Tregim nga Arjan Th. Kallço/
Rafti i librave atë ditë po më tundonte marrëzisht, me një nostalgji që nuk e kisha provuar kurrë më parë. Shkëndijën e saj ma dha një sekuencë filmike që më zgjoi atë dëshirë të ndrydhur nga koha dhe që kërkonte vetëm një ngacmim. Ishte natë vonë dhe shpirti po dyluftonte në një përleshje krenarish të kuptueshme midis qëndrimit në shtrat, të ftohtit përjashta sikur ta zbehte lëvizjen dhe mankthit të shfernuar se ndoshta ajo që kërkoje nuk ekzistonte më diku mes librave të shumtë. E ndava mendjen se njëra prej tyre duhej ndrydhur, sepse të dyja nuk mund të vazhdonin të përlesheshin gjatë atë natë. Fitoi qëndrimi në shtrat mes mbulesave që nxirrnin nga brenda një afsh të ngrohtë dhe përkdhelës, një lloj avulli kur temperaturat janë në zero që tek e mbështillte trupin, nuk të bëhej ta shqitje. Mbetesh zbuluar apo siç i themi lakuriq dhe përveç ndjenjës se je i pambrojtur, të shpaloset dhe fanepset edhe një tjetër, lakuriqësia si imazh i vetëm real i asaj që gjatë ditës apo natës, me ndonjë përjashtim kur epshet të futin në kurth, e mbulon me veshje të ndryshme, ndonjëherë edhe hipotetike. Mendimi i parë që të kalon nëpër mend është shprehja lakuriq si të ka bërë nëna.
Nuk ka njeri në botë – mendova- që do ta pëlqente gjithmonë atë moment tepër intim, kur nuk je i rrethuar nga të tjerë, por i dukshëm, i prekshëm edhe pse perceptimi i kalon caqet, në një mjedis tjetër. E nuk bëhet fjalë për lakuriqësinë trupore, pasi nëse nuk përjetësohet nga ndonjë klik i papritur, është gjysma e së keqes. Për një tjetër lakuriqësi e kam fjalën, atë kur del krejt i zbuluar, pa më të voglin sekret të jetës tënde, të cilin do të deshe ta ruaje që të mos ia shikonte fytyrën askush. Nëse nuk e nxjerr vetë, nuk e di askush, herët a vonë do ta nxjerrin të tjerët, nëse kanë ndarë me ty copëza jete, edhe pse të shkurtra. Kur koha kalon e fshehur edhe vetë ajo pas sekretit, lehtësimi të shoqëron gjithmonë edhe në ato momente të pakuptimta, i zhytur në qetësi dhe larg zhurmave të botës. Jeta merr kuptim vetëm kur jeton edhe ti bashkë me të njerëzit e qytetit tënd, i mposhtur nga egoizmi cmirëzi i qënies që s’lë gur pa lëvizur, me qëllim që për disa kohë t’u fshihet syve djallëzorë të qytetërimit.
Nata kaloi e qetë dhe pa shumë përpëlitje dhe ëndrra të llahtarshme, shpesh të çuditëshme, me ndonjë bisedë ku të kërkonin arsyen e mospërfshirjes së opsionit tjetër në prioritete. Aty ndaj mëngjezit, gjumi që sapo ishte larguar me një ëmbëlsi të pashpjegueshme, drita e natyrës sikur m’i risolli në mendje të gjitha përsihatjet e një nate më parë. Ndeza televizorin për të parë nëse kishte lajme të orëve të fundit që mund ta kishin tronditur botën dhe kur ke jetuar disa dhjetëvjeçarë, e kupton se tronditja depërton edhe në ndërgjegjen tënde. Pezmatohesh aq shumë, saqë ndonjëherë disa currila të vogla loti ta lagin dukshëm fytyrën. Tek i sheh në imazhet e përshpejtuara të lajmit, të ngjajnë me tipare të njohura të njerëzve që deri dje i përshëndetje kur kaloje rrugës. U uroje ditë të mbarë në atë përthyerje të vullnetëshme të kujtimeve. Pasi i rilexova edhe një herë, një lloj gëzimi ma pushtoi shpirtin dhe u duk sikur dita do të fillonte me lajme të mira. Kur mëngjesi nis me humor të paprishur të botës, atëherë ky humor sikur të imponohet edhe brenda teje dhe një atmosferë tjetër ta rrethon jetën. Ngazëllimi udhëton nëpër shpirt, ia shkel syrin zemrës si për t’i thënë që sot mos bëj naze, nuk ia hedh fare sytë urrejtjes dhe vëmendja përqëndrohet tek disa tela të ndjeshëm që sapo dëgjojnë një rezonancë jehone, ia marrin këngës. Është kënga e parë e një shpirti të çlirë. Kënga e dytë sjell të tretën e ky zgjim të ndjek pas, të shoqëron kudo edhe në rrugë. Edhe punët duket se i bën me dëshirë, edhe qëndrimi ndaj jetës aty afër është më human. Përshëndetjeve nuk mund t’ua fshehësh sytë e qelibartë të paqes së dhuruar nga heshtësia e detyrueshme e disa konvencioneve planetare.
Hapa kanatin e faqes së murit dhe futa dorën thellë midis librave të vendosur në këmbë. Pa e parë fare se cili libër ishte, mendja e drejtoi dorën pikërisht tek ai vend. Fotografia kishte kohë që priste të dilte në dritë, të thithte pak ajër të pastër, të ndryshëm nga ai i një ere të një mjedisi të mbyllur.
E gjeta më në fund – thashë – dhe ftohtësia e letrës dhe e dorës u bashkuan në një takim të papritur, por shpjet raportet filluan të ndryshonin, sepse një ngrohtësi trupore po drejtohej dhe kondesohej tek fotografia. Disa bulëza uji të papërfillta u kristalizuan poshtë mollëzave të gishtrinjve. Pakti ishte firmosur.
Ishte po ajo fotografi me ngjyra që me shumë kujdes dhe fshehtësi që ruante imazhet e një çasti të papërsëritshmë idili në disa përqafime romantike. Djali ishte fiksuar në përpjekjen e tij finale të puthjes, por që buzët ndaleshin vetëm disa centimetra nga ato të vajzës. Vajza me sytë gjysëm të mbyllur dhe me trup të dhënë plotësisht në krahët e djalit, ishte në pritje të prekjes së tyre për të treguar se ia kishte falur të gjithë dashurinë dhe pasioni mund të ndizej që në atë shkrepje. A kishte ndodhur ai takim buzësh? A ishte transmetuar ai shkëmbim pasionesh? Këtë djali nuk e tregoi kurrë. I dukej se do të zbulonte një sekret për të cilin ishte betuar që ta ruanin të mbërthyer fort në dy zemra.
Unë ti dhe gjithësia e pagojë sipër nesh – e kishte shqiptuar pa ndojtje këtë fjali me nëj frymë.
Unë ti dhe dashuria jonë e madhe – ishte përgjigjur me të njëjtin ritëm vajza.
Tani ajo fotografi nuk e kishte më kuptimin e dikurshëm, shumë gjëra kishin marrë një rrjedhë tjetër, të ndryshme nga betimi solemn dysh dhe pa dëshmimtarë, përndryshe do të gjendeshin bashkë si dikur.
Më mirë që nuk pati dëshmimtarë – belbëzova – sepse kjo fotografi nuk do të më kishte rënë në dorë. Nuk e mbaja si një peng të një dashurie që nuk jetoi gjatë apo të një betimi të mbetur jetim. Ndodhej aty si një shenjë e një lumturie që po ngrihej në fluturim, por vetëm kaq. Iu prenë krahët pak metra mbi ajrin që thithim ditëve, mbeti pezull si ai imazh i ndërprerë në mes i fotografisë dhe që u tret ngadalë në kujtimet e viteve. Sa deshën që t’i fshinin përgjithmonë kujtimet, ta zhduknin çdo gjurmë të mbetur mbi dhe’! Fluksi i parë i ideve që ta mësym mendjen mban urdhërin: harroje dashurinë, harroje gjysmën e zemrës që huajte tek e jotja! Harrimi të duket hakmarrja më e drejtë ndaj asaj lumturie që u pre’ me një goditje.
Kjo fotografi nuk ka më ngjyrime çastesh të dy qënieve të shndërruara në një shpirt të vetëm dhe me identitete të qarta. Me pak kujdes dhe ndonjë retushim linjash dhe ngjyrash, do të ishte reklama më e mirë e ndonjë filmi me zemra të thyera të një dashurie që u këput ashtu papritur, në një ditë shkurti. A thua se gjithçka ishte e shkruar me kaq saktësi në ndonjë faqe skenari dhe që duhej të përfundonte sipas këndvështrimit të regjizorit? Sot ata janë larg në të tjera dashuri duke fluturuar.
Shkurt 2013