
Shikuar nga kjo retrospektivë historike, rezulton që Kuvendi i Shkupit ishte kambana e fundit që po alarmonte opinionin ndërkombëtar mbi rrezikun që po iu kanosej trojeve shqiptare nga Aleanca e shteteve ballkanike. Por, ky Kuvend pati edhe një mesazh tjetër se Lëvizja jonë kombëtare, që pati ideolog Hasan Prishtinën, e kishte pikasur Shkupin si epiqendrën e shtetit të ri shqiptar që do të formohej pas dëbimit të Perandorisë Osmane.
Nga Mehmet PRISHTINA/
Lëvizja Kombëtare Shqiptare në kapërcyll të shek.19 dhe shek.20, kishte intensifikuar betejat diplomatike dhe ushtarake për ruajtjen e tërësisë territoriale pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Pasi që revolucioni xhonturk nuk solli lirinë e premtuar për shqiptarët dhe popujt tjerë të shtypur, përkundrazi forcoi Perandorinë Osmane, duke e centralizuar edhe më shumë pushtetin qëndror, lëvizja kombëtare në krye me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Dervish Himën, Çerçiz Topullin etj, gjatë viteve 1909-1911 organizuan kryengritje të armatosur gjithandej viseve etnike shqiptare të cilat patën epilog çlirimin e Shkupit më 12 gusht të vitit 1912. Më 19 gusht “Times “, raportonte se kryengritësit shqiptarë me 12.000 burra kishin çliruar Shkupin të enjten e kaluar… Nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe i çliruan edhe këto qytete, duke liruar gjithashtu të burgosurit. Një grup kryengritësish u drejtua për në Veles. Udhëheqësit kryesorë të kryengritjes të cilët hynë në Shkup ishin, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Zefi i Vogël, dhe Bajram Daklani. Për rrjedhojë, kryengritja u përhap edhe ne viset e tjera të Kosovës dhe Shqipërisë. Qeveria osmane thuajse i pranoi pjesërisht 14 pikat autonomiste të parashtruara nga Hasan Prishtina, të mbështetura edhe nga Austro-Hungaria (propozimi i Vjenës i 13 gushtit), ndërsa Fuqitë e Mëdha kundërshtuan dhënien e autonomisë dhe caktimin e kufijve të Shqipërisë, sepse u druheshin shteteve ballkanike dhe interesave të tyre mbi territoret shqiptare, ndaj edhe qeveria osmane e quajti çështjen shqiptare problem të brendshëm të saj.
Platforma ideologjike e Kuvendit të Shkupit ishte përgatitur nga kolosi Hasan Prishtina, mirëpo pjesëmarrja e tij në këtë Kuvend ishte pamundësuar për shkak se ai bashkë me Said efendi Hoxhën burgosen në hyrje të Shkupit dhe dërgohet në burgun e Kalamegdanit. Kjo ishte edhe arsyeja se pse Hasan Prishtina nuk ishte i pranishëm edhe në Kuvendin e Vlorës gjatë shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor, 1912.
Rrethanat në të cilat u organizua Kuvendi i Shkupit, janë të ndërlidhura me ngjarje të bujshme të cilat sollën ndryshime radikale në skenën politike të Ballkanit. Zhvillimet në terrenet luftarake, ku Turqisë gjithnjë e më tepër po zbehej fuqia ushatrake e politike, sidomos pas fillimi të luftës italo-turke (në fund të shtatorit 1911), diktuan që harta e Ballkanit të pësojë ndryshime në favor të shteteve shoveniste fqinje dhe në dëm të territoreve shjqiptare. Për t’i parandaluar këto pasoja më 12 janar 1912 në Stamboll u mbajt një mbledhje e krerëve të lëvizjes kombëtare, ku u vendos që në katër vilajetet shqiptare të organizohet një kryengritje e përgjithshme. Aty u vendos që kryengritja të fillonte në Kosovë e pastaj të zgjerohet edhe në krahinat tjera të Shqipërisë. Hasan Prishtina u ngarkua, të organizonte kryengritjen e përgjithshme, fillimisht në Kosovë…, ndërsa Ismail Qemali të siguronte armë dhe përkrahjen diplomatike nga shtetet evropiane për këtë rrugë të nisur.
Kryengritja e përgjithshme shqiptare dhe lufta italo-turke (në Jemen…), i dhanë goditje të reja sundimit pesë shekullorë turk në Ballkan. Nga këto zhvillime, ndonëse gjatë verës së vitit 1912 perandoria turke, po i numëronte javët e fundit në Ballkan, në zgjidhjen e çështjes shqiptare do të inkuadrohen edhe fuqitë e mëdha. Austro-Hungaria, duke e kuptuar funksionin historik të Shqipërisë si digë para zgjerimit sllav, filloi t’i bëjë trysni Turqisë që të tregojë më tepër mirëkuptim për 14 kërkesat e parashtruara të shqiptarëve, që ishin bërthama e platfmormës ideologjike të Hasan Prishtinës. Konti austro-hungarez Berthold, (ministri i jashtëm) u propozoi Fuqive të Mëdha që të ndërmarrin masa për decentralizimin e Turqisë evropiane në aspektin etnik, ku do të përfshiheshin edhe katër vilajetet shqiptare, Vilajeti i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe Vilajeti i Janinës. Këtë propozim e kundërshtoi fuqishëm Rusia, e cila me planet e saj ogurzeza, synonte që tërë Ballkanin ta bënte sllave-ortodokse dhe për fat të keq në këtë drejtim ajo kishte përkrahjen e Francës dhe të Anglisë. Për këtë çështje, reagoi edhe Porta e Lartë, e cila deklaroi se çështja shqiptare është “çështje e brendshme e Turqisë” dhe për të dëshmuar këtë gjë ,përfaqësuesit turq, ndryshuan rrënjësisht konkluzat e marrëveshjes të arritur me krerët shqiptar, më 18 gusht 1912 në Shkup.
Fatkeqësisht këto manovrime dhe marifetllëqe të autoriteteve turke i hapën rrugë formimit të aleancave të shteteve ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë) për pushtimin dhe coptimin e tokave shqiptare. Planet serbe për një “luftë kundër Turqisë”, kishin filluar me bisedat e fshehta me Bullgarinë. Diplomacia ruse në krye me carin Nikollajin e II, ishte shumë e interesuar që sa më parë të nënshkruhet aleanca luftarake në mes Bullgarisë e Serbisë, për ndarjen e Shqipërisë etnike. Kjo ishte edhe arsyeja që qarqet sunduese të Sofjes dhe Beogradit ua ndaluan krerëve bullgaro-maqedonas të Maqedonisë që të bashkpunojnë dhe të përkrahin kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912. Për rrjedhojë pas disa takimeve të shumta midis kryeministrit serb Milovanoviq dhe atij bullgar Geshov, me ndihmën e Rusisë, më 13 mars 1912, Serbia lidhi një aleancë të ashtuquajtur “Traktati miqësisë” me Bullgarinë, ku si synim parësor kishin kundërshtimin e formimit të çfarëdo shteti shqiptar në Ballkan dhe coptimin e tokave shqiptare. Një aneks sekret i këtij traktati parashikonte veprime eventuale të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane, ku parashihej që Serbisë t´i takonte mbarë territori në veri të maleve të Sharrit. Krahas bisedimeve serbo-bullgare u zvilluan edhe bisedimet bullgaro-greke, të cilat përfunduan më 29 maj 1912 me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse në rast sulmi nga ana e Turqisë.
Pjesë e kësaj Aleance, pas bisedimeve të carit rus me Kral Nikollën, u bë edhe Mali i Zi. Këto shtete ortodokse të “aleancës…” përfundimisht ,në emër të luftës kundër “robërisë osmane” në tetor 1912 filuan Luftën e Parë Pallkanike për pushtimin dhe coptimin e tërsisë së tokave shqiptare.
Për ta alarmuar faktorin e brendshëm dhe të gjitha kancelaritë e fuqive të mëdha, për rrezikun që po i kanoset popullit shqiptar dhe trojeve etnike shqiptare nga qëllimet ekspansioniste të Aleancës Ballkanike, më 14 tetor 1912 në Shkup, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka, Komiteti “Shpëtimi” që në popull njihej si ”Komiteti i Shpëtimit Kombëtar” dhe organizata ”Shoqëria e Zezë për Shpëtim” mbajtën një Kuvend të jashtëzakonshëm. Në këtë kuvend, të kryesuar nga Nexhip Draga, morën pjesë: Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Nexhip Draga, Bedri Pejani etj. Pasi u konkludua se ”Turqia po i numëronte ditët e fundit në Ballkan…” u morën këto vendime:
1. Me ia drejtue një proklamacion Fuqive të Mëdha;
2. Me formue një delegacion për mi shkëputë Malet e Shkodrës prej lidhnisë që patën ba me Malin e Zi (Malësia e Shkodrës ishte lidhur me Malin e Zi për luftë të përbashkët kundër forcave osmane në Shkodër).
3. Ky delegacion ka me pas edhe një kompetencë të plotë për t´u marrë vesh me krahinat e tjera të Shqipnisë për të shpëtue atë prej rrezikut të coptimit.”
Në zbatim të këtyre vendimeve, Kuvendi më 16 tetor 1912 në Shkup ia dorëzoi konsullatës austro-hungareze dhe gjermane një proklamatë, ku thuhet: ”…Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kanë shpallur luftë me qëllim të zgjerimit tokësorë ose për përhapjen e ndikimit politik, prandaj edhe ne shqiptarët po rrokim armët për të mbrojtur tokën tonë. Përveç kësaj vemë në dijeni Fuqitë e Mëdha se nuk do të njohim emërtime të tilla si ”Stara Serbija” (Serbia e vjetër”dhe “Epir”, ose forma politike dhe administrative të posaçme lidhur me disa pjesë përbërëse të atdheut tonë”. Ndërkohë edhe përfaqësuesve diplomatik rus, francez, anglez dhe atyre italianë u është dorëzuar një proklamatë me vulë të ”Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në të cilën thuhet: ”Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, dmth një formë të vetme qeverisjeje”. Pra, këto dokumente dëshmojnë qartë se në Kuvendin e Shkupit u vunë themelet e Pavarësisë së Shqipërisë, gjegjësisht u kalua nga kërkesa e autonimisë në kërkesën për pavarësi.
Kuvendi i Shkupit caktoi edhe një delegacion (Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani), i cili u ngarkua të përgatisë terenin për mbajtjen e një Kuvendi gjithëkombëtar që do të mbahej në Vlorë më 28 nëntor, 1918.
Kuvendi i Mbledhja e Shkupit arriti në përfundimin se Perandoria Osmane do ta humbiste luftën dhe vendosi t’u njoftonte Fuqive të Mëdha se populli shqiptar po i kapte armët jo për të forcuar sundimin e Turqisë në Ballkan, por për t’i dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së Shqipërisë, që po rrezikohej nga Aleanca Ballkanike e shteteve shoveniste fqinje. Gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante se Kuvendi i Shkupit prodhoi vendime që të drejta dhe realiste, që u përgatitën në formë të një dokumenti që i u dorëzuan përfaqësuesve të fuqive të huaja në Shkup më 16 tetor.
Ndërkohë ushtritë e aleatëve ballkanikë brenda një kohe të shkurtër e shpartalluan ushtrinë turke në të gjitha frontet. Më 15 tetor filloi mësymja e trupave serbe në rajonin e Vranjës, ndërsa më 18 tetor u hodh në sulm gjithë ushtria prej 286 000 vetash, në drejtimin Nish-Manastir-Elbasan, Nish-Manastir-Selanik dhe Kurshunli-Prizren-Durrës. Forca të tjera sulmuan nga veriu, në drejtimin Rashkë-Mitrovicë-Pejë dhe Javor-Priepolje.
Turqia u gjend e papërgatitur për luftë dhe vendosi të formonte repartet e armatosura vullnetare shqiptare, që do të pajiseshin me armë nga depot e shtetit. Doli edhe një urdhër i ministrit të Luftës për t’u dërguar shqiptarëve 50 000 pushkë. Megjithatë nuk u dërgua asgjë, shqiptarët u lanë pa armë, në mëshirën e fatit. Qeveria xhonturke nuk qe në gjendje të përfitonte nga forca e madhe e shqiptarëve dhe nga gatishmëria për të mbrojtur atdheun e tyre.
Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.
Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës në këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri të madhe për të mbrojtur atdheun e vet, tokën amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta.
Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane, edhe pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar të aleatëve ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej dhjetëra vjetësh dhe të armatosur deri në dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912 ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në jug deri në luginën e Shkumbinit, në vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.
Ndërkohë edhe ushtria greke, pasi theu forcat turke në Thesali e në Epir, mori Selanikun, rrethoi Janinën, shtiu në dorë Sazanin dhe zbarkoi në Himarë, të cilën e pushtoi bashkë me disa fshatra përreth.
Shikuar nga kjo retrospektivë historike, rezulton që Kuvendi i Shkupit ishte kambana e fundit që po alarmonte opinionin ndërkombëtar mbi rrezikun që po iu kanosej trojeve shqiptare nga Aleanca e shteteve ballkanike. Por, ky Kuvend pati edhe një mesazh tjetër se Lëvizja jonë kombëtare, që pati ideolog Hasan Prishtinën, e kishte pikasur Shkupin si epiqendrën e shtetit të ri shqiptar që do të formohej pas dëbimit të Perandorisë Osmane. Mirëpo ky synim mbeti vetëm një ëndërr e parealizuar e krerëve shqiptarë, ndërkohë që Shkupi do të vazhdojë të frymojë shqip edhe në saje të ideve dhe perosive të Hasan Prishtinës, të cilat mund të përmblidhen në një nocion kuptimplot: HASANIZMI.
Prishtinë, 14 tetor, 2021