dhe t’ia plotësonin kërkesat për një jetë normale. Shefja e zyrës iu premtoi se shpejt do t’iu kthente përgjigje.
Familja e Nikos jetonte në qytet, të dy ishin mësues shumë të nderuar. Nikua jepte mësim në gjimnaz, kurse Elena në fillore… Kishte kaluar pak kohë kur iu erdhi përgjigjja, të shkonin në Brindizi dhe të shikonin.
Ishte ditë e hënë. U ngritën që në mëngjes dhe shkuan tek stacioni i autobusit, u nisën për në Brindizi. Rruga ishte e gjatë, rreth tre orë.
U lodhën, por prapë ishin të gëzuar sepse jeta e tyre këtej e tutje do të ndryshonte.
Autobus mbërriti në drekë në qytet. Morën një taksi, i dhanë adresën dhe shumë shpejt u gjendën para një shtëpie dy katëshe. Në të ishte një tabelë me mbishkrimin “Shtëpia e Fëmijës”. Nikua me Elenën i ranë derës, ajo u hap menjëherë, siç dukej ata i prisnin.
Përpara iu doli një grua rreth të pesëdhjetave e cila duke buzëqeshur i ftoi:
– Ejani urdhëroni, po ju prisnim.
Të tre shkuan në një zyrë e cila ishte e pastruar dhe e rregulluar për bukuri. Çiftit i bëri shumë përshtypje rregulli dhe pastërtia e gjithë ambientit. U ulën. Gruaja ishte drejtoresha, ajo menjëherë hyri në temë. Nikua i dha letrën, ajo e lexoi, qeshi pak pastaj tha:
-Kemi një djalë shumë të mirë. – I ra një butoni dhe menjëherë hyri një grua e veshur me të bardha, e cila u përshëndet me mysafirët dhe drejtoresha iu drejtua – Shko sill Robertin këtu.
Ajo iki dhe u kthye me një fëmijë të vogël rreth 24 muajsh.
Ata sa e panë u pëlqeu. Hapën duart të vinte tek ta, ai qeshi dhe iu zgjati duart që ta merrnin.
Kur kishin mbaruar me të gjitha dokumentet Nikua pyeti drejtoreshën:
– Se mos vijnë dhe na e kërkojnë djalin, pastaj do kemi problem.
Drejtoresha e garantoi dhe i tha se askush nuk e kërkon, se zyrat e kanë të ndaluar të japin informacion kujtdo qoftë.
Pasi firmosën letrat, morën dhe valixhen me rroba për Robertin sa të blinin të reja dhe ikën. Ku dolën u përqafuan, hipën në taksi dhe u nisën duke lënë pas dy gratë që qanin. Në mbrëmje taksia i ndali para shtëpisë. Vogëlushi gjithë rrugës nuk i shqetësoi, vetëm afër shtëpisë qau pak, i dhanë qumësht dhe ai fjeti përsëri.
Me djalin në krahë, ata hynë në shtëpi. Të dy ishin shumë të gëzuar, filluan ta përkëdhelnin me radhë dhe pastaj e vendosën në krevatin e tij. E kishin bërë gati dhomën e fëmijës, kishin blerë çdo gjë që i duhej një fëmije të vogël.
Derën e dhomës e lanë hapur, sado që një mur i hollë i ndante. Kishin merak dhe shpesh ngriheshin natën të shikonin si flinte Roberti i vogël. Të nesërmen shkuan në komunë dhe në bazë të dokumentit që kishte lëshuar shtëpia e fëmijës bën regjistrimin, e kështu Roberti u bë djali i Nikos dhe Elenës.
Elena mori dy javë leje që të mësohej me Robertin. Që javën e parë djali nuk ua ndante sytë të ëmës, kudo që shkonin. Nikua i shikonte dhe qeshte i gëzuar. Të tre ishin të lumtur. Nikua falënderoi sërish Zotin për këtë dhuratë kaq të bukur që iu dha. Shpesh i shikoje të tre tek parku në fillim me karrocë e pastaj djali ecte vetë derisa lodhej dhe zgjaste duart që ta merrnin në krahë.
Kur Roberti mbushi pesë vjeç, Nikua bëri një darkë të madhe. Hera e parë që ajo shtëpi pa aq shumë njerëz. Roberti u kënaq shumë sa mezi e zuri gjumi madje dy- tre ditë nuk fjeti mirë. Pas disa ditëve ai i tha së ëmës se i donte përsëri ata njerëzit.
– Kur të duash e bëjmë prapë bir. – i thoshte ajo – madje edhe më të bukur.
Kur do të shkonte në klasën e parë, Robertit i kishin blerë një kostum shumë të bukur, madje vuri dhe një kollare të vogël, dukej shumë i bukur. Nikon dhe Elenën nuk i zinte vendi nga lumturia.
Shkolla bëri dhe një ceremoni për mirëseardhjen në shkollë. Fëmijët hynë në klasa. Prindërit u larguan për t’u kthyer në drekë që t’i merrnin. Nikua dhe Elena e pritën Robertin dhe sa e panë i dolën shpejt përpara dhe e përqafuan. Shkuan në shtëpi, pasi hëngrën u ulën para televizorit. Roberti u ngrit dhe shkoi në dhomën e tij të bënte detyrat.
– Shko, bir – i tha Elena – po pate ndonjë problem, ne këtu na ke.
Koha kalonte shpejt. Roberti ishte djalë i rregullt, i dashur, i pëlqente të dilte me shokët ose të luante futboll. Ai mbaroi shkollën fillore me nota të mira, me mesatare 8.5 por, mund të dilte më mirë se të dy prindërit i kishte mësues.
Të tre morën pushimet dhe shkuan tek një kushëri që rrinte në bregdet. Edhe kushëriri kishte një djalë të cilin e quanin Albert. Ishte familje shumë e dashur. Kaluan 15 ditë shumë të gëzuara të cilat mbaruan shumë shpejt. Roberti dhe Alberti u lidhën shumë me njëri –tjetrin dhe i premtuan se do të komunikonin shpesh bashkë.
Koha kaloi dhe sërish ceremoni për fillimin e shkollës së mesme. Roberti kishte trup të bukur, kishte dhe një të qeshur të bukur që kur qeshte i çelej fytyra, sidomos sytë që i shkëlqenin.
Në ditën e parë të shkollës u prezantuan me mësuesen kujdestare, ajo i vendosi nëpër banka, Robertin e uli me një vajzë dhe nxënësit e tjerë po ashtu; një djalë dhe një vajzë. Dita e parë kaloi shpejt. Në shtëpi Robertin e priste e ëma gjithë gëzim, sa e pa i doli përpara.
-Të vaftë mbarë të keqen nëna. – e përqafoi dhe e puthi në ballë. – Jam e bindur – i tha ajo– se edhe këtë vit do na nderosh.
Ajo e pyeti për gjithçka, ajo vetë kushedi sa herë e kishte përjetuar ditën e parë të shkollës por si mësuese, ndërsa sot si nënë, që ka dërguar djalin në shkollë dhe kjo ishte një kënaqësi e veçantë.
Pas pak erdhi dhe Nikua e të tre u ulën të hanin. Elena e kishte mbushur tavolinën plotë me pije dhe ushqime për ta festuar këtë ditë.
Nikua ngriti gotën e verës dhe e tokën të tre duke thënë gëzuar në të njëjtën kohë.
Pas dreke i ati e pyeti për hollësira se si e kishte kaluar. Roberti nuk harroi t’iu tregonte se e kishin ulur me një vajzë. E ëma e pyeti menjëherë se si e kishte emrin e ai i tregoi se quhej Venera.
-Sa emër i bukur. – tha e ëma.
Roberti e kishte shumë për zemër shkollën. Sa mbaronte detyrat, dilte nga parku ku takohej me shokët por shpesh edhe me shoqe. Viti i parë kaloi shumë shpejt, e për pushime shkuan në bregdet. Plazhet ishin shumë ngarkuar e megjithatë ata ndenjën njëzet ditë.
Roberti ishte nxirë nga dielli sa dukej si ezmer, por prapë ishte simpatik. Ai filloi të përgatitet për shkollën, paradite shpesh dilte dhe luante basketboll me shokët, por luante edhe në darkë.
Filloi viti i ri shkollor, shpesh e ëma e shoqëronte deri në shkollë, po ashtu edhe në pasdreke kur dilte. S’kishte kënaqësi më të madhe për Elenën se sa kur shoqëronte të birin dhe duke bërë humor sa mbërrinin në shtëpi. Në vitin e dytë mësuesi e uli me një vajzë shumë simpatike, shokët bënin humor duke i thënë se ishte me shumë fat. Atij i vinte turp dhe ulte kokën. Edhe shoqen e vitit të parë kur e shikonte e përshëndeste. Vajza sa u ul në bankë u prezantua:
– Mua më quajnë Olimbi, jetoj në anën tjetër të qytetit.
– Mua më quajnë Robert – i tha Roberti dhe i zgjati dorën. – Jetoj me prindërit këtu afër.
Me kalimin e kohës ata u miqësuan me njëri-tjetrin dhe e ndihmonin njëri-tjetrin. Ajo u njoh dhe me nënën e Robertit dhe u pëlqeu shumë por më vonë edhe nëna e Robertit e pëlqeu atë. Kur mbaroi dhe viti i dytë, shkolla organizoi një mbrëmje ku nxënësit mund të shoqëroheshin edhe me prindërit. Nikua, Elena dhe Roberti u veshën shumë bukur. Për Nikon dhe Elenën ishte kulmi i kënaqësisë. Ata nuk para bënin vizita nëpër të njohur kështu që e pritën me kënaqësi këtë mbrëmje.
Mbërritën në shkollë. Kishte shumë njerëz por vendet ishin me bileta me numër dhe kështu që ata u ulën tek vendi i tyre. Të gjithë njerëzit që ishin në sallë dukeshin të gëzuar. Pas pak skena u hap dhe në mes të saj ishte një tavolinë me disa karrige. Disa drejtues ishin ulur në ato karrige, ata ishin të gjithë mësues. Gjithë salla u ngrit në këmbë me duartrokitje.
Drejtori përshëndeti dhe nxënësit dhe në veçanti mësuesit dhe profesorët për punën e mirë që kishin bërë. Nxënësit i uroi për punën dhe rrugën e gjatë që do bënin. Pastaj drejtori tha:
-Kemi prurë për këtë rast një orkestër shumë të mirë, kështu që kush dëshiron të
vallëzoj të shkoj tek salla tjetër.
Në këtë çast u hapën disa perde dhe në pah doli një sallë e madhe vallëzimi. Sa filloi muzika Olimbia se nga doli para tyre dhe e ftoi Robertin që të kërcenin. Ai kërkoi leje nga prindërit dhe kur ata i dhanë leje ata u kapën dorë për dore dhe u futën në turmë për vallëzim. Aty ata ndjenë një kënaqësi të veçantë, aty qenë të gjithë shokët dhe shoqet e tyre që kishin pasur. Kur shkuan në pushim, Olimbia i tha Robertit:
– Eja të të njoh me familjen time se po na shohin.
Roberti pranoi. Vajza e prezantoi me të atin pastaj me të ëmën dhe në fund me vëllain e vogël. Ishin një familje simpatike. Babai ishte oficer në ushtri, e ëma kimiste dhe vëllai në shkollë fillore.
Kur u kthyen në vend edhe Roberti e njohu me familjen e tij. Në fillim me babin pastaj me nënën të cilën e njihte më parë. Filloi muzika. Nikua mori të shoqen dhe u ngrit të vallëzoi po ashtu edhe Roberti me Olimbinë. Mbrëmja ishte e shkëlqyer, jo vetëm se kishte muzikë por kishte numra lotarie që nga të tre fitoi vetëm Elena, kurse tek Olimbia fitoi ajo dhe i ati. Ajo fitoi një pikturë kurse i ati një kuti shahu. Kurse Elena një çokollatë e shoqëruar me disa qëndisma për perde.
Vonë ikën në shtëpi të kënaqur por dhe të lodhur.
Koha ikte shpejt, marrëdhëniet ndërmjet dy familjeve ishin shumë korrekte. Më së fundi erdhi dhe koha e maturës duhej të punojë më shumë që të mbyllej viti me nota sa më të mira. Olimbia dhe Roberti studionin për ditë bashkë. Erdhi dhe dita e provimeve, Roberti i mbylli provimet me notën 8.5, Olimbia me notën 9. Të dy ishin afruar shumë me njëri-tjetrin dhe takoheshin pothuaj ditë për ditë.
Një ditë u mblodhën shokët që luanin basketboll dhe vendosën që të shkojnë në një qytet bregdetar që kishte afër por që ishte dhe shumë i bukur. Pasi folën me njerëzit e shtëpisë vendosën të shkonin. U bënë dhjetë djem dhe katër vajza. Ishte hera e parë që Roberti largohej nga shtëpia. Atje do të qëndronin rreth tetë ditë, folën në telefon me kompaninë dhe çdo gjë u bë gati. Kompania siguronte edhe hotel që kishte edhe restorant brenda. Rruga do bëhej me autobus dhe zgjaste rreth tre orë e ca. Ishte ditë e shtunë kur u nisën shumë prindër kishin ardhur për t’i përcjellë. Nikua me Elenën kishin shumë merak. Autobusi u nis, të gjithë të rinjtë përshëndetën me dorë nga dritaret dhe filluan të këndojnë. Mbërritën në qytet. Ishin shumë të lodhur. Kur qëndroi autobusi ishte qendra e qytetit, para ishte një pallat i madh pesë katësh me arkitekturë të vjetër po shumë i bukur. Para pallatit ishte një shesh i madh, i shtruar me pllaka në mes ishte një si rrethore, i mbushur me pëllumba që ushqeheshin me ushqimet që hidhnin njerëzit. Në ballë të pallatit ishte shkruar “BASHKIA”, pak më majtas “GJYKATA”. Grupi shkoi drejt dhe në hotel që ishte aty afër dhe u shpërndan nëpër dhoma. Disa u futën të bënin dush, të tjerët u shtrinë nëpër krevate të çlodheshin. Në darkë u mblodhën, bënë një shëtitje dhe shkuan të hanin darkë dhe prapë shkuan nëpër dhoma. Gjumi i zuri shumë shpejt.
Në mëngjes u ngritën, u lanë, u veshën me rroba të holla se do venin nga plazhi. Plazhi ishte larg afro dhjetë minuta me këmbë. Ai ishte shumë i madh dhe shumë i bukur. Kur mbërritën në anë të detit u zhveshën shpejt dhe u futën në ujë. Ishte pak ftohtë por shpejt u mësuan. Ndenjën për rreth dy –tre orë pastaj të lodhur u shtrinë në rërë. Kishin dhe një top të vogël dhe filluan të luajnë por shpejt u lodhën, u futën në ujë për t’u shpëlarë, pastaj u bashkuan dhe duke qeshur e me humor u nisën për në hotel. Të gjithë shkuan dhe bënë dush pastaj së bashku shkuan në restorant të hanin.
Pasi hëngrën shkuan nëpër dhoma të shtriheshin. Në mëngjes u ngritën shpejt sa mbaruan mëngjesin dhe të gjithë u nisën për në plazh. Gjetën një vend të mirë, pak i mënjanuar dhe ata kështu e donin. U zhveshën dhe me vrap u futën në ujë. Në fillim lagnin njëri-tjetrin pastaj u futën në thellësi. Gjithë ditën kaluan në plazh dhe drekën po aty e hëngrën gjetën një dyqan që bënte ushqim të shpejt. Në darkë duke bërë shaka dhe humor shkuan në hotel. U shpërndanë nëpër dhoma por, kur po ndaheshin punonjësi i hotelit iu tha se po të donin në mbrëmje kishte muzikë në holl. Të gjithë u gëzuan. Ndenjën rreth një orë nëpër dhoma sa bënë dush, u shtrinë pak e pastaj shkuan si grup bashkë në hollë për muzikë. Nuk kishte shumë njerëz, ndofta ishte shpejt se më vonë u mbush plot. Roberti fliste me prindërit pothuaj çdo ditë në mëngjes dhe në darkë.
E kishte marrë malli shumë, ai nuk ishte mësuar larg shtëpisë.
Kaluan pesë ditë pa u kuptuar fare. Një ditë në mëngjes dolën nga hoteli. Sapo dolën një grup djemsh pothuajse moshatar me grupin u hodhën një top tek këmbët. Një nga djemtë e goditi keq në drejtim të kundërt, ata atë donin dhe u turrën e u kacafytën me grupin. Vajzat u tërhoqën mënjanë ndërsa Roberti me shokët po mbroheshin.
Nga zhurma u hapën dritaret e zyrave dhe po shikonin se çfarë po ndodhte. Mbërriti policia e bashkisë dhe u dëgjua një zë i qartë dhe i prerë.
-Merrini dhe çojini në komisariat, paskan ardhur mysafirë të na prishin qetësinë.
Roberti pak i gjakosur e dëgjoi qartë atë zë dhe si me komandë u kthye nga ajo që foli. Para tij qëndronte një çift shumë serioz, të veshur me rroba të zeza, gruaja po këshillonte policët për t’i marrë. Ajo ishte mbi të dyzetat, tepër simpatike.
Roberti nuk po ia hiqte sytë dhe i tha:
-Nuk po bën mirë.
-Këtë të parin! – tha ajo.
Robertin dhe tre shokë i shoqëruan në polici.
-Si urdhëron, zonja gjykatëse.
Atëherë Roberti e mori vesh se gruaja ishte gjyqtare e qytetit.
Policia nuk ishte larg. Ecën dhjetë minuta dhe dolën para një shtëpie dy katëshe, disa polic ishin aty para.
– Prisni këtu. – tha një nga policët kur mbërritën.
Ai hyri brenda, pas pak doli një burrë civil mbi të pesëdhjetave, trup të lidhur dhe të rregullt, dukej më shumë si sportist. I qeshur u drejtua nga të rinjtë po në çast polici i tha:
– Këta i sollëm me urdhër të gjykatëses.
– Po, po e mora vesh – tha ai. – Nga jeni djema?
– Nga Ostuni, – i tha Roberti – kemi ardhur si grup me pushime këtu, por të lutem unë jam fajtori, këta u futën në sherr të më mbronin mua. Pyete edhe zotin polic. Të lutem liroji ata.
– Si e ke emrin morë djalë? – pyeti ai.
– Robert. – u përgjigj.
– Mirë, do bëjmë kështu. Ju të tre ikni. Roberti duke qenë se e pranon fajin do të rrijë këtu.
Kur vini me pushime mos bëni sherr.
Ata nuk donin të iknin, por Roberti prerazi, si urdhër iu tha të shkonin. U larguan pa qejf.
– Tani ata ikën, kurse ti do të dënohesh.
– Dakord. – tha Roberti.
– Si fillim do të shkojmë të pimë nga një kafe të qetësohemi.
Të dy u ulën në një kafe që ishte aty afër. Kamerieri e dinte çfarë pinte sherifi por pyeti djalin dhe ai i tha për një limonadë.
– Nuk ke filluar akoma të pish kafe? – i tha ai.
– Jo, akoma. – i tha djali me të qeshur.
Kishin dhjetë minuta që ishin ulur në kafe kur, tek dera u duk gjyqtarja me të shoqin. Sa hynë brenda kërkuan më sy ku mund të ishte sherifi me djalin dhe u habitën kur panë që ata të dy po flisnin shumë miqësisht me njëri – tjetrin. Ata u ulën pak larg tyre. Porositën diçka për të pirë, kur Roberti pa dashur, kthen kokën dhe sytë e tyre u kryqëzuan. Ajo i hoqi dhe pa nga sherifi Ndenji pak dhe ia bëri sherifit me shenjë që të dilte pak jashtë. Të dy u ngritën dhe në të njëjtën kohë dolën jashtë. Ndenjën jo më shumë se pesë minuta dhe hynë sërish brenda.
Sherifi me Robertin mbaruan pijen dhe dolën jashtë. Sherifi i foli një polici të sillte makinën. Ai ia solli menjëherë. Roberti nuk po kuptonte asgjë dhe pyeste veten se çfarë po bante ky burrë babaxhan, ku do ta çonte. Por sherifi nuk i dha kohë të mendohej më shumë.
– Robert – i tha ai – sot do të jesh mik tek unë.
Hipën në makinë. Roberti donte të ulej mbrapa por ai i tha:
– Çfarë bën kështu? Të thashë që do të jesh miku im, ulu përpara.
Makina u nis. Roberti iu lut sherifit që të kalonin nga hoteli dhe të lajmëronte shokët që gjithçka ishte në rregull.
– Si të duash. – i tha ai.
Shkuan në hotel. I gjithë grupi po priste jashtë, kishin rreth dy a tre orë që po prisnin, kur para tyre qëndroi një makinë policie. Prej saj dolën Roberti dhe sherifi. Të gjitha u hodhën ta përqafonin Robertin por ai i ndaloi.
-Ejani të gjithë këtu. – dhe kur të gjithë u afruan ai vazhdoi – Më parë njihuni me mikun tim të ri, sherifin e rajonit.
Të gjithë i dhanë dorën me respekt, kurse ai po qeshte me gëzim. Kjo ishte diçka e papritur për të dhe i pëlqyen këta djem e vajza. Pasi mbaroi me përshëndetjet i dha kohë Robertit të takohej me grupin dhe pastaj iu tha:
-Nuk më vjen mirë që ju prishëm pushimet, por ja që ka dhe keqkuptime. Ju nuk kishit faj,
ata iu kishin provokuar, megjithatë unë ju uroj pushime të gëzuara. Unë do shëtis me Robertin dhe do t’ua sjell para darke. Po të keni ndonjë shqetësim mund të na flisni. Eja Robert.
E mori dhe i ranë qytetit kryq e tërthorë pastaj e çoi nga e detit dhe në fund qëndruan tek një grykë që dukej si gadishull i vogël dhe deti ishte shumë i bukur e i qetë.
Ishte një bukuri e cila e la Robertin të mahnitur. Aty ishte një restorant shumë i mirë, ku shkonin njerëzit e pasur.
– Ku po më çon? – e pyeti Roberti.
– Sot mos fol fare, je miku im. – iu përgjigj dhe e u futën në restorant.
Vendi mahnitës, bukuri e rrallë, dielli në perëndim i jepte një pamje të paparë. Për Robertin porositën peshk të furrës dhe e shoqëruan me verë të kuqe. Sherifi e shikonte Robertin njësoj sikur e kishte djalë dhe i tha:
-Më fol pak për veten.
-Ç’të them. – i tha Roberti – Nuk kam shumë miq dhe është e hera e parë që largohem nga shtëpia dhe prindërit, të cilët i kam lënë me merak. Por meqenëse më pyete gjithë mirësi po të tregoj një sekret. Këta prindër nuk kanë pasur fëmijë dhe më kanë birësuar kur isha pak më i madh se një vjeç. Ata më treguan tani që mbarova gjimnazin dhe isha i rritur. Që nga ajo ditë, shpesh më del gjumi natën dhe pyes veten se pse nëna më la. Jam i bindur se ka pasur një arsye shumë të fortë që më ka lënë se nuk ka nënë në botë që të braktis fëmijën sa e ka lindur. Dhe më e keqja është se që të mos i mërzisja prindërit nuk mund të pyesja për ndonjë hollësi. Mirëpo fati më lidhi me ju dhe unë dua t’ju lutem që të më ndihmoni të gjej nënën time.
Sherifi ndenji pak, e pa në sy dhe i tha:
-Robert, nga një takim i rastësishëm, shiko ku mbërritëm. Megjithatë unë nuk kam asnjë të dhënë nga të nisem.
-Po, – i tha Roberti – ti e ke më kollaj të pyesësh prindërit e mi. Jam i bindur se ata mund të të japin hollësira.
Sherifi nxori bllokun dhe shënoi diçka.
-Më jep numrin e telefonit të shtëpisë.
Ndenjën dhe pak e u ngritën. Sherifi e çoi Robertin në hotel. Kur po ndaheshin Roberti iu hodh në qafë sikur e kishte prind e i tha:
-Ishte dita më e bukur e jetës sime kjo që kalova me ty, vështirë se mund ta harroj.
Kur po ndaheshin ai e pyeti:
– Më fal, të lutem, çfarë tha gjyqtarja sot?
-Ajo kishte ardhur të më thoshte se ju ishit të pafajshëm. Kishte pyetur dhe i kishin thënë se nuk kishit faj, prandaj t’ju lija të lirë.
Ditën kur do të iknin sherifi erdhi për t’i përcjellë, ai i tha Robertit të mos shqetësohej se do të flinin. Autobusi u nis. Të rinjtë filluan këngën, tek stacioni po i prisnin familjarët. Zbritën nga autobusi, u përqafuan me njerëzit e tyre. Të gjithë ishin nxirë nga dielli dhe dobësuar pak ngaqë kishin lëvizur. Nikon me të shoqen s’po i mbante vendi derisa Roberti erdhi dhe iu hodh në qafë. Pastaj hipën në makinë dhe ikën në shtëpi. Elena e kishte rregulluar bukur shtëpinë dhe tavolinën e kishte mbushur me ushqime dhe me pije. Roberti shkoi bëri dush dhe pastaj shkoi në tavolinë. Në këtë çast bie dera. Nikua shkoi ta hap. Kishte ardhur Olimbia.
– Eja, urdhëro brenda – i tha Nikua – Roberti sapo erdhi.
Të katërt u ulën në tavolinë shumë të gëzuar. Roberti me Olimbinë shpesh kryqëzonin shikimet, pra i kishte marrë malli për njëri – tjetrin.
Filloi viti i ri shkollor. Roberti shkoi me studime për arkitekturë kurse Olimbia për biznes. Ishin pak larg por megjithatë gjenin kohën të shëtisnin. Kur mbaroi vitin e parë, Roberti që nuk e kishte harruar mikpritjen e Sherifit e ftoi atë për vizitë në shtëpinë e tij, të rrinte sa kohë të donte. Për të do të ishte një nder i madh. Në fillim Sherifi nxori pak justifikime por më vonë u bind. Roberti lajmëroi prindërit dhe Olimbinë që do i vinte një mik i ngushtë. Sherifi iu kërkoi të mos shqetësoheshin se ai do vinte vetë dhe vërtetë ai me makinën e tij qëndroi përpara shtëpisë ku po e prisnin. Roberti e prezantoi me nënën në fillim, pastaj me babain e në fund me Olimbinë dhe u futën brenda. Një sallon i mbushur me lule dhe ushqime të ndryshme të gjitha ishin me porosi speciale. Sherifi ndenji tre ditë dhe u kënaq jashtë mase. Në veçanti i pëlqeu Olimbia e cila ishte simpatike dhe shumë e zgjuar. Kur Roberti dhe Olimbia shkuan të blejnë gjëra, sherifi gjeti kohën t’i pyes për Robertin për ato hollësira që dinë ata. Të nesërmen ai u largua shumë i kënaqur nga pritja dhe premtoi se do shiheshin së shpejti.
Vitet ikën shpejt, Roberti e kishte shumë për zemër arkitekturën dhe mësonte shumë, e përfundoi me notë 9.5 po ashtu edhe Olimbia me 9.5. Roberti ftoi sherifin në ceremoni, ai pranoi me gjithë qejf.
Ceremonia ishte organizuar më së miri, me koncert, dhurata dhe vallëzim.
Në shtëpi u kthyen të lodhur. Sherifi donte të ikte por ata nuk e lanë. Të nesërmen në mëngjes ai u nis për në qytetin e tij. Robertin e kërkoi një firmë e madhe ndërtimi dhe brenda pesëmbëdhjete ditëve filloi punë. Edhe Olimbia filloi punë në bashki. Kaluan dy muaj, ata takoheshin pak si rrallë, vetëm të shtunën ose të dielën dhe dilnin nga parku. Një ditë kur po shëtisnin dhe ishin në humor, Roberti i propozoi për martesë me bindje se ajo nuk do ta refuzonte duke qenë se kishin kaq kohë shoqëri dhe dashuri.
-Filluam shkollën e mbaruam, filluam punë e tani nuk kemi çfarë të presim më. – i tha.
Ajo u zverdh në fytyrë, po e shikonte e pastaj i tha:
-Më vjen keq, duhet të më jepje kohë të mendohesha që dhe unë të vendosja.
Roberti kishte blerë dhe unazë për këtë rast. Përgjigja ishte e prerë. Roberti e mblodhi shpejt veten dhe i tha me të qeshur:
– S’ka gjë, ne jemi prapë shokë.
-Po – iu përgjigj ajo.
– Të mos lëvizim nga shoqëria, po e hedh poshtë dhe këtë unazën. – dhe e hodhi larg me sa fuqi që kishte.
– Çfarë bëre? – i tha ajo.
– Po të më duhet e blej prapë, edhe rrogën e kam të mirë. – iu përgjigj.
Shëtitën dhe pak e pastaj u ndanë miqësisht. Ajo natë ishte fillimi i mbarimit.
Robertit iu kujtua një poezi autori i së cilës nuk i kujtohej:
Te lisi i moçëm i linim letrat ne
Ishte shumë i plakur lisi por ishte dashuri e re
Një natë ti letër nuk le
Ishte nata e fundit e lisin e bëri shkrumb e hi një rrufe
Pa e kuptuar këmbët e kishin çuar tek dera e shtëpisë.
Kaluan gjashtë muaj në shtëpinë e Olimbisë shkon një zarf i bukur. Kur hapën gjetën një ftesë për martesën e Robertit me Ornelën. Të katërt po të kishte plasur ndonjë bombë do t’i kishte shqetësuar më pak se kjo ftesë.
– Mos u habisni – u tha ajo – ai nuk ka faj, ai më propozoi, unë e refuzova.
Edhe prindërit e Robertit kundërshtuan por ai me qetësi i sqaroi.
-Unë prita kaq kohë, e ajo nuk më ktheu përgjigje. Unë mendoja se do më kthente një përgjigje, ajo e dinte sa e doja, por nuk kam se çfarë të bëj.
Roberti i dërgoi ftesë të veçantë sherifit.
Tani Olimbia i shmangej takimit me Robertin, megjithatë një ditë u takuan. Roberti ishte dobësuar por me humor. Ajo nuk e shikonte dot në sy.
– Si kështu? – i tha ajo.
-Po – u përgjigj Roberti – një ditë më pyetën prindërit për ty dhe unë iu thashë siç më the ti. Ata ma gjetën edhe këtë. Kështu që javën tjetër martohem.
– Mirë – i tha ajo.- Besoj se nuk do takohemi më se ti do jesh burrë i martuar.
Pas një jave Roberti u martua, dasmën e bënë në një lokal të madh dhe shumë të bukur, muzika dhe hareja vazhdoi deri në mëngjes. Olimbia me familjen nuk shkuan në dasmë. Të gjithë u habitën për mosvajtjen e tyre por ishte puna e tyre.
Pas një muaji edhe Ornela filloi punë tek kompania e Robertit, ajo kishte mbaruar ekonomikun.
Shpesh Roberti kryqëzohej me Olimbinë, ajo tani mbante rroba të errëta që më parë nuk i kishte qejf. Roberti i fliste gjithmonë njësoj, i qeshur kurse asaj i kishte ikur fare humori dhe buzëqeshja.
Një ditë asaj iu kujtua kur Roberti hodhi unazën që në atë moment diçka e kishte coptuar në zemër, nuk e besonte që gjithë ato vite të mbylleshin ashtu.
Pas një viti Roberti u bë me djalë, çfarë lumturie për prindërit, por dhe për Robertin, ai nuk përmbahej, sa dilte nga puna shpejt shkonte në shtëpi. Edhe familja e Ornelës nuk mbaheshin nga gëzimi. Tani ata vinin më shpesh edhe për fëmijën edhe për vajzën. Djalit ia vunë emrin Henri.
Sherifi nuk e kishte harruar porosinë e Robertit. Kështu sipas adresën që kishte shkoi tek shtëpia e fëmijës ku e kishin marrë Robertin, në fillim ata bënë ca naze por kur sherifi nxori medaljonin që ishte sherif ata nuk e penguan, por e ndihmuan. Sherifi kishte marrë leje nga gjykata. Ata nxorën regjistrin dhe dosjen e Robertit. Por për çudi ata gjetën në të vetëm një copë letër të vogël, ku shkruhej data e saktë kur kishte lindur dhe kërkonte të falur nga njerëzit dhe nga Zoti.
Sherifi iu tha se do ta merrte me vete letrën e do t’ua kthente prapë. Ai e mbajti sa kohë iu desh dhe e ktheu përsëri. U interesua çfarë objektesh gjendeshin afër shtëpisë së fëmijës dhe pa që jo shumë larg ishte shkolla e mesme dhe universiteti. Në fillim pyeti në universitet, pastaj i mori vitet radhë se mos gjente ndonjë lidhje, ndonjë emër. Në vitin që kërkoi rastësisht gjeti emrin e gjyqtares. Të nesërmen shkoi në shkollë dhe kërkoi hollësira për gjyqtaren, degën juridike në vitin e fundit, në datën që kërkoi sherifi ajo kishte munguar afro 25 ditë, që përputhej plotësisht me lindjen.
U kthye në zyrë dhe kërkoi letrat që kishte marrë nga gjykata. Ai mori një letër dhe e krahasoi me shkrimin që kishte lënë në letrën për Robertin. U çudit, ishte i njëjti shkrim. E nisi menjëherë në laborator, përgjigja i erdhi shpejt. Ishte i njëjti shkrim pra pa dyshim u gjet nëna e Robertit. Një ditë sherifi shkoi në gjykatë, do pyeste për diçka. Rastësisht pa gjyqtaren që po pinte kafe vetëm. Ajo sa e pa ia bëri me dorë. Ai me qejf iu bashkua. Duke biseduar ai e pyeti se ku e kishte mbaruar universitetin. Ajo ia tregoi por humbi në të kaluarën. Iu kujtua koha kur arrestuan të dashurin dhe tha me vete se ku mund të jetë. Më vonë kur lindi djali, “o Zot” mendoi “si i ka vajtur halli tim biri, do jepja gjithçka ta gjeja”. Sherifi e pa që ajo ishte futur në kujtime dhe nuk i foli pas pak ajo u kujtua dhe i tha:
– Më fal, isha futur në kujtimet e kaluara. Të lutem edhe një herë, më fal.
Ndenjën dhe pak e u ndanë. “Po tani si do vejë halli, si do ia them” mendoi me vete sherifi.
Po afronin festat e fund vitit. Roberti edhe pse punonte shumë nga 14 orë në ditë, kishte frikë se nuk do ta mbyllte dot vitin. Ditën e fundit të vitit në datën 31 në orën dhjetë të natës, Roberti mbylli zyrën, i gëzuar se gjithçka qe në rregull dhe doli jashtë. Në këtë kohë një njeri me revole në dorë i doli përpara dhe i tha:
– Boll u talle me motrën time! – dhe shtiu tri herë në drejtim të tij e u zhduk.
Roberti u mbush me gjak dhe ra në tokë. Sa u dëgjuan krismat erdhën njerëz. Ata e çuan shpejt në spital dhe lajmëruan edhe njerëzit e shtëpisë të cilën erdhën me një herë.
Robertin e futën në sallën e operacionit. Pas katër orë operacion, mjekët dolën shumë të mërzitur dhe kur i pyetën u thanë se nuk do mund të jetonte më shumë se gjashtë ose shtatë orë prandaj të afërmit mund të hynin ta takonin.
Nikua lajmëroi sherifin. Ai mori makinën dhe shkoi tek shtëpia e gjyqtares. I foli tek dera ajo erdhi menjëherë.
– Çfarë ka ndodhur? – e pyeti ajo.
– Vishu shpejt, – i tha ai – kemi rrugë të gjatë për të bërë. Të lutem shpejt.
Ajo iku dhe u kthye shpejt e gatshme. U fut në makinë.
Sherifi u nis me shpejtësi, ndezi sinjalet e urgjencës dhe u bë erë. Pasi u rregullua mirë në makinë, gjyqtarja i tha:
– Tani më thuaj, çfarë është gjithë kjo urgjencë se jam bërë shumë merak?
Ai kishte marrë një foto ku kishte dal Roberti dhe ia dha.
-Ky është djali yt. Dikush e ka qëlluar me armë. Mjeku i ka dhënë afat 6 ose 7 orë. Eja të të shoh para se të mbyllë sytë. Ai mezi po të pret. – asaj i ra të fikët – Dhe kjo më duhej – tha sherifi.
Pasi u qetësua, ajo mori foton dhe po e shikonte me vëmendje, iu duk fytyrë e parë, po kishte plot tipare nga të sajat. Ajo e pyeti:
– Ku e di ti që është djali im?
Ai nxori copën e letrës që kishte lënë ajo atë natë.
– Më vonë ta tregoj të gjithë ngjarjen.
– Jo, – i tha ajo – nuk më duhet. Çdo gjë duket qartë.
-Ajo që më shqetëson më shumë – i tha sherifi – është se ti nuk u interesove asnjëherë për të.
Ajo po e shikonte me vëmendje.
– Po ti ku i di të gjitha këto dhe beson se unë jam e ëma?
– Më thuaj a ka ndonjë gabim në ato që ta thashë? – e pyeti ai. – Ti je gjyqtare dhe kam bindjen se nuk do gënjesh.
– Jo, – i tha ajo – gjithë sa the janë të sakta, por të lutem, çfarë të shtyu ta ndjekësh këtë punë?
– Unë shumë pak kohë kam që u binda se ti je nëna e Robertit, kështu e quajnë djalin tënd.
Ai nuk e di që unë ia kam gjetur të ëmën dhe po prisja të kalonte dhe viti i ri e pastaj t’iu bashkoja. Por fati e bëri ndryshe.
Makina ecte shumë shpejt. Makinat e tjera i hapnin rrugën.