Analizë nga Rafael Floqi
Nga fillimi i mandatit të dytë presidencial, Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë me një përmirësim të ndjeshëm të perceptimit publik për mënyrën si po e menaxhonte emigracionin. Kjo ishte një kthesë e fortë në krahasim me mandatin e tij të parë, ku politikat e ashpra dhe ndonjëherë kaotike për kufijtë dhe deportimet hasën kritika të ashpra nga opinioni publik dhe grupet për të drejtat e njeriut.
Por tani, gjashtë muaj pas rifillimit të qeverisjes, kjo mbështetje po lëkundet. Edhe pse emigracioni vazhdon të jetë një nga çështjet ku ai merr ende nota më të mira krahasuar me fusha të tjera si ekonomia, politika e jashtme apo shëndetësia, një sërë sondazhesh tregojnë sipas demokratëve një rënie të vazhdueshme në vlerësimin për politikat e tij të emigracionit. Dhe ata që thonë këtë janë që ndoqën politikat e dyerve të hapura dhe emigracionit të pa kontrolluar, duke luajtur kukafshehtas me kufirin “kufiri është i mbyllur por 16 milionw emigrantë të paligjshëm hynë në SHBA
Administrata Biden është përballur me kritika të shumta për trajtimin e çështjes së emigracionit, veçanërisht në kufirin jugor të SHBA-së. Pavarësisht premtimeve për një qasje më humane dhe të reformuar krahasuar me paraardhësin Donald Trump, realiteti në terren ka treguar një kaos të vazhdueshëm. Zëvendëspresidentja Kamala Harris pati deklaruar në fillim të mandatit të saj: “Don’t come. The United States ëill continue to enforce our laës and secure our border.” Ndërkohë, sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, deklaroi se “kufiri nuk është i hapur”, pavarësisht fluksit të madh të emigrantëve që kalojnë çdo ditë ilegalisht. Megjithëse administrata ka tentuar të ruajë një imazh njerëzor, shumë masa praktike — përfshirë deportimet, ndalimet në qendra mbajtjeje dhe bashkëpunimi me autoritetet meksikane — janë kritikuar si vazhdim i praktikave të mëparshme dhe jo reformë substanciale.
Në krahasim, administrata Obama kishte një qasje më të ashpër ndaj emigracionit sesa shpesh perceptohet. Obama mbajti titullin “Deporter-in-Chief” pasi dëboi më shumë emigrantë të paligjshëm se çdo president para tij, ndërsa Trump u bë simboli i një politike kufitare agresive, përmes ndërtimit të murit dhe ndarjes së fëmijëve nga familjet.
Çfarë po ndodh në terren?
Administrata Trump, në mandatin e dytë, ka zgjedhur të shkojë edhe më thellë në zbatimin e një axhendë të ashpër ndaj emigracionit të paligjshëm. Janë rritur ndjeshëm arrestimet, nga ICE sidomos në zonat urbane ku jetojnë emigrantë pa dokumente, dhe janë bërë përpjekje për të përshpejtuar proceset e deportimit, veçanërisht për ata që kanë precedentë penalë. Por, pavarësisht këtij aktivizmi agresiv, shifrat e deportimeve mbeten të ulëta dhe shpesh përfundojnë në labirinte burokratike ose përplasje ligjore me gjykatat federale.
Drejtori i ICE, Tom Homan, ka komentuar: “Nëse nuk keni kontroll të kufirit, nuk keni as kontroll të sovranitetit të vendit tuaj.” Kjo deklaratë i ka dhënë zë një segmenti të gjerë të opinionit publik që kërkon rregulla të qarta dhe zbatim të fortë të ligjit.
Ndërkohë, imazhet e operacioneve policore në lagje me komunitete emigrantësh, apo videot e përplasjes me familjarë që kërkojnë strehim, kanë ndikuar negativisht tek perceptimi i gjerë publik. Ajo që për një pjesë të elektoratit konservator shihet si “mbrojtje e ligjit dhe rendit,” për një pjesë tjetër të shoqërisë amerikane shfaqet si mizori dhe abuzim me pushtetin shtetëror.
Kur edhe mbështetësit fillojnë të kërkojnë më shumë tolerancë
Interesant është fakti që edhe vetë një pjesë e mbështetësve të Trump po shfaqin një prirje në rritje drejt një qasjeje më pragmatike dhe humane ndaj emigracionit. Ka gjithnjë e më shumë konservatorë që mbështesin rendin në kufi, por nuk duan që prindër punëtorë, që paguajnë taksa dhe që nuk kanë shkelje penale, të ndëshkohen me dëbim.
Në shumë shtete bujqësore dhe industriale, ku mbështetja për Trump mbetet e lartë, ka një njohje të heshtur se ekonomia lokale nuk funksionon pa punëtorët emigrantë – shumë prej të cilëve janë të paligjshëm, por kanë qenë pjesë e komunitetit për vite me radhë. Ata shihen gjithnjë e më pak si “kërcënim” dhe gjithnjë e më shumë si kontribues të ndershëm që meritojnë një shteg ligjor për të qëndruar.
Edhe në qarqet më patriotike, ka një kthjellim: lufta ndaj emigracionit të paligjshëm nuk duhet të jetë luftë ndaj emigrantit si njeri. Ka një dallim mes ndëshkimit të kriminelëve dhe ndëshkimit të atyre që, përtej mungesës së dokumenteve, jetojnë sipas rregullave dhe ndihmojnë ekonominë.
Popullariteti i kontrolluar, por jo i qëndrueshëm
Në disa komponentë të politikës së emigracionit – veçanërisht në çështjen e kontrollit të kufirit jugor – Trump ende ka mbështetje të konsiderueshme. Votuesit duan rend, kufij të sigurt dhe ndalimin e trafikut të njerëzve apo drogës përmes Meksikës. Por mbështetja bie ndjeshëm kur pyetësorët shkojnë më thellë: mbajtja e familjeve në qendra ndalimi, ndarja e fëmijëve nga prindërit, mohim i azilit për njerëz që ikin nga dhuna – këto nuk kanë më simpati të gjerë.
Një faktor tjetër është edhe efekti psikologjik i “lodhjes nga përplasjet.” Votuesit e zakonshëm, që nuk janë as fanatikë pro-Trump dhe as kundërshtarë të vendosur, shfaqin shenja lodhjeje nga retorika e përhershme luftarake mbi emigracionin. Në vend që të ndihen të mbrojtur, ndihen të ngopur me konfliktin.
Emigracioni si armë politike dhe e rrezikshme
Trump ka përdorur vazhdimisht emigracionin si një temë për të ndezur mbështetjen e bazës së tij politike. Kjo strategji ka funksionuar në të kaluarën, veçanërisht në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe pjesërisht në 2020. Megjithatë, përdorimi i tepruar i frikës dhe ndarjes për të mobilizuar elektoratin ka efekt anësor: ai i largon votuesit e moderuar dhe rrit tensionet sociale në vend.
Në këtë kontekst, rënia e popullaritetit për politikat e tij të emigracionit nuk është vetëm çështje ekzekutimi, por edhe pasojë e një qasjeje toksike dhe të njëanshme.
Nga ana tjetër “Emigracioni i paligjshëm nuk është një akt heroizmi, por një sfidë ndaj rendit ligjor dhe sovranitetit shtetëror. Çdo shtet ka të drejtë dhe detyrë të ruajë kufijtë e tij dhe të zbatojë ligjet për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit të brendshëm.”
Është koha për një zgjidhje bipartizane
Politikat e ashpra mund të ndezin pasionet në fushatë, por nuk prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme. Sistemi i emigracionit në SHBA është i tejngarkuar, i vjetëruar dhe shpesh jofunksional – dhe asnjë president nuk mund ta rregullojë i vetëm. Ajo që i duhet Amerikës sot është një zgjidhje bipartizane që balancohet mes sigurisë dhe dinjitetit njerëzor. Një reformë që mbron kufijtë, por njeh dhe legjitimon kontributin e miliona emigrantëve që punojnë ndershëm dhe duan të bëhen pjesë e shoqërisë amerikane.
Nga Ellis Island dikur vinin ëndërrimtarë që ndiqnin ligjin — sot, emigracioni i paligjshëm e sfidon vetë parimin mbi të cilin u ndërtua Amerika.
Në vend të përçarjes, duhet bashkëpunim. Në vend të spektaklit, reforma reale. Sepse, në fund të fundit, emigracioni nuk është thjesht çështje e rendit – është çështje e identitetit amerikan.