Nga Agim Xh. Dëshnica
Në Fishtë të Zadrimës, më 23 tetor 1871, u lind një djalë, i cili, i pagëzuar me emrin Zef, më vonë do të njihej, në botë si Gjergj Fishta, poet kombëtar i shqiptarëve. Por në atdheun e vet, gjatë diktaturës disa nga profesorët e letërsisë e njerëz të letrave, shërbëtorë të regjimit ne fuqi, morën përsipër të përbaltnin e të hidhnin poshtë veprën e tij madhore në shërbm të atdheut. Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare -1983”, me kryeredaktor Dh. Shuteriqin, larg çdo vlerësimi letrar e artistik, u përdor fjalori politik, fyerja, shpifja, e mohimi, me këtë përcaktim të mefshtë: “Përfaqësuesi kryesor i klerit françeskan Gjergj Fishta, poet, publicist , pedagog, politikan, drejtoi për një kohë të gjatë veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe me cinizëm dhe e kishte vënë në themel të punës si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike “Lahuta e Malësisë”, propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër sundimit osman. Ajo i ngrinte himnin françeskan patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë. Veprat e tjetra, si poema satirike “Gomari i Babatasit”, ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës dhe idetë demokratike, ishin karakteristikë e luftës së egër që bëri kleri katolik për të ruajtur e për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej t’i shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh proliksiteti, efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e i stilit gjer në banalitet, argumentet e tyre false, që orvateshin të imponoheshin me pahir, si dhe një qëndrim i theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste.”
Nuk do të mjaftonte ky qëndrim i paturpshëm ndaj Fishtës, as ndalimi barbar i librave të tij, por duhej të dëgjohej edhe zëri i një njeriu të huaj ndaj Shqipërisë me emrin Rexhep Qose. Në librin “Panteoni i rralluar” i vitit 1985, tashmë i vlefshëm vetëm për arkivë, ndofta edhe për kosh, ai shkruan pa iu dridhur dora: “Gjergj Fishta përkundër Naim Frashërit, ka shkruar për pjesën katolike të shqiptarëve, ka folur në emër të tyre dhe dy fjalë më të shpeshta të fjalorit të tij ishin feja dhe atdheu: gjithnjë përpara feja, mandej atdheu. Në zemrën e madhe të Naim Frashërit kishte vend për të gjithë shqiptarët dhe, më në fund, për gjithë njerëzit, kurse në zemrën e vogël të patër Gjergjit-për një pjesë të shqiptarëve, prandaj edhe për një pjesë të njerëzve. Veprat e tij sot shijohen më me vështirësi sesa atëherë kur ishin shkruar, qoftë edhe prej gegëve dhe, mund të besojmë, pas ca dekadash do të përkthehen si ato të De Radës….”
Po ashtu gabuan edhe ata, që shkruan se emri i Gjergj Fishtës pas vitit 1944, u harrua. Përkundrazi, librat e tij mbaheshin si thesar në bibliotekat vetiake, kudo në Shqipëri. Leximi, apo përsëritja përmendësh në rrethe të ngushta, gjallonte më me zell. Edhe në rastet, kur në gazetën „Zëri i Popullit“ botoheshin shkrime zilare e fyese kundër poetit të madh, në shumicën e lexuesve ato zgjonin kundërshtimin e menjëhershëm, ashtu siç nuk miratohej edhe gjykimi qesharak i diktatorit E. Hoxha aty nga viti 1949, kur në një mbledhje të rëndomtë thoshte se “Fishta me satirat e tij nuk pi ujë përpara “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt.”(?!)
Drita e së vërtetës nga autorë vendas e të huaj.
Në një kohë, kur Fan S. Noli nëpër ligjërata shprehej: “Fishta është i madh”, Faik Konica shtonte: “Fishta është jo vetëm poet i madh, por edhe intelektual i dorës së parë! Kot së koti përpiqen grekët e sotëm mbi veprën e Fishtës të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”. Ndërkohë Lasgush Poradeci, do ta quante Fishtën me nderim: “Poeti ynë kombëtar! Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar!” Dijetari i shquar Eqrem Çabej, teksa analizon romantizmin tonë, që lidhej me luftën për liri e pavarësi, ndërmjet Jeronim De Radës e Naimi Frashërit, rendit edhe Gjegj Fishtën për fuqinë e vet epike. Krahas tij, Engjëll Sedaj theksonte se “krahasimi i poezisë epike të Fishtës me poezinë e Naimit bëhet jo vetëm në punimet e veçanta mbi Fishtën, por edhe në punimet e tjera të E. Çabejt, duke përqëndruar vëmendjen më tepër te këta dy poetë sesa në krahasimin ndërmjet Fishtës dhe poetëve të tjerë shqiptarë. Kështu, bie fjala, në punimin e tij, „Romantizmi“, ndonëse nuk shqyrton në veçanti Fishtën, por kryesisht De Radën dhe Naimin, ai e ka krahasuar Naimin dhe Fishtën, duke thënë se “ky epos (Istoria e Skëndërbeut) nuk u bë dot epos kombëtar, se këtë ua fali më vonë shqiptarëve Gjergj Fishta”. Aurel Plasari shkruante: “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes fizike të Fishtës, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë.” Albanologu i njohur Fulvio Cordignano shkruante: “Pakkush kujtoj në letërsi të mbarë botës, ia del At Fishtës si poet satirik. Si i tillë, me një furi të çudishme, ai ther e pret aty ku djeg.” Ndërsa poeti italian me famë botërore Gabriele D’Annunzio thoshte: “Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli, si këtë kemi një të madh tjetër: Rabindranat Tagora.”
Publicistë të ndryshëm shqiptarë me shkrimet e tyre kanë berë të ditur lexuesin e gjerë për të vërtetën e jetës e veprës së Fishtës. Ndër ta janë shquar At Zef Plumi, Salih Kabashi, Arben Marku, , Fritz Radovani, Pjetër Jaku e shumë të tjerë. Ndërkaq, disa nga profesorët e moshuar, me dijeni të pakta për jetën e veprën e poetit Gjergj Fishta, vijojnë të botojnë e të ribotojnë të ndrequra studimet e viteve para ’90. Ndërsa aty – këtu vihet re se disa, të ashtuquajtur prof.dr. botojnë veprat e Fishtës kundër çdo rregulli, duke dëmtuar dhunshëm me ndreqje kundërshkencore ëmbëlsinë e gjuhës dhe ritmin e vargjeve të arta të At Gjergj Fishtës, ose dikush tjetër, duke bredhur derë më derë, mbledh letra të mykura ndër vite, pa adresë dhe të përkthyera, pra, të sajuara, i boton me stërhollime për të zbehur dritën e veprës së Fishtës, apo të Nolit të nderuar. Këta tipa keqdashësh me frymëzim tymnaje, notonin dikur pa shpresë përmes dallgësh në gjurmim të atdhetarëve të mërguar në çaste tragjedish.
Ndaj shkrimeve jashtëletrare, sot hedh dritën e së vërtetës vetë poeti me veprat e tij. Fishta ishte ndër të parët, që me vargjet e veta qortoi me vendosmëri veset e shoqërisë, apo, si poet i ndiesive atdhetare, u ngriti lavde mbrojtësve të atdheut.
Krijimtaria e botuar e Fishtës
Poezinë e parë Fishta e botoi më 1900 në revistën “Albania” të Konicës. Gjatë gjithë jetës së vet ai u shfaq si poet epik e lirik dhe prozator. Në krijimtarinë e tij të gjithanëshme, përveç poemës epike, „Lahuta e Malsise“, rreshtohen veprat: „Kangë Popullore“, „Vierrsha t’përshpirtshme“, „Pika voeset, „Anxat e Parnasit“, „Mrizi i Zanave“, „Vallja e Parrizit“, „Shën Françesku i Asizit“ „Gomari i Babatasit„ , „Dredhitë e Patukut dhe i Ligu për mend“, „Shna Ndou i Padues“, „Juda Makabe“, „Vllaznija“, „Odisea Ifigjenija n’Aulli“, „Shqyptari i qytetnuem“, „Shën Luigji”, “Barijt e Betlemit“, „Mojsi Golemi i Dibrës e Deli Cena“, „Jerina ose mbretëresha e luleve“ e të tjera. Në vëllimin „Mrizi i Zanave“, renditet “Gonzage„ dhe poezia „Nji Lule Vjeshte“, nga më të dhimbëshmet e më të bukurat e letërsisë sonë.
Proza e rrjedhshme e Fishtës u shqua me shkrimet polemike – politike, filozofike, letrare dhe estetike në gazeta e revista, veçanërisht në të përmuajshmen „Hylli i Dritës.“
Në vitet e diktaturës, kur ai ndalohej të përmendej në vendlindje, emri i tij i kishte kaluar kufijtë. Në enciklopeditë e botës dallohej me përcaktimin: „At Gjergj Fishta – Poet Kombëtar Shqiptar”, etj…
Fishta dhe “Lahuta e Malcis”
Gjatë kohës së diktaturës, sado disa guxuan të fyenin poetin e madh dhe dritën e veprës së tij ta mbulonin me mjegullën e shpifjes, rrezatimi i saj çante terrin:
“Shkundu pluhnit pra, Shqypni!/ Ngrehe ballin si mbretneshë!/
Pse me djelm, qi ngrof ti,/ Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë!.”
Vargje si këta në vetëdijen e rinisë, mbajtën gjallë ndjenjën e kombit dhe të lirisë, shpresën dhe besimin për shpëtim. Veprat e Fishtës në tërësi, janë thesar për gjuhën tonë. Sipas Maximilian Lambertz-it“vepra e Fishtës, është shtylla kurrizore e Kombit Shqiptar. Aq sa mund të kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Danten, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Anglia pa Shekspirin, aq mund të kuptohet edhe Shqipëria pa “Lahutën e Malsisë” të At Gj. Fishtës.”
Për At Gjergj Fishtën kanë shkruar Norbert Jokl, pas tij Gustav Weigand, i cili, përveç punimeve të veçanta, do të përkthente në gjermanisht : “Lahuta e Malcis” von Gjergj Fishta, Balkan Archiv, Leipzig 1925), kurse Lambertz-i po në gjermanisht: “Die Laute des Hochlandes), Verlag R. Oldenbourg, Munchen, 1958. Në italisht, nga Papas Ignazio Parrino: “Il Liuto Della Montagna, Palermo 1968, 1970). Pas shembjes së diktaturës “Lahuta e Malsisë”, u njoh në anglisht e përkthyer nga Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck: “The Highland Lute”, London, New York, 2005).
Fillimi e mbarimi i poemës “Lahuta e Malsisë”
Fishta poemën e filloi më 1905 me titullin “Lahuta e Malcis”, me këngën e parë “Cubat” dhe e përfundoi më 1937, me këngën e tridhjetë “Konferenca e Londonit.”
Në shënimet e veta Fishta, kujton se njëherë gjatë kohës së pushimeve verore ishte dërguar në katundin Rrapsh të Hotit për të zëvendësuar famullitarin Leonard Gojanin. Në atë vend të qetë u miqësua me një burrë të thyer në moshë, Marash Ucin nga Hoti. Mbrëmjet i kalonin bashkë. Nga Marashi Fishta dëgjoi rrëfime nga më të ndryshmet për luftimet e herëshme të malësorëve shqiptarë dhe malazesë, edhe për betejën e rreptë në Urën e Rrzhanicës, ku pati marrë pjesë Marashi vetë. Fishta vijoi ta botonte e ribotonte poemën të zgjeruar më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Përgatitësi i këtij studimi ruan qysh nga viti 1950,, një libër të vogël i ribotuar në vitin 1923, me titullin “Lahuta e Malcis”, vetëm me pesë këngët e para. Në krye të librit lexohet shkurt, ky shënim nga botuesi: “Me ket botim shuhen ato të përparshmet, edhe ndalohen të gjitha të drejtat e rishbotimit e të përkthimit.”
Lahuta e Malsisë me gjuhën e pasur nga burimet e veriut, e ngritur në art nga Fishta, u paraqit e plotë në Shkodër në kremtimet e njëzetepesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Poema në vargje tetërrokësh, sado me ngjyrimet e një rapsodie kreshnikësh legjendarë, është histori në vargje e luftës për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë, me heronj të vërtetë, si Ali Pashë Gucia, Dedë Gjo Luli, Oso Kuka, Marash Uci etj. Befas, në çaste frymëzimi, poeti me sokëllima kreshnikësh, i drejtohet Zanës së mirë, apo i shqetësuar – Orës së Malit. Rimat, herë janë të puthura, herë të kryqëzuara. Këngët e krijuara në rini janë më të hovëshme, ndërsa në vijim, afër mbarimit, mendimtare, me shqetësime për fatin e atdheut në prag të lirisë, pas Luftës së Parë e konferencave ndërkombëtare.
Pjesë nga këngët e Lahutës
Gjatë analizës së krijimtarisë së autorëve të ndryshëm në letërsinë soc-realiste, zakonisht jepeshin citate apo shkurt vetëm disa pjesë. Meqë më lart u përmendën trajtime te zgjatura armiqësore, del e nevojshme që prej kësaj kryevepre epike, me tridhjetë këngë, të zgjidhen të paktën pesë këngë qoftë edhe jo të plota. Atëherë lexuesi i mësuar ndryshe, do të befasohej e mahnitej me gjuhën e pastër shqip të poetit atdhetar At Gjerg Fishta. Shembuj shkrimesh në libra të tillë janë të shumtë, një prej tyre, “Shkrimtarët shqiptarë”- 1942, në dy vëllime duke filluar nga Buzuku, ku shkrimtari i njohur Karl Gurakuqi paraqet me imtësi jetën e Fishtës vargje të shumta e të gjata, nga poema “Lahuta e Malsisë”, nga poezia lirike, dramat e nga proza.
“LAHUTA E MALCIS”
Këngë të zgjedhura.
C u b a t
Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk’rën ket’ Shqipni
Turku e mbate në robnì,
krejt tu’ e là t’mjerën në gjak,
frymën tue ia xanun njak,
e as tu’ e lanë, jo, dritë me pà:
kurr’ të keqen pa ia dà:
rrihe e mos e lèn me kjà:
me iu dhimbtë, po, minit n’ murë,
me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Veç si ‘i dèm, vu n’lavër s’pari,
qi, ka’ e vret zgjedha e kulari
kah nuk bàn m’e thekë strumb’llari,
s’ndigjon me tërhjekun m’pluer:
e tue dhanë kryq e tërthuer,
tu’ i dhanë bulkut shum’ mërzì,
me u vu s’ ryset për hullì
e as me shoq ai pendë me shkue:
kështu Shqiptarët, të cilt’ mësue
s’din’ me ndejë rob nën zgjedhë t’huej,
pagë e t’dheta me i là kujë,
por të lirë me shkue ata motin,
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,
………………
Vranina
Vojti fjala te Çetina:
-Vallë! ç’po ban mi ShkjaVranina!
Vallë! ç‘po ban Vranina m’Shkje?
rob tue xanë e gjind tue pre,
tue pre gjind, tue xanë kajduka
qysh se duel njaj Oso Kuka!
Oso Kuka, ’i burrë shkodran,
shoq në Shkodër, thonë, s‘ka lanë
për kah besa e kah trimënia,
qi zanatë i ka Shqipnia.
Kaleshan e sy-përgjakun,
mje m’sylah mustakun:
ushton mali, thonë, kur t’flasë,
dridhet fusha kah t’vikasë,
e kah t’dredhë të rrebtë taga’n
thue se rr’feja shkrep për anë
kaq vringllim ai shkon tu’ i dhanë!
……………………
Marash Uci
Te nji mriz, te nji lejthí
kishin ndodhun tre barí
dy me dhen e nji me dhí,
njani plak e dy të rí:
Marash Uci e t’ bijtë e Calit:
dy djelm t’ lehtë si shpezt e malit.
Marash Uci i Uc Mehmetit,
anë e m’ anë i kisht’ rá detit
kishte pá pronët e Mbretit
çak prej Hotit tue xanë filli
dér ku piqet buka m’ dielli;
pse, sa kje Marashi i rí,
i pat dalë Mbretit n’ ushtrí
me armë n’ dorë, me zjarrm në gjí,
si qi doke asht n’Shqipní.
Burrë i fortë e trim si Zana,
armët i kjenë atij baba e nana:
babë tagani e nanë breshana,
vëllá e motër dý pistolet
dý gjarpnusha prej Stambollet.
Ky kje lypun edhè gjetun,
pat kenë thirrun edhè pëvetun
e n’ kushtrim e n’ gjýq t’ bajrakut,
e ndër pré marrë Karadakut;
e kudo qi i doli prîja
atý i dajti edhè trimnija.
Por, si kripit i rá bora,
e la kamba, e la dora,
edhè i shkrefi armët besnike:
njato armë qi n’kohë jetike
pa’n kenë ndera e Arbënísë kreshnike;
e na doli barí malit,
i shmrijak me t’ bijtë e Calit
prore Mashi djelmëve t’ Hotit
u kallxonte punët e motit,
punët e motit, punë trimënie:
si Shqiptari mbas lirie
e mbas besës e s’ bardhës Fé
bate dekën si me lé;
……………….
Te kisha e Shinjonit
Prendoi dielli, n’qiellë duel hana,
n’ Veleçik po pingron Zana:
Ehu! ju malet e Shqipnísë,
n’ t’ cilat strukë shqipja e lirísë
n’ t’ bardhat kohë qi kanë prendue
s’ lete anmik, jo, me iu afrue!
E din shpat e di’ edhe përrue,
e din landë e di’ edhe gúrë,
Shqiptarísë kryq e tërthuer,
se sa gjak atëbotë i anmikut
vojti rrëkajë prej t’ bardhë çelikut,
qi flakote n’ dorë t’ Shqiptarit
Porsi rrëfeja majes s’ Sharit.
A kish mujtë kurr n’ atë kohë t’ lume,
(Me lot gjakut sot t’ lotueme!)
veç nji troe t’ tokës Shqiptare
m’e rëmue dora grabitçare?
Sot m’e dá duen copa – copa,
e përse? Pse don Europa[
………………………
Te ura e Rzhanicës
Riza Pasha del n’ kalá,
I Madhi Zot, se shka me pá!
Fort ndjegull paska rá
N’ at Rrzhanicë, nën Podgoricë.
S’ ká me ngiatë e do t’ bjerë shí:
Hazna e madhe për bulqí!
T’u ngjatët jeta! – i thotë Myftija
S’ ká rá ndjeglla kah Malcija,
Kah Rrzhanica e Podgorica;
Por âsht çue tymi i barotit,
Djelmt e Grudës e Lekët e Hotit
Kah luftojnë me Mal të Zí.
……………………………
vijon