Dr. Lulzim Nika/
Në Prishtinë u promovua libri “Porosia e kullës” i veprimtarit dhe atdhetarit dr. Pashko Camaj, në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë. Është një ngjarje me rëndësi të veçantë për historinë dhe kujtesën kombëtare. Ky libër i sekretarit të Vatrës Dr. Camaj përmban kujtime dhe rrëfime të jashtëzakonshme që pasqyrojnë vuajtjet e shqiptarëve dhe vështirësitë e shumta me të cilat janë përballur, shpesh duke u detyruar të largohen nga atdheu për shkak të mungesës së perspektivës.
“Porosia e kullës” përshkruan jo vetëm vuajtjet personale dhe ato të bashkëkombësve të tij, por edhe tregon përballjet me padrejtësitë e pushteteve të huaja dhe pamundësinë për të gjetur një të ardhme më të mirë brenda kufijve të trojeve shqiptare.
Libri më kujtimi autentike ndërlidhet me historinë e shumë familjeve që kanë sakrifikuar për lirinë dhe identitetin shqiptar dhe një rikujtim i vazhdueshëm i vështirësive që kanë përcaktuar fatin e shumë shqiptarëve që janë detyruar të largohen nga trojet shqiptare.
Promovimi i këtij libri në Prishtinë është një moment i rëndësishëm për të nxjerrë në pah histori personale dhe kolektive që shpeshherë mbeten të pathëna, por që janë thelbësore për të kuptuar thellësinë e përvojave historike të popullit shqiptar.
Urime e suksese miku im, Pashko Camaj! Uroj që libri yt “Porosia e kullës” të ketë jehonën dhe vlerësimin që meriton, duke sjellë në pah rrëfime të rëndësishme për popullin tonë.