Nga Agron Alibali/
“Po pas Rezolutës çfarë hapash do të ndërmerren” – pyeste para disa ditësh një analist i shquar shqiptaro-amerikan i çështjeve ballkanike gjatë një bisede me të në lidhje me projekt-rezolutën për çështjen çame. Por çfarë janë rezolutat në përgjithësi dhe sa mund të ndikojë projekt-rezoluta e paraqitur së fundmi për zgjidhjen e çështjes çame?
1. Dy fjalë për rezolutat në përgjithësi
Rezolutat përgjithësisht janë deklarata juridike të ndërmarra nga një trupë legjislative e brendshme ose nga një organizëm ndërkonbëtar. Si të tillë, rezolutat kanë efekte të ndryshme në varësi të forumit ku diskutohen dhe miratohen.
Në të drejtën ndërkombëtare, përmenden për shembull, rezolutat e Këshillit të Sigurimit apo të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të cilat përgjithësisht pranohet se shprehin vullnetin e komunitetit ndërkombëtar për çështjet të ndryshme që e shqetësojnë atë. Si të tilla, Rezolutat e OKB-së përbëjnë burim të së drejtës ndërkombëtare dhe në disa raste kanë fuqi detyruese në rrafsh ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, në të drejtën e brendshme rezolutat përgjithësisht kanë karakter thjesht deklarativ. Në të drejtën amerikane përgjithësisht rezolutat e dhomave të veçanta të Kongresit janë instrumente procedurale jo- detyruese dhe nuk ngërthejnë forcën e ligjit. Ka edhe rezoluta me karakter të mirëfilltë politik, që nuk shprehin qëndrimin e qeverisë amerikane. Të tilla kanë qenë, për shembull në senatin amerikan, dy rezoluta për “vorioepirin” në vitin 1922 dhe në vitin 1946, që edhe pse të propaganduara me forcë nga qarqe shoviniste greke sikur kinse përfaqësonin qëndrimin e Shteteve të Bashkuara, janë hedhur poshtë nga Departamenti amerikan i Shtetit madje edhe në demarshe diplomatike me qeverinë shqiptare. Në Kongresin amerikan janë miratuar edhe një Rezolutë për nderimin e 600 vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe për Festimin e Datës 28 tetor si Dita e Kastriotit. Po ashtu, me 28 nëntor 2012 Kongresi amerikan miratoi një rezolutë për nderimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kuptohet se vlefta e këtyre dokumenteve në të drejtën e brendshme amerikane dhe më tej është më se e neglizhueshme.
Edhe në të drejtën parlamentare kontinentale evropiane rezolutat e ruajnë karakterin e tyre deklarativ ose procedural. Në të drejtën franceze rezolutat janë veprimi procedural ligjor i njërës prej dhomave të Parlamentit francez dhe pra nuk kanë fuqinë e ligjit. Po ashtu, rezolutat përdoren si akt procedural për të ndryshuar rregulloren e brendshme të Dhomës së Ulët dhe të Senatit.
Në të drejtën italiane rezolutat janë akte me të cilin Parlamenti i drejtohet qeverisë, mbas një debati apo mocioni. Ato kanë karakter politik dhe jo-detyrues.
2. Rezolutat në të drejtën shqiptare
Në të drejtën shqiptare rezolutat nuk parashikohen në Kushtetutë, kurse në Rregulloren e Kuvendit përmenden vetëm në Kreun VIII, Neni 55, për Kuorumin. Rrjedhimisht, nga pikëpamja doktrinare vlefta juridike e tyre në legjislacionin e brendshëm shqiptar është pak të themi e diskutueshme.
Nga pikëpamja e praktikës kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë, gjithsesi, ka miratuar një numër rezolutash, që përgjithësisht kanë më shumë vlerë deklarative. Ndër mbi 90 rezolutat e miratuara nga viti 2005 deri më tani shumica dërrmuese e tyre janë shprehje “vlerësimi” për organe të ndryshme të administratës së shtetit shqiptar, si KQZ, Prokuroria e Përgjithshme, Banka e Shqipërisë, ERE, KKRT, Këshillit Drejtues të RTV shqiptar, etj. Tre Rezoluta kanë të bëjnë me Kosovën, një merret me vizitën e Presidentit amerikan Bush në Shqipëri dhe një rezolute është për integrimin evropian.
Nga teksti dhe tematika e tyre kuptohet qartë se në të drejtën shqiptare vlera juridike e rezolutave është mëse e kufizuar.
Le të kthehemi tash tek Projekt-Rezoluta për çështjen çame, e paraqitur së fundi nëpërmjet shtypit shqiptar.
3. Projekt-Rezoluta: arritje dhe mangësi
Para se të përqëndrohemi tek përmbajtja, le të analizojmë shkurt momentin e paraqitjes së saj. Natyrisht zgjedhja e 10 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut – e ve Rezolutën në kontekstin e duhur. Dhe s’ka se si të jetë ndryshe: Çështja çame është dhe mbetet çështje e të drejtave të njeriut, ndryshe nga deklarimet “kombëtariste” që dëgjohen poshtë e lart.
Mirëpo këtu nuk mund të mos vërejmë se dhjetori 2012 është edhe prag zgjedhjesh parlamentare. Madje, në fakt, fushata ka filluar qysh tani. Pra, momenti i gjetur për këtë nismë të rëndësishme, nolens volens, e nënvleftëson vetë nismën, pasi ia nënrendit çështjen çame garës së ashpër të pritshme zgjedhore.
Po ashtu, Rezoluta i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë pikërisht pasi Ministri i Punëve të Jashtme ka deklaruar botërisht se çështja çame është në krye të agjendës diplomatike dyshtetërore madje do të përcillet edhe në instanca ndërkombëtare. Ky qëndrim i drejtë i kreut të diplomacisë shqiptare është në përputhje të plotë me qëndrimet e kahershme të shtetit shqiptar – pavarësisht nga dallimet politike – dhe që është përcjellë edhe në qëndrimet e presidentëve Alia, Berisha, Meidani dhe Moisiu. Qëndrimi i Ministrit të Jashtëm përputhet dhe me vendimet e kuvendeve historike të minoritetit çam, atij të Shalësit të shtatorit 1944 dhe të Vlorës të një viti më pas.
Për më tepër, aktivizimi i diplomacisë shqiptare sjell në vëmendje ndryshimet thelbësore në rrethanat kombëtare e ndërkombëtare që lidhen me çështjen çame. Përmendim këtu vetëm se sot Shqipëria dhe Greqia janë dy vende mike dhe aleate në NATO dhe pra Greqia e sotme nuk është ajo e Zervës në vitet 1940, por një vend demokratik dhe i zhvilluar, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike të kohës. Pra, parë në këtë prizëm, nisma e fundit e dy deputetëve duket si njëfarë kontrapedali ndaj përpjekjeve serioze të diplomacisë shqiptare dhe, për më tepër, vështirë të mos lerë përshtypjen e një nisme me përfitime politike elektorale.
Mirëpo çështja çame – si çështje e të drejtave të njeriut – nuk mund dhe nuk duhet kurrsesi të përdoret për qëllime politike elektorale apo personale. Vlen të përmendim këtu se ka tash katër vjet që nuk është bërë asnjë përpjekje institucionale për çështjen çame në kuadrin e Këshillit të Evropës, institucionit themelor evropian të të drejtave të njeriut, edhe pse kuvendarë shqiptarë janë anëtarë me të drejta të plota të Asamblesë së tij Parlamentare.
Sa i takon përmbajtjes, teksti i Projekt-Rezolutës dhe i Materialit Shpjegues natyrisht që ka vlera. Aty shikojmë pak a shumë një përmbledhje të problematikës së marrëdhënieve ndërshtetërore shqiptaro-greke, të trajtuara deri diku me kompetencë.
Mirëpo këtu qëndron edhe problem i parë me Projekt-Rezolutën. E titulluar “Mbi zgjidhjen e çështjes çame”, Projekt-Rezoluta duhet të përqëndrohet vetëm tek kjo çështje. dhe jo të rrokë tërë problematikën greko-shqiptare. Mirëpo pika 2 lë përshtypjen se mbulon shtetasit shqiptarë që humbën të drejtat e tyre pronësore në Greqi si rrjedhojë e ngjarjeve të Luftës II Botërore. Natyrisht që nga Ligji i Gjendjes së Luftës preket edhe një numër i vogël i komunitetit çam, i cili para Luftës II Botërore kishte kërkuar të merrte shtetësi shqiptare duke ruajtur të drejtat e veta pasurore në Çamëri. Mirëpo, dihet qartë se Ligji i Gjendjes së Luftës prek kryesisht shtetasit e ish Mbretërisë Shqiptare, sot shtetas të Republikës së Shqipërisë, dhe jo pjestarët e minoritetit çam të strehuar përkohësisht në Shqipëri në vitet 1944-1945, sepse ata ishin shtetas dhe rezidentë të Greqisë të paktën deri në masakrat e qershorit 1944 dhe marsit 1945. Natyrisht që problemi i interesave pasurore të shtetasve shqiptarë jo-çamër në Greqi është tejet i mprehtë pasi cënon seriozisht marrëdhëniet e mira dypalëshe. Mirëpo ky problem duhet trajtuar veçan, dhe nuk duhet ngatërruar me çështjen çame.
Së dyti, ndryshe nga praktika kushtetuese shqiptare – dhe e vendeve të tjera, ku rezolutat përgjithësisht shprehin qëndrimet e legjislativit të një vendi drejtuar ekzekutivit të po atij vendi – pra afirmojnë qëndrime brenda kuadrit rregullator të brendshëm, Projekt-Rezoluta në fjalë shpalos kërkesa [“kërkon” në tekstin original], që janë jashtë jurisdiksionit të drejtpërdrejtë apo sovranitetit të shtetit shqiptar [pikat 2, 3, 4, 7 dhe 8 të saj ]. E thënë ndryshe, Parlamenti i vendit A mund t’i “kërkojë” diçka qeverisë së shtetit të vet A, por jo shtetit B. Zgjidhja e problematikës ndërshtetërore në politkën e jashtme midis dy vendeve çfarëdo diskutohet dhe zgjidhet midis strukturave përkatëse të tyre ku rolin kryesor e ka ekzekutivi, dhe më konkretisht Ministria e Punëve të Jashtme. Vetëm në pikën 11 Projekt-Rezoluta e vendos më në fund qerren pas kaut, duke njohur se, sa më sipër, mund të njëmendësohet nëpërmjet të “kontakteve diplomatike”.
4. Shtetas të Evropës së Bashkuar dhe të Greqisë
Së treti, projekt-rezoluta gabimisht u referohet pjestarëve të komunitetit çam si “dikur shtetas grekë”. Edhe pse sot – për arsye objektive – shumica e tyre kanë pasaporta shqiptare apo të vendeve të tjera, shtetësia e tyre greke nuk mund të mohohet, Këtë madje e afirmojnë edhe studiues grekë. Për shembull, Prof. Cicelikis – vepra e sapobotuar e të cilit ka vlerë të jashtëzakonshme historike e juridike – deklaron pa asnjë hezitim se Dekreti 1645 i vitit 1954 i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë për dhënien e shtetësisë shqiptare pjestarëve të minoritetit çam “nuk ka efekte juridike në lidhje me statusin e shtetësisë greke sipas së drejtës greke”. [Islami i Vjetër dhe i Ri në Greqi, Nijhoff, 2012, f. 314, Shën, 118]. Ai madje zbulon edhe ekzistencën e një urdhëri “sekret dhe urgjent” të Ministrisë Greke të Mbrojtjes drejtuar Prefekturës së Thesprotisë, me numër 50862 dt. 16 dhjetor 1947 ku urdhërohej fshirja e emrave të burrave çamër nga regjistri bashkiak i gjendjes civie (dimotologia) si dhe urdhërin e datës 29 dhjetori 1947 të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, F.9905/13/A2/III për “Fshirjen nga Regjistrat [e Gjendjes Civile] të Meshkujve Muslimanë me prejardhje shqiptare”, akte administrative këto që, edhe sipas studiuesit grek, nuk nënkuptojnë “humbje juridike të shtetësisë”. Me fjalë të tjera, është vështirë të mos pranohet se, de facto, pjestarët e minoritetit çam të Greqisë, të shpërngulur dhunshëm dhe të dëbuar në Shqipëri dhe pasardhësit e tyre, janë shtetas të Bashkimit Evropian dhe të Greqisë. Pa vënë në dyshim qëllimet e mira të Projekt-Rezolutës, vetë përdorimi në tekst i emërtimit “dikur shtetas grekë” duket sikur e paragjykon problemin e shtetësisë dhe cënon thelbin e vetë Projekt-Rezolutës.
5. Krimet ndaj njerëzimit nuk parashkruhen
Së katërti, Projekt-Rezoluta humb në vlerë për atë çka nuk përmend. Me të vërtetë, me përjashtim të përmendjes së “mosndëshkueshmërisë kolektive” në hyrje, dhe të lapidarit për viktimat, Projekt-Rezoluta nuk ka asnjë fjalë për ndërmarrjen e një hetimi të thellë e të ngutshëm nga ana e organeve të specializuara për krimet e pashembullta ndaj njerëzimit të kryera në Çamëri duke u mbështetur në dëshmitë dhe provat e viktimave dhe dëshmitarëve ende gjallë. Nisma hetimore, për më tepër, kërkon hapa të menjëhershme proceduralë për arsyen se ai brez i çamërve refugjatë po na lë përditë dhe se nihilizmi dhe mohimi janë prirja e disa qarqeve të skajshme në Greqi, sikurse u pa edhe në deklarimet e fundit të eurodeputetes ekstremiste Janakou. Me fjalë të tjera ende sot nuk ka dosje të rregullta hetimore për krimet e llahtarshme ndaj njerëzimit që ndodhën në Çamëri dhe kjo është krejt e patolerueshme të paktën për çdo aktivist të të drejtave të njeriut. Madje, nuk ka asnjë arsye që të mos ndërmerren hetime të përbashkëta edhe me organet e prokurorisë greke, për vetë faktin se krimet ndaj njerëzimit të kryera në Çamëri, nuk parashkruhen dhe se vetë shteti i sotëm grek objektivisht është i interesuar për vënien e drejtësisë në vend dhe ka detyrimin për hetimin dhe dënimin e krimeve të llahtarshme të kryera atje.
Në këtë drejtim, është spekulluar mjaft për përfshirjen e një zyre avokatore të huaj në këtë çështje. Mirëpo ajo çka nuk i thuhet opinionit publik është se para ca kohe u përfshinë në këtë proces edhe zyra avokatore vendase. Mbështetur në konventat ndërkombëtare, të drejtën ndërkombëtare penale dhe në të drejtën penale vendase, ato punuan për disa kohë me profesionalizëm dhe madje gratis, por pa gjetur asnjëfarë mbështetje nga askush dhe puna e tyre mbeti në gjysëm.
6. Rezoluta për Çështjen Çame MUND të jetë miratuar qysh në prill 2004
Me 8 prill 2004 Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi në séance plenare Rezolutën për Çështjen Çame. E paraqitur nga Shoqata Çamëria për të drejtat e njeriut, Rezoluta gjeti mbështetje të njëzëshëm dhe u miratua me bashkëpëlqim nga Komisioni Parlamentar i Punëve të Jashtme. Dy javë më pare grupi parlamentar i PS kishte vendosur mbështetjen e plotë ndaj Rezolutës. Pritej vetëm shqyrtimi dhe votimi i saj në seancen plenare. Sipas njoftimeve të agjencive të lajmeve, Rezoluta u miratua me 53 vota pro (opozita dhe vota e deputetit të PS, D. Prifti) 4 vota kundër (PBDNJ) dhe 55 abstenime (PS). Kryetari i seancës e deklaroi Rezolutën të rrëzuar. Kjo deklaratë shkaktoi indinjatën e ligjshme të qindra antarëve të Shoqatës Çamëria, që menduan me të vërtetë se Rezoluta nuk ishte miratuar, dhe më vonë projektuan nismën për ngritjen e partisë parlamentare. Nga shqyrtimi i rezultateve të votimit, por edhe duke analizuar Rregulloren e Kuvendit, del se Rezoluta në seancën e 8 prillit 2004 mund të jetë miratuar, dhe kryetari i seancës ka bërë një lapsus apo gabim procedural.
Me të vërtetë, sipas Nenit 55 të Rregullores së Kuvendit “Kuorumi dhe vendimmarrja në seance plenare”, “Ligjet, vendimet, deklaratat dhe rezolutat konsiderohen të miratuara nga Kuvendi kur për to kanë votuar pro shumica e deputetëve, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit…”. Pra, ky nen përcakton se kuorumi i nevojshëm për miratim në seance plenare është 50% +1, d.m.th 71 deputetë. Kësisoj, pyetja e parë është nëse ishte formuar apo jo kuorumi në séancen plenare? Nga mbledhja e rezulteve të votimit rezulton se në sallë kanë qenë fillimisht të pranishëm 53 + 4 + 55 = 112 deputetë. 28 deputetë të tjerë nuk kanë qenë të pranishëm. Kuptohet që 112 > 71, pra kuorumi në séancen plenare ka qenë formuar. Së dyti, pyetja që shtrohet është nëse në votim Rezoluta u miratua apo jo. Që të miratohej, ajo duhet të merrte shumicën e votave pro të deputetëve të pranishëm, d.m.th. 112/2 + 1 = 57 vota. Nga rezultati mësohet se ajo ka marrë vetëm 53 vota pro, d.m.th. 4 më pak nga numri i nevojshëm. Megjithatë, nga njoftimet e ndryshme mësohet se një numër deputetësh janë larguar nga salla pak para votimit. Me fjalë të tjera, ka shumë të ngjarë që në kohën e votimit në sallë të kenë qenë më pak se 112 deputetë, çka e bën plotësisht të pranueshme hipotezën se, teknikish, Rezoluta ka qenë miratuar. E thënë ndryshe, nëse vërtetohet se në momentin e votimit në sallë në fakt kanë qenë 53 X 2 – 1= 105 deputetë, ose nga salla të jenë larguar pak përpara votimit 7 deputetë, atëhere Rezoluta duhet të shpallej e miratuar. Në atë kohë përmendet edhe deklarata e deputetit të Partisë Republikane se me të vërtetë, Rezoluta ishte miratuar. Sa më sipër, ndofta i takon Kuvendit të Shqipërisë të ngrejë një nënkomisioni parlamentar që të shqyrtojë lëndën arkivore, shkresore dhe filmike për të vërtetuar saktësisht se sa deputetë kanë qenë në sallë në momentin e votimit. Nëse kjo vërtetohet, atëhere Rezoluta për Çështjen Çame mund të konsiderohet juridikisht e miratuar qysh me 8 prill 2004. Ajo çka mund të pranohet sot është fakti se edhe atëherë Rezoluta gjeti mbështetje tejet të gjerë në Kuvendin e Shqipërisë, çka del nga përpjestimi midis votave pro dhe kundra.
7. Projekt-Rezoluta nuk përbën plan veprimi
Ka edhe shumë më tepër për të shkruar për Projekt-Rezolutën. Për shembull, duket sikur gjithshka fillon dhe mbaron me këtë projekt-rezolutë, [“¨është dokumenti më i rëndësishëm që i vë kapak çështjes çame” – apo “ajo është dokumenti më programatik i kombit shqiptar përballë kombit grek vitet e fundit,” sipas dy deklaratave]. Natyrisht që këto qëndrime janë të tepruara. Mirëpo teksti të lë përshtypjen se nuk mban parasysh dhe nuk ndërton mbi përpjekjet e përparshme tejet të mëdha të komunitetit çam, të shtetit shqiptar ose edhe të instancave ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes. Shkurt, atij i mungon vlaga e mençurisë së Kuvendeve Çame, të organizmave më të lartë të atij komuniteti martir, që dy herë, në Shalës në shtator 1944 dhe në Vlorë, një vit më vonë, shpalosi katër kërkesat apo Amanetin e Madh, i cili mund të përmblidhet si më poshtë: (i) riatdhesimi; (ii) të drejtat e njeriut; (iii) pronat dhe sigurimi personal, dhe (iv) gjykimi dhe dënimi i kriminelëve.
Minoriteti çam pret shumë nga Kuvendi i Shqipërisë – që është shprehur dikur publikisht për Ligjin për Gjenocidin si dhe, me gjasë, në prill 2004 . Ai me të drejtë dëshiron njëzëri që ky forum i lartë të shprehet përsëri për hapat a mëtejshme. Dhe pa tjetër që Kuvendi duhet të vihet në veprim brenda kuadrit të vet ligjvënës dhe kontrollues të ekzekutivit, duke mbajtur parasysh edhe faktin e pamohueshëm që fuqia e Kuvendit të Shqipërisë është e kufizuar dhe efektiviteti konkret i rezolutave është relativ.
Për t’u kthyer tek pyetja e shtruar në fillim të shkrimit, çfarë vjen me të vërtetë pas Rezolutës? Ajo çka paria e komunitetit çam duhet të mendojë – në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme shqiptare dhe me organizmat përkatëse të shtetit grek dhe të komunitetit ndërkombëtar – është një plan veprimi me objektiva konkrete që, në përputhje të plotë me normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe në kuadrin e marrëdhënieve miqësore midis Greqisë dhe Shqipërisë, të njëmendësojë Amanetin e Madh të atyre të paktën 30,000 pleqve e plakave, burrave a grave, fëmijëve e foshnjeve, të cilët nën një klimë të pashembullt terrori e masakrash, lanë vatrat e tyre për të gjetur strehim të përkohshëm si refugjatë lufte në Shqipëri.
Athina e sotme demokratike mirëpriti “kthimin në atdhe” të pontianëve të Detit të Zi para disa vitesh, që kanë lidhje krejt periferale me Greqinë. Një masë e tillë analoge duhet marrë edhe për minoritetin e vet çam, që nuk përbën kurrfarë kërcënimi për Greqinë, por veç do ta pasurojë e demokratizojë më tej atë.