* Mësues modern,mendimtar përparimtar,ithtar i evolucionit, publicist transparent,përkthyes dhe autor tekstesh,ligjërues elokuent,luftëtar i flaktë i Shqipërisë natyrale.Martir I Demokracisë./
*Pushka mund ta shtrijë njeriun për tokë ,ndoshta duke e lanë shakull,por mendimin e tij s’mund ta mbysë e s’mund ta shuej “- Shkodrani/
Nga Pertefe Leka/
Është mirë për brezat që vijnë të njohin vlerat e njerëzve të shquar, të njohin konkretisht punën e tyre vetëmohuese, nëpërmjet trashigimisë qe kanë lënë ata.Të njohin aktivitetin frymëzues, këshillat e vyera, qëndresën burrërore për mbrojtjen e parimeve të drejta. Të njohin humanizmin e thellë dhe vizionin e qartë që kishin për të ardhmen e popullit e të atdheut.
Një personalitet i tillë i këtyre përmasave është Sheuqet Muka me pseudonimin, Shkodrani.
Ai jetoi në ngjarjet më kulmore të vendit tonë, në vitet 1912-1939.Ecja e tij në këto tri dekada njeh vetëm punë intensive, duke dhënë një kontribut të madh në fushën e arsimit dhe si aktivist shoqëror e politik. Idealet patriotike i ka shprehur në shumë shkrime dhe poezi :”I dashtuni Flamur”,”I përzemërti Flamur”,”Rrnoftë Shqypnia”,”Atdhetaria”,Për të kremte të 28 Nandorit 1912”; etj. Ai ka qenë prezent në të gjitha ngjarjet historike e politike të kohës deri në organizimin e besëlidhjes “Besa Shqiptare” dhe “Lidhja e Shkodrës “1944. Ai u bë i njohur si mendimtar modern për Shqipërinë natyrale,me një Flamur:“Shpirtin e Shqyptarit Perendia nuk e la me u ligshtue,e mbajti gjallë dhe me sakrifica,heroizma mbas heroizmash Flamuri ynë valon i lirë.”
Historigrafia shqiptare i ka borxh një vend nderi këtij luftëtari të lirisë: Një institucion bamirësie, një shkollë, një bibliotekë do të krenoheshin po të mbanin emrin e tij.
Profesioni i tij si mësues nuk e ndaloi që të bëhej një forcë e pathyeshme në mbrojtje të të drejtave njerëzore dhe kombëtare.
Karrierën arsimore e filloi me 1910 si mësues në Mejtep,por shpejt po me ate klasë bëhet nismëtar për të kaluar në shkollën e Parrucës e cila u hap me 1913. Atje punoi si mësues e më vonë si drejtor për 20 vjet rrjesht, ku u dallua për një punë të çmuar organizative, edukative e kulturore .Etja për dije dhe njohja e shumë gjuhëve të huaja i dhanë mundësinë të njihte nga afër literaturën e pasur botërore në fushën e pedagogjisë dhe mendimit përparimtar bashkëkohor.
Gjënë e parë që bëri në këtë shkollë ishte krijimi i bibliotekës për nxënësit dhe mësuesit.Motoja e tij ishte: “Me i paisë bijtë e shqipes me flatrat e diturisë që janë stolitë ma të çmueshme të kësaj jete.” Po në këte shkollë qe nismëtar i krijimit të orkestrës me vegla frymore e quajtur “Trupi muzikuer, Shkolla e Parrucës “ku pati përkrahjen dhe ndihmen e dy mësueve shumë të njohur shkodranë, Shuajp Domnori dhe Ragip Gjylbegu. Kjo shkollë mbahej ndër më të mirat ne Shqipëri. Shumë mësues të vjetër që kishin punuar me Z. Sh Muka e mbanin në gojë përvojën e mirë të kësaj shkolle dhe meritat ia jepnin drejtorit ekzigjent dhe organizator. Ai vuri në jetë mendimin pedagogjik më të përparuar të kohës.
Si ithtar i Herbartit dhe Pestalocit nuk kurseu asgjë nga vetja për t’i dhënë shkollës një frymë të re . Ishte mësues autodidakt dhe s’pushoi së shkruari, artikuj pedagogjikë, tekste shkollore, poezi patriotike e përkthime për pjesë leximi . Duke pasë këte formim ai ndikoi për një arsim masiv të djemve dhe të vajzave të Shkodrës, luftoi kundër analfabetizmit, hapi kurse për mësimin e gjuhës amtare sepse thoshte “ka vorfnue mija djelmoça dhe duhet me u shti ne zemër dashninë për gjuhën shqipe “ Për këte nuk nguroi te ngreje zërin e të bëhet nje luftëtar i zjarrtë për arsimimin e vajzave dhe edukimin e tyre përmes shkollës. Në fjalën përshëndetëse, që mbajti ditën e inaugurimit të shkollës së vajzave në vitin 1917 e cilësoi këte eveniment si ngjarje shumë të rendësishme, sepse vajzat nesër do të bëhen nëna dhe femijët e ardhshëm prej tyre do të marrin edukaten.
Duke theksuar edukimin patriotik nepërmjet kësaj shkolle ai mburret se “ Vajzat përveç mësimeve që do të marrin nuk do të harrojnë nesër t’u kendojnë fëmijëve “U rritsh bir ,o loçka eme ,dëshmitar për Atdhe tand”
I entuziazmuar nga fillimet e mbara për hapjen e shkollave të para në gjithë vendin, lufton po me ate vrull për emancipimin kulturor të rinisë shkodrane. Me 10 Mars 1919 së bashku me një grup patriotësh themelojnë Shoqërinë patriotike, kulturore e sportive “Vllaznia” që bëri emër në shumë aktivitete. Përpjekjen më të madhe e bëri për të hapur në Shkodër një gjimnaz shtetëror. Në shumë artikuj e ligjerata, letra e peticione dërguar autoriteve vendore dhe shtetërore ”.. për nji shkollë të mesme d.m.th.për nji Gjymnaz Zyrtar Kombëtar me profesor krejt të mirë që fëmija të kenë ku të ndjekin mësimet e mesme, që kështu të mos bjerret shpresa e re e Atdheut tue lanë pa e pajisë me nji kulturë për të cilën ka nevojë.” Kjo shkollë do të vlente sipas tij edhe për bashkim dhe mirëkuptim fetar. Në këto kushte ai thekson se pjesa katolike i kishte shkollat përkatëse, ate të Françeskanëve dhe të Jezuiteve ndërsa pjesa myslimane nuk i dërgonte femijët në këto shkolla për arsye fetare.” Ne duhet të luftojmë që myslimanët e Shqipnisë duhet të jenë ma te zhvilluemit e të gjithë myslimanëve të botës për arsye se janë të Evropës”. Në përpjekje e sipër ai e realizoi qëllimin e shumë kërkuar. Gjimnazi i shtetit u hap me 1922. Ky institucion u bë shpejt një qendër e bashkimit kombëtar e fetar. Shkolla e re u mbush me nxënës nga e gjithë Shqipëria, Kosova e Çamëria, me nxënës të besimeve të ndryshme. Tani ai afirmohet si organizator i arsimit Kombëtar. Në Maj të vitit 1922 Ministri i Arsimit, Rexhep Mitrovica i dërgon një njoftim me programin e Kongresit që do të mbahej së shpejti.
Nga pikëpamja fetare ishte mysliman dhe bashkëpunonte me klerikët më të kulturuar islam si H. Ibrahim Repishti, H.Abaz Golemi, H.Ali Tari, H Kaduku, H.Sabri Bushati etj. Ai solli të reja në mësimin e fesë ashtu siç bëri Noli me përkthimet e psalmeve në gjuhën shqipe. Në përkthimet e librave fetare ai vet shkruan:”Me botime librash e përkthimesh në gjuhën e dashtun t’onen, ka me pasë rasë zogu i shqiptarit mysliman m’e mësuem e me njoftë fenë e vertetë të veten e, tue mësuem urdhnat e ndalimet e fesë, ka me qenë vertetë nji gjymtyrë e shëndoshe për bashkëfetaret e bashkatdhetarët e vet e për gjithë shoqnin njerzore mbarë”.
Nga ana tjetër ishte shumë i lidhur edhe me klerikët katolikë me të cilët diskutonte dhe bashkëpunonte për çështje kombëtare, si Pater Gjergj Fishta, Pater Anton Arapi, Pjetër Meshkalla. për këte të fundit u jepte porosi fëmijëve të vet nga burgu :” Meshkallës , mos harroni me i shkue për Pashkë, të m’i sillni urimet, përshëndetjet e falenderimet e mija”.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e 60-vjetorit të lindjes së At Fishtës, Shkodrani(Sh.Muka) mbajti kumtesën ‘Gjergj Fishta për zgjimin kombëtar”. Në ate eveniment, Ai u radhit me personalitetet me të shquara të elitës shkodrane,duke promovue idetë përparimtare të Fishtës për bashkimin kombëtar.
Idenë e tolerancës fetare në Shqipëri e mbron me një ligjeratë të mbajtur me rastin e festës së Pavarësisë: ”Hala s’paskan marrë vesh armiqtë e tradhëtaret e kombit t’onë se ne Shqypni nuk ka turk e kaurr ?! S’ka jo, turk e kaurr ka vetëm shqiptar me besim mysliman,katolik e ortodoks.”
Për merita të veçanta në edukimin e brezit te ri në vitin 1933 e emërojne drejtor në shkollën modelore të Tiranës “Hoxha Tahsin” në të cilën qendron pak vite, por jep një ndihmesë të madhe në planin pedagogjik e shoqëror.Pas tre vjetesh, emërohet
drejtor i” Strehës Vorfnore” të Tiranës.
Atje vë të gjitha energjitë fizike e mendore në shërbim të këtij institucioni shkollë-familje, këte punë të dyfishtë si prind dhe si mësues e bën me shumë dashuri për t’ju dhëne fëmijëve jetim gjithçka që u mungonte .Edhe pse kishte një afeksion të madh për femijët, nuk bënte lëshime në drejtim të rregullit e të disiplinës, pastërtisë dhe punës sistematike. Me që shkolla financohesh nga Kryqi Kuq Shqiptar, ai mundohej që këto fonde t’i ekonomizonte sa më mirë në dobi të shëndetit të fëmijëve për të cilët kishte krijuar kushtet më të volitshme për jetë të kulturuar. I prirur nga mësimet e Xhon Djuit,pragmatisti i njohur amerikan, i cili i jepte rendësi praktikës mësimore, hapi reparte pune si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Organizoi orkestren me vegla frymore, zhvilloi veprimtari sportive e kulturore te larmishme.Në repartet e zdrukthtarisë,rrobaqepësisë, tezgjahut, qëndisisë, këpucarisë dhe gjithashtu në parcelat ku bëhej puna bujqësore në rrethinat e Tiranës,i aftësonte fëmijët të ishin në aktivitet të vazhdueshëm ku njëherësh mësonin dhe nxirrnin shumicën e shpenzimeve të veta. I kënaqur nga puna dhe sukseset që kishte arritur me fëmijët e strehës, i shkruante mikut të tij, mësuesit Jahja Domnorit, me anë të një kartoline ku nxënësit dukeshin të rreshtuar bukurt(shiko fotot) “Kjo fotografi vllai im, asht estetikë në vetvete. Për ditë më shkon mendja ma ba nga nji gja të re .Më knaqet shpirti kur i shoh në rregull. Detyra jonë asht gjithmonë përpara.” (fotografite jane marre nga arkivi i familjes se J.Domnorit )
Në kulmin e veprimtarisë së tij, pushtimi fashist ia ndërpret këte punë pasionante prej misionari të devotshëm . E arrestojnë dhe e internojnë si njeri i padëshiruar për rregjimin fashist. Po nga italianët ishte arrestuar dhe internuar si person i rrezikshëm në vitin 1919, kur ai ishte në Vlorë me detyra të rëndësishme.
Patrioti i flaktë që i kushtoi gjithë jetën përparimit të kombit, denimin më të madh e mori nga diktatura komuniste. Burgu i gjatë, peripecitë, torturat nuk e mposhtën, edhe atje në qelitë e errëta përhapte dritë duke mësuar të rinjtë për gjithçka dinte nga eksperienca e gjatë si mësues. Bashkëvuajtësi i tij, Sheuqet Kraja në shkrimin “Mësuesi ynë në shkollën e burgjeve “ ndër të tjera shkruante :“Ndonëse kalova një kohë të gjatë me mësuesin tim në burg e kam të veshtirë të vë në pah të veçantën, me çka ngadhnjeu disa herë ky luftëtar në fushat e përpjekjeve e të përleshjeve më rrënqethëse që pau me dhimbje Historia jonë Kombëtare. Për vite të tëra, përballë, pranë e pas tij, nuk arrita të zbuloj heroiken që e bëri të fitojë respektin e vendnderin krah burrave më të rrallë të Shqipërisë.”
Në të njëjtën kohë ai vazhdonte edukimin e fëmijëve të vet me letra nga burgu. Dëshmi për këte janë 200 letrat që edhe sot ruhen në arkivin e familjes Muka. Në të gjitha letrat shruante me fjalë të urta e këshilla që t’i shërbenin ardhmërisë së tyre dhe për secilin fëmijë shkruante në mënyrë të veçantë, ndërsa këshilla e përgjithshme për to ishte “Të jeni gjithmonë nxanës“.
Djali i tij, Adnan Muka, në një letër falenderimi që ia drejtonte auditorit në një konferencë kushtuar Z.Sheuqet Muka, pas 1990, shkruante:”Ne, 5 fëmijët e tij, fati na privoi të drejtën e ligjshme natyrore për t’u rritur e edukuar direkt prej tij.Po megjithate ai me mjeshtëri artisti nepërmjet letrave nga burgjet na ka dhënë leksione të mirëfillta edukative,shumë të çmueshme e të dashura. Na mësoi dhe na formoi me edukatë qytetare. I jemi pakufi mirënjohës.”
Mesazhi i vlefshëm që ka lënë për të gjithë ne, i cili do të transmetohet ndër breza është : “Sa ma të ditun që të jemi, aq ma të fortë e të pasun do të kemi komb e atdhe, përnjiherë edhe vetë do të jemi ma të lumtun,”
Veprimtaria Kombëtare e Z.Sheuqet Muka,pavarësisht nga nepërkembja, ishte e njohur. Shkodra ziente përbrenda nga këto padrejtësi që i bëheshin intelektualëve patriotë. Kjo u duk qartë në ditën e ceremonisë mortore ku pjesëmarrja masive pa dallim klase e feje ishte një sfidë për rregjimin e egër.Ai vdiq dy vjet pasi kishte dalë nga burgu.Ishte janari i ftohtë i vitit 1967, kur lufta e klasave ishte acaruar se tepërmi, por shkodranët, si gjithmonë, pa marrë parasysh se çfarë mund t’u ndodhte e manifestuan paqësisht urrejtjen ndaj persekutorëve për të lartësuar respektin ndaj atyre që u sakrifikuan për Kombin. Në krye të kortezhit krahas klerikëve myslimanë ishin edhe klerikët katolikë si Padër Meshkalla, At Frano Kiri, Padër Mark Arapi etj.Ky tubim ishte i papritur për autoritetet vendore.Ata nuk munden ta ndalnin ate lum njerëzish, ate nderim të veçantë që i bënë bashkëqytetarët, Martirit të Demokracisë.Më pas u morën disa masa, por s’mund të dënonin gjithë qytetin.
Sot studiues të ndryshëm të aktivitetit të tij e vlerësojnë me krenari trashëgiminë e vyer kulturore, edukative dhe politiko-shoqërore:
Studiusi i mirënjohur shkodran, Mentor Quku,i ka bërë këte vlerësim:”Ndriçimi i kësaj maje olimpike të qytetit tonë, do te shtojë nje gur tjetër në tempullin, ku brezat do të vijnë të mësojnë si të punojnë per vendin e vet “
“ Sheuqet Muka, intelektuali dhe atdhetari i njohur, nacionalisti i shquar dhe antikomunisti i vendosur, luftëtari i unitetit kombëtar dhe misionari i dijes,i arsimit, i kulturës dhe fesë.Njeriu që aqë shumë e deshi atdheun,lirinë e shkollën shqipe , por që aqë shumë u ndoq dhe u persekutua” .nga Dr. Vehbi Hoti
“Sheuqet Mukës, Burrë si burrat e motit shoq i paharrueshem i burgimit komunist, këte ligjeratë teologjike mbi te Shenjten Trini,shkrue sipas dishirit e nxitjeve të shpeshta të tij,autori në shenjë miqësie e çmimit me kënaqësi të vërtetë ja kushton . Nga vepra e P.Mark Harapi
“Ai është shembull tipik i MËSUESIT TË POPULLIT.” Nga studiusi i shquar i arsimit kombëtar, Islam Dizdari.
‘ Hallall’kjoftë e Shqipnisë buka./Xhemal Naipi e Sheuqet Muka /Patriotë fetarë e atdhetarë/ Egër i shtypi diktatura “ Nga rapsodi popullor Dedë Shyti
“ Ne vargun e krijimtarisë së Sh. Mukës është për t’u shënuar angazhimi i tij si ligjërues që shquhej për thellësinë e përmbajtjes, qartësine e trajtimit, bukurinë e natyrshmërinë e paraqitjes së fakteve e të argumenteve, pasurinë e gjuhës e stilin elokuent prej oratori.”Nga studiusi Dr. Faik Luli.
Për të njohur aktivitetin politik të Sheuqet Mukës po shënojmë disa pjesë të shkëputura
nga proces-verbali i hetuesisë ku ai pohon me kurajo çdo veprimtari që ka kryer .
A ke pasë ndonje nëpunësi në kohën e turqisë?
_Në vjetin 1910 kam mbaruar shkollën ushtarake ,
_A të pëlqente okupacioni turk?
_Në vendin tonë ka pasë elemente që punonin për t’u çliruar nga kjo zgjedhë nji nga këta jam edhe unë.
_A ke qenë antiitalian apo e ke simpatizuar?
_…Forcat italiane me kane arrestuar dhe më internuan si antiitalian…
_Ç’punë keni bërë në regjimin e Zogut e ke dashur këte rregjim apo ke qenë kundra tij?
_Gjatë regjimit të Zogut kam punuar si arsimtar … Regjimi i Zogut ka pasë statut, ku sigurohej demokracia,ka pasë liri shtypi,ka pasë Parlament dhe senat,pra i ka pasë të gjitha elementet e demokracisë.Në parlamentin e Zogut ishin shqiptarë, regjimi i Zogut si çdo regjim që krijohet në nji shtet te ri ka edhe të meta, nuk mund të kërkohet menjëherë shtet ideal. Per t’u bërë shtet ideal do kohë dhe mua me pëlqen zhvillimi i gjërave me evolucion.Unë jam ithtar i evolucionit.
_A të pëlqeu okupacioni Italian?
-Fashizmi nuk më pëlqeu.Jam arrestuar nga fashistet në daten 5 qershor 1939 …Une jam internuar si antifashist dhe jo si zogist.
– A i quaje gjermanët okupatore?
– Gjermanet i konsiderova si nje okupator më të rëndë se italianet.
– A mereshit me politikë?
– Në fillim të vitit 1944 u formua në Shkoder “Besa Shqiptare”.Inisiatoret e kësaj organizate qenë:Ndoc Çoba ,
Tef Gera,Hysen Lohja, Hys Draçini, Xhemal Naipi dhe unë Sheuqet Muka.
– Mbledhjen e parë për të organizuar këte organizatë e kemi bërë në shtëpinë e Ndoc Ç obës .
– Si pikë kryesore kishim bashkimin e popullit dhe me qenë gati me çlirimin e Atdheut,largimi nga vëllavrasja dhe pajtim gjaqesh.
Na trego për lidhjen e Shkodrës
…..është bërë një marrëveshje ndërmjet këtyre organizatave : “Besa Shqiptare”,”Grupi Nacional Indipendent”, dhe “Balli Kombëtar” Marrëveshja ka qenë në këto pika: Me i qëndrue larg vëllavrasjes dhe e dyta bashkim në rast mësymje nga jugosllavët. Në mbarim të luftës organizatat do të jenë të lira të tregojnë aktivitetin e tyre ….
A kishit marrëveshje me Lidhjen e Prizrenit?
……Nder të tjera pohon :”Tendenca e kësaj besëlidhje ka qenë ÇLIRIMI I KOSOVES nga jugosllavët dhe me u bashkue me Shqipërinë.
A ke qenë në mbledhjen e Zall-Herrit kur u bë Kongresi i Legalitetit?
-Organizata “Besa Shqiptare”u ftua në këte kongres si organizatë më vete …..
Ndoc Çoba mbajti një fjalim me rastin e hapjes së kongresit ….ai foli mbi mënyren e bashkimit të anëtarëve të Legalitetit.Në këte mbledhje u vendos që të bashkohen dhe të përgatiten forcat për të luftuar okupatorin…..
Zotëri të pushtetit, veprimtarinë time nuk e quaj tradhëti, pse s’ kam ba tradhëti që të pendohem e të dënohem .”Besa Shqiptare” s’ka qenë tradhëtare, as “Lidhja e Shkodrës”.
Materiali i plote eshte ne dosjen me numer arkivor 1162/a dhe në shkrimin e Astrit Jusuf Jegenit
‘Sheuqet Muka në personalitetin e tij politik e historik”
–
shkodrani says
Sheuqet Muka , sipas doreshkrimeve dhe letrave te historise del nje burre fisnik dhe me integritet patriotik. Ndersa djali tij Adnan Muka, eshte nje njeri i cili ndrysh nga i jati, mundohet te perfitoje prona me pa te drejte ne emer te persekutimit komunist. Persekutim i cili i eshte bere cdo shqiptari.