
FATMIR MINGULI/
Pikërisht në ditën që gjeniu i letrave tona Ismail Kadare do të mbushte 90 vjet, shtëpia Botuese “Jozef” nxorri librin e shkrimtarit Shpendi Topollaj me titull “Kadareja i pavdekshëm”, ribotim i zgjeruar. Libri çelet me citatin e gjithkohshëm të latinëve të vjetër: “O Kombe! Ruani njerëzit e mëdhenj se përmes tyre do t`ju njohë bota”. Kurse tek ato dy fjalë hyrëse, vetë autori i librit shprehet: “Kur zemra e Ismail Kadaresë pushoi së rrahuri, nuk e di pse më erdhën ndërmend fjalët që dikush kishte thënë për fiorentinasin e madh Dante Alighieri: “Kurse pas vdekjes nisi “jeta e tij e re”, ajo e pavdekësisë, që e kanë hak vetëm gjenitë e mirëfilltë”. Dhe vazhdon: “Pa dyshim, Ismaili ishte Dantja ynë dhe për rrjedhojë, një gjeni, që i dha lavdi si pakkush atdheut tonë. Ishte fat që jetoi gjatë, pasi njësoj si Hygoi, që deri në fund të jetës nuk e lëshoi penën nga dora, duke punuar për veprën epope dhe mjaft voluminoze “Legjenda e shekujve”, edhe ai nuk reshti së shkruari dhe ngritur me guxim zërin e arsyes për vlerat e larta të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, dhe padrejtësitë që i janë bërë atij ndër shekuj. La pas një thesar veprash si trashëgimi e çmuar e kulturës tonë kombëtare, e cila si atëherë kur cerberët e diktaturës vigjëlonin me një fanatizëm të denjë për domenikanin Tomas de Torquemada, ashtu dhe kur demokracia fitoi terrenin e humbur, ndriçoi mendjet e shqiptarëve për nevojën e lirisë, me forcën e një iluministi të vërtetë”. Shpendi, te “Dy fjalë si parathënie” ka vendosur shkrimin e vëllait të tij, Spartakut, intelektualit të shquar, diplomatit dhe mikut të hershëm e besnik të Ismailit, me titullin “Precedenti “Karlfeldt” dhe mundësia e një Nobeli nderi për Kadarenë pas vdekjes”, artikull i botuar te Gazeta “Panorama” po në 28 janar, pra ditën që ai kishte 90 vjetorin e lindjes. Kushdo që e ka lexuar ose do ta lexojë te ky libër, do të bindet se argumentet, erudicioni, elokuenca dhe logjika e tij, janë plotësisht bindëse dhe të pakundërshtueshme, për të mos thënë, nga apologjitë më të bukura që janë shkruar ndonjëherë për “Nderin e Kombit” tonë Kadare. Sipas Spartakut, Ismaili i përkthyer në mbi 50 gjuhë të ndryshme të Botës së sotme tetëmiliardëshe, kryemjeshtër dhe luksoz i alegorisë së sofistikuar, ai që jo vetëm i mbijetoi si rrallëkush ferrit stalinist të regjimit të Hoxhës, por edhe për dekada të tëra kaloi në qyngjet e zjarrta të purgatorit të kuq, ka qenë prej dekadash serial kandidat si askush tjetër për ta marrë atë çmim që për turpin e asaj Akademie, ju dha sllovenit Peter Handke, atij që përlotej para varrit të kryekriminelit Sllobodan Millosheviç. Shpendi, teksa tregon arsyet e botimit të këtij libri, nuk heziton të kujtojë se ka edhe nga ata shqiptarë që kanë vjellë vrer për Kadarenë. Ai i referohet librit autobiografik të Salman Ruzhdies i cili thosh se: “Mënyra më efikase për të sulmuar një libër është të demonizosh autorin e tij, për ta shndërruar atë në një krijesë me motive të ulta dhe qëllime të liga”. Po ashtu ai sjell pasazhe nga ç`ka shkruar me mençuri e sinqeritet bashkëshortja e tij, shkrimtarja Helena te libri “Kohë e pamjaftueshme”, ku inatçinjtë e ziliqarët arrijnë deri atje sa të thonë marrira të tilla, duke e krahasuar Ismail Kadarenë me rrezet gama që vinin nga universi dhe që kombi shqiptar duhej t`i kthente mbrapsht nëse donte të mos dëmtohej. Por Ismailin e donte me gjithë zemër populli i tij, lexuesit e pafund, pasi ishte ashtu sikurse thosh Tefik Çaushi se: “Ai (I.K.), ka ditur të krijojë për masën e lexuesve një letërsi të tillë që ka shërbyer si ushqim shpirtëror i një cilësie të lartë, aq i domosdoshëm për emancipimin tonë kombëtar”. Dhe si për t`u dhënë një përgjigje të merituar kritizerëve, Shpendi përmend shembullin e xhuxhave që kur hipin në shpinën e gjigantit, thonë se jemi më të mëdhenj se ai, dhe kujton se si e kanë vlerësuar atë të huajt, si fjala vjen Nicole Zand: “Universal dhe i të gjitha kohrave, duke mbetur gjithaq shqiptar”, Bruce Bawer; “një nga romancierët më të shquar”, “Figaro Litteraire”: kalibrin e jashtëzakonshëm të këtij shekulli”, Gullaume Allary: “më i madhi shkrimtar i gjallë i kohës”, “Histori e Letërsisë Evropiane”: “që rrok historinë me një frymë të fuqishme shekspiriane”, e deri tek Alain Bosquet: “Kadareja njihet në të gjithë planetin; të kurorëzosh Kadarenë nuk do të thotë ta emanciposh atë, do të thotë të emancipoheni vetë ju”. Dhe Shpendi e nis librin e tij me shkrimin “Një ditë e paharruar”, qysh mbi gjysmë shekulli më parë, kur Kadareja doli nga selia e Lidhjes, për t`i takuar me Spartakun, i veshur me një palë pantallona gri, një këmishë të lirë, një orë “Ruhla”, nga ato që thuhej se andej ishin me lopatë dhe i kthenin për kusur, dhe syze me skelet të trashë. I thjeshtë dhe njerëzor ishte dhe në sjellje, në fjalët që thoshte, dhe premtimin për të ndihmuar e inkurajuar. Ishte mësuar ta thërrisnin ngado: Ismail, edhe pse ai ishte autori i Gjeneralit të famshëm, Kronikës, Autobiografisë, Dimrit dhe i një sërë novelash dhe poezishë të mrekullueshme. Gjatë bisedës, dukej që kishte adhurimin më të madh për Lasgushin, dhe disa kritikë i quante vagabondë, për të cilët duhej gjetur sipas tij, ndonjë rrahës profesionist. Por pas kësaj dukje krejt të zakonshme, fshihej një vullkan i vërtetë që kur shpërthente me krijimet e tij, trondiste gjithë vendin. Por Ismail Kadareja e tronditi vendin edhe me krijimet e mëpastajme, disa nga të cilat i zgjedh kritiku Shpendi Topollaj për t`i trajtuar në këtë libër. Ato janë: romanet “Qyteti pa reklama”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Darka e gabuar”, “Kur sunduesit grinden”, “Ikja e shtërgut”, si dhe analizat për ç`kanë shkruar të tjerët në librat e tyre për të, si monografia e Fatime Kullit “Uragani i meteorëve” me nëntitull “Bilal Xhaferri përballë Kadaresë”, libri studimor i Met Dervishit “Intertekstualja dhe disidentja te “Dimri i vetmisë së Madhe”, paskvilet e Kapllan Resulit me titull “Shpifjet e Kadaresë nuk e ndryshojnë të vërtetën”, apo pjesë nga libri i të ndjerit Kastriot Myftaraj “Ballkanadolli gjeostrategjik”. Për Shpendin, roli i shkrimtarit në shoqëri, dhe sidomos i Kadaresë është i pazëvendësueshëm dhe arsyen e gjen po te fjalët e Ismalit i cili tek intervista e tij e botuar te “Kohë barbare” shprehet: “Një shkrimtar është më tepër se një parti, ai është një Atdhe më vete. Ai flet në emër të këtij Atdheu. Një shkrimtar (dhe i referohet Dantes), e rilind atdheun e vet, ai është ekuivalenti, zëdhënësi i vlerave të epokës së tij”. Teksa merret me analizimin e Lul Mazrekut, Shpendi hyn brenda thelbit të problemit që synon Kadareja dhe shkruan: “Dhe shihni ç`ngjet: ndërsa grekët me gojën e Homerit pohonin se kur tërhiqej zvarrë nga Akili, Hektori qe i vdekur, e romakët nëpërmjet Virgjilit, mbronin mendimin se Akili ia shpoi këmbët Hektorit dhe në ato vrima futi litarin për ta tërhequr, por që fundja askush nuk e vinte në dyshim, se i prekur nga lutjet e të atit, ai ua ktheu trojanëve trupin e të vrarit, mijra vjet më vonë, në një vend që qëndronte midis tyre, dhe që ndofta qe më i vjetër se ata, do të shfaqeshin ca monstra që do t`ua kalonin në ligësinë e fantazisë dy të parëve, duke inskenuar një vrasje në kufi, me aktorin e dështuar e fatkeq, tashmë ushtar, Lul Mazrekun, për të tmerruar e frikësuar turmat e njerëzve të mjerë, në një kohë që kishin vrarë sa kishin mundur, vetëm pse donin të baktisnin “parajsën” socialiste, dhe as e kishin marrë mundimin që prindërve të tyre, t`u tregonin të paktën varrin”. Por populli duhej llahtarisur me zvarritje kufomash, ndaj dhe autori i këtij libri thotë: “Dhe këtu të mos ua hamë hakun; intrigat, bëmat dhe krimet e bandës së Enver Hoxhës, do t`i kishin zili edhe ata që bënë shtesat e epokës posthomerike për pallatin e Atridëve; ato do të ishin të denja për penën e Sofokliut, Euripidit e Senekës”. Dhe si për ta vërtetuar këtë, ai huazon diçka nga një personazh i romanit të Kadaresë i cili e mbyll këtë temë: “…më lejoni t`u them se për kësi gjërash ata kishin më shumë përvojë dhe ide se gjithë antikiteti grek e romak të marrë bashkë”. Te shkrimi i tij për romanin “Darka e gabuar”, ndërsa bën fjalë për paradokset e kohës së pas luftës së Dytë në Gjirokastër dhe mjetet artistike që Kadareja përdor, Shpendi nënvizon: “paradoksi i kohës… në penën e Kadaresë merr përmasat e një grotesku që i përdorur dikur nga Rableja (Gargantua dhe Pantagryel”), dhe Shçedrini (“Historia e një qyteti”), i ka dhënë aq forcë “Kronikës në gur”. Shpendit, leximi i “Kur sunduesit grinden” i kujton se ky libër i mrekullueshëm, jo vetëm të kënaq estetikisht, por edhe të bën të përfytyrosh se nga kaloi aq gabimisht rruga jonë dhe si u luftuan mendjet e ndritura, te të cilët duhej mbështetur e ardhmja e një populli. Duke e mbyllur ligjeratën, ai gati bërtet: “…a do të dalë dikush që të shkojë në Suedi tek ai komisioni që ndan atë çmimin e famshëm dhe duke ua hedhur në tavolinë, t`u thotë: Lexojeni o u plaçin sytë, se mjaft e shkelët testamentin e Alfred Bernhard Nobelit me padrejtësinë që i bëni ndër vite, jo vetëm Ismail Kadaresë, por gjithë popullit shqiptar”. Sa njerëzor e përshkruan Topollaj, Kadarenë, kur shtjellon “Ikja e shtërgut”, bazuar te dashuria platonike e një zemre delikate si ajo e Lasgush Poradecit. Aty ai sheh forcën e shpirtit njerëzor, të vizatuar sipas porosisë tolstojane për thjeshtësinë, lakonizmin dhe qartësinë, si mjete për të mbërritur te përsosmëria e artit. Në këtë libër Shpendi ka përfshirë edhe artikuj mospajtues e deri polemizues me ata që sikurse e cekëm më lart, duan t`ia ulin vlerat Kadaresë, me arsyetimin e padrejtë se në një farë kuptimi, i ka shërbyer diktaturës, si për shembull artikulli “Ziliqarë! mjaft e sulmuat Kadarenë”. Ai u drejtohet të gjithë atyre që e quajnë Ismail Kadarenë glorifikuesin e diktatorit, me fjalët e Ciceronit drejtuar Katilinës: “Quoskue tandem?” pra “Deri kur më?” dhe shton se hija e nihilistëve të rinj si Eugjen Bararovi i Turgenievit, ende sillet rrotull nesh. Kurse te shkrimi kundër smirëziut që urren vetë shqiptarët, Kapllan Resulbegoviç thotë: “…kushdo që kërkon ta baltosë me të pavërteta atë (I.K.), duhet të kujtojë fjalët e arta të Charles Colton – it se “Shpifja dëmton më shumë atë që shpif, se atë ndaj të cilit shpifet”. Do gjejmë në libër dhe pasazhe nga intervistat që ai ka dhënë me gazetarë të ndryshëm, si e ndjera Rezarta Reçi, Migena Sotiri e Luan Laze, rreth figurës madhore të Ismailit. Dhe si për të krijuar një lloj mozaiku, këtu rreshtohen dy poezi, shkruar posaçërisht për Kadarenë, me rastin e botimit të këtij libri, nga poetët e mirënjohur Agim Bajrami dhe Ymer Nurka, si dhe shkrimi i historianit Meçan Hoxha “Gjenia e Kadaresë në penën e Shpendi Topollajt”. Si në të gjithë krijimtarinë e tij shumëplanëshe, ashtu edhe në 45 librat e tij me kritika letrare, ku dallon një kulturë superiore tashmë e njohur e Topollajt, edhe te ky libër të mbetet në mendje jo vetëm horizonti i tij i pamatë, por dhe dashuria e madhe që ai ka për vetë Ismail Kadarenë, si një mbrojtës i patundur i çështjes kombëtare (Kosovë e Çamëri), e demokrat, dhe veprën e tij kolosale. Shpendi shpreh bindjen se të gjithë librat e I. Kadaresë janë të denjë për atë përgjigjen e poetit komik grek, Aristofanit që kur e pyetën se cili libër ju pëlqen më shumë, u përgjigj: – Atë që filloj ta lexoj duke shpresuar shumë dhe që i jap fund duke përfituar edhe më shumë. Dhe në fund të këtij shkrimi, nuk mund të mos përmend faktin se ky libër jo vetëm nderon gjigantin e papërsëritshëm Ismail Kadare, por edhe se morisë së librave të poetit, prozatorit, kritikut, dramaturgut, publicistit, esseistit Shpendi Topollaj, i shtohet një zë mjaft dinjitoz, aq sa do të kujtoj se sa të vërteta janë fjalët e Idriz Dermyshit, kur te parathënia e librit të tij “Përtej talentit”, shkruan: “Vepra me vlerë dhe vlera e veprave të Shpendit do enden gjatë në kujtesën e kombit tonë. Shpendi hesht, ndërsa jehona e tij ndrin, bubullon… Tashmë, Shpendi është një krijues kombëtar! Një thënie e Niçes, mendoj se i shkon për shtat Shpendit tonë: “Ju shihni lart, kur kërkoni të lartësoheni. Po unë shoh poshtë, sepse jam lart”. Dhe Shpendi është vërtetë lart, ndaj shikon poshtë. Kalli gruri me shumë bukë”. Ja pse do të mbesin përherë aktuale, fjalët e tij përshëndetëse drejtuar të pavdekshmit Ismail Kadare, me rastin e akordimit të titullit “Kalorës i Legjionit të Nderit”: “U mrekullova nga vlerësimi që t`u bë. Pas 500 vjet krenarie me një Princ të Krishterimit në mbrojtje të qytetërimit të Evropës me shpatë, vendit tonë i duhej një Princ i Letërsisë në mbrojtje të kulturës të saj me penë; gjë që ti e realizove kaq bukur. Përherë Atdheu do të të jetë mirënjohës si një nga burrat më të shquar të tij”.