– Strugani Zikri Meta gjeti një mënyrë origjinale për të ndihmuar policinë per t’u ardhur në ndihmë policëve shqiptarë dhe amerikanë që flinin nëpër makina nëpër rruget e New York-ut./
Nga Dalip Greca/
Dihet se ata që janë në ballin e betejës me armikun e padukshëm-COVID-19, janë bluzat e bardha, mjekët dhe infermierët, dhe të gjithë punonjësit e shëndetësisë. Ata janë heronjët dhe aleatët e jetës kundër vdekjes. Të gjithë duhet t’i kurajojmë dhe t’i mbështesim ata. Por ka dhe heronj të padukshëm, të cilët nuk e kanë braktisur frontin e luftës kundër krimit, por edhe në betejën e pandemisë. Për ata flitet pak ose aspak. Flitet pak në media për rolin e policisë në frontin e dyfishtë; kundër krimit dhe në betejën kundër epidemisë botërore. Duke qenë të ekspozuar dhe në kontakt me qytetarët, fatkeqsisht në radhët e policisë së New York-ut ka shumë të infektuar.
Sipas WABC, në raportet e 31 Marsit, NYPD raportoi se afërsisht 15% e oficerëve me uniformë ishin të sëmurë nga Coronavirusi.Deri në mbrëmjen e së martës, 1,048 pjestarë me uniformën e policisë dhe 145 civilë nga radhët e saj ishin të testuar pozitivë për koronavirus.
Është fakt i njohur se tashmë numri i policëve nga radhët e komunitetit shqiptar në policinë e New York-ut dhe të New Jersey-t, është i konsiderushëm, madje ata kanë krijuar edhe organizatat e tyre të komunitetit të policëve shqiptaro-amerikanë.
Ne kontaktuam online me disa prej tyre dhe na treguan se po vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, edhe pse një pjesë e kolegëve janë të infektuar, dhe disa jashtë shërbimi. Pa pranuar të identifikohen me emra një grup oficerash të policisë së New Yorkut, na treguan edhe për një rast të vecantë, që e përcollën për gazetën Dielli.
Ndërsa po patrullonin në lagjet e Manhattanit natën vonë, një burr që shëtiste qenin iu afrua atyre, pasi dëgjoi që flisnin shqip dhe i pyeti se cfarë do të bënim pas shërbimit, ata thanë se do të flinim nëpër makina nga që s’mund të shkonim në shtëpi, edhe nga frika se mund të çonin nëpër shtëpitë e tyre virusin e tmerrshëm.
Ai ua dha celsat e apartamentëve të tij dhe u tha: -Përdorini derisa t’ju duhet, unë po shkoj në shtëpinë tjetër.
Kush ishte shqiptari që ua bëri këtë nderë policëve shqiptarë dhe amerikanë? Është një aktivist i njohur, një prej veprimtarëve të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe anëtar i degës së Vatrës në Queens, ZIKRI META, nga Struga. Strugani Zikri Meta gjeti një mënyrë origjinale për të ndihmuar policinë, per t’u ardhur në ndihmë policëve shqiptarë dhe amerikanë që flinin nëpër makina nëpër rruget e New York-ut, duke mos shkuar në shtepitë e tyre për të mos infektuar familjet e tyre.
Oficeri shqiptar i policisë që i telefonoi Diellit tha: Z. Zikri Meta hapi dyert e apartamenteve te tij në New York per t’na ardhur në ndihmë ne policëve në këto çaste të vështira. Secili bën aq sa mundet. Ai gjeti një mënyrë origjinale për t’na ndihmuar. E falenderojmë me zemër.
Atdhetari Zikri Meta me këtë gjest human ka shpetuar oficerat Americano shqiptar dhe familjet e tyre nga infektimi i këtij virusi vdekjeprures, që ka marrë disa jetë policësh dhe ka infektuar shumë nga radhët e policisë së New York-ut.