KOSTA NAKE/
Erik Faje tregon se si lindi romani në vitin 1979, një takim rastësor, i barasvlefshëm me një eshtër të një kafshe prehistorike prej së cilës rindërtohet krejt skeleti i saj; për kalimin në heshtje të romanit kur u botua së pari në revistën “Nëntori” në vitin 1981.
Ardhja në Shqipëri e dy studiuesve irlandezë, Maks Roth dhe Vili Norton përbën pikën e lidhjes nga ku shtresohen katër marrëdhënie të ndryshme: administrata shtetërore dyshon dhe sillet sikur të ishin agjentë; Dezi – gruaja e nënprefektit, mendon se është një mundësi romance në atë humbëtirë; malësorët bëhen kureshtarë nga magnetofoni që përpin dhe tjetërson zërat e rapsodëve; murgu Dushan nuk mund të pranojë që studimet për eposin t’u shërbejnë shqiptarëve në dëm të serbëve.
Në varësi të këtyre raporteve, ngjarjet shpalosen në katër rrafshe: Nënprefekti dërgon pas studiuesve përgjuesit Dullë Baxhaja dhe Pjetër Prenushin dhe kulmon me dërgimin nga Tirana të përgjuesit të anglishtes; Dezi mundohet të tërheqë vëmendjen e Vili Nortonit; bujtinari Shtjefni kujdeset për studiuesit jo vetëm për akomodim, por edhe për t’u krijuar kontakte me rapsodët; murgu Dushan nxit eremitin Frrok të sulmojë studiuesit dhe t’ua shkatërrojë magnetofonin dhe shiritat e regjistrimeve, duke bërë të pariparueshëm studimin e tyre intrigues.
Gjithë kjo ngrehinë katërkatëshe shërben vetëm si piedestal për të vendosur monumentin e eposit shqiptar me tërë madhështinë dhe rrezëllitjen e tij. Kadare, që më se një herë ka dëshmuar me veprat e veta vëmendjen e shtuar dhe vlerësimin e lartë për foklorin shqiptar, e shfrytëzon këtë mjet artistik për të shkuar edhe më larg. “Studiuesve nuk u interesonte eposi shqiptar në vetvete, por teknologjia e prodhimit të tij.” (perifrazim nga f.59) Ata kapin dukurinë e harresës dhe shtesave për të kuptuar ç’ka ndodhur me eposin homerik. Thelbin e vërtetë të veprës e përbën përplasja shqiptaro-serbe për autorësinë e eposit. (f.101 – 102)
Kadare, me cilësinë e vëzhguesit të vëmendshëm dhe studjuesit të mprehtë, konstaton se elementët mitologjikë në motërzimin sllav të eposit janë tejet të varfra. Në fund Kadare heq dorashkat dhe, duke cituar një gazetë me gojën e Maksit deklaron: “S’është hera e parë që shovinistët sllavë goditin shkencëtarët që janë marrë me studimin e lashtësisë së etnisë dhe të kulturës shqiptare. Një egërsi dhe zili barbare, nga ato që shkaktohen, veç të tjerash, prej kompleksit të inferioritetit, i kap ata sa herë që dëgjojnë të bëhet fjalë për prejardhjen e shqiptarëve prej ilirëve. Çdo shkencëtar që merret drejtpërdrejt apo tërthorazi me këtë, shpallet armik i tyre.” (f.226)
Kadare vazhdon t’i rikthehet pafundësisht antikitetit grek, duke hedhur ide të reja, në një kohë kur shumë studiues të tjerë të mirëfilltë mund ta konsiderojnë këtë një çështje të mbyllur. Sa e pabesueshme shfaqet fjala shqipe në vargun e parë të Iliadës “Menin aeide thes Peleiadeos Ahilaios!” (Mërinë këndo hyjneshë të Akil Peleut.) Sa interesant është krahasimi i Ajkunës së eposit të kreshnikëve me Helenën e Trojës! Po finesa e pyetjes se ç’ka qenë Homeri! “Poet gjenial apo redaktor gjenial, zyrtar, kontestator apo ideolog? Ishte një lloj publishers i asaj kohe, kronist mondan i Olimpit, zëdhënës zyrtar, apo shef si çdo shef kishte ndihmësit e tij të shumtë. Apo s’ishte asnjë nga këto, madje s’ishte fare person, por një institucion, dhe emri i tij, i përbërë prej inicalesh, duhej shkruar jo Homer, por H.O.M.E.R.” (f.160) Perla të tilla mund të dalin vetëm nga pena kadarejane!
Përplasja shqiptaro-serbe vjen në bashkëkohësi si problem politik mes Serbisë e Kosovës, ose si çështje historike që lidhet me ardhjen e sllavëve në Ballkan, për të kulmuar me vlerësimin për qeverisjen: “… si është e mundur që një popull me përmasa të tilla të administrohet në kohën e sotme nga një regjim qesharak, madje është pak ta quash kështu…(f.132) … pas përpjekjesh titanike për të fituar lirinë, të përfundosh në një regjim të tillë, një shtet të tillë të pabesë dhe idiot; kjo është një hata.” (f.133) Pas kësaj sot dëshiroj të shtoj thënien popullore “Bjeri pragut, të dëgjojë dera.” Ja pse në marrëdhënien studiues i huaj – administratë shqiptare vepra vesh kostum karnavalesh. Përkundër kësaj administrate mjerane, duke rrëfyer herë pas here në trajtën e ditarit të mbajtur nga Vili Norton, autori gjen shtegun për të vlerësuar Konicën, këtë figurë të madhe të letrave shqipe që atëherë ishte nëpunës i atij aparati shtetëror dhe u bë i padëshirueshëm për regjímin komunist që erdhi më pas.
(Romani “Dosja H.” i Ismail Kadaresë, Tiranë 1981)