Data e ardhjes dhe të vendosjes në Kanada të Preng Doçit ) është pragu i Krishtlindjeve, data 24.12.1877 , sipas arkivave të “Propaganda Fide” në kohën e Pontificatit të Papës Piu IX(1846-1878)/
Nga Nga Rafael Floqi/
Për shumë vjet është mbajtur se Koli Kristofori ( Rev. Nicholas Christopher), si emigranti i parë shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Ai hyri në SHBA në 1886 (dhe në vitin 1908 del në dokumentet e Bostonit, si prift anëtar Peshkopatës shqiptare të Fan Nolit), por shqiptari i parë që shkeli dhe banoi në tokën e Amerikës së Veriut, ishte imzot Preng Doçi (Primus Docci ose Dochi sipas shkrimit përkatës të emrit në gjuhët it.fr.ang ), i cili më vonë u bë Abat i Mirditës dhe këshilltar i Kapedanit të fisit të Mirditës, Prenk Bibë Dodës. Ai ishte gjithashtu një patriot i shquar shqiptar, veprimtarinë e të cilit historiografia komuniste e kishte mbuluar me harresë. Një rilindës shqiptar, i burgosur e syrgjynosur nga Turqia dhe promotori kryesor i alfabetit modern shqip botues i veprave artistike e shkollore me pseudonim, një luftëtar i mençur, siç e përshkruan Edith Durham.
Për këtë figurë të pa vlerësuar siç duhet Ndue Dedaj, kohët e fundit shkruante në gazetën “Shqip” për këtë figurë se ” Ka ndodhur shpesh që figurat kombëtare, me jetën të gërshetuar me politikën, të mos vlerësohen në kohë, ngaqë stinët politike që kanë pasuar nuk kanë krijuar klimën e duhur për ndriçimin e veprës së tyre. Është dashur kohë të dalin nga terri i harrimit, paragjykimit, mos komunikimit. Kurse vendosja e Imzot Doçit në vendin që i takon ka për të qenë një punë jo e lehtë. Me gjithë njëfarë shpalimi të figurës së tij këto vitet e fundit, kryesisht përmes botimesh, për shumicën e shqiptarëve, ai vazhdon të mbetet thuajse si në kohën e tij “shumë i përmendur, por pak i njohur”, siç e pati përcaktuar Shahin Kolonja, pasi ne ende nuk jemi orientuar për kah kulmet e historisë. Prej këndej duhet nisur analiza e veprës së tij komplekse, si poet i fillimeve të Rilindjes, prelat i lartë kishtar e reformator kishe, flamurmbajtës.”
Preng (d) (k) Doçi (Dochi), lindi më 7 shkurt vitit 1846. Jeta dhe vepra e Abat Doçit, ndahet në disa periudha. Periudha e parë i përket kohës kur Preng Doçi ishte meshtar i ri dhe plot vrull atdhetar; periudha e dytë kur ai, si i pjekur kalon nëpër burgje dhe në mërgim; periudha e tretë kur ai mori detyrën e Abatit, dhe si prelat i lartë dhe diplomat i pjekur udhëhoqi Abacinë, e cila ishte në rangun e një dioqeze dhe këshillonte mendjen shqiptare të rilindësve; periudha e katërt, kur abati me mençurinë e vet i bëhej krah Qeverisë Shqiptare, e cila gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore kur vendi gjendej në sprova të rënda qeverisje.
Pas përfundimit të studimeve në vitin 1871, Dom Prenga i pajisur më njohuri, teologjike dhe atdhetare u kthye në Shqipëri, dhe pa u çmallur me të afërmit dhe vendlindjen u caktua famullitar në Korthpulë. Krahas kujdesit për gjendjen shpirtërore të popullit, ai shqetësohej shumë për gjendjen e vështirë të mirditasve nën zgjedhën osmane. I frymëzuar qysh në fillim të rinisë së vet me idenë e thjeshtë atdhetare, sapo shkeli në tokën e të parëve, në Mirditë, për shkak të trysnive të vazhdueshme të pushtuesve, krahas përkujdesit shpirtëror ndaj besimtarëve, u dha pas çështjes kombëtare. Ai, çështjen kombëtare e përforcoi edhe kur ishte si kapelan dhe sekretar tek Abati i Oroshit, dom Gasper Krasniqit gjatë viteve 1872-1875.
Kryengritja e viteve 1876-1977, e mirditasve kundra osmanlinjve, ishte rezultat i organizimit të dom Preng Doçit dhe bajraktarit të Mirditës, Preng Bibë Dodës. Për këtë qëllim më 1877, ai e lidhi për vedi kapedanin e Mirditës, Prenk Bibë Dodën (që e gjeti 14 vjeçar në Abacinë e Mirditës; dhe e edukoj), dhe u lidh me krerët e udhëheqës të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë, Dibër, Lurë, Malësi të Madhe, Shalë e Shosh. Këso kohe, në emër të kryengritësve shqiptar ra në kontakt edhe me Knjaz Nikollën e Malit të Zi, për luftë të përbashkët antiturke shqiptaro-malazeze. E vuri në ballë të kryengritjes P. B. Dodën, i cili duke qenë shumë i ri, mori arratinë dhe ai vetë i udhëhoqi betejat më vendimtare. Në atë periudhë në vitet 70 të shek. XIX) në Mirditë gjendja ishte edhe më e rënduar për dy arsye: Kapedani trashëgimtar, Prengë Bibë Doda, ishte shumë i ri; “një kahje parie mirditorësh, në atë kohë në shërbime të rëndësishme në ushtrinë turke, u përpoqën ta merrnin Derën e Kapedanit tue eliminue kështu Gjomarkajt, dhe këtë u përpoq ta bante ushtarakisht, me ndërhymjen drejtpërdrejt të Turqisë. Prandaj edhe raprezaljet turke të viteve 1876/1877 duhen pa me këtë sy, si një luftë për pushtet në dam të madh të çashtjes kombëtare në përgjithësi.” Për shkak të këtij organizimi ipeshkvi i dioqezës së Lezhës, Françesko Malçinski, shtetas austriak me kombësi polake nga Ukraina, arriti ta pezullonte (shkishëronte) dom Prengën nga shërbimet meshtarake. Kjo bëhet e ditur dhe nga burimet konsullore britanike, ku shkruhet se ” Shkëlqesia e tij Peshkopi i Lezhës imzot Malczynski, polak nga lindja ka bërë gjithçka ç’ishte e mundur për të ndaluar fajtorët e kryengritjes në një pjesë të Mirditës të drejtuar keq nga intrigat e huaja. Ai madje ka pezulluar nga funksionet priftërore, Dom Primo Dochi-n, për të cilin hirësia e juaj u ankuat në emër të shkëlqesisë së tij, Shefqet Pasha”.
Dom Prenga, duke qenë tashmë i vetëdijshëm së çfarë mendimi kishte ipeshkvi për të, duke mos kërkuar mëshirë nga ai, mori arratisjen në mal së bashku me shumë bashkëfshatarë. Kështu në muajin maj të vitit 1877, Dom Prenga së bashku me disa shokë u nisën nëpër shtigje malore për të shkuar në Cetinë dhe më larg. Por udha e tij ishte shumë e shkurtër sepse në Vuthaj të Gucisë u zu nga ushtarët turq dhe prej andej e dërguan në Pejë dhe më në fund në Stamboll të Turqisë. Nga kjo ditë për dom Preng Doçin, 31 vjeçar rifilloi një jetë me plot sprova, e cila do të zgjaste plot njëmbëdhjetë vjet, duke kaluar nëpër tre kontitente të botës.
Pasi u dërgua në burgun e Stambollit, falë një bashkëvendasi, Nikollë Përlaskajt, i cili kishte qëlluar roje në burgun e Konstadinopolit të athershëm, Doçi arriti të kontaktojë me patriarkun katolik të këtij kryeqyteti, armenin Stefan Azarjan, i cili sapo u njoftua për këtë çështje, ndërmori aksionin për ta liruar dom Prengën. Patriarku Stefan Azarjan, i cili ishte mik i Sulltanit (e në këtë rast e tradhtoi), dhe me ndihmën e tij, duke i dhënë emrin Pére Achile, u lirua nga burgu me kusht që të mos kthehej në Shqipëri. Së pari, shkoi në Romë nga ku i nisi telegram arqipeshkvit të Shkodrës, tue i diftue se shpëtoj mrekullisht nga duert e osmanëve dhe tashma gjindej në Kolegjin Urbano, ku dhe kishte krye studimet, më vonë arriti të vinte të shkonte deri në Tivar, ku takoi t’amën e të motrën për pak muaj .
I gëzuar pa masë, dom Prenga me ëndje u nis për në Romën e ëndërruar. Ai më 7.VII. 1877, nga Roma i dërgoi letër arqipeshkvit të Shkodrës duke e lajmëruar se mrekullisht ai doli nga kthetrat e ushtarëve turq, dhe se tashmë gjendej në Romë, në Kolegjin Urbano, ku i kishte përfunduar studimet e veta. Meqenëse e kishte të ndaluar të kthehej në Shqipëri, Doçi duke marrë miratimin nga Selia e Shenjtë, u nis për mision në Tokën e Re New Foundland (në Amerikë) në vitin 1877.
Që gjendja e tij e mëparshme ishte njohur, për superiorë e tij, duket edhe njoftimet biografike M.A Mailloux, të nxjerra nga gazeta “Le Canadien “, botuar në shkurt 1878. “Ne kemi thënë një fjalë në lidhje me trazirat që shpërthyen në Mirditë, dhe kemi thënë se në mesin e të burgosurve të dërguar në Stamboll, ishte një prift i ri, At Primo Dochi, këshilltar i Princit Bib Doda të Mirditës. Dervish Pasha, një armik i betuar i Mirditorëve, autor dhe provokator turbullirave që ai i quan kryengritje, qenë të nxitura nga ai me qëllim për të pushtuar malet Mirditës. Ai i kishte dërguar qeverisë një raport shumë të pafavorshëm për imzot Primo Dochi, duke e burgosur atë së bashku me pesë bashkatdhetarë të tjerë në burgjet e Stambollit. Ishte e vështirë për ta liruar këtë prift, veçanërisht gjatë kohës të veprimit të ligjit ushtarak. Safet Pasha, i nxitur nga lutjet që ishin adresuar që të bënte diçka të mirë për katolikët, e liroi Primo Dochi-n me kusht që ai të udhëtonte për në Romë, kështu që prania e tij në Stamboll apo në Shqipëri nuk mund të ishte një justifikim për armiqtë e vet. Në një letër shoqëruese, ministri i Policisë Safet Pasha i ka dorëzuar të burgosurin Imzot. Azarian, i cili të njëjtën ditë, u nis për në Romë “.
Krishtlindja e vitit 1877, koha kur shqiptari i parë shkeli Amerikën
Data e ardhjes dhe të vendosjes në Kanada të Preng Doçit që ne zbulojmë, sipas arkivave të “Propaganda Fide” në kohën e Pontifikatit të Papës Piu IX (1846-1878) është data 24.12.1877. Aty thuhet në frëngjisht se: Primo Docci në 24.12.1877 në udhëtimin e tij nga Roma në Terre Nove Newfoundland do të vendoset në prefekturën e St. Georges kur është caktuar. “ Primo Docci en 24.12.1877 (ancien du C.U. , St-Jean TN) a Franchi: de son voyage de Rome a Terre-Neuve ; attend de se rendre dans la prefecture de St-Georges TN ou il est destine – 51Or-51.”
Kjo datë është me rëndësi, pse është data që tregon vendosjen e tij në New Foundland, në vigjilje të Krishtlindjve të vitit 1877.
Ai mund të ketë mbërritur dhe më parë, por kjo është data që rezulton në dokumente. Dhe është dita e parë, që një shqiptar shkeli në kontinentin e Amerikës së Veriut . Sipas Wikipedias ai shërben në Newfoundland, dhe për një periudhë të shkurtër edhe në Wayne, Pennsylvania, në SHBA, dhe më vonë edhe në Brunswick, në Kanada.
” Për qëndrimin e Doçit në provincën kanadeze Brunswick, dëshmon edhe gazeta e kohës “The Morning Freeman”, e Brunswickut, e datës 22 tetor të vitit 1881. Ku në kujtimet e disa priftërinjve kanadezë at Preng Doçi paraqitet, si një shembull shumë interesant i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj grigjës.
Preng Doçi përkthyesi i parë nga anglishtja në shqip
Një dëshmi tjetër për praninë e tij në Kanada e gjejmë edhe në librin “Njëzet vjet trazira ballkanike” të Edith Durham “. Ajo shkuan se Abati i Mirditës, Preng Doçi, ishte një njeri me veti të shquara . “ Ai kishte mërguar nga Shqipëria në moshë të re, pas pjesëmarrjes në Lidhjen e Prizrenit pasi kishte nxitur shqiptarët për rezistencë ndaj sundimit turk dhe dekreteve të Traktatit të Berlinit, ai i kaloi vitet e tij të syrgjynosjes në Newfoundland ( Kanada )dhe Indi ,duke punuar si prift, ku kishte mësuar anglishten dhe kishte lexuar shumë. Ai ishte shpikësi i një sistemi të shkëlqyer të alfabetit shqip të cilit ia kishte hequr të gjitha theksat, duke përdorur vetëm germa të thjeshta latine. Ai madje, i bindi autoritetet austriake ta përdornin atë alfabet në shkollat e tyre, dhe ishte entuziast për librat që ai kishte për të përgatitur. Planet e tij ishin mjaft të gjera dhe përfshinin përkthimin e shumë librave standarde angleze në gjuhën shqipe. Ai madje kishte hapur një shkollë të vogël në kishën e tij në mes të maleve” Një kumt mjaft interesant ky që e nxjerr në pah edhe mikesha e madhe e Shqiptarëve, se librat e parë nga anglishtja mund të jenë përkthyer në shqip nga imzot Preng Doçi.
Por ka vështirësi në gjurmime dhe gjetjen e përkthimeve të tij nga anglishtja ne shqip, pasi ai pat shkruar shumë, por me pseudonime. Shkrimet publicistike dhe relacionet kishtare që dërgon Vatikanit dëshmojnë për një stil modern, ndonëse ka munguar deri tani një hulumtim i mirëfilltë i gjithë lëndës së shkruar prej tij, çka do të krijonte mundësinë për një gjykim më të plotë. Jo më kot disa herë është vënë në dukje se “Emzot Doçi s’ka shkrue pak, por gjitherë pa emën”. Doçi përmendet si një gojëtar i spikatur. Një kronikë përkujtimore e Hyllit të Dritës (prill 1914) duke evokuar ditën e flamurit në Shkodër më 1912 në kështjellën e Rozafës evidentohet ligjërata e Abatit të Mirditës me atë rast, i cili “foli bukur”. Një panegjirik në kishën katedrale, Doçi e pat mbyllur me epifemën “Zoja e Shkodrës” e “Shkodra e Zojës”. Publicisti dhe oratori gjenden të gërshetuar gjatë Rilindjes jo vetëm në personalitetin e Doçit…Për të Fishta shkruante “Edhe me kenë pak veprat e shkrueme prej Abat Doçit, nuk janë pak 32 vepra…të botueme në nandë vjet të Shoqnis “Bashkimi” themelue prej tij, as veprat e botueme me ndihmën financiare që dha për shtyp”
Një meshtar, misionar, pionier
Preng Doçi u dërgua në Newfoundland si misionar i Vatikanit në 1877 nga kardinali Simeoni i Propaganda Fides që e caktoi atë për të punuar në Bregun Perëndimor të Newfoundland-it në Bonne Bay, në Gjirin e Ishujve dhe Luginës Codroy. Ky territor është aktualisht pjesë e Dioqezës së Shën Gjergjit. Në atë kohë, kushtet e udhëtimit ishin shumë të vështira. Gjatë verës Preng Doçi kishte për të udhëtuar në ishujt e brigjethyer dhe të shkretë të Newfoundland-it nga misioni në mision, në një barkë të hapur, ose me lundër prej vozash. Gjatë muajve të dimrit Doçi lëvizte me një sajë me qen mbi shtigjet, pellgjet dhe lumenj. Imzot. Roderick T.White, Administrator i dioqezës së Shën Gjergjit, me kujdes vërentei se mënyra se si udhëtonte Dom Preng Doçi ishte “mjaft e papajtueshme për reputacionin e tij si një njeri i ditur”. Kjo mund të shpjegojë përshtypjet mjaft ashpra të regjistruara nga At Michael Brosnan. Në artikullin “ Historia Pionerit të Dioqezës së Shën Gjergjit, Brosnan komentoi se Doçi “… kur ishte në Romë në 1881 me Imzot Sears (Rt.Rev. Thomas Sears, prefekti apostolik i Shën Gjergjit) dhe gjatë asaj kohe duket se ata ia mbushëm mendjen e tij që të hiqte dorë nga puna në bregun perëndimor. Duke iu thënë se shtigjet dhe rreziqet ishin shumë e shumë të mëdha për të, dhe se përveç nëse nuk do të qe urdhëruar zyrtarisht nga Propaganda, ai mund të kishte dalë vullnetar për shërbim të mëtejshëm.
Sipas Sadliers’ Catholic Directory, Almanac and Ordo në faqen 48, distrikti i Bay od Islands, ku ai shërbente kishte katër kisha; Humber Sound, Church of the Holy Family, Benoit Church of our Lady of Mercy, Boune bay St Patrick, Port ou Choix, Church of Assumption. Ai përshkruhet si një “personazh mjaft i dashur edhe në shumë mënyra, ai duket se ka qenë i një natyrë shumë e ndjeshme, tipar i karakteri, aspak i favorshëm për të pasur sukses në një mision të tillë si ai në Perëndim të Newfoundland.”, shkruan Melhem Mobarak M. në “Buletinin katolik”. “Duhet theksuar se deri në kohën kur ati, Bwosnan erdhi në ishull nga Irlanda, vendi ishte krejt ndryshe nga koha kur At Doçi dhe bashkëkohësit e tij punuan atje. Në kohën e Brosnan-s, rruga dhe sistemi hekurudhor e kishin stabilizuar disi vendin.
“At Doçi pat lënë një përshtypje shumë pozitive dhe të favorshme gjatë punës së tij misionare në Newfoundland. Falë intervistave të çmuara dhe të lume të kryera nga White në fillim të viteve 60-të, ne kemi një informacion të dorës së parë, për kohën e qëndrimit të At Doçit në tokën amerikane. Znj Patrick Doucette nga Piccadilly, nga Gadishullit Port au Port, në Newfoundland u intervistua 5 mars, 1960, kur ajo ishte në moshën 86 -vjeçare. Ajo ishte lindur dhe rritur në Cove Benoit-së, Gjirin e Islands. Znj Doucette u shpreh se: “Unë arrij ta kujtoj At Doçin. Ai erdhi në shtëpinë tonë në një rast, duke ecur me këmbë përgjatë murit të digës së detit. Ai ishte një burrë trupmesëm, i zeshkët, dhe në atë kohë kishte veshur mokasina. Ai më pa mua që po e shikoja përmes dritares dhe më përshëndeti me dorë. Duhet të shkruhet shumë për këtë njeri dhe për at Pat Brown, tha ajo. Vëllai im, William Benoit, pat udhëtuar shumë me këta dy burra në dimër dhe ata kaluan bashkë lloj-lloj vuajtjesh dhe vështirësish. Ai ishte udhërrëfyesi i tyre. Shumë net ata fjetën jashtë në fushë të hapur ku të përlante stuhia. Të dy burrat (At Doçi dhe Brown) ishin shumë miqësore dhe burra të muhabetit “.
Stephen Wheeler Sr., një ish-banor i Middle Arm, Bay gjithashtu e kujton At Doçin. Imzot. White e intervistoi Z. Wheeler në Ship Cove, Port au Port, Newfoundland , më 23 janar, në 1962, kur ai ishte 94-vjeç. Wheeler tha se: “Unë u pagëzua nga Fr. Belanger në Sandy Point. Por Fr. Doçi ishte prifti i cili dëgjoi rrëfimin tim për herë të parë. Unë nuk harroj, kur e dëgjonin, t’i thoshte Dom. Jennings (banor pionier i Middle Arm) se atij i duhej të linte vendin e vet Shqipërinë, për shkak të persekutimit fetar. Ai ishte hedhur nga kati i tretë i një ndërtese dhe pat vrapuar për të shpëtuar jetën. Ai qante kur tregonte historinë dhe sesi nuk kishte mësuar asgjë për fatin e nënës së tij dhe xhakonit, një djali të vogël. ” Historia që rrëfen Imzot White për At Doçin në Newfoundland tregon “Një shembull mjaft interesant se ai ishte njeri me këmbë në tokë dhe me ndjenja të thella për njerëzit dhe vendet” aq më tepër që këto fjalë i kishin mbetur në mend e rrëfeheshin e mbaheshin mend nga një “qytetar mjaft i moshuar.” , i cili nuk e mbante mend pamjen fizike të Doçit.
White pat intervistuar Prime Power nga Shën Gjergji në 1969, pak para vdekjes. Power kishte lindur në ose rreth zonës së Curling, të Gjirit të Ishujve. At Doçi pat kryer shumë punë misionare në atë zonë, gjatë qëndrimit të tij në Newfoundland. Prime (Primus, Preng) më tha se ai ishte pagëzuar nga At Doçi dhe prindërit e tij, ai i pat informuar gjatë përgatitjeve për ceremoninë e pagëzimit, se: “Unë pres që të largohem shpejt nga ky vend dhe do të doja që të lija një emër pas meje. A mund të më lejoni t’i vë emrin tim fëmijës suaj? ” Power tha, se prindërit e tij, natyrisht ishin të kënaqur. Ata u ndjenë të nderuar dhe ia thanë këtë edhe atij. Edhe pse emri Prime është shumë i rrallë në këto anë.” (Prenk,shq Primus,lat, Primo, it, Prime,angl I pari. R.F)
Nuk dihet shumë rreth veprimtarisë së Doçi-t në New Brunswick. Z. Peter Murphy, asistent arkivor në Arkivat dioqeziane e Kryepeshkopatës Shën Gjonit, jep disa detaje të rëndësishme të qëndrimit Doçit atje. Regjistrat famullitarë të Katedrales së Konceptimit të Papërlyer i referohen dorëshkrimeve të At Preng Doçit më 1 nëntor 1881, kur ai administronte sakramentin e pagëzimit për James Wilfred Murphy. Shkrimi i fundit nga At Doçi në dokumentet kishtare është i datës 24 janar 1883. Gjatë kësaj periudhe dy vjeçare ai pagëzoi 105 persona dhe lidhi 5 martesa. Aktiviteti fetar i At Doçit në Shën Gjonit përfshinte pjesëmarrjen në institucione të tilla dashamirëse si shoqëria e Shën Jozef Sr, e cila mund të ketë qenë një shoqatë për kundra përdorimit të alkoolit.
Në një artikull të botuar në St. John Weekend Freeman më 10 mars 1883, tregohet admirimi dhe respekti që Ati Doçi kishte fituar tek grigja e tij. Aty gjithashtu jepet një përshkrim zbavitës i praktikave të lamtumirës të kohës që përzier me gëzim shpirtëror me fakte të jetës me këmbë në tokë të tij. “Lamtumira.- Për takimin e rregullt mujor të Shoqërisë së Shën Jozefit Sr, të mbajtur në Sallën e Shën Malakias, shkruhet : -I përndershëm, At i nderuar. Ne, anëtarët e Shoqërisë së lartë të Shën Jozefit kemi marrë vesh me shumë keqardhje se, pas kërkesës së eprorëve tuaj, ju jeni gati për ta lënë qytetin tonë, ndoshta për të mos u kthyer më kurrë. Atë ditë u bë dhe pagëzimi i shoqatës, menjëherë para nisjes së Doçit më 1881 për në Romë. Ku ai udhëtoi me Rt. Rev tij superior. Thomas Sears.
Emri Doçi nuk del përsëri në Islands Bay pas ditës së pagëzimit të Primus Power në 16 shkurt 1881. Deri më 19 shtator 1881 shënimet kishtare janë të nënshkruar nga Rev. Richard Phippard. Fr. Phippard mbërriti nga Roma në 1891 qe një shok i Doçit dhe i Imzot Sears, Prefekti i ri Apostolik. Duket se Doçi është kthyer në Gjirin e Ishujve vetëm për pak kohë sa për të parë, se si ishte sistemuar Phippard e ri, ku e kishte njohur atë me gjithë territorin shumë të përhapur të famullisë. Doçi shpejt u largua nga Newfoundland për një post të ri në një vend më të butë brenda tokës kanadeze të Shën Gjonit, në New Brunswick, në vend që të kthehej në Evropë. Detyrë e re mund të ketë qenë një kompromis i përkohshëm, që ai arriti me eprorin e tij në Vatikan. Gazeta “Morning Freeman” e Brunswick e datës 22 tetor-it të 1881 përmend se: “Priftërinjtë në Pallatin e Peshkopatës kohët e fundit ishin shtuar, me Rev Doçin, që është të zyrtarisht emëruar në qytet. Zotëria i përndershëm që është një shqiptar, ka studiuar për dhjetë vjet në Propaganda Fide. Ai kaloi disa vjet në vendin e vet me detyra të fetare dhe kohët e fundit ishte një prift misionar në Newfoundland.” Pas kësaj periudhe të shkurtër Prenk Doçi është nisur me anije për në Evropë nga ku bëri rrugën e tij për në Romë. Më pas ai u dërgua në një detyrë misionare, si sekretar të apostolik në Indi. Ndërsa delegati, Kardinali Agliardi më 1888, e zgjodhi atë në krye të Abbey Nullius e Shën Lleshit (Aleksandrit) të Oroshit, të Mirditës, në vendlindjen e tij në Shqipëri.
Prifti i çuditshëm me mustaqe
Famullia e tij ruajti kujtime të vyera nga puna e tij e dashur dhe të respektueshme në Kanada. Paragrafi në vijim është marrë nga libri, “Pionierët me Veladon të Purpurt”, në të tregohet historia e Kryepeshkopit Neil McNeil, i cili ishte peshkopi i Dioqezës së Shën Gjergjit në mes të viteve 1895 dhe 1910. Skena që përshkruhet u zhvillua 10-20 vjet më vonë pasi At Preng Doçi ishte larguar nga Kanadaja. McNeil deklaron se: “Kur ai ishte në Romë gjatë një muaji. Kishte shumë për të bërë. Edhe pse vuante nga pagjumësia dhe lodhja, nuk e zbehu interesin e tij për të parë kishat e mëdha, historinë dhe arkeologjinë. Ai madje u takuan me një njeri që e njihte Bregun Perëndimor të Newfoundland. Një ditë, ai ishte ulur në një nga paradhomat e kardinalit prefekt të Propaganda Fide.Po priste radhën e tij për të hyrë. Eci në paradhomë por pamja e një Peshkopi e habiti. Ai ishte një njeri i pashëm, por kishte mustaqe dhe pjesën tjetër fytyrës së tij e kish të rruar pastër. Peshkopi McNeil filloi një bisedë në lidhje motin me të në italisht. Tjetri iu përgjigj po në italisht dhe së shpejti ata filluan të flasin. Pas pak, Peshkopi McNeil e prezantoi veten në anglisht, dhe shtoi; Jam nga Shën Gjergji i Bregut Perëndimor të Newfoundland”. Peshkopi misterioz me mustaqe iu u përgjigj: “Si është George Gamier? Kjo e habiti më shumë Peshkopin McNeil, se George Gamier ishte pastruesi i Sandy Point dhe një personazh lokal mjaft i njohur. Doli se ky njeri ishte ish- At Doçi i cili në, vitet e shkuara kishte kaluar disa kohë në Bregun Perëndimor dhe tani po jetonte në Shqipëri (atëherë një pjesë e Turqisë), ku të gjithë klerikët kishin mustaqe “. Ky detaj tregon sesi, patrioti i shkëlqyer shqiptar, humanisti dhe njeriu i Perëndisë ishte me të vërtetë “një karakter i mjaft i dashur”.
Në vitin 1883, dom Prengën e kishin thirrur në Evropë me shpresa kthimi për në Shqipëri. Kështu ai më 2 prill të viti 1883 u gjend në Romë. Për të qenë sa më afër Shqipërisë, Selia Shenjtë e dërgoi më 5 maj po të këtij viti misionar në Tivar, ku ndejti plot gjashtë muaj. Por, përkundra përpjekjeve që bëri Selia Shenjte dhe kryeipeshkvi i Shkodrës P. Guerrini, për t’ia mundësuar kthimin në vendlindje, Doçi me plot hidhërim u detyra të marrë anijen e përgjatë brigjeve të Shqipërisë e të marrë rrugën për në Athinë. Për shkak të shpifjeve të cilat i bënte Ipeshkvi i Lezhës, Malçinski, drejtuar si nga Stambolli dhe Roma, Dom Prenga në vitin 1884, u detyrua përsëri të largohej nga Evropa, për të marrë tashmë rrugën si nëna Tereza më vonë për në kontinentin e Indisë, pikërisht në Bombei, ku qe caktuar sekretar i kardinalit Antonio Agliardi. Atje, si njohës i mirë i italishtes, latinishtes dhe frëngjishtes, zuri një vend të merituar mes të intelektualëve të Bombeit.
Rikthimi në vendlindje
Sado që ishte mirë nëpër vende të cilat ishin të lira, Doçi nuk gjente prehje e qetësi. Dëshira e tij e vetme ishte të kthehej në Shqipëri. Kështu pas kërkesave të pareshtura nga ana e tij, nga Bombei dhe Roma për tu kthye në vendlindje, më 6 nëntor 1888, i shoqëruar nga disa djem të Mirditës, i pritur katund më katund, tashmë si abat i Abacisë Nullius (Abaci e veçantë) të Mirditës, mbërriti në Orosh.
Papa Leoni i XII me dekretin “supra montem Mirditarum”, datë 25 tetor 1888, e kishte përtërirë Abacinë e Shën Lleshit, duke e shkëputur nga juridiksioni e ipeshkvisë të Lezhës, duke e lënë drejtpërdrejt të varur nga Selia e Shenjte. Sipas atij dekreti, Abacia që përbëhej prej famullive te Oroshit e të Spaçit, u shtoheshin edhe pesë famulli të tjera të shkëputura nga Dioqeza e Lezhës: Ndërfanda, Kalivarja, Qafa e Malit, Blinishti e Fandi. Kongregacioni i Shenjt i Propogandës, me dekretin “Ssmus D: N: Leo “, datë 27 tetor 1888 , lajmëronte Dom Prengë Doçin së Papa Shejt e kishte zgjedhur Abat të Mirditës.
Duhet theksuar se kësaj Abacie iu shtuan edhe disa famulli të tjera, me dekret të 30 shtatorit 1890, të Selisë së Shenjte: Vigu, Mnela e Gomsiqa, duke i shkëputur nga dioçeza e Sapës. Me dekret të 31 marsit 1894 Selia e Shenjte i shtoi edhe pesë famulli të tjera, shkëputur nga dioçeza e Lezhës: Kashnjetin, Korthpulen, Shën Gjergjin, Ungrejt e Kaçinarin dhe me dekret 2 korrik 1906 Abacisë iu shtua edhe Gryka e Gjadrit që i përkiste Sapës. Abati qëndroi 28 vjet në detyrën e bariut të mirë.
Vdekja e Abatit
Me 17 shkurt 1917 duke dalë nga dhoma e nxehtë për të shëtitur në mes të murrlanit, në oborr të Abacisë, abati ndjeu një dobësi! Rrëzohet !E ndien veten keq! E vizitojnë dy mjekë austriakë që ndodheshin në Orosh me ushtri. Diagnoza: bronkopolmoni e dobësim zemre! “I ka ditët e numëruara!”, thanë mjekët! Lajmërohet kleri e të afërmit. Abat Doçi kujtohet e thotë: dies annorum nostrorum septuaginta anni, (që jeta e një njeriu është normalisht shtatëdhjetë vjet”, të cilat i kishte mbushur e kaluar. Thërret Dom Zef Skanen; ai e rrëfen, ia ndan kungimin dhe sakramendin e vajimit. Kështu i bërë gati, vdekja i arriti me 22 shkurt 1917, në orën 14.30. Kështu vdiq bariu i mirë, letrari, atdhetari, misionari dhe shqiptari i parë që shkeli në kontinentin e ri ditën në vigjilje të Krishtlindjes të vitit 1877.
Burime
1 Imzot Prend Doçi, Abati burrështetas i Mirditës, Ndue Dedaj. Gazeta “Shqip”, 15 Shtator 2014
2 Abati i madh i Mirditës Imzot Preng Doçi në përvjetorin e vdekjes. Radio Vatikani, Kultura dhe shoqëria 22.02 2009 http://sq.radiovaticana.va/storico/2009/02/22/abati_i_madh_i_mirdit%C3%ABs_imzot_preng_do%C3%A7i_n%C3%AB_p%C3%ABrvjetorin_e_vdekjes./alb-268044
3 Further correspondence respecting the affairs of Turkey: presented to both houses of Parliament by command of Her Majesty ; 1878 .faqe 26
4 Pal Doçi , “Prend Doçi- Abati i Mirditës (jeta dhe vepra)” 1997
5 Prengë Doçi – Kompleksiviteti i një figure ndryshe, nga Daniel Gazulli http://www.zemrashqiptare.net/article/Personalitete/18735/?highlight=daniel+g%C3%A0zulli&match
6 Annales de la propagation de la foi pour les provinces de …, Issues 1-10
7 Inventaire des documents d’interet canadien dans les Archives de laCongregation “de Propaganda Fide” sous le pontificat de Pie IX (1846-1878) botuar në Rome – Ottawa nga Qendra Akademike Kanadeze në Itali Centre academique canadien en Italie – Universite St-Paul më 2001
8 Edith Durham, “20 vjet trazira ballkanike” botimi origjinal anglisht f. 108.
9 Gjergj Fishta Ligjërim në vdekjen e Abat Doçit, “Posta e Shqypnis”, nr 24, shkurt 1917
10 Melhem Mobarak, Penk Dochi “The First Albanian Resident in North America”, p 59 “Buletini katolike” Qendra e Informacionit katolik nga Universitetit Santa Clara 1986-1987, botohej si kundërpërgjigje e politikës ateiste të kohës. ALBANIAN CATHOLIC BULLETIN VOL. The 1986-1987 issue of our journal is primarily devoted to the 20th anniversary of the foundation of our Center. An article on the Center’s activities since 1966 highlights its labors for the restoration of religious freedom in Albania. Botuar nga Gjon Sinishtaj.
9 Idem “Prenk Doci
11 idem
12 idem
13 Pioneer in Purple (1951)
14 Abati i madh i Mirditës Imzot Preng Doçi në përvjetorin e vdekj
Maksim Shaholli says
Kol Kristofori! Sa shumè i ngjanè Pèrrrallès qè tregojnè kètu né Itali,se Cristoforo Colombo zbuloj Amerikèn,dhe aq mè tepèr 5shekuj para Kol-it tonè!E rèndèsishmja dhe Thelbèsorja èshtè se né gjuhèn Italiane Amerika=Hamerika= Ha-mèrè-ikè,pra vèndi i bollèkut asnjèri s’flet, ashtu siç Stambollì=Stan=Bolli=bollèk shekuj para Amerikès. Ne gjuhèn Shqipe del thelbi i fjalès kuptim plotè,embrionit, mitrès ndryshe né shkolla,ne dhe fèmijèt,nipèrit,dhe mbesat tanè shkojnè kotè né qoftè se nuk u shpjegohet siç duhet.Libri nuk èshtè Gazetè’ku mund tè shkruash çfarè tè duash.Falem nderit.Gèzuar Festat gjithè Shqiptarève anè e mbanè Botès
Kreshnik Arberi dr. says
Dale se ka prape DOC te tjere qe nder vite kan formuar Principate te mdha te njohura.
Dikush duhet shkojne e te germojn ne Vatikan ne ne PALERM.PADOVA) .
Atje ne vitin 1938 nje prof. Italian Flet per Principaten e Docve.
Pastaj rruga esht e shtruar per Papen ..deri te Krasa,,,…nika qe kan marr pjes ne ushrin e Luftes ne fushe KOSOV 1389 dhe ne ushtrin e
Gjergj Kastriotit SKENDERBEUT….
Pema esht ne prpunim statistikor elektronik per 15-20 breza.
Le te shpresojm.
Faveni
Maksim Shaholli says
Nuk kamè dyshimin mè tè vogèl per ato qè thua.Por po tè dali Historia e vèrtetè,jo se do pèrmbyset Bota,por e kundèrta,do tè triumfojè e vèrteta,dhe né kètè rast e vèrteta èshtè Shqipe-shqeto.Nuk mund ti themi fèmijève qè silluni mirè,se ndryshe nuk vjen (Babbo Natale=Na talle) apo Babagjyshi né fund tè vitit t’ju sjelli dhurata dhe tè presim,pretendojmè nga ata qè tè bèhen tè zgjuar dhe tè aftè,kur ne ja fusim né gjakè gènjeshtrèn,mashtrimin. Disave u intereson tè trgojnè pèrralla,pèr tè vegjèl dhe per ne.Poshtèrsia mè e madhe per mua èshtè gènjeshtra