Libri: Neki Lulaj: “Kodi i Tokës”, poezi-Tiranë, 2015)/
nga Sejdi BERISHA/
Veprat e atyre të cilët në mërgatë e diasporë krijojnë e veprojnë, e që tok me punën digjen e përcëllohen për dheun e atdheun, me mallin për njeriun e kombin, janë të peshës dhe të këndimit të veçantë.Është kështu, sepse, janë të vetëdijshëm se “stinët ikin e sillen si akrepa ore me turravrapin kohë”. Për këtë arsye, vargu i tyre është i mbrumur por edhe i katandisur gjithandej stinëve, të cilat frikshëm dhe shpejtë ikin e rrugëtojnë mbi binarët pa stacion ndaljeje, edhe me rrapllimë të çuditshme, që rrugët i shndërrojnë në tablo pikturash dhe faqe periudhash historike, reflektojnë motet e trishta, që janë vulë e pasqyrë e trakullimave të jetës së njeriut, e cila i ngjanë ujëvarës së etur e të zemëruar nga hilet, premtimet e mashtrimet, të cilat njeriut nuk i hiqen dot qafet.
Jehu i vargut si provokim për ta përjetësuar thelbin e mallit, mendjes dhe të jetës së njeriut
I tillë është edhe krijuesi Neki Lulaj, i cili tërë ndijimin e vet shpirtëror e shndërron në këngë e në fat, në lumturi, në mall e dhembje të njeriut, e që kurrë nuk ngopet as me atë që e këndon dhe as me atë që e lartëson atdheun dhe njeriun, mbase, edhe njerëzoren. Dhe, duke e kërkuar fatin, pse jo edhe veten, ai ligjëron me një peshë krenarie por edhe hidhërimi, për të treguar se gjithmonë, njeriu edhe pse në tokën e vetë, është plot droje për të marrë frymë lirshëm, për të kënduar pa frikë dhe për ta përqafuar çdo pëllëmbë dheu pa e pasur tkurrjen shoqërues zemre e shpirti, as ndrydhjen dhe pamundësinë ëndrrën për ta rrëfyer e treguar lirshëm deri në fund. Për këtë arsye, autori, nuk reflekton vetëm këtë segment jete, por, sikur edhe provokon për të hyrë brenda në histori, në thelbin e mendjes dhe të jetës së njeriut: “Në majë të gishtërinjve ecja në mes të zgërbonjave të lisave/Me një fener në mes pyllit lëviz unë dhe era me drojë…”! Dhe, pikërisht për këtë, në poezinë “Fatin e kërkoja”, në mes tjerash ligjëron: “Frikësohesha se mos jam vonuar në vend e në kohë”.
Historia, fati dhe shpejtimi për ta zënë atë hapin e hapit të jetës, popullin gjithnjë e ka shndërruar në kujdestar të çuditshëm, në besimtar të pathyer, por edhe në pritje fati, që bukën, vetë ta prodhojë e ta gatuajë, sepse, kështu atëherë, buka edhe me lëng hahet dhe është shumë më e shijshme se çdo gjellë tjetër.
Poezia e Neki Lulajt, është gjithnjë si diçka që i ngjanë mishit e thonit, që nuk ndahen, por janë fuqimisht të lidhur. Kështu, ai, është pjesë e çdo lëvizjeje të kohës, e cila është apo mund të jetë e lumtur e krenare, por edhe e dhembshme, ngase ai jeton e frymon në kurbet. Për këtë, më së miri dëshmojnë edhe vargjet: “Në ndarje e putha fort fytyrën tënde flakë zjarri/Ishin trishtim kur ktheva të të puth fort tek balli/Me afshin e dashurisë prindërore në kurbetin e egër/…E sot… sot sërish u ktheva ndryshe, nënë e hyjnizuar”.
Pra, kjo është ajo pesha e formulës historike e jetës, e cila shpeshherë ngelet e pazbërthyer, apo edhe si copë akulli në zemër për rrjedhat dhe pamëshirën e kohës. Në këtë formë, autori i librit “Kodi i Tokës” ligjëron edhe në shumë poezi të tjera, që nganjëherë i ngjajnë mbështjellësit të pazakontë me shkronja rënduar e mbuluar, e ndonjëherë, edhe çarçafit të bardhë si qenari, që i përngjanë dëlirësisë e nganjëherë edhe qefinit, të cilin njeriu ynë e kishte pjesë të pandarë trupi, ngase, jetës nuk i dihet, e në tokën e përcëlluar duhet prehur pa dhembje, plot bardhësi dhe pa gabime!
Kështu, vargëzimi zgjatë dorën dhe prek çdo gjë, edhe plagët e kurbetit, edhe përrallat dhe ëndrrat e realizuara e të parealizuara, që shkaktojnë zjarrmi në faqet e brishta të historisë por edhe në mungesën e dëshmive nganjëherë të skutavura e të fshehura, të cilat, edhe ato flasin në mënyrën e vetë, krenohen e qortojnë vend e vendbanim, për çdo kohë e cep kohe: “Për Çamërinë time kam zjarr, kam këngë e mallin e pasosur/Për Çamërinë bëhem palcë guri që kurrë nuk thahet në breza”!
Faktori kohë, asnjëherë nuk përjashtohet nga fokusi i mendjes dhe i përkushtimit për rrjedhat e ndritshme, shpeshherë të çuditshme gjatë shekujve viterreptë e ndonjëherë edhe vite repana e të shkulur nga erëra e stuhi, të shpëlara nga hiena e fantomë krijesash.
Të gjitha këto, shpirtërisht e kanë detyruar autorin të rri kujdestar i regjistrimit të çdo rrjedhe jete, të cilat rrjedha, edhe kur bashkojnë, ato, prapë e kanë atë drojën e ndarjes, që pastaj shkakton gjithçka që e përlanë, e forcon dhe e kthjellë mendjen e secilit, pra, edhe të autorit, për të qenë ai që e vë në dritë regjistrimin e rrjedhave të cilat e ndërtojnë kullën e çuditshme, ku, edhe aty qëndron poeti si roje për ta penguar mbase edhe për ta ngulfatur kohën që quhet ikje! Prandaj, atë, me arsye e shohim në vorbullën e vlimeve të mendimeve: “Në një pus të pafund më kalërojnë mendimet/Si një skile nate më lebetitin e më zënë shtigjet/Ku një lumë, o sa shpejtë hyri nën Urën e Pritjes/E nuk u çmallëm dot as me varrezat se erdhi koha për ikje”!
Rrugëtimi në kurbet udhë e pafund me peshën dhe mesazhin e kuvendimit poetik edhe me vetveten
Kështu ligjërohet, kështu është ligjëruar pothuajse në të gjitha kohërat. Prandaj, në një mënyrë, krijimtaria në diasporë, pra, edhe ajo e Neki Lulajt, pasqyron tablo interesante, të rëndësishme por të dhembshme të jetës së shqiptarëve në kurbet, në diasporë, e cila i ngjanë udhës dhe rrugëtimit të pafund, të mos them biblik, nëpër shekuj, për çfarë, edhe shumë kohë përpara është shkruar e kënduar përflakshëm për kurbetin. Poetët, janë djegur e përcëlluar në vargun e tyre, që është edhe pasqyrë e njeriut të tokës së shqipeve.
Mërgimtarin, e më shumë krijuesin në dhé të huaj, e kapërthejnë dhe e mundojnë shumë ngjarje e rrjedha të ndryshme, të dhembshme e të ndritshme të cilat kanë ndodhur e duhet të realizohen e shënohen në vendlindje. Për këtë arsye, shpeshherë, në pamundësi për të folur e debatuar me të tjerët, poeti flet e kuvendon me vetveten, gjithnjë për të thënë, treguar e për të qortuar gjithçka, ama bash gjithçka.
Autori flet e flet me vetveten, në fakt, me njerëzit, me popullin, me nënat e baballarët, me vëllezërit e motrat, me fëmijët e foshnjat: “Mbi gurët graniti gravuar ishin emrat që na mungojnë/Lindur në data, muaj e vite të ndryshme të jetës fluturore/Ardhmërinë e kishin në supet që kohëve iu rëndojnë/Pavdekësinë e kishin sa datë të shenjtë engjëllore”. Pra, kjo që thuhet në vargje, bëhet si një mllo, si një bos vreri në gjoks, i cili shndërrohet në lidhje që i bën varg e varg të gjitha ngjarjet përmes këndimit poetik, i bën fjalë të zjarrta e të urta, që përkundër dufit, shpërthejnë e nxjerrin kokë si amanet baballarësh e gjyshërish, që shtrihen e daktisen nëpër letra e libra ndonjëherë të ndrydhura e të rënduara me pluhur kohërash. Andaj, autori, sikur i ka hetuar apo i ka ndjerë ecjet jo të lehta dhe shumë të rënda, për çfarë thotë: “Shtigjeve patëm stërkëmbëza, prita e kurthe/Pelegrinazhi dardan nuk e ndali marshin/…Në frëngji kullash hetuam rilindjen e vetvetes”!
Ndoshta, edhe nga këtu imponohet trandja e zemërimi për ta gjetur atë pikën e hapjes dhe të mbylljes të të gjitha rrugëve dhe shtigjeve, që mund të quhet kod, e në këtë rast, autori e shpërndanë dhe në të njëjtën kohë edhe kërkon kodin e tokës.
Sa sfiduese është një gjë e tillë, sa i dhembshëm është ëndërrimi dhe mundi për t’ia qëlluar një aritmetike të tillë poetike, që filozofinë e jetës e shndërron në kod, i cili, padyshim është plasës e përplasës i vetë njeriut, duke mbërthyer brendapërbrenda shumë çelësa që i ngjajnë jetës dhe vetëm çelësit të jetës! Këtë katandisje shpirti e hasim pothuajse tek të gjitha poezitë, por në forma të ndryshme, ku ditët, vitet e motet shndërrohen si në dritë madhështie.
Shëtitja sa në Tiranë, sa tek këndimi i Mjedës, sa tek kënga e pakryer, tek kodra e deri tek gjaku i derdhur, sa tek shëtitja buzë detit Jon dhe në Çamëri, Lulaj bëhet pelegrin i veçantë, kurse me vargun e tij ngreh shtrat lumi, me të cilin thua se ujitë e freskon çdo pëllëmbë e cep toke, e, me mallin që ka, flet e tregon për çdo gjë e për gjithçka në unazë rrethore, kurse, njeriun e atdheun i vë sipër koke, në zemër e në mendje. Për çfarë edhe ligjëron: “Atdheun tim faqebardhë/E kam shpirt, e kam xhan/Atdheun e kam krushk/…E kam arterien e shpirtit/E kam Teutë e Dardan/… E kam përkrenare të Gjergjit/E flamur të Vlorës motër/E kam ferexhe të Nënë Terezës/… E kam betim të ushtarit/E kam sakrificën e Prekazit/E kam Betejën e Logjës/E kam gurin e gjakosur të Koshares…”! Pra, ky është kodi i tokës, kodi i atdheut të tij. Dhe tash, sikur i tërë vendi, por edhe vendlindja e, janë vend i pushimit shpirtëror, por, edhe temë ende e pazgjidhur, e cila njeriun e detyron të ecën nëpër kohë si mbi teh shpate, por duke i kënduar këngët që shkrepin dritë e madhështi, edhe pse disa sosh ende janë të pa kënduara!
Poezia dhe zëri i poetit si antologji e krenarisë dhe e dhembjeve
Prandaj, autori na përkujton shumëçka, më ç’rast vargun e bën pritje dhe revoltë: “Pse, hesht ti, pulëbardhë pa gojë?/Pse vazhdon fluturimin në Vlorë?/Pse je pajtuar ti me heshtjen?/Nuk të lemi ty të gjorën të heshtur/Se të bëhemi urë e pararoje, të kem motër/Të gjakut arbëror”! Më pastaj, në rrjedhën e këndimit poetik, autori bëhet heshtje e lutjes për rrëfimet që janë ditë, javë, vit, decenie e diçka më shumë, të cilat e përvëlojnë me mallin për vatrën ku është lindur. Por, jo vetëm kaq. Sepse, këto rrjedhime sikur i ngjajnë vjetarëve dhe antologjive të dhembjeve, ngase, mërgimi është plaga më e vjetër, e cila vetëm ndonjëherë bie në gjumë, por kurrë nuk shërohet: “Athua a jemi shumë që boll jemi të tërë jashtë/E nga këtu mallohem për gurishtën për ferrë e shkarpa/Për gurrën e ujit në mes të fshatit ku i mbushnim kanatat/Për baltën e rrugëve të boshatisura e shirat e gjata”.
Por, nuk është vetëm kjo plagë-prush. Fati i njeriut edhe sot është plot damka, trembje e me rrugë të ngushtimit shpirtëror, që edhe në këtë shekull kanë gjeneruar baladën e ikjes: “Ç’janë këta grumbuj burra gra e fëmijë fytyrë ngrirë/E këto duar krah e qafë mbrëmjeve në errësirë?/Në stacionin e takimeve ardhjeve e shkuarjeve/Ikje ndarje gjëmë, britma, lot, vaje lamtumirë/… Heeej, nxënësit i lanë bosh klasat, mësueset e shoqet e shkollës/E lanë në gjysmë Abetaren tabelën e shumëzimit/Foshnja s’arriti ta mësojë as betimin e ushtarit të panjohur/As ngjyrën e flamurit, as alfabetin e Manastirit”!
E tmerrshme dhe e rëndë kjo histori, kjo pasqyrë dheu e atdheu, që na prezanton poeti.
Me vargje të tilla dhe të ngjashme është i mbërthyer i tërë libri, dhe thua se të gjitha janë si atlas i një gjeografie shpirtërore. Mirëpo, krijuesi e din dhe është i vetëdijshëm se kombi i tij nuk është i dënuar nga Zoti. Dhe, dua të them, se pikërisht në këtë duhet kërkuar shkaktarin e mëkateve dhe të të gjitha të këqijave edhe brenda vetvetes. Sepse, siç thotë Franz Kafka: “E hidhur nuk paska qenë jeta, por njerëzit”!
Mërgimtarët, pra, edhe shkrimtarët nga atje, përveç këndimit të flaktë, ata kanë dëshirë edhe t’i fusin në një arkë të fildishtë (nëse ekziston diku ajo) të gjitha kujtimet për vendlindjen, për atdheun e për kombin, mu si nusja pajën që e ruan deri në fund të fundit të jetës. Edhe pse brenda kësaj arke, plakën rrëfime, ëndrra të parealizuara, dhembje e lot, moçnisen edhe shumë fjalë kurrë të pathëna, e bëhet rrëmujë historia…!
Dhe tash, Kodi i Tokës…! Po, kush mund ta gjej apo të ia qëllojë këtij çelësi të artë e të çoroditur në të njëjtën kohë?! Këtë duhet ta bëjë vetë njeriu, duke e praruar jetën me lumturinë dhe me njerëzoren. E ky, ndoshta është kodi, kodi i tokës, i mendjes së njeriut, e cila gjë më së shumti i nevojitet pikërisht njeriut të vendit tonë, të tokës sonë të lashtë e të shenjtë. E, poezia është një prej çelësave, që bën mrekulli, sa që edhe kohërat çmendën…! Dhe se, puna përkushtuese në këtë vepër të Neki Lulajt, sikur plotësisht puthitet me mendimin e Ernest Hemingway: “Të shkruarit është gjë e lehtë. Gjithë ç’të duhet është të ulesh para makinës së shkrimit dhe të pikosh gjak”!