Komandant i paharruar i Bazës Detare Sarandë, njeriu i detit dhe i Lunxherisë/
Nga Shefqet Kërcelli & Mufit Qorduka/
Para pak ditësh u nda nga jeta në moshën 77 vjecare, Kapiten i Rangut të II-të {R}, Perikli Foto Xhixho. Përcjellja e tij për në banesën e fundit u bë nga familjarë, miq, të afërm, ishkolegë dhe detarë të Forcës Detare. Kapiten Perikliu u lind më 26 korrik 1938 në Suhë të Gjirokastrës, në një familje me tradita patriotike dhe demokratike. Fshati Suhë ndodhet në skajin lindor të krahinës së Lunxherisë, në kryqëzimin e rrugëve të shumta që lidhin këtë zonë, një pozicion gjeografik që e ka bërë atë të rëndësishëm në zhvillimet historiko-politike të kësaj treve. Vërtet Suha është një fshat i vogël, por ka nxjerrë kapedanë e luftëtarë të shquar, burra të mencur e të zotë, njerëz këmbëngulës e kurajozë, me një botë të gjerë shpirtërore, me zakone e tradita të spikatura, Por mbi të gjitha Suhotët asnjeherë nuk i janë nënshtruar asnjë pushtuesi, përkundrazi j’a kanë treguar vendin cilido që ka tentuar të shkelë në ato anë. Kështu dhe fisi e familja e Perikliut historikisht janë dalluar për frymën e tyre atdhedashëse, guximin e trimërinë, bujarinë dhe pjesmarjen aktive në cdo ngjarje të rëndësishme të fshatit e krahinës. E shohim këtë që në shekullin XIX, kur gjyshi i Perikliut Foto Xhixho, {I vjetri, si pjesëtar i cetës së Bilbilenjve, luftoi kundër pushtimit osman, derisa për të mos rënë në dorë të pushtuesve u vetëflijuan duke kënduar së bashku…
Dale bej të ndez cigarë,
Se nuk jam canak me dhallë,
Por jam bilbili me pallë…
Ndërkohë dhe gjatë Luftës së II-Botërore, familja dhe fisi Xhixho dha kontribut të rëndësishëm në rreshtat partizane, ku ka pasur heronj dhe dëshmorë, si Pano Xhixho, ndërsa Thoma Xhixho, ish drejtues i formacioneve partizane, mbas clirimit arriti në gradën e Gjeneral Majorit. Ishte ky ambient sa patriotik e bujar, ku guximi dhe dëshira për liri, gërshetoheshin e trashëgoheshin brez pas brezi, të cilat ndikuan fuqishëm në formimin e Perikliut si ushtarak, detar dhe familjar i devotshëm. Perikliu shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën shtatëvjecare dhe atë të mesme e kreu në qytetet Korcë, Burrel e Tiranë, kuptohet për arësye të transferimeve të familjes. Nga viti 1958 deri në vitin 1961 Periliu ndoqi studimet e larta në Riga të Letonisë dhe në San Peterburg të Rusisë në specialitetin Lundrues nënujës, ku u shqua për aftësitë e tij në përvetsimin e programit të kësaj shkolle. Mbas prishjes së mardhënieve me ishBashkimin Sovjetik, vitin e fundit të diplomës e mbaroi në Shkollën e porsahapur të Marinës në Vlorë, brezi i I-rë, 1961-1962, ku më pas përfundoi dhe kualifikimin e lartë të Akademisë Detare. Karierën e tij si oficer detar e filloi si komandant Kateri Silurues në ishullin e Sazanit, në Brigadën e Mbrojtjes së Rajonit të Ujërave, {BrMRU}, më pas me krijimin e Flotiljes Detare të Durrësit, më 5 janar 1965, lundërtari i ri u bë pjesë e kësaj Flotilje bashkë me Katerin e tij të ardhur nga Sazani. Në vijim për aftësitë e tij profesionale Perikliu shërbeu për disa vite Shef Shtabi i Regjimentit të Katerave Silurues{RKS} në Kepin e Palit. Nga viti në vit, Perikliu shtonte aftësitë e tij teoriko-praktike që ndikonin drejpërdrejt në rezultatet e detyrave të ngarkuara. Një kuadër kërkues ndaj vehtes e ndaj vartësve, tepër korrekt në zbatimin e cdo detyre, specialist e kompetent në stërvitjet e kryera brenda ishBUD-it të Durrësit ose me bazat e tjera, kështu e kujtojnë kolegët e tij të shumtë detarë. Tepër i dashur e i sjellshëm me shokët, si koleg e vëlla ndante cdo gjë me ta në gëzime e raste të tjera. Një kuadër inteligjent dhe me kulturë të gjerë, pasi asnjëherë s’e ndërpreu leximin. Për këto aftësi organizuese e menaxhuese, Perikliun në vitin 1975 e emëruan Shef Stërvitje në ishBUD-in e Durrësit, detyrë të cilën ai e kreu me përgjegjsi dhe dinamizëm, pasi në atë kohë u zhvilluan disa stërvitje taktiko-komplekse, ku morrën pjesë dhe anije të Flotës Tregtare dhe të Peshkimit. Por kulmin e tij, përsa i përket karrierës ushtarake, Perikliu e arriti në vitin 1978, kur u caktua në detyrën e Komandantit të Bazës Detare Sarandë. Në shërbim të kësaj baze Perikliu vuri gjithë eksperiencën, formimin dhe kualifikimin e tij të krijuar në vite. Një kuadër novator, këmbëngulës, i paepur ndaj vështirësive, Perikliu e ngriti punën në këtë bazë, duke e transformuar atë rrënjësisht. Ai e gjeti bazën me cadra dhe infrastrukturë modeste, se baza ishte e re, por me punën e tij dhe efektivit që drejtonte, brenda pak vitesh krijoi kushte normale për jetesë e stërvitje. Në përballimin e këtyre detyrave të rëndësishme Komandant Perikliu gjeti mbështetje nga efektivi i bazës, por dhe nga qytetarët Sarandiotë, që dashuronin e respektonin uniformat e bardha, si dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal e ndërmarjet e ndryshme të qytetit bredgetar të Sarandës, që e ndihmuan me mjetet që kishin në dispozicion. Në sajë të kësaj pune vetmohuese, me orë të zgjatura, krahas realizimit të detyrës e misionit luftarak, Baza Detare e Sarandës për disa vite rreshte u bë Flamurtare e Flotës sonë Luftarake. Sigurisht që merita për këto rezultate të bazës i takon komandantit të saj të lavdishëm, Kapiten Perikliut, që udhëhiqte me shembull personal në cdo hap, larg cdo vesi, ishte i pari në cdo detyrë qoftë në det, qoftë në tokë; njeri kërkues, i rreptë ndaj hileqarëve, kërkues, antikomformist, i prerë dhe i drejtpërdrejtë në diskutime e vendimarje, i drejtë dhe i panshëm në gjykimin e vlerësimin e punës së kuadrove. Për këto aftësi e cilësi të spikatura, për rezultate sistematike në cdo detyrë të ngarkuar, Komandant Perikliu është vlerësuar nga eprorët dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor me medalje të ndryshme. Në vijim të karrierës, Detari i paepur Perikli Xhixho, nga viti 1989 deri në vitin 1992, kreu detyrën e Kapitenit të Kapitenerisë së Sarandës, ku me aftësitë e tij si ushtarak dhe njohuritë si lundërtar përmirësoi shërbimin në këtë institucion të rëndësishëm detar. Por dhe mbas daljes në pension Perikliu nuk ju nda detit, kolegëve dhe vendlindjes së tij. Ai ishte pjesë e cdo aktiviteti të Shoqatës së detarëve, bashkëpunëtor i gazetës “Bijtë e detit”, studjues skruploz i historisë së vendlindjes, madje për të, në sajë të një pune kërkimore disa vjecare ka dhuruar një libër me vlera historike-gjeografike me titull, “Suha, mes natyrës dhe historisë”. Ndërkohë vlerat e tij si lundrues dhe kuadër i kompletuar ushtarak janë evidentuar dhe në librin “Antologji e Detarisë Shqiptare”. Gjithashtu Kapiten Perikliu ishte dhe një familjar i rregullt dhe shembullor. Shtëpia e tij, ku jetonin dhe prindërit Xha Foto dhe nënë Katerina, bashkëshortja Vjollca, ishin një vatër mikpritëse për miqtë dhe kolegët e tij detarë, kudo që ka shërbyer Perikliu. Po ashtu dhe tre djemtë e Kapitenit, Doriani, Pano dhe Ervini, janë përfaqësues të denjë të kësaj familje, pasi po ecin në gjurmët e prindërve e gjyshërve të tyre, duke kontribuar në fusha të ndryshme të shoqërisë shqiptare dhe në emigracion. Me këtë rast i shprehim ngushëllimet tona familjes Xhixho, e cila është krenare për prindërin e tyre, Kapitenin e paharruar Perikli Xhixho. Nderim dhe respekt për Kapiten Perikliun, këtë bir të detit dhe Lunxherisë!