Agim Baçi/
Filozofi Edmond Husserl e konsideronte leximin “pasion njohjeje”. Sipas tij, ky pasion njohjeje lidhet me pyetjet për thelbin e qenies, për atë çfarë duam të njohim për vetveten dhe për atë që ndryshon në udhëtimin tonë në jetë. E në këtë udhëtim, padyshim që ka pyetje që mund të na ndezin motorrë të fortë mendimesh e veprimesh. Dhe ajo që duket se na lidh lehtësisht me të tjerët rreth nesh, është mënyra se si arrijmë të kuptojmë brenda nesh fajësisë dhe pafajësisë, pasi shpesh askush nga ne nuk gjen dot udhën e qetë për sa kohë që nuk ja ka dhënë peshën e duhur.
Në këtë hulli dilemash për fajësinë dhe pafajësinë e vet e ka sjellë personazhin kryesor të rrëfimit të tij Primo Shllaku, në romanin “pesha e padurueshme e pafajësisë”. Marini, një hidraulik 19- vjeçar vjen nga një pafajësi e dilemave të moshës e më pas vihet përballë një pafajësie tjetër- atë të pafajësisë së pafuqisë për të kuptuar peshën e një rendi që ai nuk ka fuqi ta ndalë, por ama, që duhet hetuar me plot pyetje se, përse fati e solli përballë një dënimi politik, të cilit ai nuk ja di as fillin e nisjes e as të mbërritjes së akuzave që i bëhen.
Marin Shita, prezantohet në rrëfim në muajt e fundit përpara përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, teksa është i mahnitur nga një dashuri e pamundur. Duke menduar se ajo çka e ka pushtuar në zemër është e ndaluar për të, vendos të prekë jetën me një dashuri që beson se do mundet. Atij i ka mbetur në mendje zonja Tatjana, një grua e bukur që e ka fqinje dhe që është gruaja e profesorit. Por, i bindur se ajo është diçka e pambërritshme, që nuk është një vile rrushi që këputet me sy, ai pranon të nisë të bashkëudhëtojë me Norën, vajzën që i prezanton familja, pasi kupton se me të mund t’ia mbërrijë të ecë me hapat e duhura.
Ecjen në këtë peshë të fortë ndjesish të Marinit, autori e ka mbivendosur mbi një urë tjetër të ndryshimeve të shoqërisë shqiptare, atë që po ndodhte në muajt e fundit të vitit 1944, ku në qendër të absurdit vendoset pikërisht i pafajshmi 19 vjeçar, ai normali, ai që do të jetojë përmes fuqive të vetvetes, përmes punës dhe dashurisë, pa u përzier me askënd.
Marini ka vetëm një “mëkat”,- i ka besuar ndjesitë e tij Batos, një njeriu që fshihet pas guximit të të tjerëve. Fillimisht ai ka të fshehtat me të për guximin që tregon përballë ushtarëve pushtues në qytetin ku pushtuesit do të ikin të fundit nga Shqipëria, ndërkohë që Bato, që bëhet më pas edhe një përfaqësues i komunistëve që morën pushtetin, vetëm ndjek atë pa marrë pjesë në aksion. Por një e fshehtë edhe më e madhe është ajo dashuri e pamundur me Tatjanën, gruan e profesorit, e cila e ka marrë shpesh për riparime hidraulike Marinin në shtëpi. Ai është i mahnitur, i marrosur pas saj, pa mundur t’i thotë asgjë, asnjë fjalë. Dhe këtë të fshehtë ai ja beson sërish Batos pa ja ditur pasojat…
“Njohja është i vetmi moral i romanit”, shprehet kritiku Herman Broch teksa tenton të japë një përkufizim të rrëfimit romanor. Dhe, në fakt, i gjithë rrëfimi i Primo Shllakut e ka këtë moral njohjeje. Autori na fton të ndjekim botën e këtij djaloshi të dashuruar, e më pas na e jep se si i përmbyset gjithçka përpara syve. Kjo përmbysje e shtyn atë t’i hipë të vetmit kalë që ecën në kokën dhe zemrën e tij- kalit të dëshirës për t’i dhënë kuptim ndëshkimit të pafajshëm të tij. Kjo kthehet më pas në sfidën më të madhe, sepse autori nuk përpiqet aspak ta shmangë nevojën që ka përsonazhi i tij për t’i dhënë peshën e duhur ndëshkimit për të cilin ai u akuzua pa faj.
I dalë nga qelia pas muajsh të gjatë burgimi, Marini kërkon fillimisht të shohë edhe një herë Norën, e cila është e lidhur me ditën kur lumturia dhe rrëzimi i tij janë bashkë. Imagjinoni këtë “Edomond Dantes” shqiptar, i cili teksa pret t’i vendosë unazën të fejuarës së tij, gjendet me pranga në duart e tij. Ky dërgim krejt i papritur në cepin e kundërt të botës që kish imagjinuar, e ka farkëton personazhin tonë që të bindë veten se duhet t’i japë peshën e duhur asaj që ai mësoi në një pafajësi që e besoi veç vetë. Kështu, pasi sheh edhe një herë në xhiron e qytetit Norën, e cila jeton një martesë krejt tjetër, me njerëz të “ngritur politikisht”, ai vendos të shkojë në paradën e kryeqytetit, ku do dalë udhëheqësi, të cilin ai dëshiron aq shumë ta vrasë…
Rrëfimi i Primo Shllakut ka bukurinë e fjalës dhe vrazhdësinë e jetës. E mundura dhe e pamundura qëndrojnë përballë, ashtu siç qëndron në fillim të romanit një çast i fortë i ndryshimit të Marinit, i cili e këput një vile rrushi veç me sy, me një vështrim që e gjakos në sy, ashtu siç jeta na këput ndonjëherë pa na prekur drejtëpëdrejtë, por përmes një vendimi që është larg nesh, dhe krejt absurd për t’u kuptuar. Ashtu siç e ëma e Marinit e ka të vështirë të kuptojë se si një vile rrushi ka rënë vetë në tokë, ashtu edhe atë që i ndodh Marinit më pas e kanë të vështirë ta kuptojnë ata që janë rreth tij.
Fundja, a nuk ishte kjo piktura e vetë regjimit komunist, ku njeriut nuk ju la asnjë hapësirë të mendojë apo analizojë atë që i ndodhte, sepse as që duhej ta dinte. Pa e ruajtur nga asgjë e pistë e jetës, Primo Sllaku ndërton jetën e shkatërruar të Marinit pikërisht mbi shpinën e atyre ditëve kur kalonim nga një pushtim armiku në një pushtim të një ideologjie që kërkonte ta kishte këdo nën peshën e frikës, larg mendimeve, larg dëshirës për të jetuar i lirë. Sepse të mendosh është e rrezikshme për një pushtet që e shpërfill njeriun.
Shllaku nuk kursen as klerikët në debatin lidhur me atë që duhet të pranojmë si fajësi dhe pafajësi e se si duhej pranuar realiteti i tyre në jetën përballë atyre që vendosin se cila është liria apo mungesa e lirisë. Një debat që përfshin jo thjesht kohën për të cilën flet libri, por edhe të tashmen e leximit tonë të rrëfimit, ku ende kemi njerëz që qëndrojnë strukur në pafuqinë për të pohuar fajësinë, apo për të mbrojtur pafajësinë e një kohe që nuk duhet të justifikohet, por pranohet. Kjo, fundja, është edhe pesha e durueshme e rrëfimit të Shllakut, që duhet ta bartim për vetveten…
Marini i Primo Shllakut qëndron i strukur pikërisht në hendekun e fortë që ka ngritur letërsia prej shekujsh, siç gjithkush nga ne ka patur dëshirën për njohje dhe pyetje pa fund kur ndeshet me botën e Jozef K., personazhit të Franz Kafkës, në romanin “Procesi” dhe Rasklonikovit të Dostojevskit, personazhit në romanin “Krim dhe ndëshkim”, ku i pari është dënuar por nuk di krimin që ka bërë, ndërkohë që i dyti ka kryer krimin dhe është në kërkim të peshës së ndëshkimit.
….Fundja, gjithçka ka të bëjë me atë peshë brenda nesh të veprimeve tona, që më pas bëhen edhe fati ynë, karakteri ynë.