Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të komunave në jug të Serbisë Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që në terminologjinë politike njihen edhe si Lugina e Preshevës, thonë se po presin që Prishtina të reflektojë pozitivisht për përfshirjen e kërkesave të tyre në dialogun e Brukselit.
Shaip Kamberi, kryetari i Komunës së Bujanocit, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht po punohet që çështja e Luginës së Preshevës të jetë në agjendën e bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Ai tha se deri më tani nuk ka ndonjë ftesë nga Prishtina zyrtare që ndonjëri nga përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës të jetë pjesë e Ekipit negociator të Kosovës.
“Unë besoj se edhe pse nuk jemi pjesë e Ekipit negociatar do të kemi mundësi që bashkë me ekipin e presidentit (Hashim Thaçi) dhe delegacionin shtetëror, t’i shprehim brengat dhe interesat tona, të cilat do të adresohen në Bruksel. Besojmë se është momenti i fundit që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet dhe të gjendet një zgjidhje e drejtë”, tha Kamberi.
Ai konsideron se në asnjë rast nuk mund të ketë një marrëveshje të drejtë nëse nuk trajtohet edhe çështja Luginës së Preshevës, e cila, siç thotë ai, mund të mbetet një burim i tensioneve të vazhdueshme mes dy shteteve.
“Ne jemi deklaruar shumë qartë se nëse Kosova vendosë që në marrëveshje me Serbinë të shqyrtohet edhe mundësia e korrigjimit të kufirit, interesi ynë është që ne të bashkohemi me Kosovën. Në të kundërtën, nëse Kosova si prioritet sheh diçka tjetër, atëherë minimumi që duhet të bëjë Kosova, është që të vendosë reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse nuk mund të këtë në asnjë moment marrëveshje që sjell stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor nëse edhe Lugina e Preshevës nuk trajtohet në këto bisedime”, tha Kamberi.
Përfshirja e komunave, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në kuadër të territorit të Kosovës si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është përmendur në disa raste nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, marrëveshja gjithëpërfshirëse, duhet të ketë edhe mundësinë e korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ide kjo që deri më tani nuk ka gjetur mbështetje në spektrin politik në Kosovë.
Njëherësh, Thaçi gjatë dy-tri takimeve që ka zhvilluar me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës u ka premtuar atyre se kërkesat e banorëve të këtyre komunave për bashkim me Kosovën, do t’i prezantojë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë në Bruksel, në kuadër të procesit që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
Idetë e presidentit Thaçi, janë kundërshtuar ashpër sidomos nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë, se normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, domosdo do të kalojë përmes Luginës së Preshevës.
Ai tha se pa e trajtuar çështjen e Luginës së Preshevës konform kërkesave, sipas tij, legjitime të shqiptarëve të atjeshëm, nuk mund të arrihet një marrëveshje paqeje në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në konsultime e sipër me të gjithë, ne kemi kërkuar që tema e Luginës së Preshevës të vendoset në tavolinë sepse konsiderojmë që kjo e përbën ekuivalencën me trajtimin e çështjes së pakicave, përkatësisht serbëve në Kosovë. Në kuadër të saj, jemi konsultuar edhe për modalitetet, por derisa nuk përfundon çështja e platformës, nuk e besoj se mund të ketë involvim të drejtpërdrejtë. Mund të theksoj që në të gjitha takimet që kemi pasur, të gjitha institucionet, përfshirë këtu edhe Këshillin Kombëtar Shqiptar, të gjithë jemi vënë në dispozicion të Ekipit të dialogut, përkatësisht jemi vënë në dispozicion të negociatave për të ndihmuar këtë proces”, tha Mustafa.
Mustafa pranon se procesi i bisedimeve në Bruksel është i ndërlikuar, por thotë se spektri politik në Luginën e Preshevës beson që aty do të trajtohet edhe çështja e Luginës.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës asnjëherë nuk kanë dashur të involvohen në mes politikës që zhvillohet në Prishtinë. Megjithatë, ajo që për ne është e rëndësishme është që të përfaqësojmë denjësisht interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përkatësisht kërkesat legjitime rreth dialogut dhe duke shprehur ambicien legjitime për t’iu bashkuar”, u shpreh Mustafa.
Përfaqësuesit e këtyre komunave, që shpesh përkufizohen edhe si Luginë e Preshevës, thonë se vullneti i tyre politik është që t’i bashkohen Kosovës dhe rikujtojnë se këtë vullnet e kishin shprehur edhe përmes referendumit të mbajtur në vitin 1992.
Në atë referendum, të cilin autoritetet serbe nuk e njohin, rreth 97 për qind e votuesve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të shpërndarë në 71 vendbanimeve, ishin deklaruar për “autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën”.