Pjeter Jaku/
Te pakten pak…/
(cikel poetik)/
Emigrantët/
Në çantën e shpines i moren udhët/
Malet, mungesat dhe andrrat/
Në sy i moren kullat dhe pemët./
Shtigjet dhe krojet ua lane nënave/
Grave u lanë foton e martesës/
Në dhomën e gjumit,/
Pa gjumë t’i linin./
Motrave ua moren lotin./
Kudo që shkuan,/
S’e humben kthimin!/
Drita dhe Dita dhe Dielli…
Dita nxori diellin nga gjoksi
Shenjtorin e parë, që thonë
U lind nga brinjët tona
Për t’u rritur në sy
Drita dhe Dita dhe Dielli
U bënë Dashuri!
Kronikë ardhjesh
Se si vjen ti nganjëherë
Si një stinë në sytë e mi
Herë më sjellë dimër në verë
Herë më sjellë një vjeshtë me shi
Hera – herës bubullimen
E takoj n’ veshtrimin tënd
Sa t’ia kthej mengjesit shpinën
Vjen mesdita të më dhemb
Luleve që nuk kanë lindur
U kujton një stinë t’acartë
Kur vjen ti më ngrohin syrin,
Sa të shoh më digjen fjaltë!
Fjala
Ra fjala n’fjalë e s’u mbyt
N’vesh ra fjala
E desh u bë plumb
N’mendje ra fjala,
Ajo e përcolli te shpirti.
At’herë shpëtoi
Sizifi!
Thirrja e Mares
Përtej muzikes dhe haresë
Që shtypte naten lajkatare
Papritmas udhëtoi një ftesë
Që e denonte fjalen ndarje.
Atje kish natë e kish vall’zim,
Por Mara hiç nuk ndjehej mirë
Tërbohej mbrëmja në tërbim
Kur kish menduar të më thirr!
E gati-gati në të qarë
Ma shprehu Mara një merak:
“Sa mirë do ishte t’kishe ardhë
Me ne të ishe këtë natë!”
Ndodhej Mara në Atdhe
Për herë të parë me njërin prind
Aspak e lehtë s’ishte për të
Për një të lindur në Amerikë!
Ngjitje
Varem mjegulles që puth Munellen
I dehur si dita në mëngjes
Sikur të kisha fjetur me hënën
Nga froni ëndrëën mos ta zbres!
T’u ngjitem pishave gjer në majë
Mbi degë të bredhave të fle
Mbi supe natën do ta mbajë
Të mos pendohem për këtë.
Një ditë vere do trokas
Në gjoksin tim, ndoshta që nesër
Gjinkalla kokën do ta plasë
Në gjoksin zjarr të Munellës!
Të dehur ketrat nga bim’sia
Kur gurët nata s’i përgjumë
Do ndalen krojeve të jeshilta
Duke kërcyer udhë pa udhë!
Do t’i kreh pishat frymë e lehtë,
Kur merr Munellën për t’u ngjit
Nuseve në mëndje se ç’u shkrep
Ta shpallin shtratin Republikë!
Ngashmëri
Vargjeve po u bjenë flokët
Si dhëmbët e kohës së ligë
Vit për vit e filluam vitin
Me një ditë,
Vit për vit me një datë
Shekujve u dhamë frymën tonë
Futyrën tone kohës ia dhamë
E bëm kalendarë!
Lëngata e krymbave
(Sipas Azem Shkrelit)
Sapo fillojnë me çue kryet
zhvendosin koken në bisht
Ecja së prapthi
Është e vetmja mundësi të leviz!
Në sojin dhe fenë e tyre
Duan të ndjehen mbretër,
Edhe në i ndafsh në mes
Secila gjysëm ecen….
Vijnë përherë nga ligësia
Tkurren e mblidhen si gisht
E desin tuj hangër veten
Nga lëngata e të cofunit
Krymbërisht!
Të paktën pak…
Të paktën më dërgo pak qetësi
Këtë natë bubullimash pa shkak
Një tufë më fjalë të ëmbla m’i dërgo,
Të paktën pak!
M’i nis dy tri vetëtima si të tuat
I meritoj dy tri puthje, i kam hak
Dy tri shpresa i pres sonte,
Të paktën pak!
M’a nis një lajm të mirë nga Shqipëria
Jo veç fyrje, vrasje dhe gjak
Çdokush si unë pret më tepër
Por, të paktën pak!
Gusht, 2014
Nuk e di
Nuk e di s e ku është mendja jote tani
Në kërkim të Odiseut apo të heroit,
Pal Ndue Shkembi:
Në pritje për t’i hequr qyshkurjen e dhimbjes,
Në pritje për t’i larë këmbët
Si dikur Kanuni e thonte!
Nuk e di a të sillet në rretheçarkjen e mendjes
Edhe kur trurin e ka pushtuar gjumi
Mbledhur këmbët si për t’u mbrojtur nga
Toreaodrët…
Pash Zotin më thuaj se nuk e di:
Pali me Nduen
Dhe me Shkëmbin
Kur do të mbrri?!
Ç’është Atdheu?
Teritor gjeografik në trupin e çdo njeriu
Me lumenj që vrapojnë nga lindja në vdekje
Në damarët tonë nga veriu në jug
Iniciale në shkallen më të lartë të zvogëlimit
Identitet rilevues i një statusi të posaçëm
Që ka vetëm një emër!
Pllajë livadhore si një fletë e bardhë,
Ku secili shkruan vetëm në gjoksin e tij
Një hartë precize me detaje historike
Ditëlindjen e çdo levizjeje!
Shkëmb qendrese në kufirin e secilit pol
Mbartur në ëndrrën e secilit lis
Si guri i shpresës duke kërkuar shpëtim
Përherë drejt vendit tënd u rrokullis!
Në dasmën e Ditës
Mbytet dita në gërnetë
Krejt për qef n’ qefin e vet
Pelcet nata copa-copa
Rr’zohet kanga, ngrihet hopa
Bie daullja në t’aguar
Ngrihet vallja fluturuar
S’dihet në është ditë a natë
Në do vij mëngjesi prapë
Pambarim po vallëzon nata
Zot na i ruj vdekjet nga kanga!
Porosi
Sinqeriteti i hijes,
Rrëzimi i maleve,
Kohë e gjunjëzuar,
Letër Mark Munellës,
Plasja e vetëtimes,
Bujaria e lisit dhe
Rezoluten e revoltave
Do t’ua lë porosi
Lisave të mi.
Mund të jenë
Palna gjethemëdha
Ku në secilien
Mund të shkruash
Një histori,
Pisha dhe ahe
Të gjatë
Si pena që shkruajn
Në qiell,
Nuk i dua dëllinja
Qerdhe lepujsh
Frikacakë.
Pishtari
Një shkëmb i ndezur udhëtonte
Shtigjeve të Munellës.
Si një kaproll i vetmuar
I printe ngjitjes.
Majë më majë
Një pishë e ndezur
Në kërkim të drites!
Brënda brinjëve
Të shkëmbit
Përflakët flaka.
Asnjëherë në Munellë
Nuk mbrrin nata!
Vitet
Sot era m’i solli gjethet brenda
Si vitet e ngrëna
Nga hëna dhe mbrëmja
Disa të grisura të gjitha të rëna
Nga s’di se ku, nga s’di se ç’pemë
Edhe pse ballkonin e pastrova mbrëmë,
Ato u mplaken dhe nuk e dine,
Që paskan rënë!
Frika e dehjes
Dionisi vdiste kur shtypej rrushi
Vetëm nga frika e dehjes
Atë e vriste më shumë se nata
Arratia e mendjes!
Kur të plakem
Kur të plakem, thëm, u plaksha porsi gjethja përmbi degë
Marrsha ngjyrat që natyra i falë vjeshtës shegë më shegë
Bardhë u befshin floktë e bardha, ku s’ka mbetë një fije e zezë
Si një pishë që ruan malet, si një yll që qiellin ndez!…
Pse si unë ka çelur dardha, e veshtroj e rri e pres…
Që dhe vitet t’i mumëroj e më pas të mund t’i zbres
S’e mbaj mend se si u ngjita, gjer ketu si paskam ardhur?…
Te pasqyra u habita, që kaq befas qenkam zbardhur..
Me të vetmen gjë që di, qenkam bërë më i pashem.
Rrotull meje, gjithsesi, flasin qeshin, plot të ngjashëm…
Më i pari, Xhip Ejupi, nuk po di se nga t’ia mbajë,
A ta marrë,ta çojë te klubi, sa mëngjesi se ka parë.
Kur shoh shokët thëm më vete, sa të plakur qënkan bërë
Thua dhe ata për mua t’njëjtën gjë ta kenë thënë!
Dhe pastaj mendojmë të shkojmë dhe atje ku s’kemi qënë
Ditë për ditë e gjithë javën. nga e hëna në të hënë.
Do mundohem sa të mundem, t’mos rrëzohem asnjëherë
Se kur isha krejt i ri gjunjët kurrë s’më janë prerë
Do të bëhëm Odise, po jo kurrë Homer i verbër
Si shkrimtari Mark Twen s’do të shkoj në botën tjetër.
Të mendoj si Baca Keqë pleqëria vjen si gjumë
Do t’i bindesha Bibles, edhe për një jetë më shumë
Me poet Mensurin shpesh bisedojmë gjërë e gjatë
Se si mund të vij pleqëria, pa u ndjerë e pa u plak.
Se do jemi kur s’do t’ jemi, se s’do thahemi si lumë
Kur vjen vapa përcëlluese e tenton të ulë në gjunjë
Prapë se prapë e përsëri them më vete ndonjëherë
E dua plakjen si rininë, n’moshën time le të bjerë.
Me pak dhimbje të durueshme, jo më vuajtje të pacak
Sepse dhimbja edhe vuajta janë dy përrenj që i lag
Që i lag edhe i mbush me dekada mosha jonë
Me qendresën për të mbetë me të gjallët përgjithëmonë.
Por e por e por të lodhur, do të plakemi e do shkojmë
N’kemi bërë gjë të mirë, disa vjet do na kujtojnë!
Kur të plakemi…Kur të shkojmë!
Thyerja e gotes
Nuk u thye se une desha
Copë me copë u bë se qesha
Dy tri herë mes miqsh e ndesha
Me dy fjalë të mira e vesha
Ish dhjetori i acartë…
Gota thyhet bash si gratë!
Rikthim
Në parcelën 21 të fermës në Rrilë
Në verën e nxehtë të një viti pa emër
Kisha harruar emocionet e një ditë të gjatë
Përherë e më shumë mendoja se kisha harruar krahtë!
Atje harrova ditën e paharruar tek kthehesha me Floren
Atje lashë dhe mendjen, atje harrova dhe doren
Tek shtërngoja gishtat e saj me një vibrim të ndjeshëm
Të një dashurie që vetëm ashtu ditem e u deshëm!
Ishte viti iks në një muaj vere, në një ditë të gjatë
Po mbytej në ikjen e shpejtë, në perëndimin e zjarrtë
Pa thënë asnjë fjalë, pa e puthur as ajrin, as buztë
Kur mosha na rrinte si një bluz e ngushtë!
Bash për këtë u riktheva njëherë në po atë vend
Më shumë se dyzet vjet më vonë, një ditë të lodhur
Në një verë të shurdhët që rëndonte si shkëmb
Në një perëndim naiv, sikur asgjë s’kish ndodhur…
Floren s’e pashë, nuk e gjeta ku e kisha lënë atëherë
Bari ishte , thujase i njëjte, me të njëjtën ngjyrë
Ndoshta dhe toka mbante nxehtësinë e së njëjtës vlerë
Të përjetimit tonë të rrallë që patëm atë ditë.
Mbuluar sytë nga turpi , për çka kurrë nuk bëmë
Floren e kishte shtrirë vdekja me fytyrë nga dielli
Si një lule e mbjellur së prapthi, krejt si një pemë
Më veshtronte nga lart e sikur zbriste nga qielli…
“Patriotizem” i vonuar
Sa e lënë Atdheun,
U kujtohet Flamuri.
Me një mundim shekullor,
Duke kapur lirinë,
Flamurin torturojnë!
E vënë në gjoks e në shpinë
Të gjorin e gjorë!
Shkruajn për veten
Dhe askush për ta,
Se si ua “thyen” dhëmbët,
Kokat dhe brinjtë!
Vishen e zhvishen me flamur,
Pa e pasë një dhëmb të thyer
Pa u lënduar kurrë!
Ngarkuar me ëndrra çalamane
Zbresin historisë së tyre
Si heronj të harruar!
Me foto demostratash
Nëpër duar!
Teprica patriotike e tyre
Shihet veç larg atdheut.
Në xhaketat extra large
E me kollaret burgosur
Fle frymëmarrje tërbuese
Qe shfryn histori banale,
Të cilat s’mund të jenë
As subjkete t’një andrre!
Marrin frymë me dhimbje deklaratash
Duke udhëtuar monopatesh me tërbim
U duket se fluturojnë majave
Të denuar me vet’harrim!
Qeshin ditët dhe datat, dhe udhët
Duke kërkuar të vetmen plagë nën brinjë
Që kur të vdesin deshmitë dhe ditët
Në fronin patriotik të vijnë…
Mos o Zot,
Amin!
“Fabulisti”
Një qose i lëmuar,
Me flokë të galtë,
Të shkruaj ka filluar
E t’i tredhë fjaltë.
Në një moshë të vonë
E një mendje të zezë
Mendonte me lapsin
Te vrasë e të presë.
Kurrë s’u bë shqiponjë
Shpend i mirë kurrë
Ma sa një bullar
Nuk u bë as burrë!
E pra hiqej tepër,
Si një gurë i rëndë
S’kishte lind ende
Të na shiste mend!
Alkimi e tij
Turli farë përzjerjesh
S’i dha kurrë mundësi
T’u printe të tjerësh!
Krejt si korb i lodhur
Zi edhe më zi
Fliste veç me veten
Për “vepren” e tij!