Nga “Avant Garde” e Apolinerit në Paris te burgu i Visar Zhitit në Spaç –
Nga Qemal Agaj
Florida, SHBA
Qemal Agaj
Gjatë leximit të librave poetikë të poetit Visar Zhiti, më tërhoqën vëmendjen disa poezi vizuale, të shkruara në formën e Kaligramave (CALLIGRAMMES). Ato gjendeshin te “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, poezi të gjysmës se dytë të shekullit XX, vërtet një çudi jo vetëm poetike dhe rishfaqeshin së voni te përmbledhja “Thesaret e frikës”, fillimi i shekullit XXI, ndër librat më të bukur, por dhe më të rëndësishëm, sipas meje, në gjithë poezinë e re shqipe. Poezinë vizuale e kisha parë më herët te poeti francez Guliem Apoliner (Guillaume Apollinaire, 1880 – 1918), që konsiderohet poeti, kritiku i artit më i shquar i viteve të para të shek. 20-të.
A kishte ndonjë fill lidhës mes poezisë së këtyre dy autorëve aq të ndryshëm në gjuhë, vende dhe kohë? Që arti është perceptim i jetës që na rrethon na e mësojnë që në kohën e shpellave, vizatimet prehistorike. Dhe të zbresim rrëmbimthi, fakt është se shoqëria e Apolinerit me artistët përreth nxiti fantazinë e tij, për të krijuar një formë të re origjinale për të shprehur poezinë. Në këto rrethana, në 1914, botoi për herë të parë një grup prej tyre me titullin, ‘’E t m o i a u s s i j e s u i s s a p a i n t r e’’ (Dhe unë gjithashtu jam një piktor). Subjektet e tij mes të tjerave ishin, Kulla Eifel, Zonjushë me kapele të modës, Shatërvan etj.
Po Visar Zhitin në burgun e Spaçit ç’e nxiti të shkruajë Vizatoj një gijotinë, Litari i grackës, Harta e atdheut?
Ngjashmëria e disa prej poezive të Visar Zhitit me ato të Apolinerit më habiti. Instiktivisht më lindi pyetja: Si ndodh që një poet, në kohë dhe vend tjetër, në rrethana të ndryshme, (I pari në Paris dhe i dyti në një burg komunist në Shqipëri) të përdorë të njëjtën teknikë poetike?
Po më parë të themi se
Ç’është Kaligrami? Dhe Apollinaire…
Vetë termi vjen nga greqishtja: Calli – e bukur, e mirë dhe Gram – diçka e shkruar. ‘’Calligrammes’’ janë poezi, ku renditja e fjalëve krijon një imazh, që trasmeton (bart) në një formë vizuale atë për çka poezia flet. Kjo teknikë është përdorur për herë të parë nga Guliem Apoliner. ‘’CALLIGRAMMES’’, është botuar në 1918.
.
Guliem Apoliner u formua si artist në Paris, ku ashtu si Firence në fund të shek. 15-të dhe fillim të shek.16-të, filloi të tërheqë një masë artistësh dhe intelektualësh. Parisi u bë qendra e artistëve më të shquar të shek. 20-të, duke u bërë kështu sinonim me epokën e shquar të Rilindjes Italiane.
Në këtë kryeqytet të Kulturës dhe Artit Modern Europian jetonte Apolineri, i rrethuar nga elita e artistëve më të shquar të kohës, si Picasso, Raul Dufy, Vlaminck, George Braque… koleksionistes amerikane, Gertrude Stein, poetit, Max Jakob. Mik i ngushtë me Faik Konicën, për të cilin do të shkruante, ‘’Nga njerëzit që kam takuar dhe që unë e kujtoj me admirimin më të madh, Faik Bej Konica është një nga më të pazakonshmit.’’
Po Visar Zhiti?
Në gjysmën e dytë të shekullit XX ai u burgos në Shqipërinë e tij të mbyllur dhe diktatoriale, ku në letërsi dhe arte sundonte Realizmi Socialist. E arrestuan në 8 nëntor 1979, me akt-akuzë për poezitë e tij, të trishtuara dhe hermetike, kundër regjimit dhe diktatorit, etj. Lexojmë që poezitë pjesërisht i memorizoi në qelinë e hetuesisë dhe më pas i shkroi fshehurazi gjatë kohës në burgjet e Spaçit dhe Qafë Barit, mes maleve, rrethuar me tela me gjemba dhe ndën mbikqyrjen e rojeve të armatosura. Jeta ishte më e errët se vet errësira. Nga galeritë nëntokësore, në fjetoret e ftohta dhe prapë në galeri… Mall për pak diell.
Burgjet komuniste nuk ishin një ambjent për të shkruar, pa momente qetësie, edhe liria e imagjinatës ndalohej. Vetë të mbijetuarit ishte në rrezik, dëshira për të krijuar ishte e fundit në ato kushte violente dhe abuzive, kështu lexojmë.
Por kjo ndodhi me Visarin dhe shokët e tij. Poezia i shërbeu si forcë kundërvenëse dhe mbijetese. Dhe çudia, ai krijon dhe aty të bukurën, madje diçka dhe si Apolineri, poezi që vizatojnë, kaligrame. Njëra ka formën e tabelës “Ndalim Kalimi”, të litarit të një gracke a një tjetër, të gijotinës tjetra, të germës V, ndjell fitoren e brendshme, shkruar në tre gjuhë: Victory, Vittoria, Victoire – dhe më e dhimbshme, do të thosha profetike, poezia, ‘’HARTA E ATDHEUT TIM’’ me konturet e Shqipërisë së sotme.
* * *
Dramaturgu i shquar Irlandes, Shan O Keisi (Sean O’Casey, 1880- 1964), mik i ngushtë i fotografit të famshëm me origjinë shqiptare,Gjon Mili, kur ishte fjala për lirinë e të shkruarit, me zë të fuqishëm ka deklaruar: ‘’Bukuria, Zjarri dhe poezia e dramës po zbehen nga një stuhi realizmi të shtirur. Leri zogjtë të fluturojnë në qiell, kafshët të enden në xhungël, peshqit të notojnë në det, na lini ne të kemi Art në Teatër…Në djall me të ashtuquajturin Realizëm, sepse nuk të çon asgjëkundi. Artisti duhet të jetë ku është jeta, jeta aktive, që nuk gjendet në kullën e fildishtë, as në bunkerin e betonit; Ai duhet të dëgjojë çdo gjë, duhet të shohë çdo gjë, duhet të analizojë gjithëçka.’’
‘’Vazhdoi të shkruajë me një çmënduri magjepsëse’’, – kujton e shoqja e Visarit, Eda Zhiti. ‘’Ato ruajnë shenja dhe pllanga si gjak i tharë. Ku i fshihte? Vetëm ai e di, tek kashta e dyshekut, tek thesi i ushqimeve, tek këpucët? E më saktë e ata të burgosur, miq të Visarit, që ashtu siç sakrifikonte dhe familja, rrezikonin për t’i ruajtur, ndokush duke i mësuar përmendësh, siç dëshmojmë. Dhe Visari vazhdonte të shkruante.’’
Por qëllimi i këtij shkrimi është të evidentoj të përbashkëtën dhe të veçantën mes dy poetëv në teknikën poetike, ‘’Calligrammes’’.
Na rezulton që i dyti, Visari, nuk ka patur njohje të të parit, Apolinerit. Pohimi dhe i Visarit për këtë, interesimi im i drejtpërdrejtë me të, është i besueshëm. Veprat e autorëve të shquar botërorë, që kishin krijuar shkolla, medota dhe drejtime në letrat moderne, jo vetëm që s’ishin përkthyer, por nuk qarkullonin në Shqipërinë e atëhershme në origjinalin e tyre, ishin futur në Fondin e Zi të Bibliotekës Kombëtare dhe sulmoheshin dhe kritikoheshin në shtypin e kohës si vepra dekadente, armiqësore të shoqërive kapitaliste dhe atyre revizioniste, fjala ishte për vendet e perandorisë komuniste.
Apolineri me autorë të tjerë, të trajtuar si ai, mund të lejoheshin në duart e pak kritikëve të besuar të Realizmit Socialist në kryeqytet, të miratur nga Partia e atëhershme në pushtet, kështu që Visari, student i varfër në Shkodër, pastaj mësue fshati në Kukës dhe pastaj i burgosur në Spaç dhe në Qafë Bari, ka mundur të lexojë vetëm sharjet për ta në shtypin letrar, të politizuar të kohës.
Pra, poezitë e tij janë jashtë çdo influence apo imitimi, kur k:eto ishin dhe t;e d;cenueshme, por ato, duke i nxjerrë një mjedis dhe fat i caktuar, janë po aq autentike dhe krijime origjinale.
Për të shpjeguar këtë subjekt, do të thosha intrigues, më vjen në ndihmë një botim special i TIME, me titull:
THE SCIENCE OF CREATIVITY
Sipas R i c h a r d J e r o m e (Editor dhe autor i TIME, Inc.) në introduksion, “Termi Creativity mbart një lloj aurore mistike. Forca e saj speciale është e mbushur me një nuancë hyjnore. Mbi të gjitha, krijimi është fjala e parë e Biblës. ‘At the begining GOD Created…’ Dhe prap me gjithë tonet Metafizike dhe Teologjike, Krijimtaria është gjithashtu cilësia më themelore e njeriut.’’
Pa dyshim kjo nuk vihet në diskutim. Ngulmoj që ishte shpirti krijues i këtyre dy Poetëve, që arritën të krijojnë një formë të re të shprehuri, bazuar në rrethanat e këtij momenti krijues, por në kushte diametralisht të kundërt. Ja pse në subjektet e Kaligramave të tyre nuk gjejnë ngjashmëri në përmbajtje, se janë të ndryshme, por ato kanë të përbashkët anën vizuale. A nuk është e habitshme?
‘’Creativity është në fakt,’’ – shkruan fituesi i Pulitzer Price biologjisti, Edwar O. Wilson në librin e tij, ‘’The Origins of Creativity ‘’ – ‘’ një shtytje drejt kërkimit të origjinalitetit, që merr impulse nga pasioni i njeriut për diçka të re, në zbulimin e realiteteve dhe proceseve të reja, në zgjidhjen e sfidave të vjetra dhe kënaqësi për pamje të reja.’’
Antropologjisti i Universitetit ‘Notre Dame’, autor i ‘’How Imagination Made Human’s Exeptional’’, Augustin Fuentes, e shpjegon fenomenin në këtë mënyrë: ‘’Me pakë fjalë esenca e krijimit është të shikosh botën që na rrethon si është dhe përfytyro mundësira të tjera dhe pastaj të kthesh këto përfytyrime në realitet.’’
Dhe më kujtohet kjo thënie e Pikasos: ‘’Ka njerës që shikojnë diçka dhe pyesin; Ç’është kjo? Ka disa të tjerë, që shohin diçka dhe thonë; Çfarë mund të bëhet me këtë?’’
‘’Novacionet më tërheqëse në art, shkencë dhe në të tjera fusha,’’ vazhdon antropologjisti ‘’nuk lulëzojnë nga një vakum. Të gjithë krijuesit edhe ata më të shquar, tërhiqen pas punës të të tjerëve, influencohen me ndërgjegje ose jo nga ç’ka ardhur më parë,’’
Nëqoftëse Apolineri u influencua nga arti i piktorëve që e rrethonin dhe deklaroi, ‘’Unë jam një piktor gjithashtu’’ kjo s’kishte si të ndodhte me poetin Visar Zhiti. Gjasat ishin të pamundura. Po kaligramet e tij janë. Ç’i nxori ato?
Në burgoligjitë e Visar Zhitit “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë” gjejmë se dhe ai rrinte me piktorë në burg, me Maks Velon, Edison Gjergon në Spaç, ku kishte qenë dhe Ali Oseku, ndërsa në burgun e Qafë Barit me atë që do t:e bëhej piktor, Valeri Dyrzi Tarasov.
Të pikturuarit ashtu si dhe të shkruarit ishin të ndaluara, në kufijtë e së pamundurës.
Poezitë e Visar Zhitit në përgjithësi dhe ato vizualet në veçanti janë frut i një ankthi, i një kërkese të brendshme, që ngjan me mbijetesën, rrjedhojë e aftësive imagjinative, i fuqisë së penës, penës së tij të fuqishme, ato janë vetë rrethanat e pabesueshme, ku ai i krijoi. Janë origjinale. Kjo është e veçanta e tyre. Burgu i Spaçit mes maleve ka qenë si një gijotinë dhe ashtu do të duhej të shkruhej poezia për të. Visari vendosi të vizatonte me fjalët.
GUILLIAUME APOLLINAIRE
dhe lëvizja ‘’AVANT GARDE’’
Guillaume Apollinaire, pseudonim i Wilhelm Apollinary Kostrowicki, lindi në Romë në 26 Gusht 1880. Djali ilegjitim i një gruaje aristokrate me origjinë polake. I jati nuk dihej, por flitej se ishte një oficeri Italian. Vetë Apolineri kurrë nuk e njohu atin e tij dhe asnjëherë nuk e përmendi.
U rrit dhe u edukua në Monako. Erdhi në Paris në 1897 dhe menjëherë u bë një nga më të njohurit anëtarë në komunitetin artistik në Montmartre dhe Monparnasse. Në 1904 u njoh me Pikason dhe poetin Max Jakob në kafenenë, Closerie des Lilas. Pikaso, Max Jacob dhe Apoliner u lidhën në një miqësi që influencoi në artin e secilit. Takimet e tyre dhe të tjerë artistëve në studion e Picassos në Montmartre ishin aq të shpeshta, sa Pikaso shkroi në derë, ‘’Vend Takimi i Poetëve.’’
Apolineri ishte bashkëpunëtor në periodiket si, L’ Europien, Le Mercure de France, ALBANIA, La Revue Blanche dhe La Plyme. U njoh me Faik Konicën nëpërmjet një artikulli që ai shkroi dhe u botua në periodiken, ’’ L’Europien’’.
Faik Konica në moshën 22 vjeç, në 1897, filloi botimin në Bruksel të gazetës, ALBANIA, që shpejt u bë organi më i rëndësishëm shqiptar jashtë Atdheut. Në 1902 Konica vendoset në Londër dhe vazhdon publikimin nga Londra deri në 1909. Apolineri qëndroi me Konicën në Londër gjatë viteve, 1903 – 1904. Mardhëniet e tyre u ndërprenë, kur Konica emigroi në U.S.A., në 1909.
Robert Elssie shkruan në ‘’ An Introdukction to Faik Konica’’, që Konica, jo vetëm e priti Apolinerin në Londër, por duket që ndërmjetësoi në një, ‘’Affair de Coer.’’
Në 1909 botoi përmbledhen e parë poetike, ‘’L’Enchanteur Pourrissant’’ Në 7 Shtator 1911 u arrestua dhe u burgos si i dyshuar në vjedhjen e Mona Lisa në Muzeun e Luvrit, por u lirua pas një jave për mungesë provash.
Vjedhësi i Mona Lisa, Vincenzo Perugia, u zbulua në 1913 në Firence.
Emri i Guliem Apolinerit është sinonim i rritjes së lëvizjes, ‘’Avant Garde’’ në fillim të shek. 20-të. I përhershëm në takimet e artistëve në ‘’Parisien Cafe Society’’, u bë shok me shumë artist bohemianë, të së ashtuquajturës, ‘’School of Paris’’. Duke mos qënë piktor, as dhe i shkolluar në Histori Arti, ai ishte një entusiast i palodhur i Modernizmit. Me artikujt si kritik arti në revistën e tij, ‘’Les Soirees de Paris’’, bëri më shumë se çdo shkrimtar tjetër i gjeneratës së tij në njohjen dhe stabilizimin e legjendës të disa prej artistëve më të shquar të shek. 20-të.
Ishte një këndvështrim i ri, ku gjenerata e re e artistëve në Paris u përfshi në valë entusiazmi. Zhvillimi i shpejtë i industrisë dhe progresi i teknologjisë, vunë në lëvizje artistët të prezantojnë botën në rrugë dhe mënyra novatore. Rezultati ishte një art, që mori ngjyra të reja, alternativa dhe eksperimente në abstraksion. Madhështia kulturore që rezultoi nga fermenti i ri është e njohur.
Krejt papritur njeriu modern u duk sikur po jetonte në një kontekst ndryshe nga i vjetri, nga bota e ngadalshme e shek. 19-të. Aftësia e tij për të përdorur me shkathtësi ambjentin rrethues dhe kapaciteti për shndrrime të reja ishte rritur pafundësisht. Tani ai ndihej mjeshtri triumfues i të ardhmes së tij. Nuk ishte surprizë që ky sensibilitet i ri do të sillte një ritëm të ri në artet dhe një dëshirë për shndrrime artistike. Të gjitha lëvizjet e reja provuan se format artistike të së shkuarës, nuk ishin të mjaftueshme për të shprehur shpirtin e ri dhe duhej në mënyrë radikale të rinovoheshin.
Një kaos rrymash artistikesi, Fovizmi, Kubizmi, Dadaizmi, Surealizmi, Futurizmi…pushtuan artin. Në këto rrethana kompozitori i shquar me origjinë Ruse, Igor Stravinski shkroi, ‘’Arti është e kundërta e kaosit. Arti është një kaos i organizuar.’’
Studjuesit e Artit e përshkruajnë Apolinerin si më mjeshtri novator i lëvizjes, ‘’Avant Garde ‘’, jo vetëm se idetë e tij ishin më origjinale, por sepse ai kishte aftësi krijuese të transformoi konceptet estetike, të krijojë një formë të re arti thellësisht origjinal në konceptim dhe formë dhe i çliruar nga imitimet.
E pamohueshne që Apolineri ishte inkurajuar në mendimet e tij nga fragmentarizmi i pikturës Kubiste, në mënyrë të veçantë nga Pikaso.
Mbështetja e Apolinerit për Kubizmin i dha atij reputacionin si kampion i publikimit të artistëve më të shquar të kohës. Në shumë drejtime ai u bë një version i Giorgio Vasarit, që bëri aq shumë në publikimin e Artistëve të Rilindjes Italiane.
Botimi në 1914, i përmbledhjes poetike, ‘’ALCOOL’’(Alkol), stabilizoi reputacionin e tij si një poet i shquar modern. I çliruar nga çdo rregull i të shkruarit poezi, theu rregullat e vargëzimit dhe nuk përdori shenja pikësimi. Ato e dëmtojë poezinë, deklaron ai. Poetika e tij është konsideruar eksperimentale, sidomos me të ashtuquajturat, Calligrammes, ku aranxhimi tipografik me mjeshtëri i fjalëve krijojnë një imazh.
Shkrimtari Amerikan, Roger Shattuk e përshkruan Apolinerin si: ‘’Një klloun i suksesshëm, një i shkolluar, një pijanec, një ngrënës, një dashnor, një kriminel, një katolik i devotshëm, një endacak, një ushtar.’’
Ishte ai që futi termin, SURREALISM në leksikun e Artit Modern kur thotë: ‘’ Kur Njeriu vendosi të imitojë ecjen, ai shpiku rrotën, që nuk duket si këmbë. Duke vepruar kështu, pa e kuptuar, ai ishte duke praktikuar Surealism.
Por po ashtu Pikaso pretendonte se Surealizmi e mori emrin nga thënia e tij, ku ai e quan artin, ‘’Një ngjashmëri më e thellë dhe më reale se vetë realja, kjo është që formon surealen ( Sur–Real).
Apollinaire angazhohet në luftën e Parë Botërore dhe në 1916 plagoset rëndë në kokë. I dobësuar pas plagosjes, ndërroi jetë nga Gripi Spanjoll në 9 Nëntor,1918. Menjëherë pas vdekjes u botua vëllimi poetik, ‘’CALLIGRAMMES : Poems of Peace and War.’’
VISAR ZHITI dhe KALIGRAMAT E BURGUT
« Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase janë pasqyra më e mirë e historisë së kombit të tij… » Robert Elsie, albanalog (The condemned apple)
“Shkenca e neurologjisë’’tregon që mendja e njeriut është e kontrolluar nga konditat në të cilat ai jeton, por në rastin e poetëve të burgut, ka raste që shihet në një këndvështrim tjetër. Këto mendje, nga nevoja për të jetuar momente të çliruara, estetikojnë orët e errëta të burgut duke i ndriçuar me pjesë poetike që ata krijojnë.’’
Robert Johnson & Nina Çhernof (‘’ Inmate Poetry’’)
Kjo thënie ka parasysh burgjet, ku i burgosuri nuk është i privuar nga të lexuarit dhe të shkruarit.
Në rastin e Zhitit ishte krejt ndryshe. ‘’Në fillim nuk i shkrova ‘’, kujton Poeti, ‘’por i krijova me mend mes mureve ciklopile të qelisë, në vetmi dhe ankth. I thosha me vete që të sfidoja absurdin, hetuesinë dhe boshin.’’
Në qeli ai ishte i privuar nga çdo lexim dhe të shkruarit ishte jashtë imagjinatës. Për Zhitin të poetizuarit u kthye në nevojë, jo vetëm për të thyer më të errëtat ditë të jetës, për të sjellë pak magjepsje dhe shplodhje në atë ambjent skëterrë, por për të qëndruar, të ekzistonte. Në gjithë këtë absurditet rrënqethës, imagjinata e tij ishte e lirë, aq sa një shpend me krahë të thyera. Te poezia ai gjeti fuqi për të mbijetuar, të sfidonte, ‘’…absurditetin, hetuesinë dhe boshln ‘’. Edhe veten.
Studiuesit e lartpërmendur, Robert Johnson & Nina Çhernof, vazhdojnë: ‘’Pse përdoret poetika si një dritare në eksperiencën e burgut? Sepse poetika është një formë e veçantë në krijmin e të shkruarit dhe komunikimit. Poezia i jep drejtim të shprehurit, e detyron shkrimtarin të zgjedhë fjalën dhe shprehjen më perfekte, për të përshkruar botën. Poezia e burgut është një dëshmitare rrethanash të veçanta.’’
Nuk diskutohet që: ‘’Poezia e burgut është dëshmitare rrethanash të veçanta’’, por pyetja është, kur fizikisht burgosen njerëz, a burgoset dhe mendjen dhe imagjinata e tyre? Ka ndonjë veti speciale në këto qënie njerëzore, që i bën ata t’u kundërvihen vuajtjeve? I burgosur do të thotë të jesh i shkëputur nga jeta shoqërore, nga familja dhe shokët. Kështu, në këto kondita psikologjike, kur censura dhe kontrolli ekzistojnë në të gjitha nivelet, çfarë e motivon një të burgosur të shkruajë atë që i kanë ndaluar, poezinë? Dhe studiuesit në një pikë janë dakord; ‘’Të shkruarit poezi në burg është një akt rezistence.’’
Këtë konkluzion e provojnë poezitë e Zhitit. Por, po Kaligramat? A nuk flasin ato për më shumë se ‘’një akt rezistence?’’. Po kërkohet edhe më. Rreziqet shtohen…
Fotografi Gjon Mili i përshkruan ‘’Vizatimet e Dritës’’ të Pikasos, të fotografuara nga ai vetë, që ‘’.. zhduken menjëherë sa lindin. Ato janë shprehje të qarta të vizionit të Artistit. Ato nxjerrin në pah lidhjen automatike mes dorës dhe trurit, që është baza e shtytjes krijuese të Pikasos.’’
Atëherë në rastin e Zhitit, ishte një vizioni artistik? – Që ka shumë mundësi. – Ishin impulse të çastit shtytur nga rrethanat dhe nevoja për t’u shprehur në një formë të re, origjinale? – Pa dyshim. Lidhin prangat me trurin. Telat me gjëmba me emocionin.
Kur Picaso pikturoi tablonë, ‘’Les Demoiselles de Avignon’’ (1907) ishte një nxitje për të thyer standarted në art TIME shpiegon : ‘’Kur artisti thyen standartet për të gjeneruar diçka të re, është rezultat i diçkaje të veçantë…’’
Komentet shkuan aq larg sa do të shkruhej: ‘’Arti tradicional është përmbysur dhe kthyer në tallje, vlerat antike dhe moderne janë shkërmoqur menjëherë dhe goditur për vdekje para syve tanë.’’ (Art of the 20-th Century.)
Ndërsa koleksionistja amerikane, Gertrude Stein, do të shkruante: ‘’Çdo kryevepër arti ka ardhur në botë me një dozë kërcënimi brenda saj. Ky kërcënim është një shenjë që krijuesi është duke thënë diçka të re, në një mënyrë të re’’.
‘’Hapësira krijuese, – shkruan Richard Jerome, editori i TIME në artikullin INSIDE THE CREATIVE SPACE’ – ka variuar në akord me okupantët e saj, personalitetit të veçantë të artistit dhe karakteristikat mentale ose morale që i përkasin një individi të shquar.’’
Unë do të thosha se është vështirë të hysh në diskutim me Editorin e TIME, (J.R.), sepse rasti i Pikassos, aq më shumë i poetit Zhiti, vërtet janë karakteristikë mentale dhe krijuese individësh të shquar, por ajo që ndan Poetin nga Piktori janë RRETHANAT dhe STUDIOJA ku ato u krijuan.
STUDIOJA… Çfarë ironie! Ja si e përshkruan vetë poeti Visar Zhiti në librin e tij studimor, ‘’ KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR’’:
‘’Në burg nuk lejohej të jetoje, vetëm të gjalloje si kafshë pune nga kafshët më të forta se ne, ato me kthetra dhe uniformë polici dhe oficerash, me brirë e gojë të hapura çapulishëm… Ndryshe nga studiot e shkrimtarëve dhe artistëve, ato janë tërësisht e kundërta. Studiot e të burgosurëve ishin fjetoret, të zhveshura dhe të ftohta, me tre radhë shtretërish të drunjtë njëri mbi tjetrin, ku flinin 50 veta, edhe të sëmurë, ngjeshur si mos më keq, që i numëronin dhe në gjumë duke goditur me shkop gome mbi bataniet e kalbura, për të kuptuar në kishte poshtë tyre të burgosur, në fund të këmbëve ishin leckat që do të vishnin për të shkuar në punë, në galeri, të (u)shqyer keq, në një si tjetër oxhak (studioje) miniere, ku kishte ca gryka që quheshin furnele, jo furnella, ku digjeshin nga puna rraskapitëse, diku në temperaturat 45 gradë C. edhe plus 50-të e diku apo jashtë në borë ishin dhe minus15-të apo 20-të gradë C.’’
Janice Mathie – Heck në introduksionin e botimit në anglisht të vëllimit poetik të Zhitit, ‘’THE CONDEMNET APPLE’’, shkruan ‘’Pishtarët e mitit janë filozofët dhe poetët. Intelekti vetëm nuk mund të ushqej shpirtin. Intuita ndjenja dhe imaginata mundet… Zhiti çuditërisht mundi të memorizojë rreth 100 poezi gjatë muajve në izolim! Kjo ishte një mënyrë të përqendruari të energjive të Tij, të mbaj mendimet dhe veten të kthjellët… Në këtë mënyrë Ai ishte në gjendje të durojë realitetin e hidhur të burgut dhe ishte i zoti të krijojë realitetin e vet’’.
Por le të kthehemi te Kaligramat. Të shkruarit poezi për Zhitin ishte pasion. Demoniak do të thoshim atëherë. Në çfarë rrethanash krijoi? Në origjinale të të shprehurit. Në vargjet e tij ai deshi që të shikohej dhe ajo që do të lexohej. Pse? Vetëm Poeti e di.
Bashkëvuajtësi i Visarit, Maks Rakipaj kujton: ‘’ … Janë krijime të Spaçit dhe Qafë Barit. Unë i pata lexuar në ca dorëshkrime nëpër fletë të zhubravitura, me pluhur miniere dhe të njomura me djersë. Por, që, larg qoftë, mund edhe të ishin njomur me gjak, me gjak të fisëm poeti, me gjak të fisëm Prometeu të vërtetë…’’
Kur Visar Zhiti botoi në Tiranë, në 1994, tashmë i dalë nga burgu, librin “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, që përmbledh një pjesë të poezive të burgut, është kujdesur që dy poezi, “Pranë Vdekjes”, ku është një tabelë “Ndalim Kalimi”, dhe poezia tjetër “Vizatoj një gijotinë”, të kenë dhe anën e tyre vizuale. Ndoshta kjo ndodhte për herë të parë në shtypshkronjat primitive shqiptare, botimi i kaligramave.
I kishte parë Visari tani Kaligramet e Apolinerit? Ai thotë jo. Dhe kështu na rezulton.
Ndërsa në shekullin e ri, në të 21-tin, mbas shumë librave me poezi dhe prozë Visar Zhiti nxjerr përmbledhjen me poezi “Thesaret e frikës”, Tiranë 2005 dhe atje duket se i rikthehet poezisë vizuale, janë tre, “Trup dashurie” që me vargjet krijohet vërtet trupi njerëzor, “Minare blu”, që ka formën e gjatë të një minareje dhe “Njëra nga kambanat e ikjes së madhe”, ku poezia vizualisht ka formën e kambanës, të shkruara në Stamboll. Duket shumë afër Apolinerit. Njëjtë me të si Kulla Ejfel.
Por ai ende nuk i ka parë Kaligramet e Apolinerit. Vetëm burgu dhe Stambolli e joshën për poezi të tillë vizuale. Dhe unë do të kërkoja posaçërisht për të librin dy gjuhësh, frëngjisht dhe anglisht “Poems of Peace and War, CALLIGRAMMES” të Guillaume Apollinare, botim i 2004 nga “University of California Press”.
Visari i pa dhe gëzua estetikisht, por “Mbas kësaj unë s’kam për ta përsëritur më këtë gabim të bukur.”. Kështu e mbyllte përgjigjen e tij ndaj pyetjes që një profesor universiteti në Miçigan i bënte për kaligramet, në një libër të porsadalë.
Megjithatë botimi anastatik “Dorëshkrimet e fshehta të burgut” me atë performancë tronditëse, që është dhe imazh, mbetet një kaligramë e madhe, unike dhe mahnitëse,
Clearwater, Fl. – Prill, 2023
R E F E R E N C Ë
Dorëshkrimet e fshehta të burgut – Visar Zhiti ( 2021 ) THESARET E FRIKËS – Visar Zhiti ( 2005 ) THE CONDEMNET APPLE : – Visar Zhiti ( 2005 ) KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR – Visar Zhiti ( 2020 ) The Science of CREATIVITY – TIME ( 2019 ) Art of the 20-th C E N T U R Y – Hachete ( 1999 ) Photographs & Recollections – Gjon MILI ( 1980 )
I M A Z H E S H O Q Ë R U E S E
Calligrammes – Visar Zhiti Calligrammes – G. Apollinaire
Kaligrama nga Visar Zhiti
Kaligrama nga Guillaume Apollinaire