Nga Prof. Romeo Gurakuqi*/
Funksionimi i sistemit të qeverisjes, performanca, përgjegjshmëria dhe shpjegueshmëria e sistemit politik në Shqipëri, nuk mund të kuptohet pa analizuar marrëdhëniet që ekzistojnë në mes agjentëve kryesore institucionalë të Shtetit, që e kanë çuar vendin në prag të kolapsit funksional dhe krejt larg parametrave të një demokracie të mirëfilltë liberale. Shqipëria ndodhet prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh nën menaxhimin e një bashkësie politike shumë komplekse, me thelbe qytetarie e intelektualizmi të paplota, të cilës i rrjedhin pranë e pranë lumi punist, orientalist e ballkanik dhe një përrua i tharë liberal. E dallueshme për uncommon sense e vet, mungesën e përgjegjësisë për të respektuar balancat krahinore dhe religjioze, bashkësia e ka çuar vendin në pragun e një ballafaqimi civil, të cilin vetëm ajo nuk e shikojnë në derën e Shqipërisë së rrënuar tërësisht në shpirtin e saj, në unitetin e saj të brendshëm.
Shqipëria është një demokraci elektorale, por që nuk ka arritur të bëhet një demokraci liberale, seose nuk garanton respektimin e lirive civile, nuk mbron dot jetën, një operim të fuqishem të sundimit të ligjit dhe rendit, një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, nuk ka bërë një proces dekomunistizues dhe të transparencës së dosjeve të diktaturës, një shkëputje të plotë nga nepotizmi, klientelizmi e korrupsioni. Shteti shqiptar sot gjendet nën veprimin e kastave sunduese dhe kontrolluese të institucioneve, të ekonomisë dhe strukturave të padukshme, nën një kontroll të plotë të jetës së brendshme politike nga parti që janë ose klienteliste, ose jo demokratike.
Përveçse rezultat i trashëgimisë së sipërpërmendur dhe e veçorive që mban të ndrydhuna bota e prapambetur sociale e kulturore shqiptare, ajo është ndër të tjera rezultat i një kushtetute të mangët të vitit 1998, të cunguar më tej në vitin 2008. Pra, jeta politike shqiptare është prodhim edhe i sistemit të ngritur pamjaftueshmërisht. Ajo kushtetutë e ka vendosur jetën e brendshme politike para tronditjeve të thella, të cilat riciklohen, sa herë që lind nevoja e zgjidhjeve institucionale të radhës, sa herë që afrohen zgjedhje e duhet të bëhen emërime. Vendi ndodhet para nevojës për një kushtetutë të re, të detajuar, të hollësishme dhe korigjuese të sëmundjeve që po e bëjnë të vuajë Shtetin e Shqipërinë, një kushtetute që rindërton unitetin tone të brendshëm nacional dhe kulturorë.
Kësisoj, jo kthimi në kornizën konstitucionale të vitit 1998, që do i mbajë gjallë serish padrinot e së keqës në Shqipëri, pronarët e paligjshëm të pronave të Publikut, por reformimi në disa prej kapitujve themeltarë të Kushtetutës (Rolin e Kreut të Shtetit, rindërtimi i sistemit të Drejtësisë, një kapitull të gjërë shtesë mbi Krahinat dhe grupimet kulturore, përfaqësimin e tyre dhe një kapitull mbi mënyrën e krijimit të një qeverie të balancuar kulturalisht dhe krahinarisht) siç bëri Italia në vitin 2001, ose reformimi tërësor i sistemit Kushtetues nepërmjet transformimi të Republikës së pastër Parlamentare në Republikë Gjysëm-Presidenciale (President Parlamentary), do të ishte qasja më e arsyeshme. Vetëm kështu Shqipëria do të hyjë realisht në fazën e Republikës së saj të Pestë (këtë reformim e kanë bërë përgjithësisht disa prej vendeve postkomuniste që kanë synuar përforcimin e veprimit reformativ në rrugën integruese dhe kanë dashur njimendësisht vendosjen e veprimit të shtetit ligjor dhe integrimin serioz europian. Ky transformim në këto vende është kryer nën shembullin e Francës së 1958-ës që iu desh të minimizonte rolin e partive politike viktima të klientelizmit dhe korrupsionit).
Hapi i parë që do i duhet të zgjidhë shumica e re, jo pa pjesmarrjen e opozitës, mendoj se mund të jetë Reforma Konstitucionale, që do i hapë rrugën me tej reformës institucionale, reformës së sistemit gjyqësor, reformës administrative të ndarjes së re të qarqeve, bazuar në veçoritë krahinore dhe kulturore. Madje, nuk mendoj se mund të përfundohet një reformë administrative territoriale, pa kryer një reformë kushtetuese. Klasës politike shqiptare, ndihmar prej forcave të kualifikuara intelektuale të fushës së konstitucionalizmit, do i duhet të bëjë zgjidhjen në mes transformimit të Republikës, në Parlamentare me President Korrektiv (Parlamentary with President), apo transformimit të plotë të Republikës drejt Gjysëm Presidencializmit (President Parlamentary).
Në qoftë se parimisht do të mendohet që të ruhet Republika Parlamentare, ajo do të mund të transformohet së paku në Parlamentary with President, sepse kështu siç është, ndodhet në impasse të rëndë dhe në pamjaftueshmëri totale vepruese. Në këtë rast, ndryshimi kryesor që mund të bëhet në sistemin tonë është zhvendosja e pozicionit të Kreut të Shtetit, nga një institucion i dobët, në një institucion në mënyrë të moderuar i fuqishëm, ose krejt i fuqishëm, gjë që është e mundur edhe për sistemet parlamentare me mjaft shembuj në Europë. Rasti më tipik është ai i Republikës Italiane ku Presidenti i Republikës është një organ monokratik, i paanshëm, apolitik, që nuk ushtron funksione aktive të qeverisë, por ka detyren e rëndësishme për të vëzhguar nga sipër të gjitha pushtetet dhe për të respektuar ekuilibrat e parashikuara nga Kushtetuta, në mes organeve të ndryshme të shtetit. Synimi vëzhgues është që presidenti të kontrollojë që asnjë institucion të mos mbivendoset mbi të tjerët dhe të verifikojë që janë të kontrollueshme parimet dhe vlerat themeltare të sanksionuara nga vetë themeli i shtetit. Në rast se do të vendoset që Republika jonë të mbetet edhe në vijim një Republikë Parlamentare, ajo duhet të behët edhe me një institucion Presidencial të fuqishëm (Parlamentary with President), rolit i Kreut të Shtetit do të duhet të ridimensionohet; atij do të duhet t’i artikulohen dhe shtohen qartë pushtete të rëndësishme që lidhen me funksionet legjislative, ekzekutive, perveç atyre juridike që i ka, dhe njëkohësisht pushtetet ndërmjetësuese e të vëzhgimit të interesave të Publikut, që më situacionin aktual juridiko-konstitucional janë munguese (Shqipëria ka një kushtetutë Pure Parlamentary).
Palët politike shqiptare, pikërisht për këtë mungesë, kanë luajtur të qeta, pa asnjë arbiter të brendshëm dhe janë ballafaquar mes vehtes egërsisht dhe me kosto destabilizuese, sa herë interesat e tyre, jo publike e jo parimore, janë vënë përballë. Institucionit të Kreut të Shtetit do t’i duhet t’i forcohen kompetencat e nxjerrjes së akteve me drejtim presidencial, sidomos ato që kanë të bëjnë me emergjencat politike në vend. Por, sa më sipër, a është e gjitha çfarë ofron një Republikë Parlamentare me President Korrektiv?
Unë mendoj se transfomimi i sipërshënuar do të përmirësonte ndjeshëm Rolin e Kreut të Shtetit si arbitër ndër-institucional, shprehes i interesave të Publikut në tanësi dhe si garant i rendit, por se nuk do të zgjidhte një sëri sëmundjesh të rënda të Shtetit, të politikës shqiptare, nuk do të ndalonte kontrollin e politikës nga krimi i organizuar dhe monopolet dhe mbi të gjitha do ruante edhe më tutje kontrollin partiak mbi kompozimin e ekzekutivit, ndërhyrjen e partizave të vogla e simpatizantëve të tyre në rrjepjen e Ekzekutivit të Shqipërisë, e për rrjedhojë vendi do të gjendej edhe më tutje nëm një destabilitet në vijimësi, nën një transformizëm politik permanent, kapluar nga një sistem i drejtësisë nën kontrollin e ekzekutivave, të interesave të domenit antiligj të Juridikut, apo nën një trafik të dhimbshëm interesash klienteliste dhe nepotike mes individëve të institucioneve.
Në qoftë se një reformë e thellë e sistemit nuk do të ndërmerret, unë mendoj se Principal-Agency Problem do të jetë një fenomen që do ta shoqërojë edhe qeverisjen e ardhshme, pasi është kjo kornizë konstitucionale parlamentare që e prodhon.
Kësisoj unë mendoj se një reformë rrënjësore konstitucionale, që do të ndërmerrte plotësimin e të gjitha boshlleqeve ligjore dhe njëkohësisht do të parashikonte mekanizmat ligjore konstitucionale për shamngien e ligësive të sistemit politik dhe sëmundjeve të lindura nga sistemi, do të ishte një prej mënyrave të shpëtimit dhe Shërimit të Republikës, Shpetimit të Shtetit dhe institucioneve të tija tashmë shumë të kompromentuara dhe të padenja për të qenë pjesë e familjes europiane.
Unë mendoj se Republika e Pestë e Shqipërisë do të duhet të jetë një Republikë Gjysëm Presidenciale, e kuotuar teorikisht si: President-Parlamentary.
Nevoja per një republike gjysëm-presidenciale është e lidhur me kërkesat në rritje të opinionit të shëndoshë të këtij vendit për pjesmarrjen e forcave intelektuale jo partizane në qeveri, me domosdoshmërinë e një shkëputjeje më të madhe të interesave partiake nga drejtimi qeveritar, me reduktimin e incentivave për politikanet e zgjedhur në kontrollin e portofoleve ministeriale dhe departamentale. Në qoftë se do të duhet të rreshtojmë disa arsye për këtë transformim, unë do të vendosja:
1. Zvogëlimi në mos zerimi i ndërhyrjes së partive politike mbi portofolet qeveritare; kodifikimi i mënyrës dhe forcës së kontrollit të partive mbi të njejtat; 2. Nevoja e ndërhyrjes së faktorit unitet i kombit dhe institucionit përfaqësues i interesave të Publikut në kompozimin e qeverisë. Në sistemin gjysëm-presidencial kabineti do të jetë produkt i negociatave në mes Presidentit dhe Kryeministrit, e për rrjedhojë ky komponent i dytë do jetë më aktiv; 3. Dobësimi i marrëdhënieve parti-qeveri, që përbën një domosdoshmëri në sistemin shqiptar, mbasi përdorimi partizan i qeverisjes, po rrënon qendrueshmërinë administrative, performancen dhe ekspertizën e administrates, sjelljen e përgjegjshme ndaj publikut që kjo administrate duhej të mbajë; 4. Nevoja për sigurimin e kontrollit të disa portofoleve të rëndësishme nga ana të besuarve të Kreut të Shtetit dhe këtu kam parasysh, së pari, vetë Kryeministrin, që nuk mund të jetë më një sfidant i Presidentit, por një bashkëpunëtor në të mirë të interesave publike; ministrin e financave, atë të jashtem, ministrin e mbrojtjes dhe atë të drejtësisë. Të gjithë këto tagra kushtetues i japin Presidentit të Republikës, një ndikim më të madh mbi politiken dhe më shumë patronazh pushtetesh, duke reduktuar rolin e partive politike, klientelave partiake dhe atyre familjare, që në këtë vend janë bërë tmerr për njërëzit e thjeshtë që duan të kenë shpresë në të ardhmen. Ky hap, mendoj unë, është një mekanizem kushtetues që mund të ulë ndikimin e partive në ndërtimin e qeverive, sidomos mbi dikasteret kryesore të tij, minimizon kthimin e dikastereve të akorduara partive në koalicion, në domene grabitjeje partiake dhe hap rrugën drejt depolitizimit real të administrates së lartë të Shtetit. 5) Sistemi gjysmëpresidencial i formatit President-Parlamentary, hap rrugën për përfshirjen në qeveri të një përqindjeje të spikatur ministrash teknicienë, të cilët tipikisht kanë një përgatitje të caktuar administrative, janë jopartiakë dhe janë të caktuar për shkak të ekspertizës së tyre teknike. Formati i lartpërmendur hap rrugën edhe për emërimin e teknicienëve nga bashkësitë fetare minoritare, të harruara nën ombrellat partiake, madje edhe të përsekutuara në heshtjen e një shteti pa vetëdije, nga individët me paragjykime të trashëgueme nga e kaluemja. Rasti më tipik është goditja sistematike që po kryhet aktualisht ndaj qytetarëve të Shkodrës në administratën qendrore, veçanërisht në administratën e Parlamentit dhe në disa prej dikastereve kryesore. Ky është një zhvillim për t’u shënuar nga ndërkombëtarët para vendimit mbi dhënien e statusit Shqipërisë. Pozita aktuale do të duhet të kuptojë se Shqipëria është edhe atdheu i atyre që nuk aderojnë në asnjë parti politike dhe që kanë madje alergji për ato dhe për prerjet e tyre antidemokratike dhe klienteliste. Formati aktual kushtetues u mundëson partive të shmangin përgjegjësitë, përndryshe reforma në kuptimin e përshkruar më sipër i përfshin shqiptarët pa dallim në sistemin politik dhe administrativ. Ndjehem shume i shqetesuar qe administrata e re e ketij vendi nuk e kupton se Parlamenti Shqiptar eshte nje Parlament Pluralist, nuk eshte Kuvendi i RPSSH, ku punesoheshin vetem te besuarit e PPSH. Parlamenti i Republikes se Shqiperise eshte nje Parlament Pluralist dhe per rrjedhoje edhe administrata e ketij intsitucioni, pervecse pluraliste eshte edhe nje administrate e depolitizuar, ne te cilen ka vend edhe per nejrezit pa parti, te cilet perbejne shumicen e qytetareve dhe jane ata qe e respektojne me se shumti Shqiperine, Qytetarin dhe Shtetin. Shqiperia eshte edhe e atyre .Nuk e mendoja kurre qe nen justifikimin e heqjes se te paafteve, te mirenjohurve te kotesise se administrates se djeshme, senksereve dhe injoranteve te administrates se djeshme, do te goditeshin , vetem dhe vetem, qytetaret e denje e te pambrojtur te ketij vendi, te shkolluarit ne universitetet me te mira perendimore, pinjollet e atyre familjeve qe e krijuan Shqiperine, arsimin shqiptar dhe administraten shqiptare, ata qe i sherbyen me devotshmeri qytetareve dhe qe i bene te flasin sot gjuhen shqipe. Mbi te gjitha, nuk e mendoja se nen administraten e kryministrit Edir Rama, do te ndermerrej nje gjueti e paskrupull kunder qytetareve normale te Shkodres, nga ekipet banditeske te dy partive pozitare. 6. Një element tjetër shumë i rëndësishëm që do të duhet të korigjohet në rastin shqiptar është shmangia e kontrollit politik të qeverisë nga partitë që vendosen në bashkëpunim dhe kalimi nën një kontroll të dyfishtë institucional i qeverisë, nga më shumë se një institucion i zgjedhur. Në republikën gjysëm-presidenciale karakteristike është përgjegjshmëria duale politike e qeverisë ndaj Parlamentit dhe ndaj Presidentit, gjë që përbën karakteristiken përkufizuese të sistemit miks parlamentar dhe presidencial.
Republika gjysem-presidenciale e implementuar për herë të parë me kushtetutën franceze të vitit 1958, është konceptualizuar për herë të parë teorikisht prej Maurice Duverger në vitet 1970’ (Alan Siaroff, Comparative presindencies: The inadequancy of presidential, semi-presidential and parliamentary distinction, in European Journal of Political Researche, 42, 287-312, 2003). Ky tip regjimi politik përmban tre karakteristika themelore, secila ndertuar për një funksionalitet të caktuar korigjues të sistemit parlamentar: (a) Presidenti i zgjedhur me votim të përgjithshëm, (b) zotëron pushtete të konsiderueshme dhe (c) ka përballë një kryeministër e ministra të cilët zotërojnë pushtete ekzekutive dhe qeverisëse dhe mund të qendrojnë në detyrë vetëm në qoftë se parlamenti nuk shfaq opozicion ndaj qeverisë. Nga ana e tij Giovanni Sartori, regjimeve gjysëm-presidenciale u mvesh pesë karakteristika:1. Kryetari i Shtetit (Presidenti) zgjidhet me votë popullore, për një mandat të caktuar; 2. Ai e ndan pushtetin ekzekutiv me Kryeministrin, duke krijuar kështu një strukturë autoriteti dual, strukturë, e cila përmban këto tre kritere vijuese: 3. Presidenti është i pavarur nga Parlamenti, por nuk mund të qeverisë vetëm ose drejtëpërdrejtë dhe prandaj vullneti i tij duhet të përcillet përmes qeverisë së tij; 4 në mënyrë të përkundërt, Kryeministri dhe Kabineti i tij janë të pavarur nga Presidenti për sa kohë ato janë të varur nga Parlamenti: Kryeministri dhe Qeveria janë subjekte të votëbesimit dhe mosbesimit të parlamentit dhe në të dyja rastet është e nevojshme mbështetja e një shumice parlamentare; 5 Struktura duale e autoritetit të gjysem-presidencializmit jep mundësi për balanca të ndryshme dhe zhvendosje në mbizotërimin e pushtetetit në mes ekzekutivit, nën kushtin strikt që ‘autonomia potenciale e seciles njësi përbërëse të ekzekutivit mbahet në jetë”. (G. Sartory, Semi-presidentialism: A political model at work, in European Journal of Political Researche, 31, 1994, faqe 128-137).
Nga pikpamja sistematike dhe përmbajtësore, më precise, është për mendimin tim, ndarja e Matthew Shugart, që sugjeron këto katër tipe regjimesh politike, të cilat ne, jo rastësisht i përdorëm në tekstin pararëndës: 1. Regjim të pastër Presidencial; 2. Premier- Presidencial; 3. President-Parlamentary; 4 Parliamentary with President dhe 5 pure Parliamentary (Shugart, M.S. (1993) Of Presidents and Parliaments, East European Consitutional Review 2, faqe 30-32).
Duke e konsideruar Republikën e Shqipërisë një republikë të pastër parlamentare, (tashmë të dalë mode e të dekompozueme nga funksionaliteti e efikasiteti), vëmendja jonë për reformën, nëqoftëse ajo do të vendoset për t’u kryer, do të duhet të përqendrohet në transformimin e Republikës sot drejt gjysem-presidencializmit, që në vetvehte përmban dy kategori kryesore:, atë Premier-President dhe atë President-Parlamentary. Një vend i vuajtur ky i yni, nën tiranë të vjetër e të rinj, nën korrupsionistë dhe gangsterë politikë, besoj se nuk e ka të këshillueshme të kopjojë modelin rus të një republike gjysëm-presidenciale, të tipit Premier-President. Presidenti i fuqishëm edhe konstitucionalisht në një vend si i yni, do të ishte një kondicion katastrofal i gatuar me duar e popullit dhe votën e tij. Një vend i prapambetur dhe me një traditë politike liberale të kufizuar si Shqipëria, do të pësonte kështu një dëm shumë të madh në aspektet e lirisë e ruajtjes së përgjegjshmërisë shtetërore. Shqipëria mbase do të duhej të përqendrohej më së shumti në rastin francez të gjysëm-presidencializmit, ose atë çfarë mund të konsiderohet kategoria President-Parliamentary, në të cilen Presidenti nuk ka pushtete formale për të shkarkue një qeveri që mbështetet në një maxhorancë, por ka pushtete të mjaftueshme për të ndarë me këtë qeveri pushtete ekzekutive dhe për të ndikuar në formimin e një qeverie të tillë të bazuar edhe në teknicienë. Në një rast të tillë do kishim një President që do të bashkëjetonte edhe me një Qeveri opozitare me atë shumicë me të cilën ai zgjidhet. Pozicioni i Presidentit dhe pushtetet e tij për shkarkimin e qeverisë, ndryshojnë varësisht trendit politik dhe vendosjes në linjë politike të Presidentit, Kryeministrit dhe Parlamentit. Edhe një gjë tjetër për t’u saktësuar: pushtetet e presidentit në një republikë gjysëm-presidenciale të tipit President-Parliamentary, për të shkarkuar qeverinë vertetë ekzistojnë, por ato janë vetëm një aspekt i pushtetit të presidentit dhe përdorimi i këtij pushteti në praktikë nga kushtetuta imponohet në mënyrë logjike dhe jo në mënyrë autoritare. Gjithashtu ndikimi i Presidentit bëhet krjetësisht i dallueshëm në dikasterin e punëve të jashtme, në të cilin kontrolli i çdo partie fituese duhet të zhduket plotësisht dhe pjesmarrja e teknicienëve në diplomaci duhet të jetë i vetmi kriter përzgjedhjeje. Shqipëria ka vuajtur dhe po e vuan ende këtë. Mjafton të shikosh vetëm projektimet e papërshtatshme të realizuara nga ekzekutivi aktual në muajin e fundit në diplomaci, për të kuptuar se jemi në një rreth vicioz ripërsëritjeje të kotësisë, injorancës, tarafit, borxhit dhe afinitetit politik me të djeshmen diktatoriale.
Në fund duhet të theksojmë se në rastin e përzgjedhjes së Presidentit, duhen kuotuar edhe dy parametra plotësues: a. kriteret intelektuale, qytetare dhe gjithpërfshirëse të statures presidenciale; dhe b) ndërtimi i Institutit të Impeachment-it.
Publiku dhe ndergjegja e dlirët qytetare e intelektuale e këtij vendi, janë të interesuar që sistemi të ndryshojë, të bëhet më kompatibël, më demokratik, më i kontrollueshëm nga masa e gjërë e zgjedhësve. Mendoj që situacioni aktual i sistemit me një regjim parlamentar kaq të dobët sikurse është ai i krijuar nga kushtetuta shqiptare e 1998, nuk e plotëson këtë deshirë të përhapur në shoqëri. Janë vetëm partitë e mykura shqiptare, me demokraci të brendshme të shkatërruar, ata që e ruajnë këtë status quo kushtetuese dhe ligjore, mbasi fatet e tyre janë të lidhura reciprokisht në ruajtjen e kësaj kornize, të këtij kontrolli, të këtij fuzioni anarkik ekzekutiv-legjislativ dhe kësaj përgjegjshmërie foshnjërake në zgjedhjet parlamentare. Por Shqipëria nuk është e tyre.
*Romeo Gurakuqi
Universiteti Europian i Tiranës, Instituti iHistorisë Bashkëkohore
Tiranë, 11.12.2013
SAMI says
KTO POLITIKJ AKTUAL JAN KRIMINALIZU E NUKJAUNIN PËR çËSHTJE INSTITUCIONESH AS KOMBTARE NE DUHET ME MODERNIZU GJITH STAFI POLITIK KU DUHET TAKEMI PARASYSH QË NJERZIT ME VIZIJON TKEN PRIVILEGJA EJO MATRAPAZA APO TËSHITUR NËVENDE TËNDRYSHËM QË I SHËRBEJN QETËRKUJT.