Neki Lulaj, poet nga Gjermania enkas për sofrën poetike të Diellit/
PIKË NE ZEMËR/
Ndarja shpupurish prushin e zemrave që prushojnë/
E muret e shpirtit lahen me ujin kristal të hënës/
Pikë në zemër më mbeti, u ligshtuam fort/
Atë ditë gushti ndarja kishte marrë shtegun e ëndrrës/
Mbi gurra jete prej guri nga ndarja loti ia kaloi detit/
Ditët e numëruara vrapuan si era,si një kalë i pashaluar/
Bashkë i grrithëm pak këto vite të ikura të kurbetit/
Na sëmboi në zemër kjo temë e imponuar/
U kthyem te adoleshenca e zbritëm nëpër zgafella shpirti
Nxorrëm nga kujtesa fëmijërore ditët në prehërin e etërve
Nga ajo ditë, ah, në gjokse ndryshe zemra shkrofëtiti
Pse dasmat i bëmë në dhe të huaj larg trurit, larg bjeshkëve?
Edhe zhgunat e mallit, edhe vuajtjet i patëm atje nën qiellin gri
Dhashtë Zoti vdekja (jetë) në arkëmort të na vijë këtu
Në tokën e prindërve tanë që i bekuan perenditë
në këto shtigje ku bukës një ditë i thamë bukë
Heeeej si e merrja dikur këtë metaforë kurbeti tërë plagë
Kur shihja atë ndarje të kurbetçinjve nga pragu i odës
Sytë u mrrolën si mjegulla mbi Dugaxhin, mbi Rozafë
E mbi Bunë pa shtrëngatë bjen një shi i madh lotësh
E Nana shtatë ditë në sofër pjata e lugë i len aty të ngatë
Pikë në zemër më mbeti, si gur që e mban një zemër e fortë…….
Thaj lotët si gurrë e pashterrur mbi tullat e faqeve rrëkajë
o vëllau im i vogël, banor i ri në tokën e largët të pagojë.
M’u bënë shumë figura xixillonja në sytë e ngrohtë
Ndjenja mashtron arsyejen, kur ndarja dhembje ka
Mbi fytyrat e ndarjes kishte ra një tisk i hollë.
Unë plaku i thinjur isha bërë dimër me borë në Sharr.
E ti ishe bërë sugari, kuqëlor trëndafil i pari
I shtrënguam fort duar dhe zemra në kraharor
hej po pika e zemtës do na ndrijë si pishtari
Ani pse ti ike në Amerikë e unë në Europë.
XHANI I GJYSHIT/
Ti je zile shkollë abetareje me 36 shkronja të ndriçuara
Që trokun e zemrës sime e ke shaluar pa kthim
Si gan si dafinë, si sy dielli në qiellin e praruar
Të shpleks fytyra si buza e hënës me trishtim.
Ti emrin nga Baba në gjysh ma ke dhënë mua vit pas viti
Je botë engjëllore, me ty jetoj qindra çaste hyjnore
Edhe kur me kaplon malli për atdhemirin
Dhe loti kur më rrjedh si krua nëpër faqe në mote
Ti më shtrëngon me duart e tua të vockëla
Je harmoni shpirti, o nipçja ime e mbarë
Me ty nuk më shpërblen as ari që ka bota
Me ty harroj mallin e gurrës e aromën e bukës pogaqe
Harroj orën e babës që e mbante te shtrati, te ara
Harroj edhe fanarin që rrinte varur te grazhdi ku vritej nata
Harroj edhe higëllimën e kuajve të lama
Harroi çka more
nuk harroj se di vetëm xhëxheza dhe përralla
Se ty të kam te zemra, ti më je vig lumi në kalim
Ti qe ecën i sigurtë mbi vaun e shpirtit tim
Je engjëlli që i lëshon dritëhije shpirtit tim
I bukuri i gjyshit je xhani im…
|