(16 Shkurt 1924 – 18 Shkurt 2016)/
Nga Gjon Buçaj/
Zoti e pruni në jetë Genc Kortshën si pinjuell dy familjesh të mirëfillta intelektuale edhe patriote, prej Babet Korçar e prej nanet prej Gjinokastre.Mos me shkue mâ gjatë, gjyshat e Tij ishin, Ai prej babës drejtor shkolle në Korçë, kurse Ai prej nânës kirurg në Shkodër.Sa i tokon t’Et, Xhevat Korça ishte êmnue në vjetën 1923 si drejtor themelues i Gjimnazit të Shkodrës, gjytet ku edhe u lind Genci. I Ati, qysh 17-vjeçar luftëtar i Çetës së Themistokli Gërmenjit e cilla i luftoi turqit pushtues si edhe grekët t’cillët rrekeshin m’e pushtue krahinën; në vazhdim Ai shkoi për studime në Vjenë ku u diplomue në Filozofí e Histori me “Summa cum Laude”.
Ndër veprat e Tija shquhen mbi 5000 faqe përkthimi dokumentacioni politik ndërkombëtar i cili ka lidhje me Shqipninë dhe rrethanat e saja në periudhën e pavarësísë si edhe gjatë edhe mbas Luftës së Parë Botnore, (Acta et Diplomata Austro-Hungarie).
Me ardhjen në Shqipni të diktaturës komuniste në pushtet për Xhevat Korçën, në t’ashtuquejtunin “Gjyqi Special” i Prillit 1945, prokurori Bedri Spahiu kërkoi dënimin e Tij me pushkatim si fashist. Xhevat Korça në fjalën e fundit drejtue trupit gjykues, (për me kërkue mëshirë), u tha : “Zoti kryetar e zotërinj gjyqtarë, gjemëni një fjalë thënë prej meje pro fashizmit ose një fjalí të tillë dhe ju ftoj të më pushkatoni pa ndroje!” Dhe dënimin ia kthyen në burgim të përjetshëm kurse Ai mbas disa vjetesh i dha fund jetës në burgun e Burrelit me grevë urije lidhur me shkeljen e të drejtave të burgosurve! E po ai ish prokuror në vjetin 1991 në Gazetën Republika tha ndër të tjera “… Më vjen turp që kam qenë prokuror i Gjyqit Special …”. Kaq sa për nji hjedhje drite rreth shêmbujve atdhetáre me të cilët ishte brumosë Genc Kortsha prej prindit të Tij.
Vetë Genci shkollën e mesme e kreu pjesërisht n’Austri edhe e përfundoi në Itali. Në shkollë, gjatë gjithë vjeteve shkollore, ka kênë nxânsi mâ i dalluem i klasës. N’Itali kreu dy vjetet e para edhe të mjeksisë e mandej erdhi për pushime në Shqipni. Në vjeten 1944 shkoi me Batalionin Besnik Çano me luftue në Kosovë. Në librin e shkruem rreth Halim Begesë e botue vjetën qi shkoi, âsht fotografia e Batalionit në Kosovë ku Genci në fotografi figuron edhe si mbajtës i Flamurit të Batalionit në fjalë. Me 17 nëntor 1944 Gencin e arrestuen së bashku me t’ Ánë ku e mbajtën të burgosun 13 muej, ditë më ditë! Kur e liruen prej burgut periudhën mâ të madhe të kohës, derisa u arratis prej Shqipnije në vjetin 1952, ai punoi si puntor krahu i detyruem me thye gurë!
Mbas peripecíshë prej Jugosllavije në Austri e Greqí, mâ në fund Genci erdh edhe u vendos në Sh.B.A. ku Amerika iu bâ nji Atdhé i dytë i cilli ia dha të tâna të drejtat e nji gjytetari të lirë!
Këtu Ai filloi punë në nji uzinë shkrimje çeliku si infermier ndihme të shpejtë, (si student mjeksije qi ish kênë përparandej), edhe pa vonesë u regjistrue në universitet në fakultetin e Kimisë Industriale tue punue me orë të plota natën e tue e ndjekë shkollën ditën. E doemos tue jetue e punue në kët vênd shêmbull liríje e demokracije, në Sh.B.A. puna e Tij kâmbëngulëse iu shpërblye se kur u diplomue iu dha ndër dhjetmijë studentë si simbol Çelësi i Artë !
Në vazhdim u punsue në gjigantin industrial General Motors ku mbas 38 vjetesh pune edhe doli në pension. Mirpo me kët rasë nuk mundem mos me ia xânë n’gojë edhe faktin se si ai në Sh.B.A. jo vetëm q’e gjeti atê e cilla i mungoi në Shqipni, mirëpritjen në gjiin e Saj, por edhe se si puna e Tij cilësisht shum’e naltë, iu shpërblye me të njajtën vlerë: Atij erdhën tue ia vlersue shkallë mbas shkalle livelin e punës së tij cilsore sa qi 13 vjetet e fundit të punës së Tij Ai kje Drejtor Ekzekutiv i Higjenës Industriale për të gjithë Korporatën e General Motor-it ! Kjo sa u tokon marrëdhânjeve me punën kryesore të Tijën, General Motors-in.
Veç ktyne relatave, Genci dha mësim si Profesor i Jashtëm edhe në General Motors Institute, në University of Michigan si edhe në Wayne State University. M’ânë tjetër Ai kje zgjedhë për nji periudhë kohore katërvjeçare edhe President i Akademisë së Shteteve të Bashkueme për Higjenën Industriale në të cillën detyrë Atij i nepet edhe nji vlersim i posaçëm për punën e zhvillueme në krijimin edhe në Europë të Akademive të ndryshëme të Higjenës Industriale si në Itali, Britani e Madhe e të tjera shtete.
Kuptimplotë me kët rasë âsht edhe pritja q’i kushtoi Genc Kortshës Papa Gjon Pali i II-të ku Gencin e shoqnote ai qi në vazhdim u bâ edhe K/Ministër i Italisë, Romano Prodi!
Se sa e kishte në qêndër të vemêndjes blloku Perëndimor Shqipninë fillë mbas shpërbâmjes (çapërlitjes) së diktaturës komuniste, e difton fakti se si qysh në vjetin 1991 Gencin e nisne me shërbim në Shqipni me shikjue kushtet e në bazë të tyne m’i dhânë Ai edhe pikpamjet e Tija se si m’e organizue edhe Higjenën Industriale në livele bashkëkohore n’at vênd të porsadalë prej diktaturës së egër komuniste. Mirpo atje kjene gërshetue nji varg pengesash të ndryshme, megjithse ekzistote nji Institut i Higjenës, e doemos trajtimi i kësaj teme del prej kuadrit të kësaj bisede përkujtimore.
Nuk mundem m’u dhânë fund ktyne rreshtave për pá e kujtue të ndjemin Genc Kortshën edhe lidhun me nji hjedhje drite rreth personalitetit të Tij sa u tokon normave të etikës edhe të moralit qi gjithklush e ka pasë fatin m’e njoftë prej s’afërmi Gencin nuk kishte se si mos me i vûe ré kah ai pohote se “… Njeriun duhet ta shquajë karakteri i papërkulshëm, ndershmëría, besnikëria si edhe mosdhënja aspak rëndësí qoftë pushtetit si edhe pasurísë! Besimi në Zotin duhet të jetë forca si edhe ngushëllimi i gjithsecilit në ditë të mira e të këqíja !”
Me kto pikpamje kuptimplote rreth etikës si edhe moralit të Genc Kortshës due m’i dhânë fund edhe un fjalës s’ême t’sodit për tê tue ia urue Atij me gjithë shpirt,
Âmshimin e Bekuem !
Bep Pjetri says
Falemnerës zotni Gjon Buçaj, Kryetar i Vatrës Shqyptare! I meriton ato rreshta të shkruem me aq dashni për të ndjerin Prof. Genc Korçën të shkruem nga z. Gjon Buçaj. Mirnjohja asht sjellja e ringjalljes të veprës Prof. Korçës dhe respekti për z. Gjonin. Prof. Genci ka shkëlzue sa ka kenë gjallë me punën, kontributin, me Besimin në Zot si një Shqiptar i Vërtetë. Rrezet e Tija shndrisin në parzmet tona. Nuk e di, Të më falni, Po; A ashtë vlersue apo kujtue ky burrë ndonjiherë me ndonjë Mirnjohje a diçka tjetër nga Vatra apo Bashkësi tjera Shqiptare në SHBA, I ndjeri Prof. Genci për gjithë kto kontribute, që cilsohet ndër Burrat Ekselent, ma të Nderuem të Shqyptarisë në Bashkësinë Shqyptare dhe në mbarë Shqypninë? Nëse Jo! Kurrë nuk asht vonë me e nderue edhe pas largimit nga jeta në tokë. Veçse Nder i bani Shqyptarisë. Krishti e pastë në Parriz! Gjithmonë u kujtoftë Personaliteti i Prof. Genc Korçës!
Zhaneta dhe Palush Bozo says
Ngushellimet tona familjes se Genc Korces dhe te afermeve!
Jeta e Gencit dhe familjes se tij asht shembull per brezat tane.
Shpirti i tij u preft ne paqe!
dgreca says
The loss of Genc Korcha saddened deeply my family, my wife Elizabeth and my two sons Donald and Drini Leka . His intelligence,his spiritual nobility, his deep perception of the human condition and his life commitment to the welfare, progress and survival of the Albanian Nation are some of the attributes which made him a most distinguished leader in our Albanian community. We will remember him fondly. Our most heartfelt condolences to his family.
May his soul rest in peace!
Dr. Agim Leka and family