Nga Qatip MARA-New York/
Poeti lirik Hiqmet Mehmataj ka lindur në Drashovicë të Vlorës, aty ku fillon porta ‘Lumit të Vlorës’ e lodrojnë ujërat e kristalta të Shushicës.Në kohën e fëminisë Hiqmeti dallohej për zgjuarësi, fliste me mençuri, çdo veprim e kryente me maturi. Me duar të arta e mendje hollë u dallua në shkollë. Shkrimi tij i dorës ishte kaligrafi, bukurshkrim që e kishin zili. Ishte i talentuar kishte zell për të pikturuar.Nëna e tij gufonte e gëzuar që djalin e kishte të zgjuar. Me merak kërkonte djalin ta arsimonte. Pasi kreu shkollën 7-vjeçare në Drashovicë,vazhdoi mësimet në shkollën pedagogjike 2 vjeçare Tiranë..Nisi punën e nderuar me pasion duke arsimuar brezin e ri.Vazhdoi shkollën për t’u diplomuar në normalen e Elbasanit zgjeroi shumë njohuri ,u diplomua për Mësuesi. Rifilloi punën si mësues në vendlindje. Me performancë të kualifikuar ishte mësues i admiruar Gjithë njerëzit e respektonin dhe nga goja nuk e lëshonin. Sjellja e tij ishte model i kulturuar edhe ligësinë e kish gjunjëzuar. Me pasion duke studjuar vijoji studimet e larta,dega Gjuhë-letërsi.Emërimin drejtor shkolle e mirëpriti me përgjegjësi. Me thjeshtësi e korrektësi drejtoi shkollën me aftësi. Ishte racional në gjykime shumë i matur në veprime. Fshati Drashovicës, lumi Shushicës , stina e pranverës, cicërima e zogjve,bukurie e vashës, jeta me prindët e tij , e frymëzuan për poezi. Krijimtaria e tij përbën në thelb aktivitetin e palodhur të një krijuesi të vullnetshëm e të pareshtur në punën e tij krijuese në shërbim të kulturës, moralit, edukimit dhe fisnikërimit shpirtëror të brezave.Thelbësore te krijimtaria e Hiqmetit është gjithashtu fryma e saj popullore e cila e përshkon atë tej e ndanë, duke i dhënë “liçencën“ e komunikimit të përgjithshëm masiv. Hiqmeti është i kuptueshëm për të gjitha moshat. Poezite e tij janë si receta me ilaçe që u jep të sëmurëve mjeku.Në këtë krijmtari Hiqmet Mehmetaj e ka drejtuar penën në hallet e dertet e njerëzve të ditëve tona, në prapësitë e marrëzitë e kohës në të cilën jetojmë…
Hiqmet Mehmetaj poezinë e gatuan me brumin e magjes së vet…E njeh mirë gjuhën e gurrës popullore, veçanërisht ligjërimin e trevës së Labërisë, frazeologjinë e saj, urtësinë e saj. Dhe, në atë mori pasurish, si nikoqir i kujdesshëm, di të mbledhë e të shoshitë fjalën para se ta hedhë në letër. Qëmton, si bleta nektarin, fjalë e shprehje të lëna, e që, kur të na marrë malli t’i gjejmë, duke shfletuar poezinë e tij..
Lirikat e tij dallohen për frymën e dashurisë , janë me figura artistike dhe metafora të goditura duke nxjerrr vargje pafund në dedikim të ndjenjës më të bukur : Dashurisë së shëndetshme dhe njerëzores.Ato janë krijuar me finesë ,harmoni në varg , kanë muzikalitet- .
Poeti Hiqmet Mehmetaj është shumë modest , me një shpirt të madh, i ndjeshëm,që vetëm dashuron të bukurën ,të mirën -njerëzoren..Për herë të parë me vargjet poetike të poetit Hiqmet Mehmetaj jemi ndeshur në këngët e bukura polifonike të Drashovcës në vitet ’70 , ku autori me thellësinë e shpirtit të tij nisi të thur vargjet e para, si një nevojë shpirtërore të jetës së banorëve ku lindi dhe u rrit.
Duke lexuar poezinë e Hiqmet Mehmetaj kupton se shpirtin e poezisë së tij e ka mbrujtur kënga e Labërisë, embëlsinë ia ka dhënë vargu i poetit të shquar të Labërisë Ali Asllani. Duke lexuar disa nga poezitë e këtij poeti si :”Lida moj të marrtë lumi”, “Salushe medet u çmënde”, “Gjitonia shkon e s’më flet”, etj shikon që në lirikën e Hiqmet Mehmetaj ka një origjinalitet me vargje konçize, me figuracion të pasur dhe me mendim të fuqishëm poetik. Bukuria e jetës jepet shumë natyrshëm, në poezitë “Drashovicë gurë stralli”, “Qani fusha, brigje, male”, “Do këndoj për labërinë”, “Shqipëri pse s’të zë gjumi”, “Vëllait emigrant” etj, të cilat me forcën e vargut të tyre filozofojnë për jetën dhe botën në zonën e Labërisë.
Krijmtaria poetike e Hiqmet Mehmetaj tregon se autori është njohës i mirë i poezisë labe dhe me mjeshtëri artistike ka ditur të thotë zërin e tij me kolorit në vargjet poetike e tërë frymëzim.Për vëllimin “ Endrrat e trëndafilit” .
Dritëro Agolli ka shkruar : “ Lirikat e Hiqmet Mehmetaj janë të sinqerta dhe kanë thjeshtësinë e këngës. Ato nuk janë rritur në serrat e librave, por në livadhet e natyrës. Me këtë dua të them, se autori e ka asimiluar pasurinë shpirtërore të popullit dhe si nektar e ka shpërndarë në vargjet e tij dhe ky nektar i ka dhënë çiltërsinë e natyrshme jashtë skemave libreske”
Qatip Mara
New York 3 mars 2016