Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, kanë përfunduar pa marrëveshje rrethin e nëntë të bisedimeve, që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e procesit, ka lënë të kuptohet se palëve u është dhënë edhe ca kohë për të vendosur nëse mund ose jo të finalizojnë marrëveshjen.
“Sot (e mërkure) ka qenë një ditë e gjatë dhe intensive. Jemi përpjekur të përafrojmë të gjitha idetë e ndryshme që kanë qenë në diskutim gjatë këtyre muajve të fundit dhe kemi kërkuar nga delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit që t’i shqyrtojnë këto propozime dhe të shohim nëse mund të arrihet marrëveshja”.
“Herën e kaluar kam thënë se marrëveshja është afër, se dallimet janë të ngushta, por të thella. Sot, mund të them me besim të vërtetë se dallimet janë të ngushta dhe të cekëta”, thuhet në deklaratën e baroneshës Ashton.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se delegacioni i tij ka pranuar propozimin e ofruar, por ka qenë Serbia ajo që e ka refuzuar.
“Propozimi i baroneshës Ashton ka qenë i qartë dhe ne e kemi pranuar pa ndonjë ndryshim. Si edhe në herët e kaluara, Serbia ka refuzuar. Kanë mbetur edhe pak ditë deri më 22 të këtij muaji, kur do të paraqitet raporti nga baronesha Ashton. Është me rëndësi që kjo marrëveshje të arrihet”, ka thënë Thaçi.
Për të forcuar edhe më shumë qëndrimin, kryeministri i Kosovës ka thënë se do t’i drejtohet me një “letër pranuese zyrtare” Ashtonit, 27 vendeve të BE-së dhe SHBA-së.
Ai ka përsëritur para opinionit se marrëveshja do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit në rajon, ndërsa Serbinë e ka porositur që të punojë për arritjen e saj dhe t’i shmanget “logjikës së Vojisllav Sheshelit”.
Akuza të ngjashme, por kundër Thaçit, ka bërë homologu i tij serb.
Ivica Daçiq ka thënë se propozimet e bëra nga barnoesha Ashton, e që kanë qenë të përmbledhura në 15 pika, kanë qenë më të pranueshme për Beogradin, por ka qenë Prishtina ajo që, sipas tij, ka penguar marrëveshjen.
“Thaçi ka refuzuar propozimin…përkatësisht, ka dashur të lidhë zgjidhjen e çështjes së policisë me një pikë të re të përfshirë, me të cilën të dyja palët obligohen të mos e bllokojnë njëra-tjetrën në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Daçiq.
Pranimi i kësaj pike, sipas tij, do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.
Daçiq ka thënë se Serbia nuk kërkon të pamundurën, por “diçka që është reale dhe e pranueshme për të dyja palët”. “Serbia është e gatshme që në ditët e ardhshme të vazhdojë këtë dialog, që të vijë deri te zgjidhja”, ka theksuar kryeministri serb.
Rrethi i nëntë i bisedimeve, që ka nisur paraditen e së mërkurës, për të zgjatur deri në minutat e parë të së enjetes, është karakterizuar me takime dypalëshe të delegacioneve me baroneshën Ashton, pastaj me biseda trepalëshe dhe disa pauza mes tyre.
Marrëveshja nga ky proces është kusht për të dyja vendet që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.(Kortezi Valona Tela- Radio Evropa e Lire)