Nga Ilir Levonja/
Sa herë që afrohen fushatat zgjedhore në partitë e shqiptarëve të Maqedonisë, marrim njoftime grindjesh, sherresh e vrasjesh.
1)Më 9 maj të 2015 Kumanova u gdhi nën të shtëna dhe shkëmbime zjarri. Televizionet jepnin një mot gjysëm të grinjtë. Por me helikopterë të policisë që patrullonin. Asfalti i rrugëve me gëzhoja fishekësh. Rrugët me mjete të blindura. Madje që evakuonin edhe civilë. Nga ana tjetër vinin të paqarta lajmet e viktimave. Se çfarë ishin ata qytetarë, shqiptarë të Shqipërisë. Shqiptarë të Kosovës. Shkurt shqiptarë nën emrin e një tjetër UÇK-je. Vinin aludime për trazira të porositura nga Serbia deri dhe Rusia. Ndërkohë luhej edhe me Shqipërinë etnike. Shqipërinë e madhe. Shqipërinë e munguar të shqiptarëve. Atë që është pengu dhe frymëzimi. Ndaj pati edhe vërshime dialogësh, shkëmbime me inat dhe sharje mes njëri-tjetrit. Mes shqiptarëve. Palë që brohorisnin bijë liridashës. Dhe palë që u dukej një aventurë. Palë që ishin një me pushtetin. Dhe palë që i quanin tradhëtarë, të shitur etj. Shkurt një zallamahi.
Megjithatë, në protetstat e opozitës. Protestave të Zaevit. Pas ngjarjeve të Kumanovës. Shqiptarët marshuan si kurrë më parë. Përkrah maqedonësave opozitare. Madje lidhën dhe flamujt e kombësive. Duke dëshmuar në fund të fundit qënësinë në një shtet multietnik, por shtet i tyre.
Megjithatë prapë të vrarët, apo ish ushtarët e UÇK-ës. Nën sfondin e një Kumanove gri, çative të shqyera, erës së blozës, fishekëve të zbrazur, mureve të rrëzuar… grindjeve dhe deklaratave të liderëve me shkëlqim stemash partie… shtypistave, ashtu dhe kështu. Pra të vrarët, varrosen me nderime shembullore.
2) Në kushtet e sotshme që janë shqiptarët e Maqedonisë, shto edhe ato që ne dimë nga memoria, pyetjes mbi viktimat i është përgjigjur një gojë plot mllef. Shkjau. Qoftë ky serb, maqedon, malazes. Dhe njerëzit gjithmonë ishin të dijshëm. Të kujt janë këto viktima? Të shkjaut. Të maqedonit. Të serbit. Kaq. Dhe ne që ishim mësuar t’ia ngjeshim shkjaut.
Dhe për dreq, përsosmërisht, ndër breza, është mbrujtur një farë urrejtje sa ia kalon një kohe reale, njerëzore. Një urrejtje prej çeliku dhe betoni. Urrejtja ndaj shkjaut.
Urrejtja ndaj diskriminimit. Urrejte ndaj besimit. I quajmë serbë shqiptarët ortodoksë. I quajmë malazesë, grek, maqedonë. Dhe me një dashuri çmenduri për radikalizmin islam. Aq sa dhe synetllikun e shpallin me fushata suksesi. I quajnë arritje kërkesën e plotësuar ndaj Turqisë për të sjellë ca kirurgë që të bëjmë synet djemtë. Të gjitha për inat të shkjaut. Madje nën këtë inat mund të vritemi edhe me njëri-tjetrin. Të vrasim fiqinjin, vëllain. Ta quajmë tradhtarë, spiunë. Shkurt shkja. Shkurt zallamahi. Potere, për turkoshqiptarët e rinj. Dhe zhurmë për shqiptarët e vjetër e të rinj.
3)Kështu edhe në muajin maj. Një armatë shqiptarësh u ndesh me policinë dhe aty u vranë disa syresh. U tha nga policia maqedone, megjithëse aty në polici ka, kishte edhe shqiptarë. U tha ish ushtarët e UÇK-ës nga Kosova. Dhe rezulton që pjesa më e madhe janë e datlindjeve nga 71, 85, 91. Zoti të na mëshirojë që po i kujtojmë kështu. Por UÇK-ja vet u kurorëzua në Lap, në mars të motit 1991. Dhe e mbaroi misionin me çlirimin e Kosovës 1999. Dhe sot quhet Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. I bie të ndodhi përsëri, që për inat të shkjaut, të vënë në punë propogandën kundër vetes. Kundër njëri-tjetrit. Sa akoma shqiptarët e Kosovës grinden se kush është në fakt UÇK-ja. Ajo e ekzilit apo jo e Lapit. Kështu edhe në Maqedoni. Kështu edhe në Shqipëri. ndaj rezulton se përdorimi i UÇK-ës, në Maqedoni, në Kumanovë, është pjesë e kësaj zallamahie shqiptare.
Dhe ne me atë trumbetimin tonë prej flluskash patriotizmi prodhojmë dëshmorë.
4) Mirëpo nëse të ndjerët e kësaj natyre na i justifikon policia e shkjaut, mund edhe t’i quajmë dëshmorë. Edhe pse termi rrjedh nga një kohë tjetër. Uzurpimesh, pushtimet. Pra të natyrës pushtues, vatan. Por kur ka një qeveri, kur ka një bashkëqeverisje… dhe ne jemi pjesëmarrës në ‘të. Maqedonasve u lind e drejta t’i quajnë grupe terroriste etj.
Sidoqoftë, e çfarëdoqoftë, prapë me ndjesë për jetët e humbura. Le t’i justifikojmë kështu. Por si t’ia bëjmë këtyre vrasjeve tona? Dëshmorë të kujt do ta quajmë komandant Shqiponjën, Kumanovë? I vrarë dy ditë më pare nga shqiptarët. Dëshmorë të kujt do ta quajmë Artan Musliun, Strugë? I vrarë sot nga shqiptarët. Të kujt janë këta dëshmorë, shqiptarë të Maqedonisë? Po këta të vrarë mes shqiptarëve, përpara syve të shkjaut, si do i quajmë. Çfarë emri do uu vëmë?
Sillem e them, mirë me maqedonin, për shkak edhe të asaj urrejtje prej çeliku e betoni… që palësh ua kemi ngjizur edhe fëmijëve. Dhe ata më keq nga ne, me fëmijët e tyre. Nuk e kuptojë, përse po vriten tani me njëri-tjetrin? Mos kanë ngatërruar shkjaun? Pra na jepni një përgjgije. Dëshmorë të kujt do i quajmë.
Do i shpallim heronjë. Por të kujt?
5)Me që e nisëm me Kumanovën dhe për dëshmorët e saj. Duhet të ketë qënë data 26 maj. Kur ceremonisë së varrimit të heronjëve, iu kundërvu një analist i njohur me emrin Enver Robelli. Ai kumton me një titull të ashpër. ”Një vend që kriminelët i nderon si heronj, ardhmërinë e ka të errët” Më tutje ai vazhdon po me mllef. ”Në Kumanovë këta çlirimtarë të vetshpallur lanë pa shtëpi qindra banorë. Vendimin se me çfarë mjetesh duhet të luftojnë për të drejtat e tyre, e marrin shqiptarët e Maqedonisë, jo haraçmbledhësit e Kosovës”. Mirëpo shqiptarët kudo që janë, se shqiptarë janë, zakonisht më shumë dëgjojnë analistët brenda partive. Dhe lufta në emrin e shkjaut, të lirisë dhe Shqipërisë së madhe, bëhet pikërisht nga haraçmbledhësit e shumtë në Ballkan.
Ndofta edhe nga një fakt kokëfortë që hera herës del në në analet e memories sonë. Që ne e kemi të pamundur ta gjejmë me njëri-tjetrin. Sidomos në liri.
Vangjel says
Zotni Ilir, shqiptaret ne Maqedoni luftojne kunder shtetit sllavo-maqedon, sepse u ka shkelur te drejtat dhe lirite. Shqiptaret tradhetare, vrasin shqiptaret patriote. Pra, nuk ka asnje enigme.