
Nga FEDERICO RAMPINI/
“E ardhmja është Italia dhe është e zymtë”. Është titulli i një komenti të shfaqur në New York Times mbas dorëheqjes së Draghit. Përimtimet e amerikanëve mbi Italinë nuk janë gjithmonë të besueshëm. Nxjerrin në pah megjithatë një ndijesi të përhapur: që kriza politike italiane është pjesë e një rënieje të drejtimit të përgjithshëm, aq më shumë shqetësuese sepse ndodh në sfondin e problemeve të rëndësishëm, një lufte në zemrën e Evropës, pjesërisht që tani të harruar, një ekonomie që shkon drejt rënies, belegut të perandorive autoritare me dëshira zotëruese. Mungonte vetëm Covidi i Joe Bidenit për t’i shtuar një cekje vetiake ndijimit të vështirësive të Perëndimit. Lamtumira e Mario Draghit shihet në këtë kontekst Italia është gjithmonë një e vëzhguar e posaçme për lëndueshmërinë e saj, duke filluar nga borxhi publik; paqëndrueshmëria e qeverive të saj nuk është e re, por këtë herë kriza e saj politike rëndohet nga pasiguritë që trishtojnë bashkëpuntorët dhe aleatët e saj më të rëndësishëm.
Amerika ka një president të brishtë në të gjithë drejtimet. Veç shëndetit, popullariteti i tij ka rënë më poshtë edhe në krahasim me humnerën në të cilën gjëndej Donald Trump-i në të njëjtën periudhë të mandatit të tij. Bideni-t i është hequr besimi edhe nga të tijtë: shumica e zgjedhësve demokratë nuk e gjykon t’aftë për një mandat të dytë. Krahu i majtë i partisë së tij – që zotëron mediat – e quan një tradhëtar për lëshimet mbi Green New Deal dhe mbi imigracionin; por është më shumë qëndra e moderuar që ka rëndësi sepse në të luhen zgjedhjet administrative të nëndorit. Shumica e heshtur e partisë demokratike vë re një shmangie drejt qëndrimeve më radikale dhe hemoragjia e votave drejt republikanëve është pothuajse e sigurtë. Kush lexon vetëm mediat e klasës drejtuese përparimtare ka përshtypjen se vëmëndja e amerikanëve është përqëndruar në hetimin parlamentar mbi “grushtin e shtetit të orvatur” të 6 janarit 2021. Nuk është kështu. Shumica e amerikanëve e gjykon qeverinë e saj nga inflaksioni, humbja e fuqisë blerëse, pasiguria e përgjithëshme, përfshirë edhe shtimin e kriminalitetit. Prandaj në kançeleritë e huaja tashmë ka filluar loja e basteve mbi çfarë do të jetë politika e jashtëme amerikane e mbas – Biden-it.
Nuk është më mirë Evropa perëndimore. Janë të paktë ata që e qajnë Boris Xhonsonin, por ndërmjet tyre ndoshta është Volodimir Zelenski, që mund të bënte llogari mbi mbështetjen e tij të pakushtëzuar. Emmanuel Macron ka formuar një qeveri pa një shumicë parlamentare e duhet të përqëndrohet mbi problemet e ekonomisë, duke lënë në plan të dytë dëshirat për drejtim të Evropës dhe orvatjet pa frut për bisedime të drejtpërdrejta me Vladimir Putinin. E sëmura më shqetësuese është Gjermania. “Mrekullia e dytë gjermane”, ajo që ndodhi në vitet nëntëdhjetë, i lejoi kombit më të rëndësishëm evropian të dilte nga një krizë (çmimet fillestare të ribashkimit) në sajë të një sëre përbërësish. Dy prej tyre spikasnin më shumë: gazi rus ekonomik dhe i bollshëm; tregjet e Lindjes (Kina në krye) të stërhapura e t’etura për “Made in Germany). Të dy këta përbërës tashmë i përkasin së shkuarës; modeli gjerman duhet rishpikur. Kjo krizë identiteti arrin në një mungesë drejtimi shqetësuese. Olaf Scholz është hija e një kançelari. Deri tani i vetmi vendim i fuqishëm është plani i racionimit të energjisë elektrike në vjeshtë-dimër, me mbyllje me rradhë të fabrikave. Të gjithë do të dëshironim të dinim se cila është strategjia afatgjatë e Gjermanisë, cili është propozimi i Berlinit për Evropën, cila është nisma kundrejt kundërshtarësh e rivalësh strategjikë në Moskë e në Pekin. Dalja nga skena e Draghit vërtetohet si hallka e një zinxhiri të gjatë dobësish. Tani për tani Perëndimi mbetet i shtrënguar në lidhjen e tij, nuk ka tradhëti në vijën e tij të ndihmës për Ukrainën dhe sanksionet ekonomike. Por me kohë, kushedi. Zelenski ka tradhëuar frikërat e tij kur i telefonoi në çastet e fundit Draghit për t’a bindur të tërhiqte dorëheqjen.
Brishtësive tona Putini i përgjigjet duke na përshkruar ne perëndimorëve si “miliardi i artë”. Shprehja ka një histori të hershme të propagandës kombëtariste ruse. Lidhet me gjuhën e kryetarëve komunistë kundër imperializmit dhe rishkolonializmit të Vëndeve kapitalistë. Shpluhurimi i atyre argumenteve të luftës së ftohtë ka një shije cinike dhe hipokrite, tani që Kina është zonja e vërtetë e Afrikës dhe Divizioni Wagner i mercenarëve rusë zëvendëson repartet franceze për të mbështetur regjimet ushtarake në Jugë të Sahelit. Kështu, përfytyresa e “miliardit të artë” ka një farë suksesi mes atij numëri të gjërë Vëndesh që kanë ringjallur “lëvizjen e të pa-angazhuarve” (viti i lindjes 1955, në zemrën e luftës së ftohtë). Ajo shumicë qeverish aziatike, afrikane, latinoameikane që nuk pranojnë t’u bashkohen sanksioneve tona kundër Rusisë, që nuk qëndrojnë as këndej as andej, kanë drejtues të formuar në universitetet perëndimore, ku mësohet (si n’ata kineze e ruse) që e vetmja perandori e së keqes është Amerika, i vetmi qytetërim agresiv është Perëndimi. Fakti është që Kina e Rusia janë tani perandoritë e vërteta koloniale, që rilindja e imperializmave rajonale si ata otomanë, arabë, persianë, janë të parëndësishëm përballë fuqisë së “miliardit t’artë”. Në të vërtetë, si nivel jetese, Gjiri Persik që pret me krahë hapur oligarkët rusë është m’i artë se ne. Por deri edhe sheikët e vajgurit adhurojnë përdorimin e propagandës kundër-koloniale kur i shkon për shtat interesave të tyre.
Përgjigja e Perëndimit është e vagëlluar, simbas përfytyresës e ngjajshmërisë së udhëheqësve të tyre. Biden-i valëvitet deri edhe mbi Taivanin, guri i ardhshëm i provës së rendit botëror mbas Ukrainës. Presidenti amerikan ka premtuar se do t’a mbrojë në rast sulmi ushtarak kinez. Por tani kërkon të bindë kryetaren e Dhomës së deputetëve, Nancy Pelosi, të mos shkojë në Taivan nga frika e kundërveprimeve të Pekinit. Bashkimi Evropian nuk ka një strategji të qartë për të tëhequr në zonën e tij të ndikimit Mesdheun Jugor, ku rriten ndërhyrjet gjeopolitike e ushtarake të Putinit, Xisë, Erdoganit, për më shumë të ajatollahëve iranianë. Deri edhe marrëveshja për piskamën grurë – e gjitha për t’u vërtetuar mbas raketave mbi Odesë – është pjekur brënda një trekëndëshi Rusi-Ukrainë-Turqi, pa një rol të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara ose të Bashkimit Evropian.
“Corriere della Sera”, 23 korrik 2022 Përktheu Eugjen Merlika