
Albert HABAZAJ/
Për jetën dhe veprën e Naimit janë shkruar shumë monografi, janë zhvilluar konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, kombëtare dhe ndërkombëtare. Naimi pati tri burime të kthjellëta, ku piu ujë frymëzimi: poezinë popullore, poezinë e Lindjes dhe atë të Perëndimit. I njihte mirë, por i tejkaloi revolucionarisht bejtexhinjtë. Ndërkohë në poezinë e tij vërehen ndjeshëm figurat letrare si personifikimi, simboli, epiteti, hiperbola, krahasimi dhe metafora me prejardhje folklorike, dhe pati sukses, sidomos me apostrofën. Ai jetoi e veproi në shekullin XIX kur vetë koha të orientonte për veprimtari letrare, diturore, politike e atdhetare me kontekst kombëtar, jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan e më gjerë. Ndoshta kjo hulli e lëvizjes kombëtare i pëlqente shumë poezitë e Naimit. Ai u ndikua nga folklori, por pa dyshim edhe vjershërimi i tij ka ndikuar në poezinë popullore. Sot e kësaj dite këndohen pjesë të teksteve të tij poetike në krahina si Kruja, Skrapari, Gramshi, Korça, Pogradeci, Manastiri, Krutja e Sipërme, Labëria, etj.
1. Burimet nga historia e letërsisë shqiptare
1.1. Faik Konica. Kujtojmë se Faik Konica ka dy qëndrime për Naimin, njërin pozitiv dhe tjetrin negativ, apo “tallës” siç e quan vetë Konica. E vlerëson shumë si atdhetar dhe shkruan për të: “…një dashës i thellë i Shqipërisë, i cili, si zgjonjës i Kombit, bëri shërbime të pavdekura edhe ka pakë shokë në historin’ e rilindjes s’onë.”[1]. Po aty, duke pasur koncepte të larta për vjershërimin, ai nënvizon se vjershësia është mjeshtëri e bukur, një art, se vjershësia është sheshi i cilësisë jo i sasisë, se shkrimi i vërtetë i kursen fjalët, se shkrimi i vërtetë i zgjedh fjalët, se shkrimi i vërtetë, në varg a në frazë ka muzikën e veçantë të tij. “Duhet me tingullin e tij t’i pëlqejë veshit”[2] – shkruan Konica. Ai i quan vjershërimet e Naimit “një lumë të paqëndruar fjalësh të shtypura në formë vjershe, pallavra, tototo-e-tatata, që zënë një vënt me rëndësi në historin’ e lëvizjes kombëtare. Janë dokumenta propagande politike të vlefshme dhe asgjë tjatër”[3].
1.2. Dritëro Agolli. Dritëroi e ka dashur dhe e ka vlerësuar shumë Naimin, dhe ka shkruar në linjën e Naimit në kohë të re me individualitetin e tij krijues të përkryer. Agolli i drejtohet Naimit e i thotë: “Punove mirë, usta!” Neve na kujton se Naimi është fëminia e poezisë sonë, se ai shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse. Dhe më tej Agolli thekson se N. Frashëri është i pari në poezinë shqipe që krijoi poemën sintezë, poemën pa personazhe e episode, si Bagëti e bujqësia dhe Bukurija.
Nuk ka sesi një shkrimtar dhe njeri i madh si Dritëroi, i cili gati e adhuronte Naimin, të shkruajë qysh herët edhe këto vërejte të pakontestueshme: “Krahas vargjeve të shkëlqyera, do të gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime që nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut” [4].
1.3. Ismail Kadare. Kadarejaka bërë parathënien [5] e vëllimit me poezi e pjesë të zgjedhura të Naimit, me 181 f., ku janë përfshirë 81 njësi poetike, botuar në nderim të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ndër të tjera, thotë se nuk mund të lexosh Naimin pa menduar Shqipërinë dhe kjo është cilësiae parë e tij, madhështia dhe fati i tij. Vepra e tij e gjerë e plot dritë, që mund të quhet pa frikë universi naimjan, ka në qendër të vet pikërisht atdheun dhe lirinë; poema Histori e Skënderbeut e Naim Frashërit do të ishte për rilindësit tanë si një kalë lufte. E vlerëson që diti të fluturojë bukur mbi gjeografinë poetike të poezisë orientale dhe asaj romantike perëndimore. Duke folur për kufizimet e veprës së Naimit dhe të rilindësve të tjerë, është me rëndësi të kuptojmë ç’ka shkruan Kadare: “Në fund të fundit, duke thënë kufizimet e tyre netregojmë se i nderojmë ata, ashtu siç do të tregonim mosnderimin tonë duke mos i përmendur ato” [6].
1.4. Dhimitër Shuteriqi. Pasi vlerëson se romantizmi shqiptar i arriti kulmet e tij me De Radën e me Naimin, ndalet edhe tek stili e Naimit, që, sipas Shuteriqit, shquhet nga ato veti të lirizmit të tij. “I thjeshtë e i ngrohtë, ai e afron lexuesin menjëherë, e bën të ndiejë ëmbëlsinë e një shpirti të përgjëruar, tek i cili rri ndezur gjithmonë një flakë dashurie për njeriun, dashuri, që së pari, e ndien lexuesi vetë” [7]. E ç’mund t’i kërkosh më tepër një poeti, një shkrimtari të madh për arritjen e misionit të tij nga ç’ka nënvizon prof. Shuteriqi për poetin tonë kombëtar?! Studiuesi me të drejtë ka vërejtur se me Naimin filloi në Shqipëri një periudhë e re në historinë e letërsisë dhe kulturës. Vepra e tij është si një gur themeli. Naimi krijoi një vepër poetike të gjerë e në kaq gjini, vepër që pati një ndikim aq të rëndësishëm e të paprerë mbi brezat e poetëve dhe shkrimtarëve që erdhën pas vdekjes së tij. Ajo vepër hyri ashtu edhe në bazën e gjuhës letrare shqipe, duke mbetur, edhe nga kjo anë, një vepër madhore [8]. Pa u hapur shumë, mund të lavdërojmë punën e profesorit në studimin e origjinës së vjershës Fyelli, sepse e shpie më tej atë ç’ka shkruan prof. Çabej, se ajo “është inspiruar” [9] nga një vjershë e Rumiut. Shuteriqi e quan “një rikrijim që s’e ndan dot nga vjershat origjinale të Rumiut”[10]. Naimologu i parë serioz shqiptar, prof. Shuteriqi ka lënë në dorëshkrim një varg veprash të papërfunduara, ndër to Fjalorin e Naim Frashërit, që u botua kohët e fundit nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
1.5. Rexhep Qosja. Përpos sprovave të hershme, Qosja ka dy punime të rëndësishme për profilin e Naimit: Panteoni i rralluar dhe Porosia e madhe. Ndonëse jo botim i mirëfilltë kritik, edhe pse, siç u shprehëm, pati gjurmë të shkelura për një vështrim më sy më sy me veprën letrare të Poetit, punimet e shumta të kërkimit këmbëngulës të Qosjes për Naimin janë një bibliotekë më vete në funksion të Naimistikës. Akademiku merret me Poetin qysh me tekstin Historia e letërsisë shqipe. Romantizmi, veçanërisht në vëll. 3 (Prishtinë, 1986, kap. 10), në përmbledhjen Panteon i rralluar me studime, kritika, ese (Prishtinë, “Rilindja”, 1973, ribot.: Tiranë, Sh. B “Naim Frashëri”, 1988, f. 15-88), me monografinë Porosia e madhe, kushtuar veprës së Naim Frashërit, në tri ribotime (Tiranë, “Naim Frashëri”, 1989; 504 f.; Prishtinë, “Rilindja”, 1990, 606 f.; Tiranë, Toena, 2000, 580 f.). Ndër të tjera mund të theksojmë se prof. Qosja ka përgatitur për shtyp veprën e Naimit dhe ka bërë parathënien e teksteve botuar në Prishtinë, në vitin 1978, sidomos ribot. 2 të plotësuar nga “Rilindja”, 1986, në 7 vëllime, nga të cilat, në vëll. 1: Ëndërrime, Bagëti e bujqësija, Dëshir’ e vërtetë e shqipëtarëvet, Luletë e verësë, Dashuria, në 234 faqe; në vëll. 2: Vjersha për mësonjëtoret e para, Parajsa dhe fjalë fluturake, Fletore e bektashinjet, Shqipëria, Pellazgët-Shqipëtarët, në 194 f.; vëll. 3: Histori e Skënderbeut në 325 f.; vëll. 4: Qerbelaja, 291 f.; vëll.5: E këndimit çunavet këndonjëtoreja I, E këndimit çunavet këndonjëtoreja II, Istori e përgjithëshme për mësonjtoret të para dhe Istori e Shqipërisë, 240 f.; vëll. 6: Dituritë për mësonjëtoret të para, Gjithësia, Mësime, Katër stinët, Iliadhë e Omirit, Letërkëmbimi në 259 f. dhe në vëll. 7: Porosia e madhe: monografi mbi krijimtarinë e Naim Frashërit. Ky botim, që është përfshirë si vëllimi i shtatë në Vepra të Naim Frashërit, ka: në f. 7-14: Kronologjia e jetës, në f. 577-578: Bibliografia e veprave në gjuhën shqipe, në f. 579-593: Bibliografia kronologjike e shkrimeve mbi krijimtarinëe tij dhe në f. 595-601: Treguesi i emrave. Gjithashtu autori ka përgatitur për botim veprën e Naim Frashërin në 6 vëllime edhe në Tiranë, tek “Toena”, gjatë vitit 2007, ku përshihet poezia dhe proza, tekstet mësimore, letërkëmbimi në letërsi (letërsia epistolare), letërsia fetare bektashiane e tij, botuar në 1892 faqe. Vlen për t’u përmendur vëmendja që ai i ka kushtuar përmbledhjes me vjersha të shkruara në persisht: M(ehmed) Naim Frasari, Tahayyùlat, Mihran Matbaasu, Istanbul 1301 (1884); Naim Frashëri, vepra 1, zgjodhi e përgatiti për shtyp Rexhep Qosja, Prishtinë, 1978 (tok me Luletë e verësë dhe Bagëti e bujqësija.
1.6. Jorgo Bulo. Nga specialistët e fushës, gjykohet se Jorgo Bulo ka realizuar punimin më të plotë për Naimin, monografinë: Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit (Tiranë, “Shkenca”, 1999 në 199 f.), ku spikat kritika e mirëfilltë shkencore dhe interpretimi i poezisë lirike të Naimit. Ai e quan Naimin poet i ringjalljes kombëtare dhe kulturore të shqiptarëve dhe veprat e tij formuese të ndërgjegjes gjuhësore të kombit. Ndërkohë ai shquan “dy paralele poetike: Rumiu dhe Naim Frashëri” [11], duke shprehur praninë e frymës dhe të motive të poezisë persiane, veçanërisht të poetit të madh mistik Xhelaledin Rumiut (1207-1273). Ndikimi i Rumiut ndihet në shumë prej lirikave të filozofike të Naimit. Është vënë gishti mbi lirikën Fyelli të Naimit, që vjen si frymëzim, e dikujt mund t’i duket edhe si një sozì, e poezisë së njohur antologjike Kënga e kallamit, e përkthyer në shumë gjuhë të botës, në disa syresh me titullin Kënga e fyellit. Nuk është rasti të bëjmë ballafaqime tekstore e zbërthime, se i kanë bërë të tjerët më parë, por vlen të ravijëzojmë parashtresën në formë hipoteze të prof. Bulos për këto probleme që hasen. Sipas tij, janë një tip i caktuar krijimesh të Naimit, që ne do t’i quajmë “vjersha me subjekt anekdotik”, (të dyshueshme për karakterin e tyre origjinal) e që duhet t’i përkasin të njëjtit burim, Rumiut. Në këtë kontekst, ne e lexojmë profesor Bulon kështu: Sot, si duket dhe në plotësim të merakut të profesor Cipos, qysh më 1936, i kemi mjetet të dallojmë ç’ka marrë hua Naimi dhe ç’është bijë e frymëzimit të tij. Këto vërejtje nuk e ulin aspak emrin e madh të poetit tonë kombëtar, përkundrazi e pastrojnë atë nga mjegullnajat dhe profili i tij quhet më i kthjellët, më poetik, më kombëtar, më universal. Në dy veprat e tij Magjia dhe magjistarët e fjalës (Tiranë, “Dituria”, 1998, me 324 f.) dhe Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit (e sipërcituar), akademiku shqiptar e shikon Naimin si poet romantik, që u dha flatra në poezi përsiatjeve për lirinë e shpirtit njerëzor dhe meditimeve ekzistencialiste për jetën dhe vdekjen, për qenien edhe mosqenien dhe për dhembjen njerëzore. Lirizmi filozofik dhe lirizmi poetik i Naimit, sipas Bulos, përfshijnë tërësinë e krajatës njerëzore; ai synonte të rindërtonte njeriun dhe të shprehte kompleksitetin e shpirtit njerëzor, luftën e përjetshme që zhvillon brenda tij midis engjëjve të së mirës dhe demonëve të së keqes, duke poetizuar anën fisnike të natyrës njerëzore, tek e cila shihte forcën dhe madhështinë e Krijuesit. Poeti, mendimtari dhe edukatori i kombit, Naimi ynë, tashmë nuk është vetëm më kombëtari, por dhe më universali poet i letërsisë shqipe edhe në një vështrim tjetër. Në radhë të parë ai është një fenomen ndërkulturor. “I ndodhur në kryqëzimin e kulturave dhe të traditave poetike lindore dhe perëndimore, ai i treti në poezinë e tij këto tradita dhe nuk mbeti skllav i tyre, as vetëm poet i shprehjes gjuhësore shqipe, por edhe persishte, turqishte e greqishte” [12] -kumton prof. Bulo në Konferencën Shkencore “Naim Frashëri – 160-vjetori i lindjes”, që i zhvilloi punimet më 25 maj 2006 në Universitetin “Ismail Qemali” në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Institutin e Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
1.7. Shaban Sinani. Ndër studiuesit e sotëm shqiptarë më të njohur, prof. Sinani kujdeset ta shikojë shëmbëlltyrën poetike dhe atdhetare të Naimit kudo ku shfaqet, me synimin e vetëm që poetin tonë kombëtar të njohim në plotëri, jo me pjesë të zgjedhura. Sinani e cilëson Naimin si Rumi shqiptar, ndërkohë që ka rezerva për njohjen thellë të poetit tonë. Sipas tij, kemi ende një këndvështrim të paplotë dhe pothuaj vetëm për letërsinë që ai ka shkruar në gjuhën shqipe.
Foto: wikipedia.org