Nga Naum Prifti/
Ishte një vajzë e vogël që kishte një emër të çuditshëm dhe ndryshe nga gjithë emrat e tjerë. Ajo quhej Pika e Ujit sepse ishte vërtet e bukur si një pikë uji që shkëlqen në rrezet e diellit. Të gjithë ata që e shikonin thoshin se Pika e Ujit kur të rritej do të bëhej artiste, aq mirë dinte të kërcente. Ajo vetë nuk e dinte se ç’do të bëhej kur të rritej, po tani për tani i pëlqente të mësonte këngë të reja, të dëgjonte përralla dhe të shëtiste.
Pika e Ujit shtëpinë e kishte në malin e Tomorrit, në një shpellë të madhe, ku drita e diellit mezi hynte nga çatia prej shkëmbi. Ajo kishte dëgjuar se në botë ka qytete të mëdha dhe ura të larta. Kishte dëgjuar se ka një vend të madh plot me ujë të kripur, të cilit i thonë ‘det’. Por ajo vetë s’i kishte parë dhe bënte ç’bënte i thoshte mamasë:
-Eja të dalim shëtitje dhe ta shikojmë atë detin me ujë të kripur!
Po mamaja gjithmonë kishte punë qe s’mbaroheshin kurrë dhe e shtynte shëtitjen nga java në javë.
-Mos ki merak, kur të rritesh do ta shikosh detin.
-Unë dua ta shikoj tashti.
-Epo tashti je e vogël. Më mirë shko fli që të rritesh.
Dhe Pika e Ujit shkonte menjëherë të flinte sepse donte të rritej sa më parë.
Një ditë prej ditësh, atëherë dinte të numëronte deri në njëqind dhe njihte shkronjat, ajo i kërkoi leje mamasë të dilte të shëtiste.
-Ku do vesh? – e pyeti mamaja.
-Deri te burimi në mal. Mirë?
-Mirë, – i tha mamaja, – vetëm mos u vono!
-Jo, nuk do të vonohem. Sa ta shikoj burimin dhe do të kthehem prapë këtu.
Kështu pika e Ujit doli nga shtëpia në drejtimin që të çonte te burimi i malit. Kur arriti te burimi, ajo vuri re se aty çdo gjë shkëlqente dhe çdo send i ri i tërhiqte vëmendjen dhe zgjonte kureshtjen edhe më shumë. Aq shumë feksnin gurët, zaret madje edhe fijet e barit aty sa që Pika e Ujjit mbyllte sytë që të mos ia vriste drita e diellit.
Me ngadalë hapte një sy, pastaj edhe tjetrin. Dhe duke ngritur kokën lart drejt qiellit e kuptoi se një rruzull i ndritshëm lëshonte dritë mbi të gjitha sendet në tokë. Ajo pa pemët e larta, shkëmbinjtë e mëdhenj, gjithfarësoj lulesh ngjyra-ngjyra dhe nga gëzimi s’u përmbajt dot por thirri:
-Sa bukur qenka këtu! Sa më pëlqen të shikoj edhe ca gjera të tjera… Vallë ç’do të ketë pas këtij burimi?
Pika e Ujit pa zogjtë që fluturonin dhe tha me vete: “Sikur të mësoj edhe unë të fluturoj!” Kur një trumcak përplasi krahët kaq pranë burimit sa puplat e tij e çikën Pikën e Ujit mu në faqe, asaj ju duk se mund ta kapte por ai sakaq u fsheh në pyll.
-Atje duhet të ketë edhe shumë zogj të tjerë sepse cicërimat e tyre dëgjohen gjer këtu, – mendoi ajo.
Pika së Ujit aty për aty thuri një këngë që filloi ta këndonte me ngadalë nën zë e druajtur se mos e dëgjonte dikush:
“Zog i bukur,
Krahëshkruar
A më merr me vete mua?
Tok me ty
Të fluturoj
Shqipërinë
ta shikoj!
Merrmë e shpjermë
Gjer te retë!…
Ajo do të kish kënduar edhe më gjatë sikur të mos e kish tërhequr një flutur aty pari me krahët me cikla të kuqe dhe anët të zeza nga e cila Pika e Ujit u mahnit.
Duke ndjekur fluturën që ndalonte te një lule pastaj te një tjetër ajo mendoi se flutura i kishte ato shoqe prandaj po i kalonte me radhë, kurse Pikën e Ujit as që e njihte fare.
-Eja të bëhemi shoqe! A të pëlqen të më kesh shoqe mua?
-Mirë, – i tha flutura, – veç kij mendjen mos më lagësh krahët me ujë, se pastaj nuk fluturoj dot.
-Po si fluturon ti? A më mëson edhe mua të fluturoj që të shëtisim së bashku.
-Në qoftë dëshrion të fluturosh, përpiq krahët, ja kështu si unë, – i tha flutura dhe duke thënë kështu, filloi të vallëzonte në ajër.
Pika e Ujit s’kishte krahë prandaj s’kishte si t’i përpiqte. Ajo lëvizi duart gjersa i dhembën, po nuk qe e mundur të fluturonte. Ndërkohë flutura ishte prapa bregut dhe sado që Pika e Ujit u mundua ta ndiqte nuk arriti dot.
“Po mirë, – tha Pika e Ujit me vete, – unë do të pyes dikë tjetër që të më mësojë si të fluturoj”.
Ktheu kokën të shihte rreth e qark.
Vallë ç’kishte pas atyre pemëve të larta? Po pas këtij bregu çfarë mund të shikoje? Ku ishte ai vendi me ujë shumë të cilit i thoshin det?
Ajo filloi të zbriste tatëpjetë përroit duke u mbajtur pas fijeve të barit e pas fletëve të luleve. Në ajër ndjeu dritherime të lehta nga një dallëndyshe me bishtin si gërshërë. Ajo i kishte dëgjuar përshkrimet e mamasë për zogjtë dhe natyrën por tani i shikonte për herë të parë.
-Dallëndyshe, – i tha Pika e Ujit, – a më mëson edhe mua si të fluturoj? Flutura që takova pak më parë më tha “përpiq krahët dhe do të fluturosh”.
-Ti nuk ke krahë prandaj nuk mund të fluturosh. Më mirë mëso të vozitësh me varkë. A ke hipur ndonjëherë në varkë? – e pyeti dallëndyshja.
-Asnjëherë.
-Atëherë do të të sjell unë një varkë, – i tha dallëndyshja dhe sakaq i humbi nga sytë.
Pas pak ajo i solli me sqepin e saj një lëvozhgë arre. Në vend të lopatave dallëndyshja i dha dy fije kallamishte. Varka përkundej në ujë por Pika e Ujit s’kishte hiç frikë. Me anë të lopatave kallamishte Pika e Ujit voziste në një vijë uji përmes një lugine të gjelbër. Prej andej shihej mali i Tomorrit dhe përrenjtë që shkisnin faqeve të tij.
“Andej kam zbritur unë, – mendoi Pika e Ujit duke parë atë me admirim. Atje janë shtëpia ime e bukur dhe mamaja. Pastaj menjëherë u kujtua. Ua! Po unë i premtova mamasë se do të kthehem shpejt në shtëpi… Kushedi sa vonë është bërë tashti!”
Pika e Ujit deshi të kthente varkën e të merrte rrugën e shtëpisë, po ishe e pamundur, sepse guaska e arrës nuk mund të voziste kundër rrymës. Rryma ishte shumë e shpejtë dhe Pika e Ujit e kuptoi se nuk mund të kthehej në drejtimin e kundërt. Ujërat shkisnin gjithmonë tatëpjetë dhe çdo çast e largonte edhe më shumë nga shtëpia. Pika e Ujit u tremb dhe duke vënë gishtin në gojë zuri të mendohej.
“Po sikur të mos e gjej rrugën e shtëpisë dhe të humbas këtej?…” Ajo u hidhërua shumë dhe gati zuri të qante. Por mamaja e kishte porositur se fëmijët që dinë emrin dhe mbiemrin e tyre nuk humbasin. Dhe atëherë ajo tha me zë të lartë që të dëgjohej sa më larg:
-Unë jam Pika e Ujit!
Vijës së ujit tani i qenë shtuar edhe vija të tjera dhe bregu mezi dukej ndërsa mali kishte mbetur prapa. Mbase ky do të ishte lumi i madh sepse shtrati kishte shumë ujë dhe brigjet shiheshin me vështirësi.
Pika e Ujit shikoi e habitur një urë prej guri që shkonte nga një breg i lumit te tjetri dhe vërejti lagjet e një qyteti të vjetër, me shtëpitë të ngritura në faqe të kodrës ndërsa një grup me fëmijë me grykëse të bardha këndonin me zë të lartë për një vend me emrin Berat. Pika e Ujit i përshëndeti dhe donte t’i pyeste më shumë për Beratin, po ata s’e kishin mendjen dhe s’e vunë re.
Anës rrugës, përgjatë lumin ku po voziste Pika e Ujit kalonin automjete. Në njërin prej tyre dukej një tabelë e madhe ku shkruhej me shkronja të mëdha Fusha e Myzeqesë. Atje tej boçet e pambukut ngjanin nga larg si flutura të bardha. Më tutje në një trase mbi lumë, grupe të rinjsh flisnin me pasion për një urë prej hekuri, dhe ajo dëgjonte fjalë të shkëputura, si: tren, Rrogozhinë-Fier. Ndonëse nuk arrinte t’i kuptonte të gjitha, ishte mbushur me një ndjesi të veçantë.
-Sa i bukur qenka vendi ynë! – tha Pika e Ujit me zë të lartë.
Në lumë zhabat llafazane bënin zhurmë dhe disa peshq sykuq e shikonin me çudi guaskën e arrës që lundronte drejt detit.
Pika e Ujit s’mbante mend sa kishte udhëtuar, po ishte kaq e lodhur sa e zuri gjumi. Të nesërmen në mëngjes erdhi një gaforre budallaqe që nisi ta shikojë varkën me lakmi dhe për të parë se mos kishte brenda dicka për të ngrënë, u zgjat dhe e kapi në anë.
-Ngadalë, ngadalë, – i thërriti Pika e Ujit, – se do të më rrëzosh!
Po gaforrja s’dëgjoi dhe e përmbysi varkën. Pika e Ujit ra brenda në det dhe ndoshta do të ishte vrarë po të mos e kish pritur një peshk në kurriz.
-A ke qejf të shëtisësh? – e pyeti peshku.
-Hip mbi kurrizin tim dhe unë do të të shpie ku të kesh qejf.
-Me shpjerë në shtëpi, – e luti Pika e Ujit.
-Ku e ke shtëpinë ti?
-Shtëpinë e kam në mal.
-Oh, më fal, – i tha peshku, – po unë s’di të eci në mal, bile as në tokë. Ç’është e drejta unë nuk mund të ec vetëm notoj. A nuk e shikon, unë s’kam as këmbë!
-Ku jemi këtu? – e pyeti Pika e Ujit.
-Këtu jemi në det. E ndjen shijen e ujit të kripur?
Oh, pse kështu qenka deti! – tha me habi Pika e Ujit. – Qenka vërtet i bukur. Po më pëlqen shumë, po i kam dhënë fjalën mamasë se do të kthehem shpejt në shtëpi.
-Eja të të shëtis pak – i tha peshku, se po më dukesh vajzë e pastër dhe e zgjuar. Veç të lutem mos m’i vër këmbët këtu te verzat, se s’marr dot frymë.
Pika e Ujit e dëgjoi dhe u kap pas pendës se kurrizit. Peshku i tregoi plot gjëra të çuditshme: peshkun çekan dhe peshkun shpatë, ca korale që dukeshin si bimë, kalin e detit, një fokë me mustaqe si të maçokut dhe një breshkë uji me samar. Të gjitha këto Pikës së Ujit i pëlqyen shumë, po megjithatë, mendjen e kishte te shtëpia, prandaj e pyeti sërish peshkun:
-Po rrugën e shtëpisë sime e di ti?
-Unë s’e di, – i tha peshku, – por për këtë është më mirë të pyesësh diellin që ndriçon mbi det edhe mbi tokë. Tashti kur të jemi në sipërfaqe ti mund ta pyesësh vetë.
Deti ish i qetë dhe i butë dhe atje ku binin rrezet e diellit uji vezullonte. Pika e Ujit, kur pa se deti ishte tamam si një pasqyrë e madhe e lëmuar, tha me mend se këtu ishte vendi më i mirë për të vallëzuar sa të kishte qejf.
Ajo vuri duart në mes, u ngrit në majë të gishtave dhe filloi të shkiste mbi atë syprinë uji si një mrekulli e vërtetë. Ndërsa vallëzonte, fustani i hapej si në çadër me ngjyra ylberi dhe gjallesat e detit filluan ta sodisnin me kërshëri vallen e balerinës së vogël.
Pika e Ujit vallëzoi sa filluan t’i merreshin mendtë, pastaj zgjati duart drejt Diellit dhe i tha:
-Diell, o Diell! Unë dua të vallëzoj me ty, merrmë atje lart se do të pyes edhe diçka.
Dielli i mirë zgjati rrezet e tij si duar të ngrohta dhe e ngriti Pikën e Ujit lart. Ajo ndjeu se tani ish bërë fare e lehtë. Dhe sa më lart ngjitej aq më avullore teksa pluskonte në qiellin pa fund.
Ku ishe ajo flutura që i pat thënë të përpiqte krahët po të donte të fluturonte? Ja tani, Pika e Ujit pa përpjekur as krahët, as duart po fluturonte mbi detin pa anë. Sakaq ju kujtua burimi dhe prej burimit mendja i vajti te shtëpia. Pika e Ujit u ndal e menduar.
-Pse po rri e menduar? – e pyeti Dielli i mirë.
-Më ka marrë malli për mamanë dhe për shtëpinë, – i tha Pika e Ujit. – A e dini ju shtëpinë time?
-Po si jo, – iu përgjegj Dielli. – Unë rri lart mbi tokë e mbi det dhe i shikoj të gjitha.
Dielli thërriti Renë e Bardhë si pambuk dhe i tha ta merrte Pikën e Ujit dhe ta shpinte në shtëpinë e saj në mal. Reja u nis fluturimthi nga deti drejt malit.
-Sa lart që jemi! – tha Pika e Ujit. – Ne po fluturojmë më lart se zogjtë dhe se fluturat, por kam pak frikë sesi do të zbres.
-Mos ki merak, – i tha Reja e Bardhë, – ti bjerë e fli se je e lodhur. Nesër në mëngjes ne do të arrijmë tek mali i Tomorrit.
Kur Reja e Bardhë e zbriti Pikën e Ujit, ajo as që e ndjeu uljen në tokë se Reja e vendosi mbi një gjethe dhe nga gjethja u lëshua ngadalë si një parashutë.
-Po tani si ta gjej shtëpinë time? – pyeti veten ajo.
Pika e Ujit filloi të zbriste nëpër një të çarë shkëmbi me shpresë se do ta gjente rrugicëzën për në shtëpinë e saj. Pa e ditur mirë sa rrugëkishte bërë ajo u ndodh ballë për ballë portës së shtëpisë. Rendi me vrap në oborr dhe pastaj çeli derën.
-Mami, mami! – i tha ajo duke e përqafuar, – sa më ka marrë malli për ty!
-Edhe mua, bijë e dashur, – i tha mamaja.
-Mos u vonova shumë? Ta dish sa gjëra të bukura që kam parë!
Ajo filloi t’i tregonte për rrugëtimin e saj.
– Ishte me të vërtetë udhëtim shumë i bukur. A do më lejosh të shkoj përsëri?
– Tani që mësove rrugën do të lejoj gjithnjë, – i tha mamaja. Po tani fli se u bë vonë.
Pika e Ujit mbështeti kokën në prehërin e mamasë dhe nga që ishte e lodhur e zuri gjumi menjëherë. Po kur të çlodhej ajo dëshironte të nisej përsëri në udhëtimin e mrekullueshëm që nuk mund të ketë emër tjetër përvecse “Rrugëtimi i Pikës së Ujit”.