“Një popull që flen, ai popull vdes”. (Ismail Qemal Vlora)/
Nga Arben LLALLA/
Më në fund partitë politike shqiptare hoqën dorë butësisht nga kërkesat e shqiptarëve për barazi me qytetarët sllavë në Maqedoni. Prej shumë vitesh shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të mashtrohen nga intelektualët me kapacitete të kufizuara për interesa të tyre personale. Kaluan kaq vite dhe shqiptarët ende janë qytetarë të kategorisë së dorës së dytë ku i mohohet shkollimi në gjuhën amtare si në shek.19, flamuri kombëtar tashmë me ligj është zvogëluar duke e humbur krenarinë shqiptare, shkatërrimi ekonomik i ndërmarrjeve të mëdha, degradimi i fesë etj. Për të larguar vëmendjen nga këto probleme shoqërore që ndeshen shqiptarët në Maqedoni prej shumë vitesh sistemi shtetëror i ndihmuar nga grupe të ndryshme intelektualë shqiptar të vënë në shërbim të interesave sllave shpikin probleme të reja të cilat nuk kanë lidhje fare me atë se çfarë po ndodh në të vërtetë me shoqërinë shqiptare. Kjo lloj metodë hynë në luftërat e qeta të cilat zhvillohen me “Armët e heshtur”. Armët e heshtura janë avancuar si pasojë e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik këto 30 vitet e fundit. Kjo ka bërë që pushteti të veprojë në kohën e duhur me anë të elitave të saja për të ndalur zhvillimin e klasës së mesme e cila gjithnjë historikisht ka udhëhequr revolucionet. Kështu, sistemi shtetëror ka më shumë kontroll mbi popullin dhe pushtetin e gjerë duke bërë të mundur izolimin e tyre. Kuptohen se të gjitha këto bëhen që shqiptarët të mbeten të prapambetur dhe mos të kenë informacionet e duhura se çfarë po ndodh me botën përreth.
Kujtesa e dobët e votuesve shqiptar ka bërë që askush të mos flasin dhe të shkruaj për të dënuarit padrejtësisht të rastit të Sopotit, për vrasjen dhe burgosjen e ish-ushtarëve të UÇK-së, rasti i Kondovës, për vrasjen e një studenti shqiptar më 2005 në dhomën e tij nga policia në Tetovë, për vrasjen e Harun Aliut, për burgosjen e shqiptarëve, rastit Mostra, rasti i Kumanovës, për rrahjet e nxënësve shqiptar nëpër autobuzë, për premtimet që partitë shqiptare u betohen votuesve të tyre, etj.
Shqiptarët në Maqedoni protestuam disa herë për luftërat qytetare në Egjipt dhe Siri duke kërkuar me të drejtë ndaljen e tyre dhe paqja të mbizotërojë në këto shtete, por shqiptarët kanë disa vite që nuk po protestojnë për të drejtat e tyre që shkelen çdo ditë me të dyja këmbët në Maqedoni. Deputet shqiptar, ata papagallët xhuxhmaxhuxh që dikur çirreshin në emër të luftës dhe viteve të burgjeve të ish-Jugosllavisë janë fshehur pas gishtit sepse i mbushën xhepat duke siguruar të ardhmen e fëmijëve të tyre me pasuri të bërë në emër të Patriotizmit.
Është për të zënë kujën kur shikon familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës së 2001 në një varfëri të thellë, prej kaq vitesh ata u mashtruan për pensione dhe përkrahje nga partia që thirren në emër të luftës, por në të vërtetë ajo është thjeshtë parti si shumë partitë të tjera që u përkasin vetëm 2-3 personave për përfitime biznesesh personalë. Dikur një ministër çirrej se janë ngritur komisione të punës për të krijuar bazën ligjore për tu dhënë pensione, por në të vërtet asgjë nuk u bë, çdo deklaratë e këtij ministri kokëtul kishte qenë gënjeshtër si shumë gënjeshtra që thonë përditë përfaqësuesit e votës shqiptare në Maqedoni.
Ende vazhdon të qarkullojë Enciklopedia e famshme sllave që ofendon kombin shqiptar dhe asgjë nuk u bë, as nuk u ndal e as nuk u korrigjua. Fëmijët shqiptar mësojnë nëpër shkolla me tekste shkollor që ofendohet kombi i tyre dhe asnjë inspektor i arsimit nuk ka kërkuar ndalimin e këtyre teksteve shkollorë.
Jemi dëshmitarë që arsimi shqip po degradon sot duke e ulur cilësinë e sajë dhe na ushqyer me injorancë dhe mediokritet. Shtresat e ulëta sociale shkollohen me modesti duke bërë të mundur që hendeku midis klasës shoqërore të lartë dhe të ulët të ketë një hapësirë ndarje të pakapshme. Shumë njerëz janë pajisur me diploma të pamerituara, në fund të çdo viti shkollor brenda natës 10 njëshat mund të bëhen 10 dysha.
Dikur studentët shqiptar quheshin me të drejtë studentë heronj, por sot Unionet e studentëve janë kthyer në vegla të partive politike edhe një Union i studentëve të pavarur që funksionojnë diku nga viti 2005-2007 u zhduk bashkë me daljen në “pension” të kryetarit të saj. (Siç duket shumica e shoqatave, partive apo organizatave shqiptare funksionimin e tyre e lidhin vetëm me emrin dhe figurën e kryetarit të saj). Nuk kemi dëgjuar prej kaq vitesh që Unionet e studentëve shqiptar të protestojnë për të drejtat e tyre, siç duket studentët janë të kënaqur me jetën e tyre studentore dhe programet mësimore në universitet që ndjekin. Ishte nder të diplomoje në Universitetin e Tetovës, tashmë ndihemi në turp kur shikojmë se si diplomohen në Universitetin Shtetëror të Tetovës individë që nuk kanë mundur të marrin me meritë diplomën e shkollës së mesme. Nëpër institucionet shtetërore punësohen militant partiak të cilët i përkasin shtresës së ulët të shoqërisë dhe jo individë që mund ti ofrojnë zhvillim vendit dhe shoqërisë.
Shqiptarët në Maqedoni duken sikur janë përgjumësh, por kur do zgjohen atëherë shqiptarët në Maqedoni? Shqiptarët do zgjohen kur të hanë shpulla deputetët e tyre në Kuvendin e Maqedonisë, kur do të hanë shpulla ministrat shqiptar nga huliganët sllavë. Kjo gjë ka ndodhur edhe dikur me deputetët shqiptar në Kuvendin e Perandorisë Osmane. Ishte Marsi i vitit 1911, deputeti Ismail Qemal Vlora kërkoj llogari për shpifje në një shkrim të botuar në gazetën turke “Le Jeune Turc” dhe deputeti xhonturk Dervish Beu duke vërejtur tonin e lartë të zërit, atëherë i ra me shpullë Ismail Qemal Vlorës. Deputeti shqiptar Hasan Prishtina reagoj duke thënë “Zotërinj, ta dini mirë se kjo ngjarje do të sjellë shumë të liga”. Më tej deputetët xhonturq i kërkuan falje Ismail Vlorës, por shpulla e Dervish Beut e kishte bërë të vetën, nacionalistët shqiptar ishin zgjuar nga gjumi i thellë nën jorganin e Perandorisë Osmane dhe pas më shumë se një viti Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë më 1912.