Zëri unik i poetit Xhevdet Bajraj në vëllimin “Copa ime e qiellit”/
NGA VIOLETA ALLMUCA/
Shkrimtare/
Në çdo kohë poeti gjithnjë vështron diçka të padukshme brenda e jashtë qenies së tij. Pastaj ai e zbulon botën nëpërmjet fjalës, ëndrrës, kohës, endjes, dashurisë, vetmisë, kujtesës apo metaforës duke e bërë botën të dukshme. Në qiellin e madh poeti Xhevdet Bajraj kërkon hisen e tij. Në zgjim, vargjet pothuajse melankolike i lindin pa pikëpyetje, i rrjedhin si mollët e pjekura, i qasen si atdheu, e përgjumin mbi një cigare të fikur. Në tymin e saj është liria, helmi, rrezet e fshehura të diellit. Aty është edhe poeti, koha dhe hapësira e tij poetike. Më herët kam lexuar disa poezi të Xhevdet Bajrës dhe jam befasuar. Në thelbin e tyre kam zbuluar, se autori që kishte ardhur nga një qytezë e vogël e trojeve shqiptare shkruante më shumë për dimrin e vendlindjes se sa për verën djegëse të Meksikës. Pra Bajraj i ishte nënshtruar poezisë po aq sa i është nënshtruar paqes, vendlindjes, emocioneve, jetës e realitetit. Xhevdet Bajraj është një profet i artit të fjalës dhe na bën ne të flasim me poezinë, me botën, me kohën duke krijuar hapësirën e tij artistike. Teksa përdor figurat letrare për të ngjizur vargun, ai u jep atyre jetë dhe zë për të komunikuar me njeriun. Poeti kërkon vetëm një udhë, aty ku shkohet tek vargjet, ku gjen frymëzimin, dhimbjen, shpresën edhe kur ka pezm. Prandaj poezia e tij ka peshën e fjalës, si aleatin më të mirë të krijuesit. Çka është më e veçantë, Bajraj i bindet poezisë po ashtu siç edhe poezia i përulet poetit. Secili ka trashëgiminë e tij. Gjatë ditënatës ata kanë diellin dhe hijen e tyre. Mëngjeseve fjala kryqëzohet nëpër imazhet e fytyrës së njeriut, atij njeriu që nuk i mungon asgjë, përveç hapat në një tokë ku ka lënë peng shpirtin. Ai bën dialog me vargjet duke përdorur ndjenjën e brendshme për të kërkuar të vërtetën filozofike, kundër së keqes, ose monolog me veten kundër konfliktit njerëzor. Duke urryer luftën ky poet i lirë është i dashuruar me lirinë. Kurrë nuk kam pranuar që një shkrimtar ta krahasoj me një të ngjashëm si vetja e tij, pasi nga ngjashmëritë nuk duhet të përfitojë askush. Poetët nuk mund t’i zgjidhin problemet e globit por mund të shkojnë tek krijimi nëpërmjet lirisë së fjalës. Vetja e vërtetë e këtij poeti krijon një fluks paralel me botën e madhe përreth lirisë njerëzore. Ja çfarë shkruan ai tek poezia: “Në këngën time”: Nëse në këngën time hasni një njeri, në ditën me diell, tek pi ujë në lumë, me gjunjët mbi gurë, e lini të qetë, ai u lind i lirë. Të gjithë poetët i këndojnë lirisë, por me zërin tokësor poeti Bajraj shkruan për lirinë e munguar të atdheut të vërtetë. Secili i këndon lirisë sipas kultit të tij! Liria nuk ka hapësirë. Është e pafund. Pse Bajrës i rikujtohet atdheu? Sepse ai sigurisht i mungon. Pa atdhe sipas gjasave nuk mund të ndjehesh i lirë. Mund të zenë dhimbjet, të shfaqen sëmundjet, të shohësh ëndrra dimri. Kjo është pastaj një zhgjëndër e vërtetë. Le të shohim përsëri vargjet e tij. Në poezinë “Maja e vetmisë” poeti shkruan: Diku në dhe të huaj, në emër të lirisë, bredh nëpër botë, apo në poezinë: “Valle me Fyell” poeti thotë: Lumi i gjakut doli nga shtrati, Ç’ves, dikush jeton përditë, e unë përditë vdes! Në poezinë “Paqe” Xhevdet Bajraj revoltohet nga mëkatet kundër lirisë: Botën e përzë nga dhoma me të mbyllur dritaren, flamurin kuqezi e ruaj për varr. Një poet me kulturë universale me ide e një stil po aq universal në boshtin e origjinalitetit të tij poetik sjell atë, që në poezinë e sotme njihet si çlirim i shpirtërores. Çdo varg i këtij poeti ka një metaforë. Ky frymëzim magjik me ndjeshmëri të thellë, me fuqinë e fjalës, realisht i bën vargjet që t’i përshkojë një rrymë e brendi dashurie të cilat na bëjnë ta konsiderojmë këtë poet, një vlerë të madhe të poezisë shqiptare. Tek lexoj me emocione poezinë “Diku Përtej Oqeanit” më lind pyetja: pse shamija e dhimbjes ndjek diellin dhe pëllumbi ulet mbi një gur varri, si plis i gjallë, ku diku përtej oqeanit, një burrë qan shqip. Sa madhështi ka poeti në këtë poezi meditative veshur nga metaforat! Kush qan përveç një poeti kaq të talentuar? A nuk i ka poeti ëndrrat, pëllumbat, varret, simbole poetike dhe pse ëndërron vetëm shqip? Pse ëndrra kthehet në vargje për një copë Shqipërizë? A është Xhevdet Bajraj një poet që burim frymëzimi ka atdheun dhe që ende bën lutje shqiptare? A ka poezia e Bajrës reflekse surrealiste? E kam menduar edhe këtë! Ai shkruan për ëndrrat e njeriut shqiptar, ashtu siç shkruan edhe për botën, pasi trualli i tij poetik lutet për paqe! Krijuesi e ka fituar betejën me poezinë duke e mbushur atë me jetë. Tipizimi universal i spektrit krijues përshkohet nga mesazhe të thella ku emocioni dhe perceptimi i dedikohet një ëndërrimtari të përjetshëm të shpirtit njerëzor. Tek profili i tij krijues janë ngjizur bashkë nëpërmjet ideve filozofike, talenti artistik dhe identiteti poetik. Është mesazhi që vjen nga gjuha e shpirtit e cila është gjuha e të gjitha poezive që të magjepsin me shprehësinë dhe vizionin e lirisë universale e cila harmonizon energjinë e krijuesit me vargun e lirë, formën dhe figuracionin. Tematika poetike e ndjeshme për lexuesin e gjerë do ta bënte këtë poet të mrekullueshëm të udhëtonte me lexuesin në ballë të poezisë shqipe dhe më gjerë. Ai është padyshim sot njëri nga poetët më të mirë që ka krijuar përmasën e tij të veçantë artistike, një mjeshtër i vargut të zgjedhur me fuqinë e shprehjes letrare, me një ndjeshmëri të thellë dhe gjuhë të pastër shqipe e cila latohet e sjell tingullin poetik. Ai e shndërron ëndrrën në një himn poetik. Ja një poezi që më ka mbetur në mendje “Ëndërrime“: I strehuar në një shpellë të fildishtë, lëpij plagët në hijen e kujtimeve, O Zot, më fal që ëndërrova aq shumë, dashuria ishte tepër larg, e jeta ishte tepër e shkurtër. Ai e kthen në shpresë e dritë të pafundme ndjenjën e prekshme rrezatuese, të bukurën e dhembjen si një vlerë estetike me frymë. Ta bësh këtë nëpërmjet vargjeve është një akt përpos artistik edhe njerëzor. Është si ta pushtosh botën dhe njeriun pa luftë, por me dashuri. Këtë mund ta bëjë vetëm një poet unik që na ka pushtuar të gjithëve duke ëndërruar dhe kënduar shqip në universin e madh të poezisë.